Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fuat Boçi

| E merkure, 20.04.2005, 07:12 PM |


Humoristi rrëfen rolet më të dashura në 40 vjet

Fuat Boçi: A doni më për Belulin?

Aurora DAMINI

E mbiquajnë me shumë emra dhe në rrugë i thërrasin Lipe Shtogu, Belul, xha Llazi. Sot kur ai mban mbi shpatulla 75 vite jetë, aktori Fuat Boçi ndihet i mbushur dhe shumë i kënaqur me cilësimet e artdashësve të tij.


Rolet, pasuria më e madhe
"Nuk e di se nga e kam trashëguar këtë dreq gjeni prej bejtexhiu dhe humoristi", thotë me shaka aktori Fuat Boçi. "Im atë, Ibrahimi, ka qenë një bujk dhe blegtor si gjithë banorët e Voshtinës" (krahinë në kufirin shqiptaro - grek). "Ndoshta ndonjë person nga trungu i prindërve ka qenë trashëguesi i këtij gjeni", thotë artisti. Ai tregon se shkollën fillore të lënë përgjysmë në vendlindjen e tij, e përfundoi në Fier dhe pasi mbaron 7-vjeçaren ndjek studimet në shkollën e mesme artistike të këtij qyteti. Por krahas shkollës ai kishte filluar të luante si aktor i trupës së Estradës në Fier. Kjo trupë ishte amatore, por më vonë prej saj u krijua trupa profesioniste në vitin 1957. "Trupa e Estradës së Fierit ishte më e mira në vend", thotë me modesti Fuat Boçi. Si për çudinë tonë, ai tregon se rrugën e artit e ka nisur si këngëtar, valltar, parodist dhe më vonë gjeti veten si aktor. Por pa shkuar ende te humori, ai ka qenë mjaft aktiv në rolet në teatër. "Më kujtohen pjesët që janë vënë në skenë atëherë si: "Nën hijen e gështenjave të Pragës", "Ne jemi qytetarë sovjetikë", drama "Familja e peshkatarit", komedia e Çajupit "Pas vdekjes" e dhjetëra e dhjetëra role të tjerë", thotë artisti. "Unë kam mbi 40 vjet në punë, ndaj mund të them pa frikë se janë mbi 1000 role që unë kam luajtur me pasion dhe dashuri tek të gjitha. Nuk kam pasuri, pasuria ime më e madhe janë rolet e mia", pohon humoristi.


Reklamat e Fuat Boçit
Nuk ka orë të ditës që në stacionet televizive lokale të mos shfaqen reklamat e këndshme të Fuat Bocit. Me të folurën e tij myzeqare, me karaktere nga më të ndryshmet që ai realizon, reklamat janë kthyer nga më të dëshiruarat për shikuesin fierak. "Edhe aty unë përpiqem që të transmetoj art dhe kulturë. Edhe aktorët e mëdhenj bëjnë reklama", thotë ai. Kur e pyet për vlerësimin monetar, aktori Boçi nuk ndihet i qetë dhe duket se kjo nuk përbën asgjë për të. Por publiku është kapitali më i madh për mua, thotë Boçi, duke theksuar se ky është profesioni i tij, që do ta shoqërojë deri në fund të jetës…


Mbrëmjet e trishtuara
Dita është aktive, mbushur me angazhime artistike, me miq e shokë të shumtë, me pasionin e peshkimit. Por mbrëmjet janë të trishtuara për aktorin e madh. "Kam 7 vjet e gjysmë që bëj punët e amvisës dhe punët e burrit të shtëpisë", thotë ai me një ton ku ndihet dhimbja e humbjes së shoqes së jetës. Vetmia është e egër dhe vrastare, shton ai, por njeriu në çdo moment të jetës duhet ta dojë dhe ta respektojë atë. "Çdo moshë ka bukurinë e vet dhe mosha ime është etapë e bukur e jetës që aq shumë e dua…"
Miqësia ime me Papuliasin
Për periudhën e fëmijërisë aktori Fuat Boçi duket se ka më shumë mbresa e kujtime. "Kam lindur në fshatin Voshtinë, thotë aktori. Fshati apo qyteza ime e lindjes është një vend malor, dimrit atje bie borë". Ai tregon se Voshtina ose Pogoniani i sotëm, është një qytezë ku jetonin në harmoni popullsia shqiptare dhe ajo greke. Këtu nis edhe miqësia e hershme me Karolio Papuliasin, tashmë president i Greqisë, një miqësi e çiltër fëmijërore, që buroi nga sinqeriteti i moshës. "Kemi luajtur bashkë, kemi qenë në të njëjtën shkollë fillore", tregon aktori Fuat Boçi. "Mbaj mend se ai kishte talent në atletikë, ndërsa unë në recitimin e vjershave humoristike. Shtëpitë i kishim ngjitur dhe në fëmijëri kemi ndarë së bashku gjithçka, deri tek ëndrrat e së nesërmes…" Aktori tregon se kur ishte 10 vjeç është larguar nga Voshtina familjarisht dhe është vendosur në Gjirokastër. Më pas shpërngulja përfundimtare e familjes së tij ka qenë në qytetin e Fierit, në "qytetin e bollëkut dhe bujarisë myzeqare", siç thotë vetë Fuati. "Shpërngulja ka qenë thjesht ekonomike", tregon ai. "Atëherë nga qytezat e vogla shpërnguleshin shumë njerëz, për të shkuar aty ku jetesa ishte më e mirë. Kështu lashë pas fëmijërinë time, shokët, miqësinë me Karoliosin, ndërsa shtëpia e tyre më e pasur dhe më intelektuale se e imja mbeti atje pas…"

Voshtina, vendi i harmonisë shqiptaro-greke
"Kam lindur në fshatin Voshtinë, thotë aktori. Fshati apo qyteza ime e lindjes është një vend malor, dimrit atje bie borë". Ai tregon se Voshtina ose Pogoniani i sotëm, është një qytezë ku jetonin në harmoni popullsia shqiptare dhe ajo greke.
Karriera
Në vitet '50 ka qenë mjaft aktiv në rolet në teatër
Disa nga pjesët e luajtura "Nën hijen e gështenjave të Pragës", "Ne jemi qytetarë sovjetikë", drama "Familja e peshkatarit", "Pas vdekjes"
Në vitin 1957 fillon punë si aktor i trupës së Estradës së Fierit
Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina, xha Llazi, disa nga rolet më të spikatura humoristike, si aktor i Estradës së Fierit

TO - Prill 2005

 

Festohet shtatëdhjetë e pesë vjetori i ditëlindjes së aktorit Fuat Boçi

Njeriu që ngriti në art figurën e myzeqarit
*
Karaktere dhe personazhe të papërsëritshëm, interpretim brilant, njohës mjaft i mirë i jetës së myzeqarit, duke e paraqitur atë jo si duket, por siç është në të vërtetë. Ky është aktori i mirënjohur në të gjithë vendin, humoristi i shquar Fuat Boçi, me të cilin bëri emër në vite estrada profesioniste e Fierit. Në 75 vjetorin e ditëlindjes, ai është sërish i ri, trupdrejtë, i shpejtë dhe i qeshur. Asgjë nuk ka ndryshuar tek ai, përveç flokëve që i janë thinjur, ndërsa në shpirt mbetet përherë i ri dhe me një vullnet të pakrahasueshëm, model i artistit në programimin e gjithçkaje dhe model i njeriut qytetar,*ku përshëndetet*përzemërsisht me të gjithë. Vlerësimet më të larta për Fuat Boçin në 75 vjetorin e ditëlindjes së tij. Luftar Paja, Filip Çakuli, Fadil Hasa, Agron Llakaj, parodistët e Vlorës, Zhani Ciko,*Hajrie Rondo, Vasil Vaso,*Todi Llupi, Sotir Stefa, Fatmir Xhelili dhe shumë kolegë të tjerë, kanë*dhuruar një ditë plot humor në veprimtaritë kushtuar Fuat Boçit. Mjaft emocionuese kanë qenë telefonatat e ardhura nga regjisorë e aktorë që kanë punuar me të dhe sot jetojnë jashtë Shqipërisë. Të pranishëm në ceremoni personalitetet më të larta të pushtetit vendor në Fier.*Bashkia e Fierit në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Artit dhe Kulturës së po këtij qyteti kanë organizuar*ceremoninë *festive me rastin e 75 vjetorit të lindjes së aktorit të madh fierak, Fuat Boçi, Artist i Merituar, si dhe qytetar nderi i qytetit të Fierit.*Fuat Boçi mbart mbi vete 50 vite karrierë artistike, qindra role të interpretuar me mjaft mjeshtëri, karaktere*të papërsëritshëm në modelin e vet, saqë në çdo cep të Shqipërisë ai shpeshherë njihej dhe emërtohej me emrat e personazheve. Kulmi i karrierës së tij arrin në vitet ‘80 me personazhin e Lipe Shtogut dhe të Belul Gjeraqinës, ku estrada e Fierit ishte në majat e humorit shqiptar. Trupa e estradës nën regjinë e Pëllumb Kullës, nuk mund të kuptohej pa interpretimin e Fuat Boçit, i cili së bashku me Luftar Pajën, janë cilësuar ''si dy qetë në parmendë'' që lëvronin me mjaft mjeshtëri humorin e trevës së Myzeqesë dhe të Mallakastrës. Në personazhin e Fuat Boçit, asnjëherë nuk mungoi ministri, nëpunësi i kohës, qeveritari burokrat, punëtori i thjeshtë dhe fshatari myzeqar zemërmirë, punëtorë e bujar. Fuat Boçi, përherë ka qenë i lakmuar dhe i kërkuar nga regjisorë të shquar në mbarë vendin, pasi ai ishte tipi i rrallë dhe i veçantë i karakterit të krijuar me mjeshtërinë e aftësisë së tij dhe me një punë të palodhur. Për nder të figurës së tij në teatrin "Bylis" është shfaqur dhe një film dokumentar kushtuar jetës dhe aktiviteti artistik të Fuat Boçit. Një biografi e ndërtuar me elementët e analizës së krijimtarisë dhe formimit të personalitetit aktorial të Fuat Boçit, ka përshkruar gjithë këtë film, i cili për nga vlerat mund të renditet ndër filmat më të suksesshëm për krijimtarinë artistike e televizive në Fier. Në ceremoninë festive të 75 vjetorit Fuat Boçi, është bërë edhe përurimi i librit me titull ''Doni më për ...'', duke marrë shkas nga i famshmi skeç i asaj kohe ''Doni më për Belulin''. Në këtë libër janë hedhur kujtimet dhe vlerësimet e njerëzve të artit e humorit shqiptar për Fuat Boçin.
*
Kush është Fuat Boçi
*
Fuat Boçi ka lindur në Voshtinë - Pogonjat të Çamërisë *në vitin 1931. U vendos në Fier familjarisht në vitin 1938, ku vazhdon të jetojë dhe sot.*Ai i ka hyrë rrugës së artit në moshë*shumë të re fillimisht nga pasioni. Nga elektricist,*kinomekanik u bë një artist i madh. Mbaroi*shkollën e mesme të aktrimit pa shkëputje nga puna, në të mirënjohurën*shkollë “Jordan Misja”. Nga artist amator arriti në majat e larta si një profesionist në teatrin “Bylis” të Fierit. Edhe sot pas kaq vitesh ai vazhdon të jetë i suksesshëm, ashtu si dhe në rininë e tij. Pikërisht për figurën e tij, punën e shquar*dhe talentin e spikatur të tij njëkohësisht dhe për karakteret e ndryshme të tij është nderuar ndër vite me këto çmime: “Medalja e Punës”/ Medalja "Naim Frashëri"/Urdhëri "Naim Frashëri" i klasit të dytë/”Artist i Merituar”/”Qytetar nderi i Fierit”. Njëkohësisht është dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Por ai ka dhënë kontribut edhe për marrëdhënie të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në dhjetor të vitit 1984 Fuat Boçi takon në Fier Ministrin Plotësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Karolos Papulas, ish shok i fëmijërisë me Fuat Boçin. Fuat Boci nuk e mendonte se do të ishte katalizatori në shkrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Emri i tij kishte dalë rastësisht në një vizitë diplomatike që kishte bërë në Grqei delegacioni shqiptar kryesuar nga Muhamet Kapllani. Vetë Papulias i kishte përmendur emrin e Fuat Boçit dhe kishte kërkuar ta takonte kur të vinte në Shqipëri. Fillimisht Kapllani kishte heshtur, por akullin e kishte thyer Ksenofon Nushi, i cili i kujtoi Kapllanit se bëhej fjalë për Lipe Shtogun. Karolos Papulias vjen në Fier më katër dhjetor të vitit 1984. Takimi me Fuat Bocin, shokun e tij të fëmijërisë pas shumë vitesh. Pas vizitës në shtëpinë e Fuatit*,shtrohet një drekë në turizmin e Fierit, të gjitha shpenzimet nga Ministria e Jashtëme. Fuat Boçi kujton me humor. ''Nëse ato nuk do t'i paguante shteti, edhe sot e kësaj dite nuk do të mund t'i kisha shlyer''. Pas takimit të parë me Karolos Papulias, Fuat Boçi ka një miqësi të përherëshme me mikun e tij grek, tashmë në majat më të larta të politikës Helene. E kisha të vështirë, - tregon Fuati, - pas takimit me të. Më dukej sikur kisha lënë punën e humoristit dhe isha kthyer në politikan.
*
Kanë thënë për Fuat Bocin

Kadri Roshi, aktor
*
''Fuat , ti nuk je vetëm i Fierit. Ti je i gjithë Shqipërisë. Ti je i kombit''
*
Pëllumb Kulla, regjisor, shkrimtar.
*
*“Fuati di se në artin e aktorit, si dhe atë të shkrimtarit dhe regjisorit ka vend plot për pavarësi dhe për ruajtjen e identitetit artistik”
*
Qamil Buxheli, shkrimtar
*
''...Them me mirënjohje të thellë se disa krijime të miat si ''Doni më për Belulin'' etj., nuk do të arrinin suksesin e duhur pa mendjen dhe dorën e Boçit e të Kullës''
*
Llazar Vërria, regjisor
*
Fuat Boçi është si deti që kurrë s’i mbaron kripa. Është si zgjoi që kurrë s’mbetet pa mjaltë''
*
Ilir Muskaj - Tema