E enjte, 18.04.2024, 06:15 PM (GMT+1)

Mendime

Diskutimi i z. Selim Hasanaj në mbledhjen e OTHLKK në postën e Istogut me 24.12.1988

E marte, 22.04.2008, 07:35 PM


Selim Hasanaj
Në këtë mbledhje vec antarve të Lidhjes së Komunistve të Kosovës në Organizaten Themelore të Postes së Istogut kishin ardhë si të deleguem nga Komiteti Komunal i LKK-së në Istog aktivistet Sokol Zeqiraj që ishte Kryetar i Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjes në Istog dhe Radivoje Dumanoviq që ishte Sekretar i Sekretarjatit të Punve të Mbrendshme ose ma mirë ishte shef i policisë së komunes së Istogut. Ishte ba praktike që materialet e shkrueme dhe të gatshme të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistve të Serbisë per ndryshimin e Kushtetutë së Kosovës të miratohen me aklimacion neper Komitete Komunale, Bashksi Lokale dhe Organizata Themelore të Partisë. Kjo metodë hasi në kundershtim të fortë së pari në mbledhjen e Bashksisë Lokale të Istogut të Vogël të mbajtun me 15.12.1988 nga patriotet e devotshem të kësaj ane: Advokat Shaban Manaj, Prof. Ibrahim Shatri, Ismet Mustafa, Isa Bajra, Jashar Blakaj, Selim Hasanaj, Hazbi Bajra, Idriz Bujupi etj , etj dhe tani per të dyten herë has në kritika të ashpra nga puntori i postes Selim Mustafë Hasanaj që tani at fjalim të tij të cilin e kishte shkrue dhe e lexojë në gjuhen serbokroate në atë mbledhje po e banë publik tani të perkthyem në zemrashqiptare.net. Ky diskutim u ba shkak që u largova nga puna dhe pas pak ditëve edhe nga Kosova.

TË NDERUEM TË PRANISHEM, I NDERUEMI SEKRETAR NAIM SHATRI DHE JU MUSAFIR TË KOMITETIT KOMUNAL
Meqense asht ba praktike që gjanat të na vijnë të gatshme nga naltë dhe ato shumëherë as nuk po lexohen por vetem po kerkohet miratimi i qendrimeve të , qoftë komitetit Qendror të LKJ qoftë atij të LKS, mue më vjen mirë që këtu sot u hap debati per të diskutue si qytetar i kësaj toke per ndryshimet që na imponohen dhe të cilat pa asnji dyshim do sjellin deri te nji fatkeqësi jo vetem per popullin shqiptarë që edhe asht qellim i dikujt , por per të gjithë qytetaret e Jugosllavisë. Meqense isha prezent edhe në mbledhjen e mbajtun para pak ditve në sallen e Komitetit ku Bashksia Lokale e Istogut të Vogël e refuzojë komplet materialin per ndryshimet kushtetuese dhe ku edhe unë pata diskutue , sot nuk do diskutoj fare per amandamentet e Kushtetutës , unë do të diskutojë per dukunit tjera që janë prezente dhe evidente në shoqninë tonë .
Sipas mendjes sime cdo revoltë dhe pakënaqësi e shprehun jasht formave institucionale të sistemit asht shenjë se sistemi asht në krizë të thellë. Shprehje të paknaqësive me anë të mitingjeve kemi pas kohve të fundit edhe jasht Kosovës , por meqense situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë asht delikate, edhe tubimet e protestave njinacionale sikur janë ba tani perditshmeni tubimet e ashtuquejtuna TË SOLIDARITETIT të serbve dhe malazezve po kanë dhe do të kenë pasoja të pa parashikueshme. Thamë kështu sepse tubimet e tilla zgjojnë ndjenjen e pasigurisë tek kombi tjeter, këtë rast në Kosovë tek kombi shqiptarë. Nuk mund ta mohoj edhe faktin se të gjitha këto që ndodhem vitin që po e lam pas kishte per pasojë edhe krizen e rand ekonomike dhe sociale. Neper tubimet njinacionale të serbve dhe malazezve flitet dhe ka njerz që edhe qirren si të cmendun per gjoja shpernguljen e serbve dhe malazezve nga Kosova dhe se këto shperngulje po u bajkan nga dhuna dhe kercnimet e shqiptarve. Quditem se si deri sot nuk u gjet asnji komunist, asnji aktivist, asnji qytetar që ta hudhë posht këtë shpifje të paskrupult e cila i ngjanë prrallës së UJKUT DHE QINGJIT KUR PININ UJË NË LUM. Unë kamë jetue shumë vite në veri të Jugosllavisë pra në Slloveni dhe njof situata edhe tjera në këtë shtet e jo vetem këtë që e kemi në Kosovë, andaj si qytetar i thjeshtë pyes a asht edhe Kosova pjesë e këtij shteti,pse të gjitha këto dallime në mes Kosovës dhe njisive tjera konstituive të Federatës,pse këto dallime në mes shqiptarve dhe kombeve e kombësive tjera të Jugosllavisë?! Jua thamë haptas dhe sinqerisht se jamë ba pishman pse u këtheva nga Lublana, po, po sepse atje kisha punë ma të mirë, kisha pagë ma të madhe, kisha kushte të jetes ma të mira dhe cka asht ma kryesorja kisha sigurinë per jeten në nivel. Këtu edhepse asht vendlindja ime ndjehem i pasigurt, i diskriminuem por fatkeqësia asht edhe ma e madhe se nuk guxojë as të ankohem sepse ankimi im po i frigon komshitë e mijë serb dhe malazez dhe atyne po ua veshtirson jeten këtu dhe këta po duhet të shperngulen nga Kosova. Unë thamë se kanë të drejtë ata që shperngulen. Por kategorikisht e hudhë posht si akuzë dhe shpifje se dikush shperngulet nga dhuna dhe presioni. Komshiu im Branko Ristiqi atje nga fshati në Lubozhdë shiti pronë dhe tokën në fshat dhe me ata 8 hektar të tokës këtu ky ka ble 18 hektar në Shumadi, ka ble banesë në Beograd dhe i kanë mbet para edhe per disa vjetë jetë pa punue fare. Kush janë sot ata që mundohen ti ndalojnë njerzit të zgjedhin se ku dojnë të jetojnë mbrenda kufijve të shtetit, ti shesin pronat e veta etj. Dhe shoqnija e jonë në vend që të mirret seriozisht dhe sinqerisht me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të ju garantojë qytetarve jetë ma normale kjo shoqni investon shuma marramendse në shtyp dhe propagand luftënxitëse, u sherben serbve dhe malazezve si avangardë per shperngulje nga Kosova dhe pastaj Kosova vershohet nga mjekrrosha të ndryshen nga mbar Jugosllavia dhe mbahen tubime proteste të cilat tubime janë teper provokuese dhe të rrezikshme. Po të kishim shtet dhe sistem shteti organet kompetente do delnin me shifra të sakta të shpernguljeve e jo kështu tu lihet mundësia gazetarve si këtu në Istog korespondenti i JEDINSTVO-s Arsenije Llukiq me shifra të hyperbollizueme dhe situata të paraqitet cfarë nuk ashtë. Kemi raste kur njeriu shperngulet per shkak të marteses me nji qytetar të Serbisë ose republikave tjera dhe gazetaret e quejn shperngulje. Askush nuk flet per shpernguljet e verteta , dhe unë i konsiderojë të tilla sepse ato nuk janë levizje e qytetarve mbrenda shtetit por janë ikje nga shteti në shtetet e Evropës prendimore , në Amerikë, Kanada e Australi. Nga Mali i zi pothuej se kanë ik të gjithë shqiptaret, atyne u janë mohue të gjitha të drejtat elementare. Shtepitë kanë mbet në pleq e plaka. Në Maqedoni shqiptarve ju mohohet shkollimi në gjuhen shqipe, edhe këta ikun nga trojet e tyne. Në Kosovë autobusa në kolonë perditë bartin shqiptarë per në drejtimin e Evropës prendimore nga ku nuk do këthehen kurr. Andaj nese dikush duhet të tubohet dhe protestojë padyshim janë shqiptaret që duhet ta bajnë këtë. Neve sot kemi raste kur nji fjalosje e zakonshme në mes komshive, në mes kolegve në punë dhe nese palet janë të nacionalitetit serb ose malazez dhe kundershtari shqiptarë kësaj i mvishn nota politike dhe sjell deri te tubimi i protestes së serbve dhe malazezve. Per mue këto mitingje janë qesharake por janë edhe domethanse sepse unë e thamë haptas se e kamë nuhat qellimin e tyne. E epilogu i këtyne nese nuk ndalen do jet tragjik per të gjithë. A nuk asht per cdo kritikë kur sot nepremes qendres së qytetit kalojnë qutetaret serb dhe malazez me kafshet e veta shtepiake sado që kjo me ligj asht e ndalueme. Po sikur nji polic tu del para ai do ta humb punen dhe rasti do trajtohet si presion ndaj serbve e malazezve. A nuk i shef askush sot derrat e serbve dhe malazezve që lirshem kullosin dhe shkatrrojnë at pak gjelbrim që ka qyteti , unë mendojë se edhe kjo bahet me paramendim provokativ. Mos po irritohet ndonji shqiptarë dhe ta rraf derrin e pastaj të merret si pretekst per tubim proteste ose per shperngulje nga Kosova e pronarit të derrit. A nuk janë këto edhe provokime në ndjenjat fetare të shqiptarve të besimit islam?!
A ka nevojë këtu tua perkujtojë rastet e montueme , false nga qytetaret serb dhe malazez të kësaj komuneje kunder shqiptarve ,rasti i kamarjeres në Osejan, i zonjave Llutovac në Gurrakoc, i farmacistes në Istog, i konfliktit në mes serbve të armatosun dhe rinisë shqiptare duarthatë në Lubozhdë etj, etj, raste këto që pas pak kohe vet shefi i policisë Radivoje Dumanoviqi i deklaron si të tilla. Po e shfrytzojë rastin masi e kemi sot këtu si delegat nga Komiteti , ta pyes sekretarin Dumanoviq se pse asnji nga intrigashet dhe genjeshtaret që inskenuen raste dhe ekscese të cilat u banë pretekst per tubime masive të protestave të serbve dhe malazezve deri sot nuk duel para drejtësisë. Sipas ligjit cdo deklaratë falce, akuzim i rrejshem apo inskenim i rasteve asht veper penale dhe per vepra të tilla njeriu duhet të ballafaqohet me drejtësinë. Por jo nuk ka nevojë të më pergjigjet Sekretari Dumanoviq sepse neve i dim pergjigjet e tij. Pikrisht këtu edhe qendron fatkeqësia që sot pozitat kyqe në udhëheqje i kanë njerz jo serioz, njerz me biografi të dyshimta, njerz që në nji të kalueme jo të largët edhe kanë vra qytetar, a nuk asht tragjike kur nga Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistve të Jugosllavisë e teposht në hierarki deri tek lideret komunal dhe lokal nuk mund ti gjan njeriu së paku dy ose tre veta që janë të sinqertë dhe të ndershem. Që i kryejn me nder detyrat e veta dhe që i permbahen ligjeve shtetnore. Por edhe ata pak që janë sulmohen pamëshirë nga të gjitha anet dhe të tillet pa deshiren e vet nuk po ndihen per së gjalli. Kush pos Verhovecit, Kuqanit, Smoles, Dernovshekut , Bogdanoviqit asht tjeter që fletë drejtë dhe per drejtësi. Kjo në Kreun e lartë të Partisë. Në ate republikan sejcili që paraqitet asht ma i keq se tjetri. Ata sikur bajnë gara se kush ma shumë do të akuzojë shqiptaret, pastaj sllovenet e edhe kroatet. Në kreun krahinor sot janë të gjithë marioneta të pushtetit republikan të udhëhequn nga Sllobodan Millosheviqi. Dhe per këtë sot neper Kosovë organizohen mitingje ku shifen parulla dhe pankarta raciste sikurse janë p.sh. NA JIPNI ARMË, SHQIPTARET TË IKUN NË sHQIPNI, SHQIPTARKAT JANË LAVATRIQE, NA I SILLNI RUSET, VDEKJE SHQIPTARVE etj. etj. Unë kur shof se cka flasin dhe cka bajnë serbet dhe malazezet e Istogut dhe fshatrave të tij sinqerisht i frigohem të ardhmes së fëmijve të mijë. Fatkeqësishtë të tillet si Mijat Vulloviq, Miki Raiqiq, Vuko Krivokapiq, Radivoje Dumanoviq, Momqillo Pumpalloviq,Radosh Terziq,Millosh Ashanin, Filip Millosavljeviq,Marinko Tripkoviq,Zoran Gjorgjeviq, Kristë Gega, Istref Sadikaj etj, etj jo vetem se asht turp ti mbajnë librezat e Lidhjes së Komunistve por shumë nga këta ishte dasht të dalin edhe para drejtësisë. Por kush ti vej këta para pergjegjësisë?! Unë tmerohem kur ndegjojë TV Beogradin që thotë se në Kosovë janë vetem këta shqiptarë të ndershem: Ali Shukriu, Sinan Hasani, Hysamedin Azemi , Tefik Llugiqi dhe Ahmet Dobruna. Andaj të nderuem të pranishem unë sot këtu po e perfundojë këtë diskutim timin me konstatimin tim të cilin po e lëshojë këtu para jush si alarm. Nese gjanat nuk ndryshojnë, nese njerz të cilet i permenda sot këtu nuk ndryshojnë qendrimet e veta dhe nese ata nuk largohen fare nga sqena politike, unë nuk kisha pas deshirë të pres epilogun e tragjedisë që Akademija e Shkencave dhe Arteve e Serbisë dhe Patriarkana serbe e kanë pregatitë në këto hapsina gjeografike. Andaj nuk e pash të arsyeshme të flasë per ndryshimin ose jo të amandamenteve kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës sepse ato amandamente dhe krejt Kushtetuta po shifet haptas se me dhunë ose me hater Serbia dhe lidershipi i saj do i ndrrojë.
Jamë i vetdijshem se ky diskutim i imi shumkujt i ka ra kah hundet dhe ja këtu shoqnisht jua them se nuk ju frigohem represaljeve sepse fola nji të vertetë me sinqeritetin ma të madhë, fola si njeri dhe humanistë dhe dihet se humanizmi dhe racizmi e fashizmi nuk bajnë bashk. Andaj unë e dij se do bahem person NON GRATA që nga ky moment por aq më ban bue.

Selim Mustafë Hasanaj
Istog : 24.12.1988



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora