E premte, 19.04.2024, 08:20 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ukshin Zajmi: Fetah Mehmeti - Regjisor rrebel me fantazi të shfrenuar

E hene, 03.12.2012, 06:55 PM


Regjisor rrebel me fantazi të shfrenuar

(Në 10-vjetorin e vdekjes së Fetah Mehmetit)

Ekskluzive nga Ukshin Zajmi

Kaluan dhjetë vite, pa e kujtuar thuaja asnjëherë, askund  e nga askush Fetah Mehmetin, aktorin dhe regjisorin gjilanas që la gjurmë në skenën teatrale të Gjilanit, të Kosovës e të Maqedonisë. Talenti i tij në aktrim u hetua në shkollën fillore e sidomos u deshmua në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit, ku luajti rolin e Rikardit në dramën “Monserati” të Manuel Roglles. Pas këtij roli, ai u mishërua me artin skenik, dhe menjëherë, i entuaziazmuar, me shokët e vet gjimnazist bëri regjinë e dramës  “Karvani i bardhë” të Azem Shkrelit. Këto dy shfaqje, atbotë i pat shikuar edhe Muharrem Shahiqi, atëherë aktor i dramës shqipe në teatrin e kombësive në Shkup. Pas disa kohësh, kur teatrit në Shkup i nevojiteshin aktorë të rinj, ai e fton Fetahun që të merr pjesë në audicion për aktor, madje edhe i ndihmon për përgatitjen  e tij.

Fetah Mehmeti në Teatrin e kombësive në Shkup ia fillon punës në sezonin 1968/69 dhe në këtë teatër ka aktruar në pjesët teatrale: “Tom Sojeri” të Mark Tuenit, “E ikura”, “Karanevalet e Korçës” të Spiro Çomorës, “Ilirët”, “Fërfëllanza”, “Maçori me çizme” të Sharl Peros, “Rrugica e miut”, “Elektra” e Sofokliut (me këtë pjesë, ky teatër vizitoi Shqipërinë, por Fetahu nuk mori pjesë, sepse u lëndua në një akcident komunikacioni dhe rolin e tij e luajti Qemajl Hajdini), “Varret e pafajshme” të Muharrem Shahiqit e Qemajl Hajdinit, “Bota” e Branisllav Nushiqit, “Pamje nga ura” në regji të Sefo Beto Krasniqit, dramë të cilen e ka gjiruar Televizioni i Prishtinës, e ndonjë tjeter. Gjatë kësaj kohe, pos roleve që i përgatiste në Teatrin e kombësive, ai merrte pjesë edhe në përgatitjen e shfaqjeve, sidomos në Gjilan, në vendlindjen e tij, dhe në disa qytete tjera të Kosovës.

Fetah Mehmeti në vitin 1977 regjistron akademin e arteve dramatike-drejtimi i regjisë për film, teatër e Televizion në Beograd, gjeneratë kjo në të cilën studiuan edhe Selami Taraku, Emin Halili, Hysein Dakaj, Artan Skenderi dhe Isa Qosja. Në vitin 1981 Fetahu e kryen këtë akademi dhe fillon punën si regjisor në Televizioni e Prishtinës. Si student në Beograd realizoi shumë filma të metrazhit të shkurtër, prej të cilëve sukses të madh arriti me filmin 23 minutësh “Kur engjujt marshojnë” me të cilin edhe ka diplomuar.

Gjatë karierës së tij, Fetah Mehmeti banë regjinë e këtyre pjesëve teatrale: në Teatrin amator të Gjilanit “Filokteti” Hajner Miller, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Ismail Kadare, “Drenusha” Nebil Duraku, në dramën turke përgatit shfaqjen “Yrük Osman”  dhe pjesën “Anna drumo” me dramën rome. Në Ferizaj ka bërë regjinë e pjesëve: “Dërvishi dhe vdekja” të Mesha Selimoviqit, “Rrushi ka nisë me u pjekë” të Sinan Hasanit, “Kekeci dhe Mojsa” të Josip Vandotës, “Një natë e trubullt” të Sinan Hasanit, “Flutura në shi” të Hevzi Sylejmanit. Në Gjakovë ka bërë regjinë  e “Halili dhe Hajrija” të Kolë Jakovës dhe “Daullet e Varrimit’, ndërsa në Prizren  realizoi “Kthimi i Euridikës” të Edi Shukriut dhe “Gof” të Anton Pashkut. Në Teatrin popullor të Prishtinës bëri regjinë e “Lojës” së Semjuel Beketit dhe “Vegullinë” e Beqir Musliut.

Në Televizionin e Prishtinës ai bëri regjinë e emisioneve të ndryshme, ndërsa realizoi edhe filmin televiziv “Lamja e Liteja” sipas skenarit të Eqrem Bashës dhe së bashku me Emin Halilin realizuan edhe dramën “Fluturimi i Micakut”.

Vlenë të theksohet se Fetah Mehmeti ishte përson që më këmbëngulje mbronte deri në ekstrem mendimin e vet, por që në ndonjë kundërshtim nga shoqëria, ai lexonte dhe kur kuptonte se ai nuk ka të drejtë, këtë e pranonte, e kur nuk gjente argumente për të kundërshtuar mendimin e tij, ai nuk kthehej. Ndonëse ishte i shoqërueshëm, ai ishte i paskrupullt në të padrejtën, por që edhe mbronte shoqërinë dhe vendin e punës. Këtë e dëshmon kolegu i tij i punës Mejdi Alidemi, i cili thot se, një herë kur shkuan në Beograd për të shfaqur një pjesë teatrale në sallën “Gjuro Sallaj” ,te dyve u ishin shkoqur këpucët, ndonëse ishin aktor profesionist. Me Fetahun shkuan te një këpuctar, dhe kur mjeshtri i pyeti se ku punojmë, Fetahu reagoi i pari duke thënë se janë punëtorë krahu dhe ngarkojnë e shkarkojmë thëngjill.

Për punën e Fetah Mehmetit si regjisor, aktori gjilanas Muharrem Sylejmani e cilëson si regjisor rrebel me fantazi të shfrenuar që krahasohej me regjisorët më të famshëm botëror të kohës kur ai punoi. Këtë e dëshmon edhe Faik Hetemi, realizator i skenografisë në teatrin e Gjilanit, tash në pension, i cili në vitin 1986 në Kullë të Vojvodinës, ku mbahej festivali i teatrove amatore të Serbisë, ka dëgjuar nga kritikët serb të teatrit, ta kenë përmend si shfaqje me regji që mbahet mend “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Teatrit të Gjilanit me regji të Fetah Mehmetit, e që në këtë festival është prezantuar 10 vite më herët. Aktori Raif Haziri në Teatrin e Gjilanit, thot se, prej të gjithë regjisorëve me të cilët kam bashkëpunuar, është Fetah Mehmeti i vetmi që më ka detyruar të kryej detyra shtëpie për rolin që e kam interpretuar. Nga e gjithë kjo shihet se Fetah Mehmeti  i lindur në Gjilan, në vitin 1946, ka qenë një krijues teatral vizionar në kohën e tij, por që ka pasë ves jo të mirë, të sjelljes së një bohemi, gjë e cila  bëri që në moshën 56 vjeçare, të vdes në vitin 2002, në Suedi. Është për t’u habitur se si, deri më tash askujt, në Gjilan, Shkup e në Radiotelevizionin e Prishtinës, nuk i ra ndërmend    së paku ta përkujton këtë përsonalitet  që la gjurmë në artin skenik e elektronik me  ndonjë shkrim apo ndonjë tubim.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora