Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Ç’mysafirë patëm për 100-vjetorin?

| E marte, 04.12.2012, 11:00 PM |


Ç’mysafirë patëm për 100-vjetorin?

(Përndryshe: Izolimi tjetër i Shqipërisë)

Nga Vangjush Saro

Përtej vlerave të pakufi të përvjetorit që sapo festuam, (midis të cilave përpjekja e qytetarëve shqiptarë dhe e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve për të nderuar me madhështi e shpresë Ditën e Flamurit,) një pyetje të zgjohet menjëherë sapo shikon të shpërthejë sërish lufta e termave të pushtetit. Kjo pyetje është e thjeshtë: Ç’mysafirë patëm për 100-vjetorin?

Me sa kemi lexuar e parë, protokolli i shtetit për këtë përvjetor, paralajmëroi një madhështi të paparë; por ai përfundoi i varfër: Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që ashtu si ndonjë koleg i tij, po dikton regres në arritjet demokratike të atij vendi. Kryeministri i Kroacisë Zoran Milanoviç, në fakt drejtues i një partie të majtë, (SDP).  Zevendëskryeministrja e Maqedonisë dhe po ashtu, nja dy zëvendësa të tjerë. Ministra. Ambasadorë. Politikanë. Vilfred Martens, një përfaqësues (në këtë rast) me sjellje joevropiane i partive popullore evropiane; (si mund të themi ndryshe, përderisa ai zotëri pothuaj bëri hartim, në një jubile që nuk ishte i PD-së dhe, për më tepër, si radhë, përpara Presidentit të vendit). Një këngëtare, që mund të jetë e njohur, por që bën lojën e klanit kur shoqëron kryeministrin Berisha aq e ngazëllyer, thua po shkonte krah Mbretëreshës së Britanisë së Madhe. (Kjo zonjë a zonjushë, çfarë është, si dhe një sërë artistë të tjerë - që e përqafojnë xhaxhi Sali Berishën njësoj siç mund të kishin përqafuar xhaxhi Enver Hoxhën - nuk kuptojnë aspak se qeveria dhe kryeministri i saj, të vdekur për pak bujë, shfrytëzojnë emrin e tyre për t’u shtirur trendi...) Që të mos humbasim fillin, më në fund, drejtuesit e lartë të shtetit të Kosovës nuk i rendis ndër mysafirë, sepse ata ishin në festën e tyre.

Le t’i kthehemi tani një prej burrave të mençur të këtij vendi. Poeti dhe mendimtari i njohur shqiptar Gjergj Fishta, shkruante: “Oh! Kur t’xash filli/ me vu ti strehë/ Sa t’u ngjatjetat/ ke për t’i njehë.” (“Metamorfosis”) Nuk është e këndshme ta themi, por ky jubile - edhe pse ishte i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, pra normalisht do të duhej të kishim më shumë mysafirë dhe të nderuar - në këtë temë, ishte zhgënjyes. Ku ishin përfaqësuesit e shteteve fqinje? (Gjithë jetën tonë gërr-mërr do të bëjmë ne, se ashtu i do menderi herë njërit e herë tjetrit?) A ju zunë sytë ndonjë drejtues evropian, dikë nga Franca, Gjermania a Italia, mandej ndonjë nga SHBA? Përveç ambasadorëve, që si gjithnjë sillen në mënyrë (ekstra)diplomatike.

Është për të ardhur keq, por ky rast na tregoi se Shqipëria (pothuaj) është duke u izoluar sërish. Dhe kjo po ndodh për shkak se një individ me emrin Sali Berisha dhe klani përqark tij, për të mbajtur pushtetin, për të fituar ç’të mundin, për të qëndruar “të paepur” në egoizmin dhe megallomaninë e tyre, i kanë trandur raportet me shumë vende, me shumë liderë vendesh, me (pothuaj) gjithë botën demokratike. A ishte shqetësues fjalimi partiak i z. Martens, kryetar i Partive Popullore Evropiane, aq më shumë në kundërshtim me protokollin e shtetit e përpara Presidentit të Republikës? (Më thoni, në cilin vend ndodh kjo?) Sigurisht, ishte shumë shqetësues. Ai ishte e pavend ndarja (si përherë) e politikanëve shqiptarë në festimet e 100-vjetorit? Patjetër. A nuk u ndjemë të gjithë keq për atë të mjerë tortë që ndërsa (menduam se) “mund të na jepte lavdi”, na turpëroi?

Ani. Përtej këtyre, fakti që në këtë përvjetor nuk patëm shumë mysafirë, mysafirë të shënuar, është ai më shqetësuesi, më i trishtueshmi. Çka po ndodh në Shqipëri? Na e treguan hartuesit e studimit me titull “Urë mbi ujëra të turbullt”, i bërë publik disa javë të shkuara. (I bashkëpërgatitur nga tre qendra e fondacione me seli në Bullgari, Gjermani dhe SHBA, studimi analizonte disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në vend, duke nisur nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.) Ja disa nga frazat e dimërta të këtij studimi: “Në vend të konsolidimit të demokracisë, Shqipëria ka përjetuar një spostim drejt një ushtrimi kontrolli gati të plotë nga elita qeverisëse, si dhe një përdorimi gjithëpërfshirës të proçedurave jodemokratike, ku ligjet përdoren për të ushtruar kontroll nga elitat në fuqi. Nuk bëhet fjalë vetëm për problemin e dallimit mes ‘letrës dhe frymës’, apo ‘proçesit dhe vlerave të ligjeve’, por gjithashtu për keqpërdorimin e ligjeve dhe institucioneve për qëllime vetiake politike dhe individuale. Sundimi i ligjit është i një rëndësie thelbësore, por Shqipëria shënoi hapa pas në këtë fushë dhe për aktorët ndërkombëtarë u duk të ishte e vështirë që të gjenin përgjigjet e duhura ndaj abuzimit me institucionet dhe procedurat.”

Edhe mungesa e theksuar e mysafirëve të spikatur, është në këtë reze; është një shenjë që Shqipëria duhet të ndryshojë. Më e pakta, nuk po sillet si duhet. Qeverisja e saj duhet të demokratizohet. Pasi kështu duket se janë punët, është shumë e thjeshtë të bëjmë atë që e gjejnë të udhës shumë analistë e shumë media, ta kërdisim me të sharra dikë që nuk e duam apo s’ia miratojmë shumicën e veprimeve e të drejtimit në krye të qeverisë. Tjetër gjë na dhemb e na mërzit. Pse nuk kishim më shumë mysafirë, mysafirë të spikatur? Çfarë nuk shkon? Kjo është pyetja që duhet t’i drejtojmë sot individit që i janë errur sytë për pushtet e lavdi, nëse nuk duam të jemi (siç thotë diku Xhejms Xhojs) “Një popull i strehuar brenda zërit të tij...” Kjo është pyetja që duhet t’i drejtojnë atij ministrat, nëse kanë sadopak dinjitet; zyrtarët e lartë të këtij vendi, nëse ai iu dhimbset; këshilltarët, nëse iu ka mbetur sadopak personalitet; miqtë dhe të afërmit, nëse gjejnë qoftë edhe pak të drejtë në këtë konstatim, ankim, qarje, mërzi, kritikë, merreni si të doni...Më në fund, kjo është pyetja që duhet t’ia bëjë ai individ, individi Sali Berisha, edhe vetes së tij, nëse ende gëzon shëndet të mjaftueshëm dhe, njëherësh, është i njëmendtë për të vazhduar edhe më tej karrierën politike.