E enjte, 28.03.2024, 03:58 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Lezha, kjo dëshmi historie që më shkapërderdhë cep më cep të atdheut...!

E diele, 18.11.2012, 12:00 PM


Sejdi BERISHA:

Nga aktiviteti i Klubit të shkrimtarëve “Ndoc Gjetja” në Lezhë me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

LEZHA, KJO DËSHMI HISTORIE QË MË SHKAPËRDERDHË CEP MË CEP TË ATDHEUT...!

...Sa herë që kthej këtu, gjurmët e historisë më provokojnë që në shpirtin dhe mendjen time t’i bashkojë shumë dokumente e dëshmi...

_____________

Tanimë, me Lezhën është rritur dashuria shpirtërore, janë thelluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimi kulturor dhe krijues, sidomos në fushën e krijimtarisë letrare. Dhe, për në këtë qytet, nga Peja nisemi me plotë dëshirë për shumë arsye dhe për shumë gjëra. E para ishte, se do të marrë pjesë në Takimin Letrar të Klubit të Shkrimtarëve “Ndoc Gjetja”, i cili nuk ka shumë kohë që është themeluar, por që po shënon rezultate shumë të mira. Këtë e dëshmon edhe manifestimi ku do të marrim pjesë, e i cili organizohet në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke bërë ndarjen edhe të Çmimit “At Gjergj Fishta” për veprat më të suksesshme nga të gjitha fushat e krijimtarisë letrare. Dhe, e dyta. Se, aty, së bashku me krijuesit, Muharrem Kurti dhe Tahir Bezhani nga Gjakova dhe me Lulzim Logun nga Bajram Curri, do të takohemi me shumë shkrimtarë e poetë lezhjanë, por edhe me krijues nga Vlora, Tirana e Shkodra dhe vende të tjera.

Gjurmët që të bëjnë të lumtur e krenar, por edhe që të hidhërojnë...!

Sërish, me krenari gjarpërojmë Rrugës së Kombit, sepse, dot s’kemi se kah t’ia mbajmë! Nuk vonuam dhe kthehemi në të djathtë për në Lezhë. Atje, si gjithnjë, na presin krijuesit e këtij qytet historik, dhe, sa herë që kthej këtu, gjurmët e historisë më provokojnë që në shpirtin dhe mendjen time t’i bashkojë shumë dokumente e dëshmi, të cilat më vonë, si përherë më krijojnë gjurmë, më shpërndajnë dhe të tërin më shkapërderdhin, gjithkah, cep më cep të atdheut, skaj me skaj të Evropës dhe të botës. Dhe, kudo hasi nga një njeri, nga një vepër, nga një pjesë krenarie të njeriut tim. E, këto gjurmë, edhe të bëjnë të lumtur por edhe të hidhërojnë...!

Për të mos e zgjatur, bashkohemi në sheshin e Lezhës dhe nisemi për në Fishtë, për tek Mrizi i Zanave... Nisemi për atje, ku do të organizohet manifestimi letrar. Atje, sepse, në këtë vend e ka peshën më të madhe, aty ku është edhe vendlindja e At Gjergj Fishtës. Edhe tash, gjatë tërë rrugës bisedojmë duke komentuar karakteristikat e banorëve të kësaj ane, kuptohet, duke e bërë gjithnjë alegro bisedën, miku ynë, Azem Balija, i cili është një njeri me veçanti spirituoze dhe është shumë i këndshëm.

Ndalemi tek një përmendore e cila është shumë modeste, e cila shënjon vendin e lindjes të Gjergj Fishtës. Aty bëjmë foto, por edhe secili e komenton historinë e këtij vendi mbase edhe veprimtarinë e Gjergj Fishtës.

 

Aty pranë, kjo vizitë begatohet me një tufë dhish ngjyrë kuqe, të cilat rastësisht e zbukuruan asfaltin e rrugës, e për të cilat, dikur kur isha i vogël, babai më thoshte se e kanë qumështin shërues. M’u kënaq syri dhe zemra me tufën e këtyre dhive dhive, të cilat nuk hezitonin që përgjatë rrugës t’i “vjedhin” nga dy-tri fije bari të stinës së vjeshtës, apo edhe të luleve, të cilave, rrezet e diellit ua kishin ngrohur kurorën krenare dhe plotë bukuri e me plotë ngacmim për të shpjeguar madhështinë dhe begatinë e kësaj ane edhe në stinën e vjeshtës. Për këtë, i bëra edhe disa foto.

Ecim tutje. Vendbanimi Fishtë i ngjanë një toke-pllajë, e cila tek do t’i tregojë vlerat e veta, deri më tash më pak të njohura dhe më pak të shfrytëzuara. Ndërkaq, në shpatin plotë gjelbërim dhe i rrethuar me drunj gjithfarësh, shtrihet restoranti “Mrizi i Zanave”, i cili tanimë me veprimtarinë e vetë i joshë mysafirët e shumtë nga e tërë Shqipëria, por edhe nga jashtë, dhe në këtë mënyrë i afirmon vlerat e kësaj ane. Në hapësirën përballë restorantit, tani tuboheshin mysafirët dhe krijuesit, që numri i tyre sa vinte e shtohej. Edhe aty, duke pritur, bisedohet për historinë, për krijimtarinë por edhe për veprat dhe librat e botuar sivjet.

Në këtë “rrethrrotullim”, nuk pata se kah t’ia mbaja, dhe të gjitha librat që i kisha sjellë nga Peja, saora mu “avulluan”! Ishte kështu, sepse, kureshtja për libër ishte shumë e madhe, dhe se kjo formë forconte njohjen dhe bashkëpunimin e këmbimin e përvojave reciproke. Në këtë “tollovi” e kërkoja me shikim poetin Viktor Gjikolajn dhe kryetaren e Klubit të Shkrimtarëve “Ndoc Gjetja”, znj. Lulëzime Celami, por më thanë se edhe pak kohë janë të preokupuar me mbarëvajtjen e punëve organizative. Dhe, ashtu ishte. Kthehem dhe takohem me Gjergj Shytin, një krijues i spikatur dhe drejtor biblioteke në Lezhë, që flet qetë e butë për vargun e për librin,... edhe për historinë e kësaj ane. E hasi edhe Hekuran Kokajn, nusen e Kosovës, poeten Angjelina Gjeka, edhe shumë krijues të tjerë, kështu që, begatohej atmosfera dhe inspirimi për takimin letrar.

Çmimi “At Gjergj Fishta”, dëshmi e vlerësimit të punës krijuese dhe letrare

Në sallë tani ishin akomoduar të gjithë krijuesit dhe mysafirët tjerë. Bile, për ne krijuesit nga Kosova dhe Bajram Curri, kishin qenë të kujdesshëm. Na kishin nderuar duke na vendosur në krye të sallës, atje prej nga edhe udhëhiqej manifestimi. Tani, moderatorja me zërin e saj të ëmbël e shpallë të hapur manifestimin letrar, duke ia dhënë fjalën poetit, Viktor Gjikolaj.

 

Do theksuar edhe njëherë, se kjo ngjarje ishte një rrumbullakim i sukseseve dhe i punës së mbarë të letrarëve lezhjanë gjatë këtij viti, i cili, me të vërtetë është përshkuar në frymën e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Për këtë arsye, në këtë ngjarje kulturore ishte edhe qëllimi që të veçohen veprat letrare duke u nderuar autorët e tyre me Çmimin “At Gjergj Fishta”. Ishe kjo një kënaqësi, sepse, respektohej e çmohej mundi krijues i letrarëve, të cilët janë ambasadorë të veçantë të afirmimit të vlerave shpirtërore, kulturore dhe letrare.

Atëherë, kryetarja e Klubit të Shkrimtarëve “Ndoc Gjetja”, solemnisht dhe përzemërsisht prezanton punën dhe rezultatet e këtij asociacioni kulturor. Dhe, pas përshëndetjes së kryetarit të Bashkisë së Lezhës, pason ndarja e Çmimit “At Gjergj Fishta”. Ky çmim, për krijimtari nga fusha shkencore dhe historiografike, i takoi z. Mark Vujit, ndërsa për krijimtari nga fusha e prozës, u nderua shkrimtari, Gjergj Shyti, për librin e dalluar me tregime, krijuesi, Hekuran Koka, kurse për veprën e dalluar nga fusha e krijimtarisë poetike, poeti Prengë Maca.

Tërë këtë manifestim, i cili tani e tutje do të jetë tradicional, e madhështoi edhe programi artistik dhe muzikor. Mysafirët dhe të gjithë të pranishmit i relaksoi këngëtarja Albana Përvathaj me zërin e saj të çiltër dhe profesional dhe pianisti Flamur Toska me tingujt e zjarrtë të violinës së tij. Ndërsa, vlerën e mesazhit poetik e madhështuan dhe e ngritën edhe aktorët, Ismet Zusi dhe Salvator Gjeci, duke recituar vargje poetike që përkojnë me shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorën e Ismail Qemalit.

Asgjë nuk teprohet, por secila pikë programore rrjedhë natyrshëm, si jeta e krijuesit... dhe përfundon për t’u takuar sërish me krijime dhe vlera të reja shpirtërore, kulturore dhe letrare...

Bukuria e Shëngjinit dhe biseda për antologjinë e krijuesve të Malësisë së Gjakovës

Pastaj, gradualisht i vjen fundi edhe i këtij manifestimi kulturor dhe letrar, por mbase edhe historik, sepse, po mbahej në kuadër të shënimit të një shekulli të Pavarësisë së Shqipërisë. Zbresim shkallëve të restorantit dhe për një kohë, sërish ndalemi në pjesën e përparme të këtij objekti duke u përshëndetur por edhe duke shkëmbyer edhe ndonjë fjalë për letërsinë, për kulturën, për peshën e 100-vjetorit të pavarësisë, për unitetin, për thellimin e bashkëpunimit dhe për çdo gjë që njeriun e kësaj toke e bën unik dhe faktor me rëndësi për rrugëtimin e mëtejmë.

Me makinë drejtohemi sërish për në rrugën e kombit, për t’u kthyer në Kosovë dhe në Bajram Curri. Por, miku ynë spirituoz dhe punëtor i devotshëm i kulturës, Azem Balijaj, i cili, kur ia dhurova librin tim më të ri me poezi “Vargje të këputura”, në faqen ku ia kisha shkruar një grimë tekst, menjëherë më “kritikoi” se mbiemri i tij nuk shkruhet Balia, por Balijaj, na propozoi që të kthehemi në Shëngjin, për ta kaluar një copë kohë vetëm sa për t’i shikuar bukuritë e këtij vendi turistik detar, i cili prej viti në vit po e merr pamjen gjithnjë më serioze dhe madhështore të një vendi ku mund të pushohet mirë e rehatshëm, por edhe ku mund të kalosh edhe pushim aktiv, duke shkruar, lexuar apo edhe duke pikturuar. Sepse, vetë pamja e këtij vendi është madhështore, e cila të provokon me bukuritë përrallore edhe të detit, por edhe të bjeshkëve-kurorë që e rrethojnë, e përveç gjelbërimit, edhe pishat krijojnë atmosferë, e përmirësojnë klimën për t’u ndier këtu plotësisht i relaksuar.

 

Duke shëtitur nëpër plazhin tani të qetë por vetëm me zhurmën e valëve të buta të detit, gjithnjë e më shumë më rritët e më bëhet zemra mal për zhvillimin e kësaj pjese të vendit, i cili dikur nuk i ngjante as fshatit. Duke u tretur kështu gjithnjë në mendime të “pakuptimta”, një njeri i moshës bukur të shtyrë, doli nga uji i detit (edhe pse në këtë kohë) dhe na u drejtua:

-Nëse doni të pushoni mirë dhe shëndetit tuaj t’i shërbeni, atëherë, mu në këtë kohë shfrytëzojeni ujin e detit, sepse, ka jod të bollshëm, ka edhe shumë gjëra të mira,...

Kurse, unë ia shtova:

-Frymon, këndon dhe rebelon shqip,...! Sa kënaqësi është ky realitet.

Pas pak, në qetësinë e hoteleve dhe të objekteve të tjera turistike, e gjejmë një vend të rehatshëm për ta pirë nga një lëng apo kafe, të cilat kësaj radhe na shërbenin për të zhvilluar një bisedë shumë me peshë, të cilën e kishim filluar dy-tre muaj më përpara. Fjala ishte për rrumbullakimin e projektit për botimin e monografisë, apo të një pasqyre të krijuesve nga Malësia e Gjakovës, që ishte ide dhe nismë e disa krijuesve tropojanë. Ishte një bisedë shumë e përkushtuar, sepse, qëndronte ambicia që kjo vepër të jetë e nivelit sa më të lartë, e cilësisë por edhe përfshirjes mundësisht të të gjithë krijuesve të kësaj ane, e cila padyshim se është histori në vete, por edhe një prej krahinave, e cila  ka dhënë shumë emra nga fusha historike, letrare, muzikore, teatrore por edhe arsimore, të cilët i kanë vënë themelet por edhe i kanë ndërtuar e zhvilluar bazat e mirëfillta të përparimit dhe jetësimit të Malësisë së Gjakovës por edhe të tërë atdheut.

Biseda që u zhvillua në mënyrë shumë konstruktive përfundoi me aminin që një projekt i tillë të realizohet brenda pjesës së parë të vitit 2013.

Lajmi i hidhur: Babi ngushëllime,... ka vdekur shkrimtari H. Gjonbalaj...!

Tash, përshëndetemi edhe me Azem Balijajn, dhe “mbërthehemi” për në Kosovë e Bajram Curri. Sërish, gjatë rrugës, përveç që biseduam për manifestimin letrar shumë përmbajtjesor në Lezhë, i cili rrumbullakoi rezultatet e deritashme të krijuesve lezhjanë, por edhe kurajoi për punë edhe më të suksesshme, duke mbajtur mend këtë ditë(e shtunë, 03 nëntor 2012), e cila ishte gjithnjë në frymën e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Biseduam edhe për shumë çështje të tjera që mua ma bënin zemrën mal!

Dhe, posa kaluam “kufirin” në Qafë Morinë, celulari më jep shenjë se tani ishin në funksion valët e “Vala-900”, të cilat na shërbejnë në Kosovë. Posa e hapa telefonin, shoh se kisha një mesazh, dhe me padurim e lexova. Më kishte shkruar djali im. Ishte një lajm i hidhur. Pasardhësi im më shkruante: Babi, ngushëllime!... Ka vdekur shkrimtari Hasan Gjonbalaj...!

Mbeta pa tekst. U nemita, dhe për një moment nuk u tregova miqve dhe krijuesve me të cilët isha në makinë, por më vonë ua kumtova këtë lajm, të cilin edhe ata rëndë e pranuan dhe më shprehen ngushëllime. Pas kësaj, rruga më dukej e gjatë kurse makina thua se si për inat nuk i lëvizte dot rrotat.

Të nesërmen, rruga tjetër më solli në Krahinën e Plavës dhe Gucisë, respektivisht në fshatin Vuthaj, në vendlindjen e Hasan Gjonbalajt, ku edhe do të varrosej trupi i këtij biri të kësaj ane, i këtij malësori të Vuthajve.

Ishte ditë me peshën e dhembjes dhe të kujtimeve edhe për Krahinën e Plavës dhe Gucisë, për të cilën shpeshherë kam shkruar, ishte ishte moment që nuk më hiqej dot nga mendja jeta e Hasan Gjonbalajat dhe dashuria e malli i tij për këtë anë, të cilën edhe e bëri të pavdekshme me shkrimet e tij. Për atë arsye, edhe më shtyri shpirti e zemra që ta bëjë një shkrim për Hasan Gjonbalajn, për Hasan Isufin, siç kishte dëshirë ta thirrja unë me emrin e babait të tij. Ai shpeshherë thoshte se në fshatin Nokshiq dhe në disa vendbanime tjera të kësaj ane, tash, vetëm varret frymojnë shqip. Dhe, shkrimin tim refleksiv e titullova : “Këtu, tash vetëm varret frymojnë shqip...!

Ky ishte edhe fundi i udhëtimit tim në Lezhë,... edhe në Vuthaj të Plavës dhe Gucisë... dy gjëra të kundërta, por dy realitete të jetës së njeriut...!



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora