E enjte, 18.04.2024, 08:51 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Tirana e Vlora flakëronin kuq e zi

E merkure, 05.12.2012, 08:58 PM


Aventurat e Lulisë  në njëqindvjetorin e pavarësisë

Tirana e Vlora flakëronin kuq e zi

Nga Gani MEHMETAJ

Nuk e priti të ftohen karriget nga manifestimi në Shkup dhe mësyu magjistralen e kombit drejtë Mëmës Shqipëri, filloi të më rrëfej me një ton patetik-patriotik si asnjëherë më parë. Nga frika që në mëngjes do të bëhej rrëmujë, e do të ngulfatej rruga e kombit, ashtu sikurse i ndodhi në Vlorë dy ditë më vonë, ajo u nis natën vonë nga Prishtina. Pas mesit të natës, për tri orë shkeli me makinë në Rrugën e Dibrës, ku kishte rezervuar dy dhoma, sepse nuk ishte e vetme. Mori një grup miqsh dh mikeshash me vete, donte ta ndante gëzimin me ta. Kërkonte aventura e gallatë ajo. U kënaq që i shpëtoi tollovisë. Nuk bëri as tri-katër orë gjumë dhe brofi në këmbë: rrugët e Tiranës e prisnin. Sa  s’filloi të recitonte zëshëm nga terraca e hotelit poezinë paksa të modifikuar: “Tiranë o qytet i bekuar, prite, prite Lulinë....”.

Për festimet në Prishtinë, nuk u përqendrua gjatë. Ato vetëkuptoheshin. “Ne bëjmë zhurmë e digjemi në flakën kuq e zi edhe për gjëra më të vogla, e lere më të mos e festojmë njëqindvjetorin e pavarësisë. Do ta festonim”, përpiqej të më bindte ajo, “edhe sikur të Tiranë apo në Vlorë të mos e shkrepnin asnjë fishekzjarr. Të tillë jemi ne. Madje edhe Tiranën e mbushëm nga sheshi Skënderbeu e deri të Sheshi Nëna Terezë, nga rruga e Dibrës e deri në fund të rrugës së Durrësit, me njerëz e me kalorës, me flamuj e më veshje kombëtare. Por për këtë ajo dëshironte të më rrëfej, në mënyrë të veçantë, sepse e pranoi se u kënaq si asnjëherë më parë. Ishin atdhetarë e patriotë bashkëkombësit mesdhetar, më tha ajo e sigurt në vete. Shpifin ata që flasin ndryshe. U bëmë shumë ato ditë, prandaj s’duhet t’ua kemi frikën fqinjëve, s’duhet t’u bëjmë fare lajka e t’i marrim më të mirë edhe atëherë kur na fyejnë e na godasin”, më përcaktonte politikën e re kombëtare Lulia e Kodrës së Trimave. Se si i erdhi kur u zemërua greku pse e paska përmendur kryeministri shqiptar Prevezen si territor shqiptar. Pse tokë greke është? Ta rrëmben burri i botës qytetin, të merr qytete e katunde të tjera dhe të thotë mos mi përmend se më mbetet hatri. Ah sikur të kishte mundësi Lulia të fluturonte me kalorës si heroina e saj Zhan Dark apo Mamica dhe t’i çlironte ato territore. Do ti linte nën hije të gjithë burrat që e lanë punën në gjysmë, e sot vajtojmë.

Sheshi Skënderbeu iu duk më i bukur se asnjëherë më parë. Turma laramane tashmë lëvizte poshtë e lartë, të veshur bukur, të mbështjell me flamuj kuq e zi në vend të pardesyve, me kapela me shqiponja dykrenore, me fytyra të ngjyrosura me dy ngjyrat e  bekuara nga Zoti, me fliste e entuziazmuar për atmosferën e 28-Nëntorit në qytetin e saj të dashur. Sidorelen dhe mikeshat e tjera i takoi që ditën e parë. Ishin të entuziazmuara gati si ajo dhe nuk ua dëgjoi asnjë ankesë, gjë që e habiti pa masë. Patriotizmi e atdhedashuria, përpiqej të më bindte Lulia, i kishte goditur në kokë. Nga të folmet ajo u gëzua që turma vinte nga jugu e nga veriu. Madje me një grup të rinjsh nga Malësia e Madhe bisedoi disa orë rresht, derisa prisnin paraqitjen e Rita Orës në sheshin Nëna Terezë, nwn rrebeshin e shiut. U kënaq me këto malësore të reja që shkëlqenin nga atdhedashuria dhe shëndeti. E kënaqen edhe labët më kapelat e tyre me antenë, me tha e rrëmbyer nga euforia e gjithëmbarshme. Shiu i rrëmbyer nuk e pengoi të tundej e të këndonte nën tingujt e muzikës e të këngës së Rita Orës.

Po tiranas, pos Sidoreles e ndonjë mike tjetër, pati? E zura në befasi, sepse e dija që kur provinca ia mësyn në Prishtinë, prishtinasit nuk dalin fare në qytet. Nuk diti të më jepte  përgjigje të prerë: mbase ishin por nuk u vërejtën, mbase ato dy ditë ua lanë rrugët të tjerëve, sepse vet i gëzojnë 365 ditë të zotit, me tha ajo fitimtare që doli nga situata e pakëndshme e arsyetimeve. Tironsat kishin punë t’u shërbenin e ti ushqenin gjithë ata mysafirë dhe të mos koriteshin, vazhdonte ajo të më sfidonte me aftësinë e saj që të me kundërvihej. Nuk e mora vesh pati a s’pati tironsa më njëqindvjetorin e pavarësisë!

Ajo kënaqej dhe s’ngopje së shikuari, megjithëse të gjitha ato rrugë i njihte si të ishin rrugët e Kodrës së Trimave. Por se si i dukeshin kësaj here, ndryshe dhe më patriotike.

Pse erdhe në Tiranë e nuk ngele në Prishtinë? E pyeta sa nga kureshtja aq dhe nga dëshira të mësoja motivet e shëtisë së saj patriotike-kombëtare. Do të shkoja edhe në Vlorë. Po të isha kalorëse do të hipja në një kalë të bardhë dhe do të kaloja gjithë ato rrugë nga kaloi Isa Boletini me katërqind ushtarët e tij. Por kurrë nuk kalërova në këtë kafshë fisnike, ofshante ajo. Sikur të kisha mundësi, mbase do ta pyesja Plakun e Vlorës, pse e shpalli Pavarësinë në Vlorë e nuk e bëri në Shkup. I përvidhej asaj ndonjë mëdyshje për burrat e kombit, ndaj të cilëve ia shtonin dyshimin ca libra e dokumente, të botuara kohën e fundit. Por i kapërcente me shkathtësi e ofshamë të lehtë mëdyshjet që e brenin nga brenda. I shmangej shikimit tim, sepse druante se do ta thumboja për rrëmbimin e saj patriotik dhe për lënien në heshtje të disa fakteve të tjera.

Ajo ma pranoi se erdhi në Tiranë, kaloi edhe nëpër Durrës e Kamëz, sepse donte të mësonte se si do ta festonin pavarësinë bashkëkombësit mesdhetar, gjithë herë të pakënaqur me shtetin e shtetarët. Në ngjarjet e tilla të rralla donte të jetë pjesëmarrëse  aktive e jo figurant. Nuk do të qetësohej ditën as natën sikur të mos merrte pjesë fare ashtu sikurse u ndodhi opozitarëve të Kosovës, besa edhe opozitarëve në Maqedoni. Pushtetarët festonin e digjeshin flakë nga atdhedashuria, duke dal para popullit që u duartrokiste më eufori, kamerat i xhironi pa pushim natën e ditën, gazetat i nxirrnin në faqe të parë, jepnin intervista gjithandej. Natyrisht edhe disa nga opozitarët ishin të zhurmshëm e më vaje në buzë gjatë gjithë kësaj kohe. Së pari, qanin pa lot, sepse nuk ishin ata qe do të organizonin këtë ngjarje të madhe. Së dyti, nuk ishin ata që do të flisnin me eufori për atdheun e lulëzuar, për flamurin kuq e zi, për Plakun e Vlorës etj. Prandaj rrinin të gatshëm në peshkimin e lëshimeve në organizim. Çdo gjë u pengonte: parada, fishekzjarrët, torta gjigante, paraqitja e pushtetarëve të cilët nuk shkelnin në tokë por ecnin nëpër re. Mbase edhe ajo do të bënte vërejtje me thes sikur t’i shikonte festimet nga televizori, por ajo u bë pjesë e historisë. Dhe ishte e lumtur për këtë gjë. Do t’ua rrëfente brezave të ardhshëm, më thoshte ajo plot gjallëri, ndërsa sytë i merrnin shkëlqim të veçantë.

Fundja tha Lula, në Tiranë e në Vlorë ishin një milion shqiptarë, s’kishte kohë turma të dëgjonte përralla, ata donin zhurmë e gallatë më këngë e fishekzjarr, me parada e fjalime të zjarrta.

Dhe Lulia rrëshqiti trotuareve të Tiranës nga Sheshi Skënderbeu deri tek Sheshi Nëna Terezë, nga Zogu i Zi të Zogu i Bardhë, pardon Sheshi i Flamurit, që u pagëzua rishtazi. Nuk la as rrugicë të Tiranës pa e shkelur më takat e këpucëve të saja që i kishte blerë enkas për këtë ngjarje të madhe. Fatbardhësisht  nuk ia gërvishtën fare lëkurën e hollë të këmbëve. Këpucët do t’i ruante kujtim nga një ngjarje historike, me tha ajo në mirëbesim. Duke kaluar nëpër rrugën e Bllokut, asaj i ishte mbushur mendja se quhet e tillë sepse opozitarët e këtushëm e bllokojnë Shqipërinë të shkonte më tutje. Por e kapërceu shpejt këtë batutë politike nga droja se do t’i bëja vërejtje për njëanshmërinë e saj.

S’pati kohë të lexonte gazeta, nuk pa as televizor, u shmangej njerëzve që vazhdonin të shanin e kritikonin si të mos ishte festë, ajo donte të shijonte festën më tërë qenien. Njëri nga ta e frikësoi ca, por e kapërceu shpejt, kur i tha se s’do ta prisnin qershorin dhe do ta bëjmë rrëmujë, në vend që t’i dëshironte mirëseardhje. Madje kalimthi i tha ish oficeri i Enverit se kot e keni ju kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë, që rrëmbeheni e festoni. Ia kujtoi kjo batutë rrëmujën e 21 janarit.

Me tregoi Lulia që tri ditë e tri net sa ndenji në kryeqytetin e tashëm të shqiptarëve-Tiranën e bekuar, takoi mijëra shqiptar. Disa erdhën me kuaj në Tiranë dhe silleshin vërdallë nëpër rrugët e mbushura. Të tjerët kishin vazhduar tutje në Vlorë, ku po ashtu ishin dyndur shumë bashkëkombës të Lulisë nga të gjitha trojet etnike. Ajo që i dha zemër heroinës sonë ishte entuziazmi i mikeshave vendëse që digjeshin nga patriotizmi, ishin veshur bukur me kostume kuq e zi, ndërsa Lulia e ndeju vetën keq, sepse s’i ra ndër mend të merrte nw valixhe kostum dyngjyrësh. Ato madje kishin edhe flokë të zeza e fytyrë të nxirë nga dielli që u shkonte bukur në solemniteti e ngjyrave kuq e zi. Dukeshin azgane e topolake. Ndërsa ajo vuante pse i pati flokët ngjyrë gruri dhe fytyrën e bardhe të zbehtë.

Euforia patriotike kuq e zi sikur e kishte squllur Lulinë, por duket e kishte bërë më entuziaste dhe më euforike, megjithëse euforia asnjëherë s’i kishte munguar. Por ajo ishte e gëzuar se kjo sëmundje ngjitëse kishte mbërthyer jo vetëm Kodrën e Trimave po edhe të tjerët.

Ma pranoi se i kishte mbetur hatri në pushtetarë që nuk ia bënë një përmendore presidentit të saj historik, ndërsa mbollën gjithë ato përmendore...



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora