Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Homazh mësuesit Muzemil Osmani

| E marte, 04.12.2012, 08:50 PM |


Mësues Myzemili. Homazh.

Durrës më 29. 11. 2012.

“Jeta, nëse di ta përdorësh, zgjat shumë” - Stendal

HOMAZH MËSUESIT MUZEMIL OSMANI

“Qytetar Nderi” i Durrësit

Nga Kadri Tarelli, Durrës

Pas një sëmundje të rëndë e të rrallë, para pak kohësh u nda nga jeta mësuesi Muzemil Jasin Osmani. Ai ka lindur në Vlorë në vitin 1948. E kështu mund të quhet vlonjat, po Muzemili thoshte me krenari: “Më pëlqen ta them me mburrje, se rrënjët i kam në Çamëri, në Kuç, pesë kilometra larg nga Gumenica. Sëbrendëshmi kam një ndjenjë malli e krenarie për tokën e të parëve”. Familjarisht u vendosën në Shqipëri në fund të vitit 1944. Një fat tragjik si i të gjithë popullsisë çame, që u shpërngul me forcë nga trojet e veta stërgjyshore e shekullore, si rezultat i politikës shumëvjeçare greke mbi spastrimin etnik.

Muzemili botuesi i talentuar, shoku dhe miku ynë, mësuesi, studjuesi, hartuesi dhe hartuesi i mbi 30 librave për matematikën, kaloi një jetë e tërë punë pa zhurmë e bujë, në shërbim të mësimit dhe edukimit të brezave. Ai është i tepër i njohur në rrethet arsimore dhe shkencore të Durrësit, por edhe në të gjithë vendin. Me veprat e tij u mirëprit dhe u respektua nga të gjithë mësuesit, veçanërisht të matematikës, ca më shumë nga nxënësit e shkollave, pse jo edhe nga pasionantët e matematikës, sepse u bënë shumë vite që kanë nëpër duar librat e tij.

Për këtë kontribut kaq të çmuar në shërbim të shkollës dhe të arsimit, Bashkia e Durrësit më 6 Mars 2012, e nderoi mësuesin Muzemil Jasin Osmani me titullin “Qytetar Nderi” i Durërsit, pikërisht në prag të ditës së “Shenjët të mësuesit”. Motivacioni: “Për konsideratën dhe respektin e fituar nga puna e tij e palodhur në fushën e arsimit, ku falë artikujve dhe botimeve të shumta ndikoi fuqishëm në rritjen e cilësisë në shkollë”. Ishte në një vlerësim i merituar për një punonjës arsimi si Muzemili, që treti jetën për matematikën, shkollën dhe arsimin.

Muzemili e nisi udhën e shkrimeve që në rini, këtu e tridhjetë vjet të shkuar, me artikuj në revista shkencore. Pavarësisht nga vështirësitë, etja për dije, dashuria për librin, përvoja e gjatë si mësues, e çoi në botimin e librit të parë “Matematika e Mrekullive dhe të Fshehtave” në vitin 1996, e për të vazhduar me “Pitagora dhe Arkimedi”, “Jetë për Matematikën”, e deri në kohët e fundit me librat, “Nëpër olimpiada të Europës”, e për t’u plotësuar me tekste mësimore shkollore të ciklit 9-vjeçar. Është frut i një investimi të kahershëm, i bërë që në moshë të re, kur kalonte orë të tëra duke zgjidhur ushtrime dhe problema, apo duke harxhuar ato pak para për të blerë revista dhe libra matematike.

Të hysh në oborrin e “Mbretëreshës së Shkencave”, ca më shumë të ngjisësh  shkallët e këtij “Pallatit mbretëror”, nuk është e lehtë e as shaka. Së pari duhet guxim, e pastaj të tjerat me rradhë, vullnet, deshirë, durim, kulturë, punë e mësëshumti mundim, e për t’u shtyrë më tej, edhe kultura e të shkruarit bukur. Të hartosh dhe të botosh kaq shumë, për më tepër në fushën e matematikës është një pasuri e gur i çmuar në mëndimin pedagogjik Shqiptar, pse jo edhe një sakrificë njerzore. Prandaj Myzemili, u vlerësua nga të gjithë mësuesit, kolegët, nxënësit, prindërit dhe qytetarët, e deri tek profesorët e matematikës në Universitet. Vetiu lind pyetja: Ç’ forcë e shtynte për sakrifica kaq të mëdha? Është entuziazmi për jetën, përkushtimi për punën, humanizmi dhe dashuria për nxënësit, veçori që Myzemilit i kishte pakursim.

