E merkure, 24.04.2024, 05:20 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: ''Thesare Entografike'' i Viktor Gashit, pasaportë vlerash në shekuj

E shtune, 01.12.2012, 04:48 PM


“THESARE ETNOGRAFIKE” I VIKTOR GASHIT, PASAPORTË VLERASH NË SHEKUJ

NGA PËLLUMB GORICA

Kur ke marrë në dorë e shfleton albumin e pasionantit nga Peja e Kosovës, Viktor Gashi, “Thesare Entografike”, dhe njihesh me këtë pasuri të madhe etnografike, kulturore, historike e artistike, të duket vetja sikur je para stendave të një muzeumi madhështor, që sjell gjurmë të arta nga lashtësia e popullit tonë dhe hedh dritë në një pasuri tradicionale me vlera enciklopedike,  të cilën  vetëm një popull si yni mund ta ketë. Mendon për një çast sikur të kishim edhe të tjerë si Viktor Gashi, që të kishin bërë më shumë,  në një punë të tillë,  po aq sa ai, në një drejtim tjetër të trashëgimisë sonë, dinjiteti i kombit tonë do të ishte në lartësi të reja.

Shfleton albumin, këtë pasuri të madhe trashëgimore, fotot e objektet e rralla,  dhe admiron punën e saktë shkencore që ka bërë një pasionat dhe patriot si Viktor Gashi. Gjithë këtë trashëgimi thesaresh, kur e shikon dhe e vlerëson, të duket vetja sikur je në një muze me pesë stenda, që rrezaton kulturë e mjeshtëri artistike, të frymëzon e të bën krenar.

Njihesh me objektet e stendës së parë, të afishuara, stoli argjendi si vëthë, unaza, pafte, qostekë, byzylyqe, qafore gjerdanë, kopsa, stoli koke, ballore fokza dhe nga brenda shpirtit të del vetiu thirrja : ç’bukuri!

Kalon para stendës së dytë mbushur me lloje të ndryshme armësh të vjetra, si dekor i qendisur me ar e me ornomente popullore, sikur t’i ketë bërë një dorë magjike e agimeve të luftrave legjendare, si pushkë të gjata me çark, jataganë me këllefe, pisqollat dhe koburet për brez plot dekor, të bëhet sikur dëgjon krismat e betejave që gjëmuan në mbrojtje të nderit dhe lirisë së shqiptarit, apo thika të mprehta, brisqe e biçakë të ndryshëm, dhe thua me zë të lartë : ç’histori!

Të mbetet vështrimi tek stenda e tretë e imagjinuar, me veshjet e bukura popullore, jelekë, mintanë, përparse, çorape, shoka, dallama, dantella, tufa, thekë, shirita e sidomos fustanet dhe këmishat e qendisura me ar e të duket se ndodhesh në një dasëm shqiptare, ku martohen çifte e përtërijnë jetën e nuk mund të rrish pa klithur : ç’mrekulli!.

Vështron stendën e katërt ku janë afishuar objekte të vyera shtëpiake, si enë bakri, enë argjendi, kandila, arka të ndryshme, mangalla, kanaçe. I prek me mëndje enët prej argjendi dhe bronxi dhe bindesh për bujarinë e shqiptarit tek shtron sofrën e prêt e përcjell me dashuri mikun dhe shpërthen : Breh ç’trashëgimi!.

Vetiu të ka magjepsur stenda e fundit me objektet e kultit si kryqe me dimensione të ndryshme, ikona mahnitëse, qiraka, shandanë, dhe thua se populli ynë patriot e fetar, e do zotin ashtu siç do fëmijën e truallin e tij. Sodit pipat prej argjendi e fildishi, hajmalitë e veshjet  fetare dhe thua: zoti ka qenë me ne!.

Viktor Gashi nuk është vetëm një koleksionist i apasionuar, por edhe një njeri me kulturë, një burrë me dinjitet dhe i vullnetshëm në punën e tij.  Fisniku i poetëve të Pejës. Rrallë  intelektualë gjen që të bëjnë një punë të tillë, të këtë vlerësim për trashëgiminë kulturore e artistike, të gërmojë në çdo grimcë të së kaluarës  për të nxjerrë thesare kombi. Aq më tepër në mënyrë vullnetare, në këtë kohë që e sundon kamercializmi. Por Viktor Gash i ka kapërcyer të gjitha këto. Ai ka lënë mënjanë rehatinë dhe lodhjen, kamercializmin dhe mikroborgjrzitë e vogla. I ka bërë thirrje vullnetit rinor dhe u ka dhuruar të gjithëve një album me vlera kolosale, një dëshmi të gjallë trashëgimie.  Puna e Viktor Gashit është një vlerësim dhe respekt për botën e pasur shpirtërore dhe larminë e madhe krijuese të një populli punëtor, që ka ditur  të bëjë dasmën e t’i falet zotit, ta mbajë kokën lart për historinë e tij e të presë me dinjitet vdekjen. Viktor Gashi, ky 84 vjeçar, pinjoll i denjë i një familje bujare, e kulturuar, aristokrate dhe krenare për traditat e me emër të mirë. Gjyshi i tij zotëronte 5 gjuhë të huaja, dhe kjo kulturë është përcjellë me pasion e dashuri, dhe ka çelur sythë tek Viktori në veçanti, që e ka ushtruar këtë zeje të trashëguar, që ka koleksionionuar e ruajtur me fanatizëm një pasuri të tillë thesaresh.

Viktor Gashi është bujar dhe shpirtmadh. Në vitin 2000 i fali Muzeut Etnografik në Pejë  300 objekte me vlera të pallogaritshme, që rrallë  persona mund ta bëjnë një veprim të tillë. Ai nuk pranoi  të lidhë kontratë me Muzeun e Jugosllavisë së atëhershme, për t’i shitur nga muzeu personal një pjesë të koleksionit të tij kundrejt një shpërblimi të majmë, por ia dhuroi atë Muzeut të Kosovës. Dhe kjo është ndërgjegje kombëtare siç e thotë edhe vetë: “Duke qenë i vetëdijshëm se sikur ky koleksion të kishte shkuar në Beograd,ato punë nuk do të paraqiteshin më si punime shqiptare, por do ti mvesheshin kulturës serbë, ndaj një kontratë të tillë nuk e pranova.”  Kjo tregon edhe një herë për ndjenjën e madhe atdhetare që karakterizon këtë njeri, një shuplakë ndaj propogandës serbe për autoktoninë e  trojeve shqiptare,duke dëshmuar me argument se  serbët janë të ardhur vonë në këto troje dhe se kultura e tyre  nuk është autoktone siç pretendojnë.

Albumi etnografik ka vlera të veçanta edhe sepse sintetizon gërmime që shtrihen në hapsirë kohore që para shekullit të  III, para erës sonë dhe nga të gjitha trojet shqiptare sidomos të Shqipërisë së Veriut, të Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo shtrirje në kohë dhe hapsirë, si dhe vlerat e veçanta që ruan çdo objekt i këtij koleksioni, jo vetëm janë pasaportë vlerash të kombit tonë në shekuj, por tregojnë edhe për faktin se trungu i familjes Gashi ka pjesën e tij me trashëgiminë dhe bëhet pjesëtare me dinjitet në këtë pjesë vitale të historisë së popullit tonë.

Të vlerësosh se ç’është arti e puna, trashëgimia dhe historia, që mbajnë dhe ushqejnë rrënjët e një kombi, është meritë. Dhe për këtë fakt Viktor Gashi do të meritojë jo vetëm mirënjohjen e brezit që jeton, por edhe të brezave që do të vijnë.



(Vota: 39 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora