Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Madhështia e kombit

| E shtune, 01.12.2012, 04:39 PM |


R e f l e k s i v e

Sejdi BERISHA:

MADHËSHTIA E KOMBIT QË RUHET PËRMES VEPRAVE DHE DARKA NË “KRASNIQJA”...!

Kishin dëshiruar që promovimin e veprave të tyre ta bëjnë në vendlindje, në Tropojë, në Bajram Curri, sepse, aty u dukej se më ëmbël tingëllon fjala, si qumështi i nënës duket, si lulet e pranverës së kësaj toke. Andaj, vëllezërit, Arbër dhe Bislim Ahmetaj, ia mësyjnë Bajram Currit. Njëri me banim në Zvicër, kurse tjetri në Tiranë. I promovojnë këndimet e tyre, zërin e zërit dhe të shpirtit të tyre të thënë e të dëgjuar përmes vargut, sepse, vargu ka fuqi të mbinatyrshme për ta treguar dashurinë dhe mallin për njeriun, për lindjen e vendlindjen, për tokën dhe këngën e malësorit, për historinë, vuajtjet dhe lumturinë. Dhe, kështu edhe ndodhi...

___________

Ishte ditë e hënë. Ditë pune, por kjo nuk pengoi që në ambientet e bibliotekës së qytetit të mblidhen dashamirët e fjalës së shkruar, të tubohen dhe të takohen  edhe poetët jo vetëm nga Tropoja, por edhe nga Tirana, Peja, Gjakova dhe nga qytete të tjera.

Fryma e kulturës dhe e vargut poetik në Bajram Curri dhe buka e furrës...

Posa arritëm në Bajram Curri, takohemi me miqtë dhe krijuesit nga ky qytet në veri të Shqipërisë. Takojmë së pari Asllanin dhe Hakiun, pastaj edhe Gjonin dhe Lulzimin, e më vonë edhe Ibrahim Kadri Malajn, Avdyl Sulajn, Zyra Ahmetajn dhe të tjerë. Kështu, tani gradualisht  krijohej fryma dhe atmosfera festive letrare, fryma e kulturës dhe e vargut poetik. Por, para se të tubohemi të gjithë, e luta Asllanin që të gjejmë një burrë buke për t’i blerë disa bukë. Ai, edhe pse u habit dhe nuk u durua pa më pyetur se si nga Peja të blej bukë në Tropojë, kur atje ka bukë më cilësore. I them se bashkëshortja më kishte porositur t’i blej disa bukë, sepse, i kishin pëlqyer edhe më parë dhe i bëra kompliment se tani këtu buka gatuhet më mirë, ka shije më të mirë. Nuk bëri zë dhe iku vetë për në furrë buke. Nuk vonoi dhe u kthye në kafeterin ku pinim nga një kafe. Nuk ia pashë bukët dhe e pyeta se a nuk kishe gjetur bukë. Ai, prerazi më tha: jo nuk kishte. Mirëpo, kuptova se bukën e kishte blerë dhe e kishte futur në makinën me të cilën kishim ardhur. Këtë e kishte bërë vetëm e vetëm që mos të m’i merr lekët për to. Ja, ky detal, sa madhështi shpirti tregonte që kishte krijuesi dhe njëri prej punëtorëve të kulturës më rebel dhe më kontraverz të kësaj ane. Është njeri shumë modest, i afërt dhe i thellë në mendime.

Edhe kjo, ishte diçka që madhështonte ngjarjen dhe atmosferën për promovimin e librave, dhe, gjatë kësaj kohe derisa pinim kafe, pak mësova për këta dy vëllezër-krijues, që sublimen e veprave të tyre dëshironin ta prezantonin dhe mesazhin poetik ta shpërndanin në vendlindjen e tyre, mu si polenin e luleve. Atë ditë, vëllezërit Ahmetaj, tej mase dukeshin krenarë, sa që edhe sikur nuk mundnin ta shprehnin tërë atë dashuri e mall që e kishin akumuluar për vendlindjen dhe për atdheun e tyre.

Vonohemi pak, gjithnjë duke i pritur dashamirët e fjalës, por edhe të gjithë ata që e kishin mbështetur këtë ngjarje e që i takonin veprimtarive të ndryshme shoqërore dhe publike, dhe kështu, për të dëgjuar e mësuar më shumë për veprën “Fletë hyrje për në varrë” të Arbër Ahmetajt dhe, “Gjuetar ëndrrash” të Bislim Ahmetajt. Pas pak, hymë në ambientet e Bibliotekës së qytetit Bajram Curri, ku do të bëhej edhe promovimi i librave. Kjo bibliotekë është modeste, por është e ngrohtë dhe duket shumë madhështore, mu sikurse është historia, bujaria dhe trimëria e banorëve të kësaj ane. Në të ngjitur shkallëve, shohim, në tavolina ishin ekspozuar numër i madh veprash, të cilat, kësaj radhe, me qëllim ishin veçuar ato të krijuesve dhe të shkrimtarëve nga Tropoja.

Më duket madhështi, kënaqësi por edhe respekt, që ky tempull dhe dritare diturie, i çmon krijuesit e vetë, i nderon dhe i përkrahë ata, kurse e tërë kjo, i bën ata sikur të lindin për së dyti. Besoni, se kështu është!

Tani, bashkërisht i vizitojmë lokalet e bibliotekës. Drejtoresha na thotë se këtu janë diçka mbi gjashtëmbëdhjetë mijë libra. Ani. Për këtë qytet nuk janë edhe pak,... do të bëhen edhe më shumë. Pas vizitës kësaj biblioteke të përcjellë edhe me komente e me fjalë miradije, vendosemi në sallën, po ashtu modeste, e cila vërtetë mu bë sa na përqafoi ngrohtë, dhe veten e ndjeva mu si zogu në çerdhe mbuluar me krahët dhe me puplat e buta të nënës së vetë.

Mbushet kjo hapësirë simpatike, ding, plotë e përplotë me dashamirë të fjalës së shkruar. Manifestimin e nderon edhe prezenca e udhëheqjes së jetës shoqërore dhe publike të Bashkisë Bajram Curri, por edhe të bashkive e komunave të tjera përreth. Tubimin e fillon mbarë dhe me plotë ngrohtësi, Lulzim Logu, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe të Artistëve “Tropoja” të këtij qyteti, i cili, bashkë me krijuesit, Gjon Neçaj, Asllan Osmanaj dhe me disa të tjerë janë shtytës, apo siç thuhet, promotor i ruajtjes dhe i zhvillimit të vlerave shpirtërore dhe kulturore por edhe letrare në këtë pjesë të Shqipërisë. Ai, prezanton dhe flet bukur dhe meritueshëm. Për jetën dhe veprat e vëllezërve Ahmetaj flasin krijuesit Gjon Neçaj dhe poeti, Demir Gjergji, i cili është edhe gazetar i mirëfilltë i Radio-Tiranës.

Përmes vargut shpaloset një pjesë e shkrumbit por edhe e historisë së kombit

E, përmes kësaj, shpaloset dhe provokohet edhe një pjesë e së kaluarës, një pjesë e historisë, e cila, nëse përmbyllet me një koment, atëherë, del se kjo është vulë e së tashmes dhe e tashmja, krenari dhe shpresë e synim i fatbardhësisë për të ardhmen. Aty, dëshmonin edhe librat,... veprat, për të cilat, të pranishmit i kishin bërë veshët katër, për ta kapur vlerën  dhe mesazhin e veprave. Për ta kapur dhe mësuar edhe më mirë jetën dhe veprimtarinë e Arbër e Bislim Ahmetajt dhe të  familjes së tyre. Pas fjalëve vështruese për veprat, një ëmbëlsirë shpirti për ne, ishin edhe fjalët e vëllezërve Ahmetaj, të cilët plotë mall dhe dashuri, sikur “nxitonin” për t’i thënë të gjitha ato që i

kishin akumuluar deri në atë moment brenda vetvetes. Kishin e kishin shumëçka për të thënë. Por mua, në këtë moment më erdhi “mllefi” dhe thash: dhe do ta themi tash,... edhe nesër, se me punën tonë, me veprat tona, pra edhe me librat e shkruar, kështu do të ndërtohet kështjella ku do të ruhet dashuria, madhështia, etja dhe shkrumbi i njeriut të kësaj toke... për ta bërë fjalën një, për ta forcuar unitetin dhe bashkimin e mendjes, të veprimit dhe të punës!

Pas kësaj, mori fund edhe manifestimi për promovimin e veprave të vëllezërve Ahmetaj. Ikëm për në darkë, të cilën e dëshiroja për të vetmin qëllim, për të zhvilluar debat e për të këmbyer mendime për jetën dhe njeriun. Mësoj se darka ishte organizuar në Restorantin “Krasniqja”, e cila darkë pra, dihej se do të shërbente për hapjen e zemrave për të thënë diçka më thuktë dhe më me për ngeje, për rrugëtimin e kombit, për vlerat shpirtërore, për daktisjen e tij në të katër anët e botës, për hidhërimin dhe inatin e tij, por edhe për shumë mungesa tona, me të cilat, aty-këtu, rrugëtimin e atdheut, shpeshherë e kemi shndërruar si në zgurë shelgu, e cila hapësirë është boshe apo edhe e mbushur me të “brejturit” e trupit të kësaj bime, në të cilën, siç është zakon, aty gjejnë vend krimbat dhe milingonat...!

Të gjitha këto, i përballon njeriu, dhe do t’i shndërrojë në rrugë të re, në dashuri e unitet, duke e braktisur dhe mallkuar smirën bashkë me “sermijet” tjera të saja. Patjetër, kështu do të jetë!

Darka, këtu, në “Krasniqja”, më provokonte edhe me një veçori. Ajo, ishte shtruar në sofrën me shpirt të madh prej malësie. E them kështu, sepse, më duhet t’i theksoj, edhe pse juve, ndoshta u ngacmohet oreksi, pra t’i përmend bereqetet e shtruara në te: buka misri e ulur dhe e zbutur në lëngë djathi, pastaj turshia e djathi, specat me përzhit (ne kështu i themi këtij specialiteti), më vonë vjen maza e zier, pula me çervish, flia dhe përmbyllja e darkës, kuptohet: tradicionalisht, me gështenja të pjekura. I tërë ky bereqet, e tërë kjo mikpritje dhe i tërë ky respekt, ishte i përcjellë edhe me ujë bjeshke, por edhe me nga pak raki vendi dhe me verë të kuqe...

Dhe tash, ec e mos e provoko mendjen dhe shpirtin për madhështinë e kësaj ane me traditë të mikpritjes dhe të zemrës së hapur, ec e mos e provoko mendjen dhe shpirtin për të kuvenduar malësorçe e me peshën e intelektit dhe të arsyes e të filozofisë! Kënaqësi, a...?!

E nisim bisedën me nga një grimë mahi, kuptohet, sa për t’u afruar me njëri-tjetrin më ngrohtë, sa për ta njohur më mirë këtë temperamentin tonë. Nuk shkoi shumë kohë, e tash, dihet; temë bisede është historia, e kaluara e kësaj ane dhe e tërë vendit, e cila u lidh me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit kombëtar. Dhe, secili prej të pranishmëve me kërshëri dhe me krenari i “tregonin” aftësitë e veta për të rrëfyer sa më shumë, me argumente dhe sa më bindshëm për rrugëtimin, i cili tash është aktual në shënimin e një shekulli në mëvetësi dhe me flamurin kuq e zi.

Njeriut të kësaj toke i nevojitet arsyeja, shpirtgjerësia, sepse, shkapërderdhja i rri sipër   kokës si teh shpate...

Duhet pranuar. Rrugë e mundimshme dhe plotë rënie e ngritje ishte kjo, të cilës gjë i kemi kontribuar edhe ne, bile edhe sot, por, dashtë Zoti kurrë më. Pra, as tash e tutje e njëqind vjet tutje e tutje...!

Në këtë tryezë plotë bereqet, përpiqemi që t’i madhërojmë dhe t’i respektojmë figurat historike e intelektuale dhe veprat e tyre, të cilat figura nuk kanë kursyer asgjë nga vetvetja për lirinë dhe bërjen e atdheut dhe të shtetit. Përpiqemi, edhe të tjerët t’i arsyetojmë me veprimet e tyre të mira, sepse, kësaj toke i nevojitet arsyeja, fleksibiliteti, shpirtmadhësia, falja por edhe mbamendja. Të gjitha këto bashkë, për të vetmin qëllim: për të ecur më suksesshëm dhe më shpejtë tutje. Shkapërderdhja, të cilën gjë na e kanë ndihmuar dhe imponuar të tjerët, edhe sot na rri mbi kokë si teh shpate dhe si ligatinë e dergjë e cila na ka penguar dhe na ka vonuar, por edhe po na vonon për të ecur suksesshëm, sigurt, drejtë dhe me themel të fortë shtëpie.

Në këtë temë, bisedat u zhvilluan bukur gjatë, por me një mahi të vogël për botën femërore, sikur për treqind e gjashtëdhjetë shkallë e ndërrova bisedën dhe temën, për çfarë më ndihmoi edhe vera e kuqe, e cila vetëm sa na kishte disponuar mendjen dhe shpirtin karshi krijimtarisë letrare, poezisë dhe fuqisë së vargut. Tash, tema, mu sikurse festa e 100-vjetorit të Pavarësisë, që ka vërshuar me ngjyrën kuq e zi, edhe kuvendimi ynë, u vërshua me fuqinë e këndimit dhe të zemrës.

Kësaj radhe, për këtë, provokonin e kishim drejtuar kah Arbër dhe Bislim Ahmetaj, të cilët edhe në këtë tryezë darke, veprat e tyre i mbanin pranë vetes. Nisëm të recitojmë vargje, në të cilat, fillimisht u “kap” Bislimi, i cili hapi librin më të ri të krijuesit nga Gjakova, Tahir Bezhani dhe i recitoi disa nga vargjet, të cilat i përcollëm me duartrokitje. Por menjëherë pas kësaj, nuk u durova pa thënë:

-Ore Bislim, tani më more në qafë...!

Ai, ngriti supet dhe nuk dinte se për çfarë e kisha. Por, nuk e lash të “zihet” në vetvete:

-Tani, tërë rrugës për në Kosovë, Tahiri do të “rrahë” gjoks se vargjet e tij paskan vlerë, sepse u pëlqyen edhe sonte këtu...

Kjo ndërmjetëz, i relaksoi të gjithë të pranishmit, dhe sërish vazhdohet me vargje poetike. Krijuesi dhe gazetari i Radio-Tiranës, z. Demir Gjergji, tani hapë librin tim më të ri, “Vargje të këputura” dhe i recitoi plotë ndijim disa nga vargjet. Por, interesant. Vargjet e T. Bezhanit m’u duken shumë më të mira...!

Tash e provokoj Arbërin dhe Bislimin për të thënë diçka për vetveten e tyre, mirëpo, rrëfimin e tyre gjithnjë e kthenin tek dashuria për vendlindjen, për këtë vend, për këto kreshta me histori ende të “palosur” fletë fletë!

Ndërsa, Lulzim Logu, një krijues i mirëfilltë dhe njeri i ëmbël, një diçka që s’mund ta gjesh më të ëmbël, as mjaltin, që ishte ulur kundruall meje, por dy ose tri ulëse më poshtë, nga bashkëshortja, nuk kishte “guxim” ta fliste as më të voglën fjalë, ndërsa, verën e kuqe e konsumonte kujdesshëm e me karar. E kuptoj, se edhe bashkëshortja e tij është një intelektuale që rrezaton hiq më pak e më ndryshe se Lulzimi. Them: po, ku i takuar kështu, i lumi Zot!

Krijuesit tjerë; Asllani, ai ka dëshirë të flasë “mbarë e mbrapshtë”, por sonte dukej i përmbajtur. Ndërkaq, Gjoni, fliste rrallë, por me peshë dhe m’i kishte ëndja fjalët e tij... Tahiri, që ishte afër meje, ai, në të shumtën e rasteve “gështenjat e nxehta” m’i lë mua në dorë...! Kështu, gradualisht, kjo ngjarje kulturore merrte formën madhore për t’u mbyllur dhe për t’u takuar sërish.

Në fund, nuk mund të mos e them se Kryetari i Bashkisë Bajram Curri, z. Agron Demushaj dhe me shumë udhëheqës të tjerë të komunave përreth dhe të Qarkut të Kukësit, me prezencën dhe me dashamirësinë e mbështetjen e tyre shpirtërore dhe praktike, jo vetëm se e madhështuan manifestimin letrar, promovimin e veprave të Arbër e Bislim Ahmetajt, por edhe i kurajuan krijuesit e këtushëm për suksese të reja në afirmimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe letrare, dhe kështu për të lënë dritë të pashuar edhe në bisedat e darkës në Restorantin “Krasniqja”.

Ndërkaq, në jetën time, u shtua edhe një ngjarje e cila ma begaton rrugëtimin, nuk e di se të cilës pjesë: të rrugëtimit të mesëm apo të pjesës së fundit...! Sido që të jetë, kjo ishte kënaqësi dhe ngjarje me peshë, e cila e bën krenare edhe Tropojën, edhe Bajram Currin në këtë frymë shekulli... Ndoshta, dhe me siguri, nesër shumë edhe më mirë. Po, po! Shumë më mirë. Do të vërtetoheni...!