Shpirti idealist, dhe detyra e misionarit të dijes, është edhe një tipar i fshehur, apo i heshtur tek mësuesit, por pak me tepri edhe tek Myzemili. Ishte detyra fisnike që e shtynte për të dhënë e thënë gjithçka, për brezin  e ri, që të bëhen më të ditur, më të zotë dhe më të mirë, si qytetarë që t’i shërbejnë arsimit dhe kombit. Përvoja e gjatë disa vjeçare, si mësues matematike nëpër fshatrat e Mirditës e të Rrogozhinës dhe në disa shkolla të qytetit të Durrësit, ishte një mundësi më shumë për të trajtuar materialin e teksteve dhe librave, me ngarkesën dhe fjalorin e moshës, pa lënë pasdore metodikën e mësimnxënies. Myzemili me mjeshtëri artistike, u tregoi lexuesëve dhe sidomos të rinjëve, se pas atyre shifrave, teoremave dhe formulave të ftohta, qëndron një histori e tërë jete, përpjekje shekullore e mbushur me sakrifica, mundime, dështime dhe fitore. Myzemili ka merita të veçanta, sepse përcjell te shkollarët e rinj përvojën e brezave të matematikanëve, duke theksuar se “Mretëresha matematikë”, nuk është kaq e egër sa duket.

Ndërmarrje e vështirë të analizohen të gjithë librat e botuar nga Myzemili. Janë specialistët, mësuesit dhe nxënësit në mbarë shkollat e Durrësit, por edhe brenda e jashtë vendit, ata që gjykojnë, shprehen e japin vlerësimin maksimal. Njëri më cilësor se tjetri. Theksojmë në veçanti vlerat e librave me ushtrime e problema që janë dhënë nëpër olimpiadat botërore të matematikës, kjo në ndihmë të talenteve që konkurojnë. I dobishëm për të rinjët, është  jetëshkrimi për kollosët më të mëdhenj të të gjitha kohrave, në librin ”Jetë për Matematikën” i kompozuar me finesë, aq sa mund ta quajmë një enciklopedi të vogël të matematikës. Me të drejtë Prof. Dr. Aleko Minga në parathënien e këtij libri thotë: “Është një mozaik i këndshëm, gurët e të cilit janë qëmtuar me kujdes nga visaret e matematikës”. Kjo shkencë, me harmoninë dhe magjinë që mban në gjirin e saj, po të dish ta njohësh e ta dashurosh, të frymëzon për gjëra të mëdha e të bëhet e afërt, e shtrenjtë dhe e bukur si poezia, muzika, piktura, skulptura, artitektura.

Mësuesi me “shpirt rebel”, shumë vite punë larg shtëpisë, disa herë e ngriti zërin sepse nuk u pajtua me vuajtjet dhe mundimet, ndaj edhe librat e tij nuk lejoheshin të botoheshin. Vetëm pas viteve të demokracisë, ata e panë dritën e publikimit. Vitet e fundit veç studimeve, Muzemili i’u kushtua fushës së botimeve, duke hapur shtëpi botuese, ku vendi kryesor e zenë librat për matematikën. Ai asnjëherë nuk u kënaq me çka kishte arritur. Kërkonte e përpiqej për të përsosurën, për t’ua trasmetuar të rinjëve.

Me ndarjen para kohe nga jeta, Muzemili do t’u mungojë familjes e fëmijëve të tij. Do t’u mungojë miqëve e shokëve, kolegëve dhe nxënësve të shumtë në mbarë vendin, por vetëm fizikisht, pasi emrin dhe librat e tij do t’i kenë kurdoherë në dorë, në tavolinë e punës dhe në raftet e bibliotekave.

Jeta dhe veprimtaria e Muzemilit është një model qytetarie për t’u patur lakmi e për t’u ndjekur nga të rinjtë. Vepra, e bën që emri i tij të kujtohet me mirënjohje dhe të mbetet i përjetëshëm për brezat.