E enjte, 28.03.2024, 09:17 PM (GMT)

Faleminderit

Pjetër Domgjoni: Millorad Defar - Don Mila

E shtune, 24.11.2012, 07:24 PM


DON MILLORAD DEFAR – DOM MILA

Meshtar i Zotit  dhe i popullit

Nga Pjetër Domgjoni

Që kur isha fëmijë e mbaj mend ish famullitarin tim, don Millorad Defar.  Kishte ardhë në vend të të  ndjerit  don Luka Filiç. Atëherë, ky i kishte afro 30 vjeçë. Kishte nji trup mesatar e nji fytyrë të plotë. Plot energji për punë. Shumë i urtë, shumë i çetë, shumë i dashtun, shumë i butë e me plotë kulturë.  Aq shumë ishte i përvuejtë sa të shkonte mendja se kishe përpara ndonji shejt të gjallë. Shprehjet e tij kryesore e të vetmet ishin. Po, i bekuem e jo i bekuem. E ndonji herë kur betohei, thonte, për t'vërtetë. Për ket arsyeje, besimtarët e t'gjithë famullisë patën fillu me e thirrë me emën përgdhelës. DOM MILA e këtij,  jo që i mbeste hatri, por i knaçei zemra.  Fliste nji gegnishte të ambël,  me nji theks e me nji za karakteristik që t'jipte me kuptue se s'ishte shqiptar. Familja tij e kishte origjinën prej Istries së Kroacisë e shpërngulun prej andej dhe e ardhun me jetue në Bosanski Brod të Bosnjes dhe Hercegovinës  ku  edhe lindi në vitin 1924.  Mbasi ishte shugurue për prift. E dërgojnë për shërbim në arxhipeshkvinë e Tivarit, në Guci, ku çendron dhjetë vjetë. N'famullinë tonë të Bishtazhinit kishte ardhë n'vitin 1961.

Këto shenime të pakta për jetën e dom Miles i nxora prej Radio Vatikanit ku kryeredaktor i asaj shtëpie  informative, dega në gjuhën shqipe, asht sot. Don David Gjugja, ish nxansi i dom Miles. Thash se i nxora prej radio Vatikanit sepse. Dom Mila, kurrë nuk fliste për veten, për familjen e tij e prite o Zot për kombin e tij. Kurrë nuk fliste as për historinë e kombit shqiptarë. Nuk fliste kurrë, as kundër çeverisë, as kunder komunizmit. Megjithse komunistët ia kishin pas prue shpirtin me dalë sa kishte qenë n' Guci, por ai kurrë nuk fliste për ta. Fliste vetëm për Ungjilin e i transmetonte vetëm porositë e JEZU KRISHTIT të cilit kishte vendosë me ia  kushtue gjithë jetën.  Na merrte ne fëmijëve tuj na dhanë besimin me nji përkushtim e dashni e kështu  na pregatiste për kungimin e parë.

Dom Mila ishte prifti,  i vetëm, kisha me thanë unë që kishte ardhë n'famullinë tonë dhe afro katër vite s'kishte pas as adresë banimi, as kishë, as famulli, as plang, as shpi. Flinte tuj shkue herë në nji shpi e her nji tjetër shpi nëpër katundin e Bishtazhinit e meshën e thonte në oborrin e shtëpisë t'familjes Bisaku.

Nji ditë, çohet nji shpirtbardhë prej Bishtazhinit e ia fal priftit nji livadh. E si n'skaj të atij livadhi, besimtaret e famullisë ia ndërtojnë nji barakë prej dërrasave që për afro njizet vite, do t'jetë shtëpia tij e vetme e banimit. Afër asaj barake i sjellin katër shylla t'nalta ei vendosin mbi to, kumbontë e kishës. Si n'mes atij livadhi poashtu prej dërrasave e ndërtojnë edhe nji tjetër barakë tuj e vue elterin n'mes të saj dhe ajo n'vitet n'vazhdim do të ishte kisha. Ky ishte nji gëzim i pa përshkruem edhe për priftin edhe për t'gjithë famullinë tonë. Por me qenë se Bishtazhini ishte shumë afër Gjakovës. Komunistet gjakovarë, alarmohen kur e dëgjojnë zanin e kumbonve. Menjiherë dërgojnë n'vendin e ngjarjes policë të armatosun ei sharrojnë ato shtylla t'nalta tuj hjedhë kumbontë për dhe. E arrestojnë edhe dom Milen dhe afro dhjetë ditë e mbajnë në hetuesi. Lajmi zi i shkon ipeshkvit të Shkupit e ai intervenon tek çeveria jugosllave, por dom Milen nuk e l'shojnë derisa intervenon Konferenca ipeshkvnore e Kroacisë. Mbasi të del prej hetuesie. Përseri besimtarët i ngrisin ato shtylla e n'maje të atyne shtyllave, përseri i vendosin kumbontë e kishës. Shtyllat e kumbonve nuk do ti sharrojnë ma komunistët gjakovarë, por priftin tonë të dashtun. Mbas çdo Kshnelle e Pashkë e merrshin  n'biseda informative, tuj e mbajtë të mbyllun me tri e katër ditë derisa për lirimin e tij, intervenonte ipeshkëvi i Shkupit.

Rrëzimi i kumbonëve t'kishes dhe burgosja e meshtarit, besimtarëve katolikë, ua kishte hapun tash, plagët e luftës ende t'pa thara dhe ato ditë s'banin tjetër gja veç i kujtojshin vrasjet e masakrat që tri ditët e Pashkëve të vitit 1941, i kishin ba mbi ta, komunistët e Gjakovës n'bashkpunim vllaznorë me çetnikët  e Serbisë.

Në vitin 1967, në famullinë tonë, si prift ndihmës apo si praktikantë, kishim me thanë në gjuhën e sotit, e sjellin priftin e ri, DON ANTON KQIRËN.  Don Antoni ishte i rrethit Gjakovës dhe ndoshta at vit edhe ishte shugurue për prift. Si djal i ri që ishte, kishte nji hie të randë e nji shikim të drejtë e të ashpër, por kur flitshe me te s'ishte fare i tillë. E kam shumë të freskët predikimin e tij në meshën e parë të cilin e pat fillue me këto fjalë.

Vllazene e motra, sot përpara meje, unë po shof vetëm gra e vajza, e nuk po e shof asnji burrë. Të gjithë qenkeni ba burreca. Si qenkeni krrusë e ra me fytyrë për dhe kështu, ju që jeni gjaku i pastër i Gjergj Kastriotit e i Lekë Dukagjinit. Dhe tuj qenë krenarë në këto troje,  prej se ka krijue Zoti, diell e hanë e tokë e qiell dhe prej se ka lindë Jezu Krishti e deri sot. S'ka dal kush me na e mohue kombin e me na e ndalue fenë e po dalin sot nji grusht komunistë gjakovarë me e ba nji gja të tillë. Kini mendjen te Zoti e çonje kryet naltë e mos ju frigoni askujt  se kështu na porosit vet Jezu Krishti. Unë sot, vllazen e motra,  prej këtij elteri po i lajmroj komunistët gjakovarë se, pa kalue as dy muaj, mbrapa ksaj barake, së bashku me dom Milën,  kemi mej vue gurët e themelit e kemi me fillue ndertimin e nji kishe madhështore. E le t'vijnë komunistët gjakovarë e ti sharrojnë shtyllat e kumbonëve. Le t'vijnë komunistët gjakovarë e ta burgosin dom Milen e dom Antonin. Le t'vijnë komunistet gjakovarë e vetëm ta provojnë mej nxjerrë guret e themelit prej këtij trolli se unë e dom Mila do ti presim këtu.

Fjalet e don Antonit dilnin si shkëndia zjarri e depërtonin thellë në zemrat e t'gjithë besimtarëve. Noj plakë o noj plak e çonte kryet kah qilla tuj veshtrue se mos komunistat vijnë me noj helikopter e po e arrestojnë me petka t'meshës meshtarin e tyne. Mbas meshe, askush s'shkoi te shpia, por të gjithë e rrethuanë don Antonin e plakatë shkonin tuj ia puthë dorën e pleqtë e shikonin me sy t'përlotun. Mbas nji kohe, n'shpi filluen me shkue vetëm  gratë e vajzat kurse mashkujtë mbetën n'oborr të kishës e po i përcillnin dy priftat që shkonin drejtë zyres që ndodhei në at barakë banimi.  Në zyrë kishte vetëm nji vitrinë me libra, nji tavolinë me dy karrige e dy makina shkrimi. U ulën të dy priftat, i nxorrën dy makinat  mbi tavolinë dhe filluen me shkrue.  Tingujt e ashpër të tasterave t'makinave, atë ditë ishin ma të butë e ma të ambël për veshë se sa tingujtë ma t'bukur të pianove të botës.

Predikimi i don Antonit, u dha zemër besimtarëve, ua largoi edhe frikën banorëve t'famullisë. Prej asaj dite,  filloi nji ngjallje, filloi nji lëvizje mbrenda famullisë. Filluen me u interesue prindët mej çue fmijtë n'shkollë. Filluen me kërkue punë nëpër shtete të Europës e disa shpërnguleshin me krej familje drejtë noj qyteti brenda Kosovës tuj kërkue jetë ma t'mirë. Pa u ba as dy muaj, dom Antoni i vendosi disa shkopijë rreth e rrotull t'lidhun me shpagë për me i tregue dimensionet e kishës së ardhshme. Mandej, ai shkoi prej famullisë sonë e dom Mila filloi mej mbledhë t'hollat,  me sjellë materjalin dhe e filloi ndertimin e kishës.

Përafërsisht me fjalë të njejta si të don Antonit u ishte drejtue edhe IMZOT NIKË PRELA komunistëve gjakovarë ditën e Shfrrokut në kishën e Novosellës kah mesi i viteve të tetëdhjeta sepse ata kurrsesi nuk  lejonin ndertimin e kishës n'katundin e Doblibarës. Por këtu mu kujtuanë edhe vitet e pesëdhjeta kur DON NIKOLLË MINI,  shefin e policisë Prizrenit, Ali Dautin që së bashku me tre policë të armatosun, kishte shkue me e arrestue  kur ky po e kremtonte Meshën Shejte në kishën e Velezhës. Dom Nikolla ju kishte pas drejtue: Përjashta dil, o Ali Damuti. Dil përshta, o qen e merr me vete edhe këta tre zagarët e tu. Tregonin se nesrit, dom Nikolla i kishte shkue Ali Dautit n'zyre dhe me grusht ia kishte pas thye xhamin që i ndodhei mbi tavolinën e punës.

Kishën madhështore, dom Mila, po e ndërtonte me shumë mund e me pak të holla që i mblidhte prej famullisë sonë prandaj edhe derisa e përfundoi,  patën kalue disa vjetë.  Por dom Mila kurrë nuk pranoi me ndërtue shtëpi banimi për vete pa e përfundue ndërtimin e kishës dhe deri në përfundimin e saj, ai pat jetue në at barakën prej dërrasave.  Kurse si mjete transporti. Në fillim kishte nji kal mandej nji motorr dhe në fund nji makinë  të tipit, Renault 4 të cilin ma vonë edhe ia patën vjedhë.

Kisha e Zojës Rruzare në Bishtazhin të cilën e pat ndertue don Millorad Defar.

N'vitin 1986, si kapelan, vjen në famullinë tonë don Viktor Sopi. Mbas dy vitesh sherbimi si kapelan, don Viktori bahet famullitar kurse dom Mila nuk do t'ketë ma  vend as si kapelan as si prift ndihmës, por mbas  27 viteve shërbimi në famullinë tonë tuj llogaritë edhe dhjetë vitet e para në Guci që bajnë plot 37 vjetë jete meshtarake, përfundon n'rrugë të madhe tuj mbetë pa punë, pa kishë, pa famulli, pa plang e shpi dhe pa asnji çindarkë në xhep. Dhe n'krejt ipeshkëvinë e Shkup-Prizrenit e në arxhipeshkëvinë e Tivarit (në at kohë, argjipeshkëvi i Tivarit ishte kroat). S'do të del askush që dom Milës sonë të dashtun mej çelë  noj derë shpie apo noj derë kishe. U zhduk dom Mila si mos t'kishte egzistue kurrë. Mbas nji kohe u muar vesh se ai kishte shkue n'Zagreb tuj kalue ditë të jetës në nji gjendje shumë të mjerë.

N'Dalmaci të Kroacisë,  prej vitesh, shërben si motër nderi, ROZA KUZHNINI. Me t'marrun vesh gjendjen e dom Miles, shkon në Zagreb tuj alarmue dy vllaznit e saj: Simonin e Mikel Kuzhninin dhe të tre i shkojnë n'zyrë kardinalit Franjo Kuhariç dhe kardinali menjiherë e pranon kërkesën e tyne dhe kërkon që t'nesërmen ta vizitojë ate, dom Mila. Dalin prej zyres Kardinalit që te tre dhe me ta gjetë dom Milen ia japin lajmin e mirë e dom Mila u drejtohet.

Për t'vertetë, nuk m'bajnë kambët me shkue nesër te kardinali sepse mua përveç gjakut asgja tjetër nuk m'lidh me popullin kroatë. Se me zemër e shpirt e me gjithë qenjën time e ndjejë vehtën shqiptar prandaj s'muj me e marrë me mend me thanë meshë në ndonji kishë t'Zagrebit  ku flitet gjuha kroate.

Po si do me jetue, o zotni. E pyet motra Rozë. Si t'jetë ba vullnesa e Zotit, oj e bekueme. Me këto fjalë edhe u ndanë dhe pa kalue  java, SIMON KUZHNINI i pat nxjerrë lejen prej arxhipeshkëvisë  dhe dom Mila filloi me e thanë meshën në gjuhën shqipe n'qytetin e Zagrebit. Mandej e kishte gjetë edhe banesën dhe kish fillue nji jetë normale, por ipeshkëvia e Kosovës dëshironte me pas nji misionar të rregulltë e nën juridiksionin e vet, fillojnë kontaktet zyrtare n'mes dy ipeshkëvijve. Të Shkup-Prizrenit dhe asaj të Zagrebit dhe pa kalue viti, në Zagreb  e dërgojnë nji prift të ri, shqiptar prej Kosove e dom Mila  detyrohet me e l'shue edhe Zagrebin. Zhduket përseri dom Mila e ndoshta edhe kishte vdekë pa i shkue askush n'vorrim.

Vetëm pas disa vitesh, me të ardhun Arxhipeshkëv në Tivari, DOM  ZEF GASHI, menjiherë do ta kërkojë e do ta gjejë dom Milën tuj e rindertue kishën katolike shqiptare nëpër ato male të ashpra e të egra të Shqipnisë. Menjiherë imzot Gashi e thërret në arxhipeshkëvinë e tij, tuj dhanë shtëpi banimi, tuj dhanë kishë e famulli e t'gjitha t'mirat që i kishte falë i Madhi Zot. Mandej marrin vesh malsorët se pas sa e sa vitesh u ishte rikthye ish famullitari i tyne. E thërrasin edhe në Amerike, tuj ia festue jubileun e pesëdhjetë të meshtarisë e tuj e çue nëpër t'gjitha shtetet e Bekueme të Amerikës. E tuj ia mbushë zemrën e shpirtin me plot gëzim e dashni.

Kthehet përseri dom Mila në famullinë e vet tuj shërbye Zotit derisa fillon e sëmuhet dhe tash Imzot Zef Gashi nuk e dërgon n'spitalin e përgjithshëm, por tek motrat  françeskane  në Podgoricë e motrat,  deri n'minutin e fundit t'jetës së tij, kujdesën për te si për ndonji hyjni të gjallë sepse hyjni e gjallë ishte ish famullitari im i dashtun, DON MILLORAD DEFAR.

N'mëngjesin e hershëm të 26 marsit të vitit 2009, në moshën 85 vjeçare, dom Mila i mbylli sytë për këtë botë, për ti hapur në Agimin e jetës së vërtetë në hyjin Atë. PUSHOFTË NË PAQE.

Me këto fjalë e pat përfundue lajmin mbi kalimin në amshim të dom Milës, Radio Vatikani.

Imzot Zef Gashi i kishte organizue nji funeral mdhështorë që asnjiherë ma parë nuk kishte ndodhë në argjipeshkëvinë e Tivarit në të cilin kishin marrë pjesë përveq nji numri shumë të madh meshtarësh, rregulltarësh e rregulltare, por edhe shqiptarë t'Mali Zi, T'Kosovës, t'Shqipnisë e t'Kroacisë. Nji i pranishem në funeral tuj pa gjithë at masë njerzish,  e kishte pyet imzot Gashin. I kujtë ishte ky meshtar. KY ISHTE MESHTAR I ZOTIT DHE I POPULLIT. Ju kishte përgjegjë imzot Zef Gashi.

Kliko këtu për t'pa festimin e 50 vjetorit të meshtarisë dhe për të ndi t'folmen e dom Milës.

http://www.youtube.com/watch?v=G4SC7DBVWpA

 



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora