Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Së shpejti bëhet binjakëzimi me Kolegjin Universitar të Gjilanit

| E hene, 21.04.2008, 09:00 PM |


Engjëlli, në fakultetin e mjekësisë, me Prof Dr Luis Fernandes Soares
PRESIDENTI I INSTITUTIT "BRAKOS" VIZITON QENDRËN UNIVERSITARE "NEWTON PAIVA":

Së shpejti bëhet binjakëzimi me Kolegjin Universitar të Gjilanit

Në kuadër të programeve të përbashkëta me Kolegjin Universitar të Gjilanit, me rastin e binjakëzimit, mund të shqyrtohen edhe mundësitë e inkorporimit në projektin e kompleksit spitalor "Nënë Tereza" në Stubëll dhe të hapet një fakultet i mjekësisë dhe infermirerisë, për të siguruar nevojat e kuadrit atje.

Caio WERNECK

Belo Horizonte, 20 prill 2008

Kreu i Institutit BRAKOS – presidenti Engjëll Koliqi dhe zëvendëspresidentja e drejtoreshë e projekteve kulturo-arsimore dhe humanitare – Dr Vera Lúcia Alves Neves, këtë fundjave kanë kaluar dy ditë në lokalet dhe mjediset e Qendrës Universitare "Newton Paiva", njëra ndër më të vjetrat në kryeqytetin mineir. Mysafirët janë pritur dhe gjatë vizitës në mjediset e këtij universiteti të madh, në pesë godina shumëkatëshe, janë shoqëruar nga koordinatori shkencor e teknologjik dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare – Dr Alexandre Miserani dhe koordinatori i përgjithshëm i laboratoreve mjekësore e farmaceutike – Prof Dr Luis Fernando Soares.

Në ditën e parë ata kanë vizituar shumë fakultete të shkencave shoqërore, të së drejtës e marrëdhënieve ndërkombëtare, të gazetarisë etj. Me të gjithë drejtuesit e fakulteteve dhe profesorët që kanë biseduar kanë gjetur shumë arsye për të filluar një bashkëpunim me një universitet në Kosovë. Me propozimin e Z. Koliqi, angazhimi për një binjakëzim në Kosovë, është orientuar kah Kolegji Universitar GJILANI. Ai, Prof Dr Alexandre Miserani-t,  i ka dorëzuar punimin shkencor mbi sistemin edukatino-arsimor në Kosovë, 1980-1990 (në gjuhën angleze), të Prof Dr Zeqir Demi-t, dekan i Kolegjit Gjilani, që është vlerësuar si hap i parë i bashkëpunimit, para nënshkrimit të binjakëzimit. Në fakultetin e gazetarisë është përqëndruar një vëmendje e posaçme, duke parë dhe studjuar teknikat dhe teknologjitë bashkëkohëse të aftësimit të gazetarëve. Mysafirëve, parasëgjithash, u ka bërë përshtypje angazhimi i studentëve në veprimtaritë praktike, që nga fillimi i studimeve, një risi kjo dhe një karakteristikë specifike e këtij universiteti. Z. Koliqi ka shprehur bindjen se shkëmbimi i përvojave me këtë universitet do të ndryshonte pozitivisht ritmin e studimeve në Kosovë.

Nga vizita në fakultetin e gazetarisë

Në ditën e dytë të vizitës në Qendrën Universitare "Newton Paiva", drejtuesit e Institutit BRAKOS kanë vizituar fakultetet e lëmisë medicinale-farmaceutike, si dhe spitalin e kësaj qendre, po me të njëjtin emër. Koordinatori – Prof Dr Luis Fernando Soares, i cili i ka shoqëruar gjithnjë, ka shprehur gatishmërinë për t'u kyçur drejtëpërdrejtë në programet e përbashkëta dhe për të gjetur rrugën e inkorporimit në projektin e kompleksit spitalor "Nënë Tereza" në Stubëll. Mbase një repart i këtij kompleksi, respektivisht një nga spitalet e këtij kompleksi, mund të jetë i QU "Newton Paiva" – ka thënë Ai, duke shtuar se për këtë duhet të bisedohet me rektorin dhe pronarët e këtij kompleksi. Është përmendur edhe mundësia që të inkorporohet në këtë projekt edhe industria farmaceutike, që këtu ka tradita të mira dhe të garantuara. Z. Koliqi-t i kanë bërë përshtypje të posaçme repartet e fizioterapisë dhe të odontologjisë dentistike, të cilat i ka kërkuar të inkorporohen në projektin spitalor në Stubëll. Ai u ka kërkuar mikpritësve, që në bashkëpunim me Kolegjin Universitar të Gjilanit, mbas binjakëzimit, të shqyrtojnë mundësinë e hapjes së një fakulteti të mjekësisë e infermierisë, për përgatitjen e kuadrove për kompleksin spitalor në Stubëll. Ata i kanë thënë se do ta shqyrtojnë me shumë sinqeritet dhe seriozitet edhe këtë kërkesë.

Një nga sallat e studimeve

Odontologjia dhe dentistika e fëmijëve

Nga një sallë e gjimnastikës fizioterapeutike