E hene, 17.06.2019, 06:11 AM (GMT+1)

Personalitete

Gani Mehmeti: Borxhi ndaj të rënëve - Shefki Latifi - Monolli

E enjte, 29.11.2012, 07:13 PM


NË 100 VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

BORXHI YNË NDAJ TË RËNËVE

SHEFKI  LATIFI – MONOLLI

Ekskluzive nga Gani Mehmeti

Pollata, fshat i Mavriqit të Llapit, është  e njohur me numër të konsideruar luftëtarësh për liri, drejtësi, burrëri, arsim e Bashkim Kmbëtar.

Historikisht kjo merret që para 200 vitesh, me rastin e tragjedisë së familjes së Demë Ahmetit në fshatin Reçicë të Mavriqit, për të dalë më pastaj heronj në çdo kohë, duke treguar heroizmin kundër çdo sunduesi që shkeli tokën shqiptare të kësaj ane.

Shefki Latifi, i cili vazhdimisht, me krenari shkruante me vizë ndaras pas mbiemrit Latifi edhe atë Monolli, i cili ishte i pari i tyre, i pari i pollatasëve, nuk e pati të vështirë edukimin e tij atdhedashës, sepse ai mori mjaft nga ngjarjet tragjike të popullit tonë në përgjithësi e të mavriqasëve dhe pollatasëve në veçanti, ngjarje tragjike të shkaktuara nga të gjithë armiqët tanë, i cili ishte secili më i zi, më i keq e më barbar se tjetri. Ai <u edukua në oda, në ndeja, në traditën patriotike kombëtare shqiptare, ndoshta, më shumë se të tjerët. Kishte qafën e shkurtër dhe nuk duronte askë kurnuk ishte në vi kombëtare, secilit i vërsulej, shpesh jo vetëm me fjalë, me këshilla, me qortime kur e kërkonte nevoja, por shkonte deri edhe me kërcënime. Ai nuk toleronte askë kur ishte në pyetje çështja kombëtare, i mbetej në fyt, siç thotë populli.

Shefki Latifi – Monolli këtë edukim dhe guxim e mori nga të parët e tij, që të rrallë ishin ata që kishin vdekur në shtrat, por nga plumbat, duke qëndruar mburojë e gjithë popullit shqiptar që nga Mavriqi i cili i tëri kufizohet sot me Serbinë e deri në jug të saj, sepse serbët nuk po mundnin të kalonin nga kjo grykë kaq liridashëse, i cili kur ishte në pyetje liria Kombetare, Liria e Atdheut, binin në luftë pa iu dhimbsur fare jeta, për çka nuk mbahet mend të ketë hyrë serbi në Kosovë nga kjo anë. Në Mavriq nuk janë vrarë vetëm serbë civilë, por secili që ka tentuar të hyjë këtej si pushtues. Prandaj janë vrarë kryetarë komunash, oficerë të ndryshëm, shumarë që po e ripnin popullin, plaçkitës që po u jepnin vetes këtë të drejtë të turpshme. Në këso rrethanash, në luftëra të përditshme me serbët, në ambient të lartë  malor e kodrinor, ku vetëm Zotin po e duronin më lart sez vetja e askë tjetër, u lind, u rrit dhe u edukua Shfki Mursel Latifi - Monolli:, për të cilin nuk mundemi të shkruajmë aq sa meriton, por nuk do të kursejmë për aq sa mundemi për të.

Shefkiu ishte njeri i fjalës, i besës dhe i mbajtjes së shoqërisë, por, më vjen keq të thjem, se shokët i zgjidhte. E, deri në vitet e 90-ta të shekullit XX, kush i thoshte vetes shqiptar, ai e donte dhe jo vetëm e donte, por e kishte idol dhe identifikues të popullit shqiptar Enver Hoxhën. Kur në gusht të vitit 1979 kishim vizituar Uglarin dhe kishim hyrë tutje në territorin e Serbisë, po lexonim nëpër trupat e lisave shkrimin “Enveri rrnoftë – Tita coftë!” i bëhej zemra mal!

-Ja, edhe deri këtu ka mbërri ndjenja kombëtare, ndjenja për bashkim kombëtar! Edhe deri tek çobanët e Kosovës kjo ndjenjë është ngulitur thellë në zemrat e tyre! Kjo tregon se Liria duhet të vijë, se populli është liridashës, por do një prijës, do që një i drejtë, që një kombëtar trim dhe i dijshëm t’iprijë, sepse ky është i gatshëm. – thoshte Shefkiu i ngazëllyer e i emocionuar nga shkrimet nëpër lisa brenda në territorin e Serbisë.

Ata shqiptarë që ishin proserbë deri në vitet e 90-ta, ka ndodhur edhe t’ua ketë përplasur pështymë në gjoks shpeshherë. Shefkiu ishte i sakrificës, e ata të pëshyrit bëheshin sikur nuk kishte ndodhur asgjë fare, sikur nuk kishin dëgjuar as parë, sepse ata ishin kurrizdalë, e fatkeqësisht, Shefkiu me ta punonte nën një pullaz, në ndërtesën e Komunës së Podujevës, por që nuk kishin asgjë të përbashkët. Qëllonte të ishte ndonjëri edhe i afërt i tij, po ku ia ndiente Heroit tonë – Shefki Latifit për ta!

Mavriqi e Pollata kanë dhënë shumë heronj, trima e luftëtarë që nuk kursyen asgjë nga vetja e tij, e njëri ndër ta  është edhe Shefki Mursel Latifi - Monolli, tek i cili ishte mbjellë aq shumë dashuria ndaj atdheut, popullit, lirisë dhe arsimit, sa që, kishte kaluar në  urrejtje aq të madhe ndaj pushtuesit, sa nuk mundte të ndalej së shfryri mllefin kundër tyre në çdo vend dhe para çdokujt, deri edhe para armikut, që me bëmat e tij, me vrasjen e shqiptarëve, me largimin nga puna në mënyrë masovike në vitin 1990, po kulmi i urrejtjes kishte arritur pas vrasjes së dy të rinjve pollatas: Skënder Monollin dhe djalin e vëllait të tij Besim Latifin, atëherë, kur vrasësit po vinin natën, më 13 shtator 1990.

Shefkiu rridhte nga një familje me tradita të larta patriotike, prandaj zhvillimet,  torturat e bastisjet kanë qenë vazhdimisht e të pandalshme që nga viti 1912, kur Kosova bie nën thundrat e Serbisë, deri me ikjen e tyre nga Kosova në vitin 1999.

Shefkiu u lind në Pollatën trime e kryengritëse me 18.XII.1939. Pas kryerjes së shkollës së mesme, ai e nis punën në arsim, i cili me plot dashuri edukon të rinjtë aso kohe. Më vonë kalon në Referent në Sektorin për Bujqësi e më pas në atë për Pylltari në Kuvendin Komunal në Podujevë.

Meqenëse veprimtaria e tij liridashëse bie në sy të pushtuesit, u arrestua disa herë nga organet e sigurimit serbë, e sidomos gjatë datave historike të popullit shqiptar dhe mbahej në burg për ditë me radhë deri sa kalonin ditët e festave, me qëllim të izolimit dhe të pengimit të veprimtarisë së tij patriotike. Shtëpia e Shefkiut u bastis shpesh edhe para vitit 1989. Ai ishte gjithherë në shënjestër. Kur armiku ishte tërbuar nga viti 1990, Shefkiu nuk ndalet së vepruari- haptas uronte datën e madhe të 2 Korrikut 1990, për të vazhduar urimet e 7 Shtatorit e atij viti, pra të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës dhe Shpalljes së Kushtetutës. Edhe në këto raste sigurimi serb kishte “vizituar” shtëpinë  e Shefki Latifit, por ai vetëm kollitej e kurrë nuk ligështohej-sërish nuk e ndal veprimtarinë për arsim e çlirim. Secila kohë kishte format e punës e luftës liridashëse - tani ai është inkasant i parë i tre përqindëshit të Këshillit Financiar të Kosovës në Podujevë. Shefkiu lehtë e bindte pse duhej të paguante edhe atë që me vështirësi e kuptonte apo që nuk donte të paguante.

Ditës fatkeqe të 4 korrikut të vitit 1995 për Shefkiun, i kishte prirë dita e 29 qershorit, pra vetëm pesë ditë më përpara, kur dy civilë serbë me një milic, i zënë një numër inkasantësh dhe një numër simpatizuesish të UNIKOMB-it në lokalet e Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Podujevë, me ç’ rast vetëm njërit i kishin dhënë një shuplakë, duke mos e zgjatur më shumë, sepse tërë barrën e shkakut të ndodhjes në shkollë e kishte marrë mbi vete profesori i historisë, trimi dhe kryetari i UNIKOMB-it, Hamit Osmani – Dushkolli, duke u arsyetuar se ai kishte organizuar një tribunë partiake, të cilin e kishin marrë me vete dhe e kishin rrahur, torturuar e maltretuar në stacionin policor deri në atë masë sa që edhe sot e kësaj dite ka mbetur me pasoja në të parë, në dhimbjet e kurrizit dhe nuk mundet të vozisë. Këtu, me gjasë vetëm sa i kishin vënë syrin Shefkiut, të cilin fare mirë e njihnin në shpirt luftarak e në karakter të fortë.

Më 4.VII.1995 Shtëpinë e Shefki Monollit e “vizitojnë” policët serbë. E kërkojnë, por ai kishte dalë të inkasonte mjetet nga financuesit. Bashkëshortja e tij u gëzua që Shefkiu nuk ishte në shtëpi në atë moment dhe e dërgoi djalin e vogël që ta gjejë kudo që ishte e t’i tregojë, në mënyrë që t’u ikte organeve serbe. Mirëpo, posa e lajmëroi i biri se po e kërkonin, ai niset për në shtëpi, duke thënë se nuk kam ku të shkojë përtej shtëpisë,  me çka duhet të kuptojmë se ai ishte i  lidhur ngusht me familjen, shtëpinë e vendin e tij, i cili nuk do ta lëshojë kurrsesi dhe nuk do t’ia kthejë shpinën. Policët që i kishin trokitur në derë të shtëpisë, Shefkiun e takojnë duke u kthyer. Atë e njihnin dhe e marrin me vete në rrugë. E kthejnë në shtëpi dhe nisin ta rrahin para anëtarëve të familjes, duke i kërkuar regjistrat, dëftesat e inkasimit dhe armën. Dëftesat i gjejnë duke kontrolluar shtëpinë, ndërsa armë nuk gjejnë. Shefkiun e maltretojnë dhe e ofendojnë me fjalë, duke i thënë: “Këtu është Serbi!”, që Shefkiu nuk mund të mos fliste e sikur ata nuk e dinin u thoshte: “Këtu është Kosovë, jo Serbi!” “Do të të mbysim – i thoshin policët!”  “Ju e mbysni një plak, po s’ mund ta mbytni rininë, dëshirën dhe dashurinë për lirinë! Ka Kosova aq trima sa për t’u shporrur juve andej nga keni ardhur. Kosova lind djem e vajza prapë, nuk do të mund t’i mbytni të gjithë!” – ua kthen Shefkiu. Përkundër rrahjeve e maltretimeve që i bëheshin Shefkiut ai nuk u dorëzua, vazhdimisht protestoi. E marrin pastaj dhe e dërgojnë në stacionin policor, por kot, Kosova mbetet Kosovë e kurrë nuk bëhet Serbi, prandaj torturat ishin aq të egra, sa që e hedhin në shkallë gjysmë të vdekur. “Shkoni në shtëpi!” i thanë mikut të Shefkiut, Ramadan Salihut, pasi e kishin rrahur edhe atë. Ramadani e mori dhe e ofroi në shtëpinë e shëndetit, po edhe atje u shkojnë prapa dhe nuk lejojnë t’i jepet ndihma. Mjeku vetëm sa e kishte kontrolluar, e pa i dhënë fare ndihmë, kishte urdhëruar ta kthejnë në shtëpi!

“Unë po vdes! Ju bëhuni të fortë, bëhuni të qëndrueshëm! Mos u mërzitni!

Me t’u kthyer në shtëpi, e lusin të pijë diçka. Ai nuk kërkoi e nuk deshti asgjë në fillim. Më pastaj, pranoi ta pijë një gotë qumësht të vluar, por... ende pa vluar qumështi, i drejtohet familjes së vet dhe mikut që e kishte pranë, që i ishte gjendur pranë në momentet më të vështira të jetës, kur edhe po i jepte fund asaj: “Unë po vdes! Ju bëhuni të fortë, bëhuni të qëndrueshëm! Mos u mërzitni! Ju e gëzofshi Lirinë e Kosovës! Ajo nuk është larg, shpejt do ta gëzoni. E unë, që të jetë Kosova e lirë, jam përpjekur gjithmonë!”

Këto ishin fjalët e fundit të Shefkiut dhe vdiq. Pra me sa shihet ai qe i pamposhtur, i paepur dhe i papërkulur në jetë. Të tillë, si Shefkiu, janë shumë të rrallë.

Gjatë bombardimit të NATO-s, shtëpia nuk na është djegur, por nuk dimë se si ka ndodhur që kurgjë nga dokumentacioni nuk është shpëtuar. Përveç një fletoreje me vjersha të Shefkiut, asgjë tjetër nuk na ka mbetur – ankohen bashkëshortja dhe fëmijët e Shefkiut. Në fletoren me vjersha, ku janë gjithsej 18 sosh, ai shkruan emrin e mbiemrin duke i shtuar edhe MONOLLI dhe vendlindjen Pollatë. Shefkiu nuk u vra, ai u mbyt në mënyrën më mizore, më kriminale e më brutale, duke u rrahur me dru, me kabllo e shufër gome dhe kurrë nuk u thye, as u dorëzua.

Sot, me plot meritë e krenari mban emrin e dëshmorit Shefki Latifi Shkolla Fillore  e Pollatës njëra nga shkollat më moderne në Kosovë, ashtu siç e kishte ëndërruar edhe vet Shefkiu, e ndërtuar  nga donatorë të jashtëm pas vitit 1999.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT