Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Çfarë duhej të ndodhte dhe çfarë po ndodh në 100-vjetorin e Pavarësisë

| E premte, 23.11.2012, 07:05 PM |


Çfarë duhej të ndodhte dhe çfarë po ndodh në 100-vjetorin e Pavarësisë

(Përndryshe: “Skenari” tjetër për 100-vjetorin)

Nga Vangjush Saro

Pjesa më e qytetëruar e shqiptarëve, kudo që ata janë, në Tiranë, në Vlorë, në Kamëz, në Dhërmi, në Burrel, në Itali e Greqi, në Britani e Gjermani, në SHBA e Kanada, kanë kuptuar se diçka nuk shkon në festimet e jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë e të shtetit shqiptar. Duhet thënë se ka shumë demagogji e bujë, ka një dëshirë të hapur për të përfituar politikisht, ka edhe prirje revanshi. Në vend të këtyre prirjeve, mund të kishte më shumë bisedim, paqe, zbutje konfliktesh (të vjetra e të reja), mirëkuptim për gjërat kryesore që kanë të bëjnë me jetën e kombit, me të djeshmen dhe të sotmen e tij, por sidomos me të ardhmen. Pra, 100-vjetori duhej të ishte trajtuar si një rast kur shqiptarët nderojnë të parët e tyre, nderojnë dëshmorët e çdo kohe, shikojnë çfarë i bashkon këtej e tutje në një botë sa të afërt, aq edhe të largët e të vështirë. Ky duhej të ishte “skenari” i këtij jubileu, që realisht është shndërruar në një sebep për të pozuar forcën e njërës apo tjetrës palë, për të trajtuar ideologjikisht problemet e vjetra dhe gjithaq konfliktet e reja.

Kam shkruar në mediat e nderuara “Telegraf” dhe “Zemra Shqiptare” për revanshizëm; dhe ai po ndodh. Së paku, në disa fusha. Bie fjala, i heqim këtij sheshi apo kësaj rruge emrin e Iksit dhe i vëmë emrin e Ypsilonit(!) Shumëkush lëndohet, të tjerë nuk kuptojnë ç’po ndodh. Se edhe nëse disa gjëra duhen vënë në vend, kjo s’mund të bëhet përmes një tjetër lufte klasash. Pastaj ngrihet dikush dhe thotë se kjo rrugë tani mban emrin e nipit të atij që ka urdhëruar pushkatime në Shqipëri në vitet e pushtimit nazist. Përse ngatërrohemi kështu ne shqiptarët? Ç’lidhje ka kujtimi i të nderuarit Ibrahim Rugova, një nga burrat e drejtë e të mençur që ka nxjerrë ky komb, me konfliktet mes shqiptarëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore? Ka mendje që i sajojnë me shumë dhelpëri e djallëzi “rastësi” të tilla, kurse shumë paqartësi e konflikte (të djeshme e të sotme) mund t’i kalojmë duke qenë tolerantë e mirëkuptues për rrethana e qasje që duhen vështruar me njerëzi, me qytetari.

Unë jam shprehur në disa raste për njëlloj sjelljeje të hapur e pozitive nga ana e politikanit Pandeli Majko. Po ashtu, nuk bëj pjesë ndër ata që mund të kenë simpati për Lulzim Bashën, por duhet ta vlerësoj faktin që më 17 nëntor, ai ishte në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut; e sidomos që u shpreh: “Ata që bien për atdheun nuk vdesin kurrë. Shpresoj që në këtë 100 vjetor, të shërbejë si një burim për bashkim dhe jo përçarje. Detyra jonë është të mos përsërisim gabimet e të shkuarës, por të bashkohemi të gjithë për t’i dhënë vendit atë që meriton.” Megjithatë, në këtë temë, një pjesë e protagonistëve janë krejt “out”. Më është dukur fare pa vend sidomos, një deklaratë ideologjike dhe e mbushur plot urrejtje e njëfarë Alimadhi (apo hall i madh?) që është, më duket, kryetari i njërës prej partive të Ballit Kombëtar (mbase janë bashkuar, nuk jam i sigurt). Zotëria në fjalë, i pyetur për 17 nëntorin, në përgjithësi për nëntorët, tha pak a shumë se nuk i bëhej vonë, se këto nuk janë data të çlirimit të Shqipërisë, por të pushtimit prej komunistëve(!)

Dy gjëra mund t’i thuhen këtij gjuhëgjati: E para, në emër të kujt flet ai, ç’përfaqëson, sa deputetë ka në Kuvendin e Shqipërisë tani dhe prej 22 vitesh? Asnjë. Nuk ka asnjë. Mbase ka pasur dikur ndonjë të falur nga PD-ja. Ani. Kështu është kur parti tradicionale, të përfaqësuara dikur nga emra të ndritur të kulturës dhe politikës shqiptare, bien në duar mëtonjësish të rëndomtë e individësh mediokër. E dyta, pas vitit 1945, gjithë Evropa Lindore u “pushtua” nga komunistët, paçka se ndër ta, reflekse të njëlloj lufte civile pati më pak; megjithatë, mos duhet ta mohojnë të gjithë pjesëmarrjen në Luftën e Dytë Botërore dhe fitoren mbi nazi-fashizmin? Për fat të mirë, popuj e qytetarë të tjerë nuk kanë nëpër këmbë Alimëdhenj (apo hallmëdhenj?).

Gjithsesi, e keqja më e madhe është se dirigjimin e gjithë kësaj tollovie, e bëjnë Kryeministri Sali Berisha dhe klani përqark tij; edhe në prag të këtij jubileu, ata vazhdojnë të sillen në mënyrën më te keqe të mundshme. Nuk bie më poshtë edhe opozita, që vetëm e kthjellët nuk është; dhe gishtin në plagë nuk e vë asnjëherë. Palët janë duke bërë gabime të rënda, teksa përpiqen t’i përçajnë shqiptarët. Kjo na kujton thënien e hershme të publicistes britanike Meri Uorthi Montegu, e cila në fillimet e shekullit XVIII do të shprehej: “Shqiptarët nuk janë stërvitur për diskutime.”

Sidoqoftë, Kryeministri i Shqipërisë dhe klani përqark tij, këto kohë shumë dritëshkurtër, janë krijuesit e revansheve e të “rastësive” që provokojnë konflikt. Ata duket mendojnë se mund të fitojnë kredi politike duke prodhuar dasi e sherre, duke rihapur e inkurajuar konflikte të vjetra. Veçmas Kryeministri Sali Berisha, duhej të kishte ardhur me tjetër skenar në këtë 100 vjetor...Me sa duket, nuk mundet ndryshe, nuk di. Kështu, është trajtuar tashmë me vështrime nga më të kundërtat çështja e rivarimit të eshtrave të Ahmet Zogut. Nuk ka asgjë për t’u acaruar pse vijnë të pushojnë në Shqipëri, përkundrazi; por dita e rivarimit të tij, mund të ishte cilado, 17 nëntori jo; qoftë edhe në aspektin më teknik, atë të organizimit të dy gjërave të ndryshme. Nuk po themi “të kundërta”; (koha shëron çdolloj konflikti, sado i ashpër të ketë qenë ai; ekstremistët le të ulërasin gjithsaherë, dikur shqiptarët do të kuptojnë se “Rozafa” nuk duhet shembur pambarimisht).

Në këtë reze, kjo bisedë duhet bërë edhe me një sërë politikanë e intelektualë nga Kosova, që gjithashtu po ndjekin ritmet arrogante të debateve ideologjike në Shqipëri. Një pjesë e tyre, nxituan të flasin me mllef për Ahmet Zogun; punë e tyre, por nuk ka pse bëjnë presion mbi qytetarët e tjerë dhe mbi të rinjtë në Shqipëri e në Kosovë; historia duhet të përcillet në mënyrë realiste dhe pa interpretime të huazuara në skuta gjithfarë. Nëse nuk janë në dijeni të situatave të vështira dhe të aksioneve gllabëruese të fqinjëve të pangopur të Shqipërisë në dy-tre dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, nëse mendojnë se shqiptarët e patën të shtruar rrugën për ta bashkuar kombin dhe s’donin, kjo është një çështje tjetër. Por mendoj se gabohen. Dhe disa deklarata të nxituara, nuk bëjnë tjetër përveçse i hedhin zjarrit benzinë.

Kam menduar gjithnjë se politikanët dhe intelektualët kosovarë janë mirëfilli edhe më të qetë e më të përmbajtur se ata në Shqipëri; por duket se kemi të bëjmë po me atë brumë. Në po këtë temë, në disa intervista të shkrimtarit e studjuesit Rexhep Qose, për polemikat e të cilit kam shkruar edhe njëherë tjetër, teprohet me disa paravoli sikur praktika e komunizmit në Shqipëri ka qenë më e butë(!) në mos pothuaj njësoj si në Jugosllavi e vende të tjera të Evropës Lindore(!) Mendoj se gabohet. Është një e vërtetë e pranuar tashmë nga të gjithë se Shqipëria ndoqi ekstremin. Ca më pak, për represionin ndaj popullit dhe për krimet që kanë ndodhur në ato vende, nuk mund të bëhen krahasime, sepse askush, përveç Shqipërisë, nuk ndoqi atëherë rrugën e Revolucionit Kulturor të Kinës së Mao Ce Dunit. Më mirë ta mbyllim atë kapitull, se për nder, (përkundrejt ca hekurishteve e ndihmave të tjera keq e keq), gjithsesi ka qenë më i turpshmi.

Më në fund, mendoj, ka ardhur koha të qetësohemi, të heqim dora nga lufta partizan-ballist, të shikojmë vlerat e përbashkëta dhe arritjet e përbashkëta, përndryshe e gjithë rruga e bërë në këto 22 vjet pluralizëm, mund të na flakë në ndonjë dhiare pa dalje. E kam shkruar edhe më parë, nuk ka asnjë rast tjetër sadopak të ngjashëm në rajon, kur një vend të merret kaq shumë me ideologji, me politikë dhe sajesa të tjera tymuese, duke harruar pamjet më të rëndësishme të jetës. Diskutimet e sajuara, që shpeshherë prodhohen si pjesë e axhendave të drejtuesve partiakë, lënë në hije problematika të rëndësishme, si (pa)siguria e qytetarëve, papunësia, korrupsioni, më në fund edhe ngecja sa i takon statusit të vendit kandidat për në BE. Në një plan më të gjerë, lënë në hije vetë çështjen shqiptare. Madje, në të kundërt, nxisin edhe më tej tensione të kota e mediokre.

Po tërheq vëmendjen e lexuesit edhe në një fakt tjetër që shumëkush e anashkalon. Në të gjitha gazetat, revistat dhe portalet në internet, ka një hapësirë në të cilën lexues të ndryshëm japin mendimet e tyre për ngjarje e individë. Shpesh, këto komente janë të përgjakshme, të turpshme, të marrësh kujen; kaq pa takt, kaq me urrejtje, kaq të papërmbajtur dialogojnë e replikojnë shkruesit e shumtë, saqë thua me vete: “Mos vallë, këta jemi ne? Nëse këta jemi, ta qepim gojën dhe t’i nënshtrohemi fatit...” Por nuk mendoj se jemi këta...Mëtonjës interesash të dukshme e të padukshme duan të ketë gjithnjë një konflikt në Shqipëri e ndër shqiptarët; duan të ketë disa konflikte, përgjakje, përndjekje, sofistikime episodesh (që ndoshta mund të silleshin pa ekses).

Të gjitha këto ndodhin për shkak se rregullat i prishin vetë politikanët dhe shtetarët e ngatërruar me gjithfarëlloj interesash e biznesesh anonime. Thelbi i reformave dhe i demokracisë në tërësi, është marrja përsipër dhe përmbushja e përgjegjësive apo në një vështrim të fundit,  shpjegimi i tyre. Kjo gjë e thjeshtë, shumë prej politikanëve dhe shtetarëve të këtij vendi, iu hyn nga njëri vesh dhe iu del nga tjetri. Kështu, rrugëtimi i shqiptarëve prej 100 vjetësh, tash prej 22 vjetësh, për fat të keq, mbetet i pasigurt, konfliktual.

Ta përmbledhim argumentin. Pjesa më e qytetëruar e shqiptarëve nuk duan që edhe më tej jeta e tyre, për më keq, e fëmijëve të tyre, të rrjedhë kërcënueshëm midis përleshjeve politike pothuaj të pashmangshme dhe kërkimit (zhgënjyes) për ditë më të mira. Gjergj Fishta thoshte: “Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.” Pra, jo për të zbatuar Biblën, por për të qenë së paku njëherë largpamës, ata që kanë në dorë sadopak të shmangin urrejtjet, le ta bëjnë këtë. Mirëpo disa prej tyre nuk denjojnë. Mbetet që kjo të arrihet vetëm duke i shkelur me këmbë ideologjitë, për të mbajtur në duar busullën e zhvillimit ekonomik e shoqëror sipas parimeve të ekonomisë së tregut dhe demokracisë. S’ka se si ndryshe, edhe duke i lënë pas njerëzit e mbrujtur vetëm me ideologji dhe urrejtje, për të sjellë në drejtim personalitete që dinë të thonë: “Mirëdita! Si je? A je lodh? Çfarë të bëjmë për të lartuar këtë komb e këta qytetarë?”

Dhe tani, meqë kam bindjen se të tjerë njerëz të penës e të mendjes kanë lënë mjaft përvojë e mësime, sa për të mos u kufizuar vetëm në argumentet tona, si përherë po citoj (sado i largët të duket) njërin prej tyre, Fjodor Dostojevskin, që përmes një prej personazheve të tij, thotë: “Le të jemi në radhë të parë dhe mbi të gjitha zemërmirë, pastaj të ndershëm, të mos harrojmë kurrë njëri-tjetrin.”

Duhej thënë vetëm “No coment!”, për ta përmbyllur me urimin e thjeshtë: “Gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë dhe të shtetit shqiptar!” dhe vargun naiv të Naim Frashërit: “Ditë më të mira paskëtaj vijnë...”