E premte, 22.11.2019, 07:03 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Pritet me madhështi 100 vjetori

E shtune, 24.11.2012, 07:03 PM


Shkolla Shqipe në Brooklyn, NY me një grup artistësh pritën me madhështi 100 VJETORIN E PAVARËSISË

Nga Keze Kozeta Zylo

Dita e shumëpritur për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë erdhi me plot frymëzim dhe dashuri nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe në Staten Island dhe Brooklyn.  Të festosh 100 Vjetorin e Pavarësisë është një privilegj për të gjithë shqiptarët, është nder, respekt, por dhe detyrë për ata Burra të Kombit që derdhën gjak dhe që na dhanë Pavarësinë nga zgjedha otomane turke.  Eshtë detyrë e Shkollës që historinë dhe kulturën e Kombit tonë t'jua transmetojmë brezave këtu në Diasporë, ndryshe do të ndodhë asimilimi që do të jetë një tragjedi që s'do të falet kurrë.

Qindra shqiptarë u mblodhën së bashku me një entuziazëm të papërshkruar për të kremtuar 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Nxënësit e Shkollës Shqipe së bashku me një grup artistësh nën udhëheqjen e Prof.Petrika Melos dhe sopranos së shquar znj.Lindita Mezin Lole kishin muaj që po bënin përgatitjet për ta pritur këtë festë të shenjtë me madhështi.  Nxënësit të shoqëruar nga prindërit, Përfaqsues organizatash, media vinin grupe grupe dhe uronin njeri tjetrin: Gëzuar, Gëzuar 100 Vjetori i Pavarësisë.  Koncerti filloi në orën e caktuar, ku flamurmbajtësit shqiptar dhe amerikan parakaluan pranë sallës dhe u ngjitën në skenë.  Prezantuesit e programit tenori Bledar Maqellara, një djalë i talentuar që premton shumë në të ardhmen dhe studentja simpatike zonjusha Suada Hasa përshëndetën gjithë pjesëmarrësit dhe iu uruan atyre mirëseardhjen në këtë ditë të shenjtë.  TV Alba Life vazhdoi spikerja ka nderin dhe krenarinë se siç e tha dhe konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë z.Dritan Mishto hapi festimin e 100 vjetorit të Pavarësise në Diasporë në koncertin e madh që u bë në shkurt në Manhattan në bashkëpunim me një grup artistësh dhe sot po e kurorëzon me një program të pasur artistik realizuar nga nxënësit e Shkollës dhe artistët.

Programi filloi me interpretimin e dy Hymneve Shqiptare dhe Amerikane kënduar nga znj.Lindita Mezini Lole dhe kori i Shkolles Shqipe.  Artistja Lole, nxënësit dhe gjithë salla këndonin si në një kor të vetëm Rreth Flamurit të përbashkuar/ për një dëshirë e një qëllim/ të gjithë atje duke u bashkuar/ të japim jetën për shpëtim.

Më vonë në skenë është ngjitur nxënësja e shkollës shqipe artistja e ardhshme e diasporës, Kristina Melo e cila ka intepretuar poezinë: "Edhe unë si Marigoja".  Ajo premtoi se dhe unë do të qëndisë Flamurin për bashkimin e Kombit, që u mirëprit me duartrokitje të nxehta nga të pranishmit

Nxënësit kënduan së bashku Hymnin e Shkollës Shqipe të intepretuar mjeshtërisht nga sopranoja Lindita Lole Mezini.  Vargjet si: Mezi presim Shkollën Shqipe/ qëtë flasim dhe tëmësojmë/ me shkronjat e Alfabetit/ si Engjëjt Kombin e Mbrojmë, preku zemrat e malluara të shqiptarëve në mërgim.

Flautistja Makbela Ademovi plot delikatesë interpretoi "Skercino" nga Kujtim Laro. Melodia e sjellë nëpërmjet flautit ishte një Komunikim i ngrohtë dhe shumë mbresëlënës.

Me shumë dashuri u mirëprit dhe grupi i fëmijëve drejtuar nga artistja e palodhur dhe plot vitalitet Pranvera Çobo, të cilët interpretuan këngën "O sot o kurrë".  Kostumet popullore të fëmijëve, serioziteti me të cilën ata u paraqitën në skenë ishte një sukses i plotë.  Ata morën duartrokitje të zjarrta nga salla po ashtu dhe me këngën " O këngët e vendit tim".  Ishte një këngë që ngacmoi kujtesën e shumë pjesëmarrësve të cilët e shoqëruan gjithë kohën këtë melodi kaq popullore.

E veçantë ishte dhe kënga "Zëri i vendlindjes" me tekst të Pozaet Qoses dhe muzik të Skënder Lumshit kënduar aq bukur nga studentja Kejda Osmani e cila ka fituar vendin e parë në festivalin e fëmijëve të Gramshit.

Prezantuesja e programit ka ftuar në skenë nxënësen e talentuar, që premton për një të ardhme të shkëlqyer në art dhe më gjerë, Dea Bejlerin e cila ka intepretuar "Naganti i Isa Boletinit" shkruar nga poeti i Kombit Agim Shehu.

Tenori Bledar Maqellara interpretoi mjeshtërisht "Për ty Atdhe" këngë aq e njohur dhe e dashur për shqiptarët.  Zëri i Maqellarës buçiti në sallë dhe e pushtoi atë me duartrokitje të stuhishme, pranë nesh dukej sikur frymonte Tenori i jashtëzakonshëm Mentor Xhemali.

Emocione të papërshkrueshme e kanë pushtuar sallën kur në skenë u ngjitën aktori i mirënjohur nga Kosova z.Shaban Lajci në rolin me veshjen e Babait te Kombit Ismail Qemalit.  Interpretimi dhe zëri burrëror i tyre i sollën sallës Vlorën dhe burrat e shquar

të Kombit.  Aktori Agim Rugova në rolin e Luigj Gurakuqit lexoi Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa Tom Gjergji ishte në rolin e Isa Boletinit me skenë nga Pavarësia e vitit 1912.

Pranë tyre ndodhej Marigoja vajza që qëndisi Flamurin Kombëtar, ku Ismail Qemali i tha se do të kujtohej sa herë do të ngrihej dhe festohej Dita e Flamurit.

Ardhja e tyre shoqërohej nga kënga e njohur labe me fjalët:

Cili je ti more burrë/ Që na vjen nga Shqiperia/ Unë jam ‘Smail Qemali/ Dua vatanet e mia/ Do t’i marr se s’është punë/ Është e jona Shqipëria

Pas kësaj kënge në skenë janë dëgjuar tingujt e pianos me këngën "Albanian Dance" interpretuar profesionalisht nga artisti Margin Bajrami dhe kompozuar po prej tij.

Programi përmbante dhe "Ode to Joy" të Bethovenit dhe këngën aq të dashur dhe popullore "O moj e bukura Arbëri"  inerpretuar nga znj.Mezini Lole shoqëruar nga Bejleri dhe Melo së bashku me korin e shkollës Shqipe.

Bledar Maqellara ka prezantuar Dr.Valbona Zylo Watkins për të përshëndetur në emër të Bordit të shkollës të gjithë të pranishmit.  Dr.Zylo Watkins tha se ne përulemi me respekt përpara veprës së patriotëve të shquar që ngritën Flamurin në Vlorë.  Eshtë detyra jonë që këtë Flamur ta ngrejmë përjetësisht së bashku me brezat që do tëvijnë.  Si gjeneratë e re premtojmë se do ta mbajmë gjallë Gjuhën Shqipe dhe kulturën tonë kombëtare.

Më vonë Maqellara ka ftuar në skenë përsëri sopranon Lole e cila në 100 vjetorin e Pavarësisëu u frymëzua për të sjellë këngën e re patriotike "Atdheu im", kompozuar nga

prof.Petrika Melo me tekst nga K.Zylo.

Vargjet Atdheu im përmes palëve të Flamurit, apo Ismail Vlora ne në qiell të lartësojmë, ngriti peshë zemrat e artdashësve të cilët shumë prej tyre valëvisnin Flamurin kuq e zi.  Prof.Petrika Melo dukej sikur vallëzonte në tastierë  mjeshtërisht për kompozimin e tij me aq vlera për përçimin e mesazhit të bashikimit të të gjitha trojeve shqiptare së bashku me Diasporën që qëndron si krah shqiponje...  Znj. Mezini Lole jo vetëm që ka një zë të magjishëm, por në sytë e saj blu ka dritë, dritë për Kombin.  Më duhet të them sa ajo vjen nga familja e Mezinëve të Vlorës, atje ku jane bërë mbledhjet e para për Pavarësinë e Shqipërisë ...Artistja Lole magjepsi artdashësit e shumtë me zërin e saj dhe i ftoi të gjithë të çoheshin në këmbë për të kënduar këngën "Për Mëmëdhenë".

Në fund nxënëset e shkëlqyera Balidemaj dhe Çobaj iu kanë dhuruar buqeta me lule të freskëta artisteve të skenës.

Në këtë aktivitet ka përshëndetur dhe diplomati i Republikës së Kosovës në New York z.Fatmir Zajmi i cli iu uroi të gjithë Gëzuar festën dhe falënderoi organizatorët, artistët, nxënësit, mësuesit për këtë punë kaq të përkushtuar që po bëjnë me brezat e ardhshëm.

Ndërkohë Z.Qemal Zylo themeluesi i shkollave shqipe dhe Tv Alba Life falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, mësuesit, prindërit, nxënësit e dashur, Drejtorin e programit Alba Life, z.Amir Suka, kameramanin z.Ilir Ago, TV Kultura Shqiptare me z.Adem Belliu, Studion Pali, si dhe përfaqsuesit e shoqatave si Ana e Malit me z.Naser Cobo, Forumin për Demokraci me z.Grid Rroji, Dr. Ilir Hysa, Shoqatën Devolli me z.Neritan Bejleri, Rrënjët shqiptare, shoqatën Dibra me z.Dritan Gashi, Osman Greva, shoqatën Çamëria me z.Sali Bollati, Shoqёrinё Kulturore Artistike “Bashkimi Kombёtar”, Ansamblin Rugova, shoqatën "Zëri i Gruas" etj...

Në fund pjesëmarrësit e shumtë bënin foto me njeri tjetrin, takoheshin me emocion dhe dashuri duke u larguar me mbresa nga më të mirat për këtë aktivitet madhështor ne nderim të 100 Vjetorit të Pavarësisë.

 

 



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT