E premte, 29.03.2024, 07:33 AM (GMT)

Faleminderit

Selahedin Velaj: Dr. Ramazan Turdiu më la lamtumirën

E hene, 19.11.2012, 07:31 PM


Dr. Ramazan Turdiu, pas shtatë dekadash miqësie më la lamtumirën e fundit

Një miqësi e jashtëzakonshme ekzistonte midis ne të dyve.

Nga: Dr. Selahedin Velaj

Lajmi i dhimbshëm këto kohët e fundit për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër Ramazan Turdiu më ka tronditur shumë.

Dr. Ramazan Turdiu, atë individ të mrekullueshëm e takova për herë të parë në vitin 1942 në Tiranë. Të dy ne, ishim anëtarë të rinisë të organizatës së Ballit Kombëtar.

Detyra jonë e përditshme ishte që të shpërndanim trakte (afishe) kundër fashizmit.

Ato trakte i shkruanin profesorët Nexhat Peshkëpia dhe Vasil Andoni; që të dy ata ishin anëtarë të Kryesisë së Ballit Kombëtar.

Pothuajse, çdo ditë, unë dhe Ramazan Turdiu paraqiteshin në librarinë e Lumo Skëndos për të marrë materiale të tjera. Të dy ndjeheshim të lumtur që edhe ne bënim diçka në shërbim të atdheut tonë për ta shpëtuar nga thundra e yakomonit dhe xhelatëve të tij.

Unë, për ta bërë bashkpunimin dhe miqësinë më të ngushtë, e ftova të vizitojë Vlorën dhe shtëpinë time që ndodhet në Ujin e Ftohtë.

Atëkohë, ishte mesi i muajit shtator. Ramazani u habit dhe ndjeu kënaqësi kur pa bahçen e shtëpisë sime me pemë frutorë. Fiku ishte mbushur plot me kokra të reshkura. Ishte një lloj fiku që degët e tij bënin fiq të bardhë, të kuq dhe të zinj.

Ishte hera e parë për të që po shihte një pemë të tillë, por ai u kënaq shumë, sa që e quajti mrekulli, kur pa edhe pemët e tjera në bahçenë tonë, pjeshkë, ftonj...

Im atë, Ahmet Velaj, si inspektor i agrokulturës të rrethit të Vlorës bënte shartime në disa pemë për të prodhuar fruta të ndryshme në muaj të ndryshëm të stinës së verës dhe vjeshtës.

Pasi u kthyem në Tiranë, unë bëja pjesë në një çetë sabotuese në kodrinat e Dajtit duke çpuar gomat e autokolonave italiane dhe disa herë edhe duke hedhur ndonjë bombë dore, ndërsa Ramazani u nis për në Kosovë me Batalionin "Besnik Çano"

Pas disa muajsh u nisëm për të marë pjesë në në Kongresin që u mbajt në Berat nga Kryesia e Ballit. Në kongres merrnin pjesë: Lumo Skëndo, Prof. Yzeir Ismaili, Isuf Luzaj, Nexhat Peshkëpia, Vasil Andoni, Zef Pali, avokat Skënder Muço, intelektuali Zako Muka, Ali Këlcyra si edhe një grup të rinjsh prej 10-të vetash.

Nga fundi i shtatorit 1944, kryesia e Ballit vendosi të transferohej nga Tirana për në Shkodër, ku ne të dy ishim në krye të kollonës.

Në Shkodër, ne bënim edhe detyrën e korrierit midis shtëpisë së familjes Roi ku qendronte Mithat Frashëri, Vasil Andoni, Nexhat Peshkëpia, unë dhe vëllai im, Petriti.

Si zyrë komunikimi përdorej shtëpia e Prof. Zef Palit, të cilën e drejtonte Dom Zef Shestani, i quajtur "Kryeballisti".

Nga mesi i muajit nëntor, 1944 u kthye nga Bari i Italisë delegati ballist z. Sulejman Meço, i ili kishte shkuar për të biseduar me autoritet aleate për të qartësuar situatën e krijuar, veçanërisht, mbi zbarkimin e nënkuptueshëm të parashutistëve që do të hidheshin në Shqipërinë e Jugut.

Përgjigja e dhënë zotit Meço ishte negative dhe një zbarkim nuk do të bëhej për arësye se, sipas marëveshjes së Jaltës, Shqipëria konsiderohej si përkrahëse e zonës sovjetike.

Ai lajm e tronditi shumë kryesinë e Ballit Kombëtar në Shkodër; jo vetëm që po humbisnin të merrnin qeverinë, por fatkeqësia më e madhe e atdheut tonë ishte se po hynte nën thundrën e "ariut" të Uralit.

Pas kësaj përgjigjeje negative nga aleatët, Komiteti Qendror i Ballit kishte dy rrugëdalje: Të vazhdojë luftën civile, ose të largohej nga Shkodra dhe përkohësisht të vendosej në Itali.

Më 24 nëntor 1944 në orën 18 u nisën për në Tivar dhe që andej drejt Italisë. Herët në mëngjes, mbëritëm në Itali, në Portin e Brindisit.

Më vonë, komanda angleze na nisi për në Kampin "Casa Balilla" të Reggio Emilias në Veri të Italisë.

Më të mbërritur atje, na vendosën në një ndërtesë moderne që nuk na mungonte asgjë, madje nuk mungonin as mjekë dhe infermierë.

Drejtuesi i atij kampi ishte një oficer i ushtrisë italiane.

Në atë kamp ishin të lirë të vizitonim çdo qytet të Gadishullit Apenin.

Gjatë asaj kohe, zoti Rifat Tirana, i ati i Bardhylit dhe i vëllait që ishte delegat i Amerikës në Kombet e Bashkuara (UNRRA) me qenër në Paris, nuk denjoi të na vizitonte neve në kamp, ndërsa qeveria e Egjyptit na dërgonte ndihma, pako me ushqime.

Unë dhe Ramazan Turdiu vazhduam për disa kohë Liceun "Spallazani" në qytet. Më vonë ai u regjistrua në Universitetin e Bolonjës, ndërsa unë u regjistrova në Modena.

Ramazani qendroi në Itali derisa mbaroi shkollën për farmaist, ndërsa unë, i ndërpreva studimet dhe u nisa për në Kanada.

Pas afro pesë vjetësh, u takuam prapë në Amerikë;

Edhe këtu në Amerikë kontaktet i kemi patur të shpeshta edhe pse kishim punën tonë të përditshme dhe pothuajse një pjesë të mirë të kohës e kalonim në punë dhe pranë familjeve tona. Por çështjet e mëdha të atdheut dhe popullit tonë, bënë që ne të takoheshim, të bisedonim, të aktivizoheshim në shërbim të komunitetit tonë.

Humbja e mikut tim 88 vjeçar Ramazan Turdiu këto kohët e fundit më ka tronditur shumë, nuk është e kollajtë që të harrohet miqësia jonë.

I shpreh ngushëllimet e mija dhe të familjes sime Margaritës dhe gjithë familjes Turdiu këtu në Sh.B.A dhe në Shqipëri.

Për komunitetin tonë shqiptar këtu në Amerikë, u tha një degë nga lisi i intelektualëve.

Ai burrë i nderuar shembullor intelektual, bashkatdhetar, prind... meriton të prehet në parajsë.

Dr. Selahedin Velaj

Greenwich, Connecticut

U.S.A.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora