E premte, 03.07.2020, 02:42 PM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Shfrytëzimi i vajzave siriane refugjate

E shtune, 24.11.2012, 10:12 AM


Kritikat në botën arabe mbi shfrytëzimin e vajzave siriane refugjate, nën maskën e qëllimeve martesore

Nga: L. Barkan *

Hyrje - Kriza siriane, që vazhdon nga marsi i vitit 2011, deri më tani ka marrë jetën e më shumë se 35.000 njerëzve dhe ka detyruar qindra e mijëra sirianë të largohen në vendet fqinje, veçanërisht në Turqi dhe Jordani, ku jetojnë në kampet e refugjatëve të përcaktuara për to. Kohët e fundit, një aspekt i ri i kësaj krize humanitare ka dalë në pah: një fenomen i ashtuquajtur "martesë për mbrojtje” (Sutra në arabisht), e cila përfshin meshkujt myslimanë arabë, të cilët martohen me refugjatë sirianë (femra), veçanërisht vajza të moshës 12-16, nën pretekstin e shpëtimit të tyre  nga kushtet e vështira të jetesës në kampet e refugjatëve, pra mbrojtjen e nderit të tyre, duke mbështetur kështu edhe revolucionin sirian. Sipas raportimeve, familjet e vajzave janë shpesh të gatshme ti martojnë ato kundrejt një çmimi shumë të ulët, në mënyrë që ti shpëtojnë nga kushtet e mjerueshme të kampeve dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë të ardhura minimale për jetesën e familjeve të tyre... Raportimet e mediave tregojnë se, këto raste i shohim në Jordani, Turqi, Libi dhe vende të tjera dhe se shumë burra myslimanë nga e gjithë bota arabe, udhëtojnë drejt vendeve fqinjë të Sirisë, në kërkim të një nuse të re refugjate. Disa raportime bëjnë të ditur se klerikët myslimanë e nxisin edhe më shumë këtë praktikë, duke e quajtur atë " një detyrë kombëtare", duke marrë pjesë edhe vetë. Ekspozimi i fundit i medias arabe mbi këtë fenomen ka shkaktuar një valë zemërimi midis Sirianëve dhe arabëve të tjerë duke bërë që shumë aktivistë të nisin një fushatë kundër këtij fenomeni, duke përfshirë këtu edhe postime në Facebook. Sipas aktivistëve, këto martesa përbëjnë një shfrytëzim të refugjatëve që jetojnë nëpër këto kampe të caktuara, sidomos të vajzave të reja. Ata kanë raportuar raste të vajzave që martohen me burra të moshuar, martesat që çojnë në dhunimin dhe prostitucionin e tyre dhe burrat nga vende  arabe qe  negociojnë në internet kundrejt këtyre vajzave. Për të hedhur pak dritё mbi këtë çështje, ky fenomen ka marrë nofkën "epshi xhihadid", si një formë tallje dhe përbuzje kundrejt atyre që për “hir” të popullit sirian, e paraqesin atë si një formë të xhihadit. Ajo që duhet të përmendet është se shtrirja e këtij fenomeni është ende e paqartë. Fushata në media që po zhvillohet kundër tij dhe masat zyrtare që janë ndërmarrë nga autoritetet jordaneze për të frenuar atë, sugjerojnë se ky është një fenomen relativisht i përhapur, megjithatë, disa pretendojnë se është i kufizuar në një numër të vogël rastesh, apo sugjerojnë se ai u shpik apo u  ekzagjerua nga regjimi sirian, me qëllim të dëmtojë revolucionin dhe mbështetësit e saj. Ky dokument do të shqyrtojë këtë fenomen ekzaktësisht siç është përshkruar në mediat arabe, si edhe kritikat e saj.

Arsyeja për Martesë: "Çmimi i ulët " i vajzave refugjate siriane

Ajo që duhet të përmendet është se fenomeni i martesës me gra refugjate është bërë i njohur nga luftërat e mëparshme, të tilla si lufta e 2003-it në Irak dhe se gratë siriane prej kohësh konsiderohen si nuset e dëshirueshme në botën arabe. Megjithatë, me shpërthimin e krizës siriane dhe numrin në rritje të refugjatëve në vendet fqinje, fenomeni mori një kthesë të rrezikshme dhe shfrytëzuese, pasi familjet siriane shpesh bien dakord për martesë edhe nëse vajza është e re dhe bashkimi nuk garanton sigurinë e saj personale dhe të ardhmen, por për aq kohë sa ajo shpëton nga kushtet e vështira të jetesës në kampet e refugjatëve. Disa raporte vijnë nga Jordania, e cila pranon se më shumë se 250 mijë refugjatë sirianë (dhe veçanërisht nga kampi i refugjatëve Al-Za’atri, ku kushtet e vështira të jetesës së fundmi kanë shkaktuar protesta të dhunshme) kanё bërë kërkesa për t’u kthyer në Siri. Zayed Hammad, kreu i Shoqërisë Kitab Wal-Sunna në Jordani, i cili mbikëqyr ndihmën kundrejt refugjatëve sirianë, tha se shoqata kishte marrë mbi 500 kërkesa nga burrat jordanezë  për tu martuar me gra siriane. Ai shpjegoi se shumë të rinj jordanezë dëshirojnë të martohen me gra siriane për të shmangur çmimin e lartë të nuseve në Jordani, sipas zakonit dhe traditave që mbizotërojnë atje. Sipas Hammad-it, fillimisht në Jordani ekzistonte një grup mafioz që u përpoq të nxjerrë në shitje martesat e refugjatëve, por u zbulua dhe veprimtaria e tyre u ndalua. Një sociolog sirian, i cili jeton në Amman ka hetuar mbi këtë fenomen që i bëjnë këto martesa "katastrofike" dhe theksoi se kjo praktikë kishte marrë një aspekt të rrezikshëm dhe të turpshëm, në të njëjtën kohë kur kushtet e jetesës në kampet e refugjatëve sa vinë e përkeqësohen, familjet e refugjatëve po kërkojnë një mënyrë për të shmangur varfërinë dhe vuajtjen. Ai shtoi se shumë jordanezë e shfrytëzuan këtë fatkeqësi, pasi martesa me një vajzë refugjate është shumë më e lirë se sa martesa me një vajze jordaneze dhe veçanërisht se këto martesa janë konsideruar një akt bamirësie dhe ndihme ndaj revolucionit sirian. Një tjetër sirian, banor i Jordanisë prej shumë vitesh, tha se familjet siriane i martonin të bijat e tyre me të afërm apo të njohur jordanezë, për t’u kursyer atyre jetën e ashpër në kampe, dhe shtoi: "Një i moshuar jordanez u martua me një vajzë 12-vjeçare siriane. A ekziston diçka më mizore se këto krime të kryera kundër popullit tonë sirian”?

Demonstrata në Egjipt: "vajzat tona refugjate janë gra te lira, jo te burgosura. Ne nuk kemi dale ne shitje”

Raportet e mediave tregojnë se ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm për burrat jordanezë. Një artikull javor në gazetën egjiptiane “Al-Ahram al-Arabi” citon se gratë siriane janë kthyer në një "pre të lehtë dhe konsiderohen si një arritje e madhe", për të pasurit që kërkojnë vetëm kënaqësi, të cilët vijnë nga Gjiri dhe Afrika e Veriut dhe se kampet e refugjatëve janë bërë "një treg për zgjedhjen e vajzave të bukura për martese kundrejt një çmimi të ulët që varion nga $ 50 deri në $ 500, pa njohuri paraprake dhe nën pretekstin e mbrojtjes së tyre. "Aktivisti politik sirian Rahaf ‘Aita ka thënë se "në internet meshkujt i thonë njeri-tjetrit se për $ 50, mund të gjejnë një nuse shumë të bukur siriane për ta marrë në shtëpi". Ajo shtoi: "Papritur e pakujtuar të gjithë na dëshirojnë ne (gratë refugjate siriane), shumica e tyre nga Gjiri, veçanërisht Arabia Saudite  dhe nuk mund të frenojnë “dashurinë”, epshin e tyre  ndaj fatkeqësisë siriane." Një tjetër aktiviste sirian, Hadeel ‘Abd Al-Karim, tha se situata është edhe më e rëndë në kampet e refugjatëve turq, sepse atje vajzat që vendosen të martoheshin janë detyruar shpesh të bëhen prostituta ose janë përdhunuar. Sipas saj, mediat duhet të merren me këtë problem, duke bërë që ndihma për refugjatët të shtohet, në mënyrë që ata të mos detyrohen të shesin vajzat e tyre.  Sipas një raporti, Libia ka zyra që bën të mundur martesat me mblesëri midis burrave libianë dhe refugjateve siriane që kanë ikur në Libi, me një kosto prej 500 dinarë libianë (afërsisht 300 Euro).

Shtrirja e fenomenit mbetet ende e paqartë

Pavarësisht protestave kundër këtij fenomeni, aktivistët pranojnë se ata nuk kanë mjetet e duhura për te vlerësuar shtrirjen e tij, gjithashtu kritikojnë mediat për "ekzagjerim". Një aktivist që ndodhej në kampin e refugjatëve Al-Za’atri në Jordani, i cili merr pjesë edhe në fushatën kundër këtij fenomeni, pranoi në fillim të muajit shtator se zyra e fushatës në kamp nuk kishte më shumë se dhjetë raste të regjistruara, të martesave  me refugjatë, por shtoi se ka pasur raste të martesave të kryera në mënyrë të fshehtë që nuk  mund të gjurmohen apo nuk janë të dokumentuara. Aktivisti shtoi se disa media për të promovuar agjendën e tyre, u përpoqën të "ekzagjerojnë" problemin, duke shfrytëzuar vuajtjet e refugjatëve. Autoritetet jordaneze, nga ana e tyre, u përgjigjen ndaj njoftimeve të mediave duke mohuar ekzistencën e problemit. Departamenti i Gjykatës Së Lartë të Jordanisë ka publikuar statistika sipas të cilave martesa mes femrave siriane dhe meshkujve jordanezë në gjysmën e parë të vitit 2012 nuk e tejkalon numrin mesatar të martesave të tilla gjatë viteve. Ekspertët e departamentit theksuan se gjykatat sheriati nuk do të lëshonin certifikata martesore nëse kishte mangësi të kushteve të caktuara themelore, duke përfshirë këtu  edhe pëlqimin e të dyja palëve dhe të ardhurave të mjaftueshme dhe se kushti më i rëndësishëm për martesë ndaj të huajve ishte miratimin nga  Ministria e Brendshme. Refugjatë sirianë në Jordani gjithashtu lëshuan një komunikatë duke mohuar ekzistencën e shfrytëzimit, duke thënë se, në kundërshtim me raportet e mediave, martesat ekzistuese bëhen midis të afërmve që jetojnë në Jordani. Muhamed Al-Rumaihi, një kolumnist për të përditshmen saudite me qendër në Londër “Al-Sharq Al-Awsat”, akuzoi regjimin sirian për ekzagjerimin e këtij fenomeni për qëllime vetjake. Ai pohoi se "fenomeni" ishte i kufizuar vetëm në disa raste të izoluara dhe se fushata e mediave ndaj tij ishte shkaktuar nga regjimi sirian me qëllim largimin e vëmendjes nga numri i madh i viktimave siriane dhe për të dëmtuar reputacionin e banorëve të Gjirit, të cilët kanë  ndihmuar njerëzit sirianë. Një gazetar i webside-it Elaph.com ka pohuar duke cituar burime të ndryshme në Jordani, se tregimet ishin thashetheme të pabaza, të cilat u përhapen nga gazetarë të caktuara dhe se regjimi sirian i përhapi ato për të demoralizuar opozitën siriane dhe për të krijuar një ure midis opozitës dhe mbështetësve të saj. Megjithatë, pavarësisht mohimeve nga zyrtarët jordanezë, hapat e marra nga autoritetet jordaneze sugjerojnë se thashethemet nuk janë, në fakt, edhe aq të pabaza. Raportet e Elaph se qeveria jordaneze ka vendosur të ndalojë martesat e vajzave siriane me të afërmit e tyre në Jordani dhe menjëherë pas marrjes së këtij vendimi, Ministria e Brendshme  jordaneze urdhëroi që gjykatat të mbikëqyrin dhe vendosin se martesat e kryera jashtë ligjit të sheriatit të konsiderohen si të pavlefshme dhe marrjen e menjëhershme në pyetje të dhëndurëve të rinj. Moussa Barhouma, një zëdhënës i Komitetit jordanez “Mbështetja për popullin sirian”, tha se autoritetet jordanezë ishin përpjekur ta kufizojnë këtë fenomen duke specifikuar kushtet strikte dhe procedurat për martesën me refugjatë Sirinë, për të parandaluar shfrytëzimin. Bisan Al-Sheikh, një kolumnist në të përditshmen  saudite me bazë në Londër, “Al-Hayat”, shkruan se ky vendim ishte njё përgjigje ndaj zemërimit popullor dhe zyrtar mbi këtë problem, por pohoi se "Martesat e mbrojtjes" ende mund të kryhen edhe verbalisht, duke u bazuar vetëm në pëlqimin e të dyja palëve, pa  miratimin e një gjykate apo kleriku. Gazetari jordanez, Muhamed El-Fadhilat shkroi në “Al-Safir al-Arabi”, një suplement të së përditshmes libaneze “Al-Safir”, se autoritetet jordanezë kishte vepruar me të vërtetë kundër fenomenit dhe kishin korrur sukses në kufizimin e tij, por aktet e dhunshme kundër refugjateve femra vazhdonin pa u ekspozuar, të tilla si abuzimi seksual i refugjatëve femra të punësuara si shërbyese.

A inkurajohet ky veprim nga klerikët myslimanë?

Sipas njoftimeve të medias, disa klerikë myslimanë inkurajojnë burrat arabe të martohen  me vajzat siriane, refugjate në Jordani, si një mënyrë për t’i mbrojtur ato dhe për të ndihmuar revolucionin sirian (edhe pse duhet përmendur se njё fetva e tillë nuk ekziston), por shumica kanë vepruar sipas ideve të veta, ndërsa të tjerët kanë ndaluar këto martesa. Disa klerikë theksojnë se martesa të tilla qё janë në përputhje me udhëzuesit e sheriatit nuk duhet të jetë martesa të përkohshme, vetëm për qëllime kënaqësie. Në qershor tё vitit 2011, gjatë ditëve të para të krizës siriane, e përditshmja saudite “Sabq” njoftoi se gjykatësi Sheikh i Mekës, Badr Al-rajhi kishte si qëllim të vizitonte një kamp të refugjatëve sirianë në Turqi me mbështetjen e dijetarëve dhe disa predikuesve dhe se gazetari Jamal Khashoggi kishte shprehur frikën se ai mund të martohej me një refugjate gjatë vizitës së tij atje dhe u përpoq ta shmangë këtë vizitë. E përditshmja Algjeriane “Al-Fajr” njoftoi se, në predikimet e tyre, disa imamë vendas kishin inkurajuar meshkujt algjeriane, (pa përjashtuar këtu edhe të martuarit) të kryejnë një "detyrë kombëtare" duke u martuar me refugjate sirianë, për t’i shpëtuar ato nga një jetё e mjerueshme. Sa’ud Al-Fanisan, dekani i dikurshëm i ligjit islamik në Universitetin “Muhamed bin Sa’ud Islamik në Rijad”, tha se martesat me gratë siriane pranohen  nga feja për aq kohë sa  të dyja palët bien dakord, Burri paguan “çmimin e caktuar” për nusen dhe Gruaja ka një kujdestar; dhe u bëri thirrje  në firmosjen e një kontrate martesore, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e të dy palëve. Ai shtoi se njeriu do të shpërblehet nga Allahu për një martesë të tillë, nëse ai e ndërmori atë me qëllim të kënaqë Allahun dhe ta mbrojё atë vajzë të re myslimane. Megjithatë, ai theksoi se martesat me gratë siriane janë të ndaluara, në qoftë se janë bërë me qëllim të një divorci të mëvonshëm ose në qoftë se ata janë martesa kundrejt kënaqësisë dhe epshit. Ai gjithashtu theksoi se nuk është e pranueshme që burrit të ofrojë një çmim të “varfër” për nusen, përveç rastit që ai nuk ёshtё në gjendje të paguajnë më shumë dhe se është i angazhuar për një martesë serioze. Predikues i shquar egjiptian Khaled ‘Abdallah, mohoi një raport lëshuar nga e përditshmja e Kuvajtit “Al-Jarida”, se ai kishte shprehur në Twitter qëllimin për t’u martuar me dy vajza siriane, për të promovuar kauzën siriane dhe se i kishte bërë thirrje të rinjve egjiptianëve për të bërë të njëjtën gjë me refugjatet e strehuara ne Egjipt. ‘Abdullah deklaroi se shkrimi në twitter ishte një trillim dhe se ai i konsideron refugjatet siriane si gra të lira që respektohen nga arabët dhe islami. ‘Abdallah madje tha se ai kishte miratuar një fushatë kundër këtij fenomeni. E përditshmja Libaneze “Al-Akhbar” ka raportuar se disa klerikë në Jordani dhe vendeve të tjera arabe kishin lëshuar fetva kundër martesave të tilla, por përmendi se, pavarësisht nga kjo, ky fenomen është vështirë për tu ndaluar.

Kritika në Siri dhe nё botën arabe ndaj këtij fenomeni

"Martesat e mbrojtjes" dhe shfrytëzimi i grave siriane  është përballur me kritika nga elemente të ndryshme në botën arabe. Disa e quajtën këtë gjë si "epshi xhihad", duke pretenduar se meshkujt arabë janë duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të familjeve siriane, në mënyrë që të marrin një grua me një çmim të volitshëm dhe të kënaqin nevojat e tyre. Ata theksuan se një fenomen i ngjashëm kishte ndodhur edhe më parë me gratë irakiane gjatë luftës në Irak dhe se i bëjnë thirrje arabëve për të luftuar këtë mentalitet. Kolumnist i “Al-Hayat”, Bisan Al-Sheikh vlerësoi shoqërinë siriane dhe arabe, të cilat guxuan të ngrenë zërin kundër shfrytëzimit të grave refugjate: "Barriera e heshtjes është thyer, si dhe lufta kundër kulturës së turpit por nënshtrimi i femrave erdhi nga (vetë refugjatët) të afërmet e tyre dhe nga vetë komuniteti ... Në mënyrë për të treguar viktimës se ajo nuk ka pse e mban barrën e këtij turpi shoqëror vetëm, ne kemi nevojë për një guxim të madh, ndihmë reciproke dhe solidaritet. Shkatërrimi i këtyre mureve të lartë të heshtjes  kërkon një lloj të veçantë  revolucioni që Sirianët e kanë filluar tashmë”. Kritika e fenomenit u shpreh edhe në Facebook. Një faqe dedikuar kësaj çështjeje, e titulluar "Refugjatë dhe Jo të burgosur", mori mbështetjen e mbi 14.000 njerëzve. Organizatorët e fushatës shkruan se qëllimi i tyre ishte  rritja e ndërgjegjësimit të familjeve siriane për rreziqet e martesave të mbrojtjes, për t’i shpjeguar gjithashtu të rinjve arabët se kjo nuk është një mënyrë e mirë për të ndihmuar sirianët. Për të inkurajuar organizatat e të drejtave të njeriut në vendet arabe dhe myslimane, si edhe  për ti dhënë një shtyse intelektualëve dhe biznesmenëve sirianë dhe arabë, duhet vënё nё punё ideja e krijimit tё një fondi që do të ndihmonte gratë siriane të martohen me burra siriane. Organizatorët e fushatës deklaruan se kjo ishte një formë e re skllavërie dhe paralajmëruan për pasojave e saj: "Ne nuk mund të rrimë të heshtur përballë kësaj (forme) të skllavërisë, maskuar nga gënjeshtra e mashtrime ... Ndërsa shoqëria siriane po vuan llojet më të këqija të Vrasjes, zhvendosjes, dhe privimit ... ajo çka është e pakonceptueshme është ndihma aspak reale qe po i ofrohet vajzave tona, në formën e një kontrate martesore shari’a për qëllime seksuale...

Fushata e Facebook-ut: Një formë e re e skllavërisë; po luan me të ardhmen e gruas siriane

Një martesё e tillë nuk ka gjasa të krijojё baza për një familje të shëndetshme ose për të siguruar, para së gjithash, të drejtat e gruas apo vajzës dhe ato të fëmijëve të saj në të ardhmen. Nuk ka asnjë garanci se ky bashkëshort, i cili dëshiron të ndihmojë, më vonë do të martohet edhe me një vajzë tjetër... apo mund të jetë martuar tashmë. "Refugjatë, jo të burgosur" është marrë nga faqja e Facebook-ut. Nga faqja e fushatës nё Facebook gjithashtu thuhet: "Unë nuk dua të martohem, dua të studioj, të punoj dhe të jetoj”. Faqet opozitare siriane të internetit e dënuan gjithashtu këtë fenomen. Një artikull i titulluar "Gratë siriane nuk janë mallra në tregun e maskuar tё skllevërve, postuar në faqen opozitare tё internetit “All4syria.info”, deklaruan se, që nga fillimi i revolucionit, ndërgjegjja e njerëzve arabё vdiq, ndërsa epshi i tyre u ngjall". Tregtia në shpirtrat njerëzore ka filluar të luaje me të ardhmen e refugjateve siriane, duke shfrytëzuar nevojën e tyre të përkohshme për mbështetjen, për një krah ku të mbështeten dhe për një njeri, të cilin ata ëndërronin të ishte sirian ... Njerëzit që e bëjnë këtë janë epshorët arabë, të cilëve u ka vdekur ndërgjegjja, si një vdekje klinike, ... me shpërthimin e revolucionit tonë të bekuar ... [Tani] ndërgjegjja e tyre ka rilindur, por është një zgjim i epshit maskuar si emocion dhe dhembshuri dhe shfrytëzimi i vështirësive për interesa personale. Ne, njerëzit e lirë, burra dhe gra të Sirisë, ju bëjmë të ditur se klithmat e grave tona në kampe kanë depërtuar veshët dhe zemrat tona dhe deklarojmë se kjo është një shkëndijë Zgjimi dhe për të marrë përgjegjësinë për gjysmën e shoqërisë sonë... Ne do të marrim të gjitha masat dhe do të bëjmë të pamundurën për të ndihmuar duke bashkëpunuar dhe  me ndihmën e organizatave relevante ndërkombëtare”.

Shfrytëzimi i femrave refugjate  - Një rezultat i paaftësisë globale

Disa sirianë dhe arabë kanë fajësuar gjithashtu vendet arabe dhe bashkësinë ndërkombëtare për dështimin e adresimit të këtij problemi dhe për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve sirianё. Rrjeti televiziv arab për Informacion mbi të Drejtat e Njeriut (ANHRI) theksoi se: "vuajtjet e grave siriane në kampet e refugjatëve janë një krim kundër njerëzimit, i cili ka ardhur si rezultat i regjimit sirian, për shkak të sulmit barbar mbi qytetet e tij siriane dhe fshatrave që  luftojnë  kundër tij  dhe qё i ka detyruar banorët  të largohen dhe të jetojnë në ferrin e kampeve të refugjatëve në kufi. Por kjo nuk do të thotë se vendet fqinje dhe vendet e tjera arabë,  në të cilat Sirianët kanë ikur janë shfajësuar nga përgjegjësia. Forumi sirian Për Gratë dhe Demokraci, gjithashtu u ankua se politikat arabe dhe ato ndërkombëtare nuk janë të fuqishëm mjaftueshëm kur bëhet fjalë për vuajtjet e grave siriane. Aktivistja politike siriane, Rahaf ‘ Aita tha se gjendja e grave vjen si rrjedhoje e impotencës botërore për t’u përballur me problemin tonë.

Marrëdhëniet seksuale nën maskën e Xhihadit

Kritika u drejtohej edhe klerikëve, të cilët inkurajojnë fenomenin dhe kanë lëshuar fetva ku thuhet se bëhet fjalë për një qëllim të mirë. Javorja egjiptiane “Al-Ahram al-Arabi”, ka sulmuar klerikët algjerianë, të cilët u kishin bërë thirrje njerëzve në mbarë vendin që të martohen me refugjatet siriane, duke pretenduar se "këto fetva fetare inkurajojnë burrat e papunë që janë të ende tё pamartuar, duke i konsideruar femrat siriane si shansin për të shijuar ‘mishin e bardhë’ dhe të kryejnë marrëdhënie të lejueshme seksuale”. Gazetari sirian Adnan Azrouni shkroi: "Ne duhet të bëjmë thirrje për protesta brenda dhe jashtë kampeve: Jo thjesht ndaj ndërhyrjes së klerikëve në çështjen e refugjatëve femra, jo vetëm ndaj atyre që “tregtojnë” në kohë krize; dhe jo vetëm kundrejt atyre që e bëjnë gruan siriane viktimë për së dyti. Sipas një websiti egjiptian, një profesor sirian, i cili ka ikur në Irak ka kërcënuar se do të ngrejë një padi kundër anëtarëve të Këshillit te Lartë Islamik në provincën e Naxhafit të Irakut për marrjen e pesëmbëdhjetë vajzave refugjate dhe kthimin e tyre dy ditë më vonë, pasi i kishin detyruar të martoheshin. Muhamed Al-’Usaimi, një kolumnist për gazetën saudite “Al-Yawm”, pohoi se meshkujt arabë, të cilët e konsiderojnë veten si luftëtarë të xhihadit për Sirinë erdhën nga mbarë bota që të martohen me minorenet siriane: "Këta" muxhahidinë konkurronin njëri-tjetrin në vendet ku strehoheshin sirianët dhe deklaronin qëllimin e tyre për t’u martuar me minorenet siriane që kërkonin mbrojtje. Ata e përhapen këtë fenomen të turpshëm me një entuziazëm të madh ... Sipas një pjesëmarrësi jordanez në  ’epshnin xhihadit’ ... çmimi i një bukurie siriane nuk i kalonte 500-1,000 rialë sauditë. Çfarë lloj kombi është ai që përdor dhimbjen e të bijave për të shuar epshin e të bijve? Disa mund të thonë se këto martesa janë në pajtim me urdhëresat e Allahut dhe të Dërguarit e Tij... Përgjigja ime, (ndaj këtij pretendimi), është se këto martesa janë martesa të detyruara dhe shfrytëzuese. Asgjë, përveç mjerimit, nuk do t’i sjelli një vajze në kulmin e rinisë së saj, martesa me një kalimtar, të cilin ajo nuk e njeh aspak dhe që nuk mund t’i garantojë një jetë të respektuar. Numri i këtyre njerëzve epshore që shfrytëzojnë rrethanat e luftës, është në rritje, ashtu siç ndodhi në kohën e tragjedisë së Irakut”. Zyrtarët sirianë të regjimit dënuan gjithashtu fenomenin dhe pohuan se feja dhe xhihadi në këtë rast ishin justifikime vetëm për të pasur  marrëdhënie seksuale. Për shembull, në përgjigje të një raporti të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që ka të bëjë me vuajtjet e fëmijëve në betejat të përgjakshme, përfaqësuesi sirian në OKB, Bashar Ja’afari, pretendonte se raporti ishte joprofesional, sepse ai nuk pranonte fenomenin e "xhihadit” imponuar për të kryer marrëdhënie seksuale, si pjesë e të cilit vajzat siriane të moshës 14-16  vjeç që jetojnë në kampet e refugjatëve në Jordani dhe Turqi  janë të zgjedhura nga njerëzit si nuset me çmim të lirë. Në një artikull në të përditshmen zyrtare siriane “Teshreen”, kolumnisti Safa Isma’il ka sulmuar Jordaninë për refuzimin ndaj kërkesave të refugjatëve sirianë (në kampin e refugjatëve Al-Za’atri) për t’u kthyer në Siri dhe pyesim nёse nё tё vёrtёtё kjo po ndodh, për shkak të "dëshirës së beduinëve nga Shtetet e Gjirit që të martohen me emigrantet e mitura kundrejt një çmimi të lirë ... dhe të volitshëm për trupat e tyre, nën pretekstin e fesë".

Analizë e MEMRI-t, Instituti i Kërkimeve Mediatike për Lindjen e Mesme* - Gazeta 55



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora