Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Kombi “kosovar” sipas modelit të kombit jugosllav!

| E hene, 26.11.2012, 07:31 PM |


Kombi “kosovar” sipas modelit të kombit jugosllav!

Nga Gani MEHMETAJ

Pas vitit 1999 një grup mercenarësh filluan të bëjnë zhurmë të madhe për krijimin e kombit të ri, kombit “kosovar”. Model e kishin - kombin jugosllav. Propaganda integraliste e ish-Jugosllavisë arriti të sajojë surrogatin serb të “jugosllavistëve” nga martesat e përziera, nga joshja që u bënte jo serbëve për karrierë politike dhe nga presionet e tjera. Paralelisht më ta u sajua edhe kombi mysliman dhe kombi maqedonas, pjellë e imagjinatës së Titos dhe titistëve. Të gjithë këta flisnin serbisht, i takonin në pjesën më të madhe kulturës serbe ose kroate (më përjashtim të “maqedonasve” sllav që ishin diku në mes të bullgarëve, serbëve dhe vllehve të sllavizuar ). Megjithatë, kombi “jugosllav” dhe “mysliman” ishin sajesa politike, prandaj dështuan për faqe të zezë: myslimanët pësuan tragjikisht nga mungesa e identitetit dhe bredhja herë nga Lindje, herë nga Perëndimi; jugosllavët me shpartallimin e Jugosllavisë u fshehën skutave nga frika e kombeve reale që dolën në sipërfaqe me identitet të sforcuar, apo në pjesën më të madhe u bënë serb militant. “Maqedonasit” sllav ende përpëliten në mes të bullgarëve, vllehve dhe serbëve, por që të përbashkët e kishin dhe e kanë urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve. Përderisa dy sajesat e para i takojnë historisë, sajesa e tretë “maqedonasit” sllav ende qëndrojnë në mes të Shiles dhe Harribdes, por zor se do t’i përballojnë historisë: kombet nuk sajohen në shekullin XX dhe nuk bëhen me dekret.

Po kombi i ri “kosovar” cilën do ta ketë gjuhë zyrtare? “Kosovarishtën” që nuk do të jetë gjuha standarde shqipe, nuk do të jetë as dialekti puro gegë, por një trajtë e të folmes lokale të periferisë, apo e të folmes së pakodifikuar, ku secili do të sjell në medie gjuhën e pagdhendur të katundit të vet, ndërsa “kosovaristët” e kryeqytetit të Kosovës do ta flisnin një shqipe të zvetënuar, në pjesën më të madhe të përkthyer nga serbishtja, me sintaksë të çoroditur, meqë nostalgjinë ndaj ish-Jugosllavisë e kanë më të theksuar se askush tjetër.

Kush qëndron prapa kësaj propagande? Është vështirtë të thuhet, sepse në mjedisin prej nga vijnë nuk kanë mbështetje, por megjithatë kanë ca fonde. Disa shenja tregojnë se kryesisht nisma është e ish-integralistëve jugosllavë, pastaj e majtistëve dhe mercenarëve të të gjitha ngjyrave që i shfrytëzojnë fondet e ndryshme ndërkombëtare, me burime të dyshimta. Mjafton të thuash se do të angazhohesh për propagandimin e gjuhës lokale, të ndryshme nga gjuha që flitet në Shqipëri dhe fondet i ke të garantuara.

“Kosovaristët” mbështetjen më të madhe e patën nga disa medie elektronike të majta në Tiranë e në Prishtinë (për nxitje debatesh apo për kuriozitet mediatik?), në qarqet politike ndërkombëtare, që duan të krijojnë hendek të madh në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në propagandistët të cilët dikur ishin të zhurmshëm në luftën kundër nacionalizmit e irredentizmit shqiptar etj. Por një pjesë e tyre këtë gjë e bëjnë edhe nga ekscentrizmi, përkatësisht nga kompleksi i inferioritetit: “përtej alpeve nuk na duan, na shpërfillin, na nënçmojnë, prandaj o burra ta bëjmë “gjuhën tonë” , që ta flasim e ta shkruajmë pa rregulla, pa shenja pikësimi, dhe të kënaqemi duke ia bërë qefin vetës se, jemi më të mirët, më të mençurit dhe më të bukurit”.

Elementi jo shqiptar i integruar në mjedisin shqiptarë të Kosovës (shqiptar me prejardhje jevge e aziatike) janë më të zhurmshmit për kombin “kosovar’, ashtu sikurse që të kësaj përkatësie janë edhe ata që e propagandojnë më së shumti ideologjinë e beduinëve të shkretëtirës në emër të fesë. Të përpiqesh të sajosh komb në shekullin XXI, përkatësisht të përpiqesh ta ndash kombin e konsoliduar, është më shumë se veprim prej Donkishoti, është përpjekje të bësh punën e serbit; të përpiqesh të rekrutosh njerëz për kombin e ri nga pjesëtarët të cilët ndjenjën kombëtare e kanë më të theksuar se asnjë komb tjetër në Ballkan, është veprim i joshqiptarëve që nuk na e duan të mirën. Natyrisht ata ndërkombëtar që e mbështesin këtë nismë, veprojnë nga prizmi pragmatik: duan të zbusin ca mllefin e Serbisë, mbase duan të integrojnë serbët në shtetin e ri, por mbi të gjitha duan ta largojnë vëmendjen e shqiptarëve nga gjakimi për bashkim kombëtar. Përpjekja e sajimit të kombit “kosovar” është përpjekje e pakuptim, shpenzim i panevojshëm i energjive dhe sakrificë e madhe: për  hir të 2-3 për qind të serbëve, të cilët megjithatë nuk do ta pranonin këtë sajesë dhe nuk do ta flisnin gjuhën “kosovarishte’. Është më e drejtë që ne ta flasim gjuhën tonë dhe ata gjuhën e tyre, se sa të bëjmë eksperimente koti që na kushtojnë.

Euforia e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë duket se do të këndell edhe një herë përgjumjen e asaj shtrese të shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë që sikur iu bë zhguall breshke përkatësia kombëtare. Të topitur nga varfëria pesëdhjetëvjeçare, të molepsur nga ca ndihma humanitare me hurma e sheqerka, të vënë nën presionin e fqinjëve agresivë e shovinist, një pjesë e tyre turpëroheshin apo e fshihnin të qenit shqiptar. Të tjerët sikur po harrojnë ke e patëm mik e ke armik, kush na gjymtoi dhe kush ishte shkaktar i këtij gjymtimi. Të tretët iu kanë qepur internacionalizmit dhe kozmopolitizmit, pikërisht sepse e kanë ngarkesë të qenit shqiptar.

Euforia e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë duhet të vazhdojë në mënyrë sistematike e të mençur po në frymën e rilindësve me muaj e me vjet. Nuk mjafton vetëm tundja e flamujve, as vetëm fjalimet patetike, por lipset ringjallje e frymës së rilindësve, vënia në pah e vlerave kombëtare, e heronjve tonë, e luftës që bëmë gjatë historisë kundër pushtuesve dhe e përpjekjeve që duhet të bëjmë tash dhe në të ardhmen në forcimin e kombit tonë të bashkuar me përkatësi e mirëqenie evropiane. Nuk është turp të jesh nacionalist, është turp ta mohosh kombin tënd e të shpikësh kombe të paqena, është jonjerëzore të shtypësh të tjerët.