E enjte, 28.03.2024, 07:24 PM (GMT)

Kulturë

Gjergj Kabashi: Lamtumirë, Daniel Gazulli Ynë!

E marte, 20.11.2012, 05:07 PM


LAMTUMIRË,  DANIEL GAZULLI YNË!

Nga Gjergj Kabashi

Daniel Gazullin e takova për herën e parë në jetën time në Lezhë,  kah fundi i korrikut të këtij viti.Sado që nuk e kisha takuar kurrë më herët,  kisha një ndjesi të thellë në vetën time se këtë njeri e nihja qysh herët,  bindje kjo që krijohet tek njeriu për disa njerëz të rrallë,  të mëdhenje në shpirt e në mendje,  sikurse që ishte edhe Daniel Gazulli,  kjo rrënjë e thellë e trungut shqiptar nga familja e Gazullorëve të mëdhenj. Një njeri me fjalë të kursyera e i tërhequr në këndin e jetës së vet sikurse të ishte një qenie njerëzore e "mohuar" nga të tjerët, e i cili në komunikim me publikun e përdorte një gjuhë të bukur, të thuash lapidare..., që nga 12 nëntori nuk është më në mesin e të gjallëve; u shua fizikisht në moshën relativisht të hershme, mu në kohën kur kishte edhe shumë e shumë për të thënë.Fakti se ky Njeri i madh i kulturës sonë,  shkrimet më të bukura dhe mendimet e pathëna deri tash i publikoj kryesisht në Zemrën Shqiptare dhe Revistën Drini,  faqe këto elektronike që Danielin tonë e kishin në krye të vendit,  flet qartë se ai e ka pranuar nderimin tonë duke na lënë borxh që ta respektonim për së gjalli e sot, fatkeqësisht, edhe për së vdekuri.

Revista Drini,  ku Daniel Gazulli botoj aq shumë shkrime duke na bërë gjithnjë të ndiheshim të nderuar, sidomos shkrime me tematikën historike që ai i zotëronte aq mirë e me zotësinë e rrallë,  mbajti një javë zi për shkuarjen në amshim aq papritur e befasisht të Daniel Gazullit,  anipse e dinim se ai ishte i sëmurë e i rrënuar në brendinë e trupit të vet. Thjeshtë,  ne nuk deshtëm të besonim që Daniel Gazulli ka vdekur ende pa e përfunduar veprën e vet të shumëanshme në dobi të kulturës kombëtare, misionin e vet atdhetar. Por,  dëshmia është e trishtë,  përkundër faktit se ne nuk e dëshirojmë atë:

I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për të!

Para disa vitesh Daniel Gazulli mi kishte dërguar nga Lezha veprat e tij, Saga e Abelëve(Romanet:Armiku i popullit, Mërgimtar në Atdhe dhe Deti ne mes);librin me ndodhi e rrëfime pak a shumë të herëshme,  Rrëfime zadrimore, atë me novela e tregime,  Vjeshtë në Lebjanë,  sikurse edhe librin me tregime,  Intervista me vajza të mira, vepra këto që e plotësuan deri diku njohjen e kurreshtjen time për mikrobotën e këtij njeriu të mirë,  të kulturuar e me kapacitet të madh intelektual. Ndërprerja e jetës fizike të njerëzve si Danieli është një humbje e madhe dhe lë zbrazësi në kulturën e një kombi,  përkundër faktit se sa ishte gjallë shoqëria shqiptare nuk ia diti rëndësinë dhe nuk e kishte ndihmuar për një jetë më të rehatshme intelektuale e njerëzore. Duke dëgjuar rrëfime për të nga të gjithë ata që e kan njohur,  del se ai,  sikurse edhe shumë shqiptarë të tjerë,  ka kaluar një jetë të përmbushur me vuajtje të mëdhaja,  por kur në këtë mënyrë vuan një intelektual kaq i madh që jetën e vet tokësore e shkriu për të tjerët,  për historinë e kombit e për historinë e bujshme të njerëzve të mëdhenj të fisit të Gazullorëve, vuejtja e tij merr kuptim tjetër,  lë njollë në ndërgjegjën e kombit,  sidomos të elitave kulturore, politike e shtetërore të atij kombi.

Një ndër ata që viteve të fundit ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me Daniel Gazullin,  bashkëpunëtori i ZSH dhe RD,  Selim Nëngurra,  më dërgoj sot letrën e fundit që ia kishte dërguar Danieli,  një letër të shkurtër por me kuptim të madh për indiferencën e pergjithshme kombëtare,  një letër dramatike që e shpërfaq sheshit tragjedinë njerëzore të njerëzve të zënë ngushtë në jetë:

"Mirembrama,  Selim.

Perfundimisht u vendos qe une dhe ime shoqe do te shkojme ne Itali me date 26 tetor. Ashtu jane kombinue edhe datat e vizitave etj.

Do te rrime gjate,  te pakten deri per Vit te Ri. Ketu do te kthehemi ditet e para te janarit.

Veçanarisht gjate qendrimit ne Itali do te isha krejt i lire me redaktue ndonje liber te ndokujt qe njeh ti. Aq ma teper qe do te kem edhe nevoje – ne mos tjeter,  paret per udhetime me tren,  cigaret e telefonin t’i nxjerri vete. Nese di ndonjenin qe do me pergatite liber,  perpiqu t’ma afrosh.

Kemi disa dit qe here nuk kemi drita e shumicen e kohes nuk po kemi internet,  prandaj edhe kam hy shume pak.

Lus Zotin te jeni mire te gjithe.

Perqafime / Danieli"

Pra, le ta lexojmë e mendojmë vetëm pakëz për gjendjen e  tij të pashpresë, dëshpëruese, tragjedinë e një njeriu e intelektuali të madh të kombit,  në kohën kur një këmbë e kishte mbi dhe e tjetrën,  nën dhe: "Aq ma teper qe do te kem edhe nevoje – ne mos tjeter,  paret per udhetime me tren,  cigaret e telefonin t’i nxjerri vete. Nese di ndonjenin qe do me pergatite liber,  perpiqu t’ma afrosh."

Një ndër shkrimet e rralla të DANIEL GÀZULLIT, të botuara tek Drini e ZSH,  KORRESPONDENCË ME AT FISHTEN (Letër imagjinare prej At Gjergj Fishtës.) dhe, (Përgjigje e vërtetë letrës imagjinare të At Gjergj Fishtës), me titullin DIKUSH PO MBJELL,  AT!,  janë testamentet më të thella të brengosjes njerëzore të një shqiptari të madh,  i cili alarmon për të zezat që i kanosen këtij kombi që i përkasim.

LAMTUMIRË,  I DASHURI YNË DANIEL GAZULLI!

Nëse jo sot,  sigurisht nesër do të ndërgjegjësohemi se sa pak bëmë për ty e të tjerët sa ishit gjallë ...

Ti,  i dashuri Daniel Gazulli,   duket se e ke parandier vjeshtën e jetës tënde  përmes  mesazhit poetik që bartë në vete poezia yte lirike,  Fillim Vjeshte,  të cilën para se të vdisje e shpërndave nder miqët e tu nga profili yt në facebook ;

 

Daniel Gàzulli

 

FILLIM VJESHTE

Rruga që ka mbetë shkurtohet përditë.

Rrugë e parrugë,  pa një stacion ku të ndalesh.

Vështroj përreth:

gjithçka asht e begatë – në natyrën e sendeve

e të gjallesave të pafjalë,

që nuk dinë ç’asht smira,  shpifja,  krenaria fallso.

Ndalem e vështroj se si vesa

rrëshqet në zemër të lules

jo për ta freskue,

po prush jete me i dhanë.

Vjeshta shtegton me mue

në një heshtje reshë të bardha,

që kalërojnë gëzueshëm.

Me duket sikur ndjej ende në ajër

cicërimat e dallendysheve,  që vallzonin të lehta,

në rrathë eliptikë,

deri pak kohë ma parë.

Po jo,  janë akorde gjethesh,

që ndoshta për herë të fundit

puthen njeni me tjetrin,  kur fryn era;

janë gjethe të verdhë,  të murrmë,

si trishtimi i vajzës,  që mbet moll’ e pakafshueme.

Ec dhe kujtoj stinët e nxehta,

kur u iknim hijeve,

se donim të na përvëlonte dielli,

dhe shpërfillës ndaj një morali falls

e fshatarak,

si dhambët e verdhë prej porcelani

të drejtoreshës në pension

të Bankës Tregtare,

bashkë me trupin

i dhuronim njeni tjetrit qetësinë e shpirtit.

Fillim vjeshte.

Ernat fryejnë nga të katër horizontet.

Po unë s’kërkoj strehë:

të vazhdoj rrugëtimin due,  pa u ndalë ma stacionesh,

e të ngjiz përsëri andërra të shkujdesuna,

si në mbramjen mbas dehjes.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora