E merkure, 16.10.2019, 08:52 AM (GMT+1)

Personalitete

Reshat Kripa: Requiem për Izet Shehun

E hene, 26.11.2012, 06:20 PM


Requiem për Izet Shehun

Nga Reshat Kripa

Ike Izet i dashur! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme.  Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Çfarë të të kujtoj o vëlla? Ishe ende i ri kur u detyrove të përballeshe me përndjekjen më mizore të sistemit totalitar. Por ti kishe genin fisnik të fisit tënd. Ishte ky gen që të udhëhoqi në çdo hap të jetës tënde. Ndaj nuk u përule asnjëherë. Dallgët e jetës i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Po, Izet i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse    venat  e tua rridhte gjak fisniku dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e atij sistemi.. Për këtë arsye ata të zgjodhën si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe nuk u gabuan. Ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Ti ishe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar me të gjitha forcat e tua për demokratizimin e vendit dhe luftën kundër mentalitetit të përmbysur totalitar që ende sundonte në vendin tonë. Ti ishe gjithmonë përkrah shtresës tënde nacionaliste, së cilës i përkisje. Ne nuk do të harrojmë kurrë për tërë këta vite që do të jetojmë.

Kush ishe ti, Izet Shehu? Ishe poeti, ishe shkrimtari, ishe publicisti, ishe politikani. Këtë ti na e ke treguar nëpërmjet vargjeve të tua të arta      :

Jam zjarri i zjarrit tim,

Më i hershëm se Prometeu,

Mos më shihni si hutinë!

U ndeza

Kur u ngjiz dheu.

Jam ushtari,

Që i binte bririt

Rrotull zjarreve pagane,

Me Teutën verë kam pirë,

Vallen hoqa mes taulntëve.

Ky ishe ti, i dashur Izet. Por të tilla vargje ne nuk do t’i dëgjojmë më.

Pushuan tingujt e magjepsur,

Ato nuk do t’i dëgjojmë më.

Shkruante dikur poeti i madh i madh Lermontov dhe mua sot më duken sikur këto vargje të kushtohen ty, Izet.

Ngriheni kokën lart e nderuar zonja Shehu! Ngriheni kokën lart të nderuar Agur  Shehu, vajza, nipër e mbesa! Qëndroni krenarë. Ju keni me se mburreni. Krenaria, fisnikëria dhe dinjiteti i burrit dhe babajt tuaj ju bënë edhe juve krenarë si ai. Për njerëzit e mëdhenj nuk derdhen lot. Për ta thurren vargje dhe ngrihen këngë. Izeti ishte njeri prej tyre..

Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim në krahun tonë. Ne sot po i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e tij e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes tonë Izetin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që i ka rënë përsipër!

_______________

Shkëputur nga Wikipedia:

Izet Shehu lindi në Lushnjë më 15 djetor 1942. Mbaroi gjimnazin në Lushnjë më 1960, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega gjuhë letërsi shqipe. Më 1995 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Lushnjë dhe Elbasan. Krijimtarinë letrare e nisi qysh në bankat e shkollës. Botoi dendur gjatë viteve gjashtëdhjetë, por, për shkak të biografisë politike, pasi iu pezullua vëllimi poetik “Gjaku im”, do t’i hiqej përfundimisht e drejta e botimit deri në vitin 1990. Është një prej inicuesve dhe themeluesve të Partisë Demokratike dhe në vitin 1991-1996 u zgjodh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”. Pas viteve ’90-të boton artikuj, polemika, ese, prozë e poezi në disa nga organet më të rëndësishme kombëtare.

Ka botuar këto libra :

"Çiltërsi lirike", përmbledhje poetike

"Vjeshtë njerëzore", përmbledhje poetike

"Ëndrra trëndafilash në borë", përmbledhje poetike

"Brohorima e një dimri", përmbledhje me tregime dhe novela

"Troku i fatit të verbër", përmbledhje poetike

"Mjegulla e trishtimit", përmbledhje me tregime

"Fatkeqja e bukur", novelë

"Perëndimi në zabelin plak", përmbledhje me tregime

"Mbi qerpikë çlodhet agu", përmbledhje me poezi

"Drithërime muzgu", përmbledhje poetike (ZSH)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT