E premte, 29.03.2024, 07:19 AM (GMT)

Kulturë

Çlirim Uça: Stuhi dhembje - vdekja e Daniel Gazullit!

E diele, 18.11.2012, 01:04 PM


STUHI DHEMBJE: VDEKJA E DANIEL GAZULLIT !

NGA ÇLIRIM UÇA

Sivjet dimri erdhi me herët se zakonisht dhe si datë fillimi duhet marrë 12 Nëntorin. Atë ditë ra një stuhi e sertë dhimbje: Në Cervia të Italisë ndërro jetë Daniel Gazulli.

Acari i kësaj dhimbje preku një hapësirë të gjerë n`mes të një paraleli dhe meridiani, ku ndodheshin, familjarë, miq, shokë, dashamirë dhe një opinion i gjerë lexuesish të tij.

Po kush ishte Daniel Gazulli?

Për të gjithë të njohurit e Ti, e ata janë të shumtë, Ai ishte stina e bukur e çdo viti; një copë enciklopedi në vete; model njeriu për familje; model njeriu për mik; model njeriu për besimin; model njeriu për shoqërinë dhe kombin.

Nuk kishte si të ishte edhe tjetër, marrë parasysh prejardhjen nga gjeni gazullor, me shekuj kalitë nëpër betejat e mbijetesës se këtij populli, por dhe në lufte për arsim, edukim dhe rend shoqëror të emancipuar.

I njohur me Te, fale një miku, pak ma shume se dy vjet me parë, pata fatin ta jetoj atë mot të mirë, që ofronte stina e Ti, me natje e mbrëmje gazullore dhe me anderrime të pafundme, ndonjëherë edhe deri pranë kufijve të se pamundshmes.

I etshëm për një miqësi të paqt  dhe i mrekulluar që kisha takuar një model miku të atillë, që kohet e vjetra dhe trashëgimia e mbarë e kishin konservu si për sfidues të rendit të sotëm, moralisht të çrregulluar, kisha qelë dyer e dritare, për të përfitue sa ma shumë nga mundësitë që të krijoheshin tue qenë në miqësi me atë burrë të ngjeshur virtytesh. Ndonjëherë jo edhe krejt pa ndrojtje, se mos po bëhesha egoist e po i merrja shumë kohë, unë vogëlushi, por edhe tue qenë i ndërgjegjshëm, se edhe shumë nevojtar si unë po i mbante për barrë. Por jo që Ai nuk po mërzitej, por shfaqej edhe si kërkues i një kontakti sa me të madh, duke dhanë mësime dhe detyra, në ato fusha ku Danieli kishte pa mundësi të prekte rezultate konkrete.

Thonë: ushqimi e rritë urinë! Ashtu po ndodhte me ne (Danielin dhe mua). Tash ma nuk po mjaftonin mesazhet e përditshme, ose telefonatat e herëpashershme, thjeshtë për t`a ndegju zërin e Ti shumë karakteristik e me një fuqi melodie frymëzimi (se nuk ishin gjera madhore ato që bisedonim përmes telefonit), por na brente malli të takoheshim sa herë do të na vinte mundësia.

Kështu po ndodhte edhe kësaj radhe. Po na dukeshin të largëta ditët e Gushtit të sivjem,  kur ne ishim takuar për disa ditë rresht, ndërsa po qëndronim për pushime verore në Lezhë, dhe donim të takoheshim përsëri, pasi kishte pak ditë që Ai kishte arrit në Itali.

Sapo ishin përmbushë mundësitë e takimit dhe kishim caktu javën, Danieli po kërkonte vetëm edhe një ditë me diell. E Hana dhe e Marta e 12 dhe 13 Nëntorit, si dhe e Enjtja e 15- shit, me rezultojnë me  shi, tha. Po pate punët, takohemi të Mërkurën, tha. Ia ktheva: gjithsesi të Mërkurën. Do të jem atje, që në ora 10.00  dhe do të rrimë deri në ora 16.00.

Ashtu edhe ndodhi: pikërisht në ora 16. 00- të se Mërkurës, unë isha atje, por për t`i dhanë përshëndetjen e fundit. Ishte ky takim im i katërt me Danielin brenda një viti.

Pikërisht në atë ore edhe shpirti i Ti po përshëndetej me trupin e pa jetë, për të fjet përgjithmonë në skrofulla zemrash, ndërtue nder vite e vite me aq dashuri, por dhe fshehë në vargje dhe rreshta, që përbejnë një manifest, apo edhe një si copë bible për ndërgjegjen tonë njerëzore dhe kombëtare.

E ndërkohë, ndërsa unë po kthehesha nga atje, halli i kasolles time të rrënuar në atë stuhi dhembje të 12 Nëntorit, nuk po e gjente kund shpresën, për të nise rindërtimin e saj.

Ndoshta kjo është e vetmja gjë për çka do të me gjykonte rënd Daniel Gazulli,  mësuesi im, idoli dhe, gjithsesi, njeriu im ma i dashtun.

Dritë pastë e dritë dhashtë shpirti i Ti!

Ma dhuroftë Zoti një mik si Ai!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora