E premte, 19.04.2024, 07:18 PM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Idriz Zeqiraj: Kadri Mani, njeriu i risive

E hene, 10.10.2022, 08:00 AM


Kadri (Os)Mani, njeriu i risive

10 vite pa Kadri Manin

Nga Idriz Zeqiraj

Të mbledhur në rast morti: familjarë, miq, shokë e dashamirë të Familjes Osmani, për ta përkujtuar jetën dhe veprën, sa të përveçshme, aq edhe të zëshme, të njërit nga personalitetet e shquara të trojeve tona. Veteran i arsimit, veteran i ilegales shqiptare, veteran i burgjeve jugosllave, risimtar i pashoq, njeri i letrave, publicist e polemist i pakapërcyeshëm, nismëtar i shtypit ilegal, botues i suksesshëm i revistës zëmirë "Shqipëria Etnike" e, mbi të gjitha, atdhetar i devotshëm, njeri i idealeve të mëdha - Kadri (Os)Mani.


Kadri Osmani, u lind më 23 nistor 1937, siç e kishte emëruar, zëvendësuar Ai muajin janar, në kalendarin e Tij të neologjizmave të gjuhës shqipe, në Makresh të Poshtëm të Artanës, në shtrirjen gjeografike në mes Gallapit dhe Moravës.

Shkollimi i Kadri (Os)Manit

Arsimin fillor 4 klasësh e bëri në fshatin e lindjes; të pestën në Përlepnicë, ndërsa klasët e tjera të 8-vjeçares i plotësoi përmes provimeve private në Gjilan dhe Prishtinë. Shkollën e Mesme Ekonomike, seksioni Administrativ, e mbaroi pa shkëputje nga puna.

Pas punësimit në arsim, në Kolaj e Keçekollë, vijoi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, duke bërë rikualifikim për mësuesi. Ai krenohej me pedagogët e Tij të njohur: Demush Shala, Fuat Ostrozubi, Ylli Zajmi e tjerë.

Studimet në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë Letërsi Shqiptare, herë si student i rregullt dhe herë me korrespondencë,

i vijoi në Prishtinë, Tiranë dhe përsëri Prishtinë. Ka diplomuar në temën: "Disa risi në gjuhën shqipe", me mentor zhurjanin prof. dr. Imri Badallaj, në vitin 2005!

Pasioni për shkencën gjuhësore dhe arsimin

Kadri Mani ishte një purist, spastrues fanatik i gjuhës shqipe nga barbarizmat, fjalët e huaja, të hyra dhunshëm në gjuhën tonë. Ai voli, krijoi dhe sistemoi më se 170 neologjizma, fjalë të reja burimore shqipe.

Për ilustrim përmendim Kalendarin e Ri Shqiptar, reformën e bërë në emërtimin e muajve: Nistor për janar, Shkurt - pa ndryshim, Larcor për mars, Bleror për prill, Lulëzor për maj, Qershor - pa ndryshim, Korrtor për korrik, Veror për gusht, Frytor për shtator, Verdhor për tetor, Brymor për nëntor dhe Dimëror për dhjetor.

Pasioni i Kadri Manit për shkencën në përgjithësi dhe shkencën gjuhësore e letrare shqipe në veçanti si dhe arsimin, profesionin e mësuesit, ishte i një përmase dalluese në mjediset tona. Punoi mësues në shkollën 8-vjeçare në Kolaj, në shkollën "Rilindja" Keçekollë, në "Vladimir Nazor" në Prishtinë si dhe në gjimnazin "Boro e Ramizi" në Viti.

Edhe në Mërgatë u kyç vullnetarisht për mësimin plotësues në gjuhën shqipe: në Bernë, në Biencë; më vonë në qytezën Neuhausen Rheinfall në Zvicër. Motoja e Tij si mësues ishte: "Në klasën time nuk ka as politikë dhe as fe!! Kadri Mani ka lënë gjurmë në arsimin shqiptar dhe vlerësohet edhe sot si veteran i suksesshëm në procesin edukativo - pedagogjik.

Veprimtaria atdhetare dhe burgjet

Kadri (Os)Mani është veteran i ilegales shqiptare dhe i burgjeve jugosllave, duke zënë vendin e dytë në kohëzgjatje të vuajtjes të dënimit politik në Jugosllavi. I lindur dhe i rritur në një familje atdhedashëse, sikur trashëgoi opozitarizmin ndaj pushtetit pushtues.

Në vitin 1949, vëllai i madh Ramizi arrestohet për veprimtari armiqësore. Si pjesë e NDSH-së, të prirë nga Mulla Idriz- Gjilani, dënohet me 18 vjet burg të rëndë. Me këtë rast, OZN-a e merr nën hetim edhe Kadriun 12 vjeçar, nën akuzën se ka grisur parullat e vëna në vendet publike dhe ka shpuar sytë e Titos në fotografitë e tij. Edhepse Ai nuk ishte autor i këtyre veprimeve, u rrah dhe u maltretua nga policia. Ai ishte në dijeni se kush i ka bërë grisjet, por nuk tregoi asgjë. Ishte kjo përballja e parë represive me pushtuesin, i cili reklamonte me hipokrizi dhe bujshëm bashkim-vëllazërimin e kombeve dhe të kombësive në Jugosllavinë e Titos.

Për herë të dytë është akuzuar dhe dënuar në vitin 1968, për organizimin e grevave të punëtorëve në ndërmarrjen e mobileve "Napredak" të Prishtinës.

Për herë të tretë është burgosur më 27 nëntor 1969, me akuzën për veprimtari kundër rendit kushtetues jugosllav.

Për herë të katërt burgoset në vitin 1974, akuzohet si udhëheqës i Grupi Revolucionar, të formuar më 1972, duke e dënuar me 9 (nëntë) vjet burg të rëndë.

Për herë të pestë Kadriu burgoset më 12 janar 1984, pikërisht në ditën e vrasjes të shokëve të ilegales: Rexhep Malaj e Nuhi Berisha. Ishte dimër dhe kohë e përndjekjes të madhe të atdhetarëve shqiptarë. Rreth 200 syrësh u dënuan me 5 (pesë) shekuj burg. Kadriu dënohet me 15 vjet burg. Duke i mbledhur tri dënimet e përsëritura, rezulton ndëshkimi me 25 vjet, duke vuajtur 17 vjet burgjeve: në Prishtinë, Mitrovicë e Kosovës, Pejë, Beograd, Pozharevc, Nish, Leskovc, Dob, Maribor, Zagreb, Lubjanë.

Kadri (Os)Mani kishte aftësi të rrallë komunikuese e lidhjeje për veprimtari ilegale. Për atë nuk kishte kufinj gjeografik për këto lidhje. Andaj, në gjyqin e tretë dhe të katërtë u dënua me grupin ilegal të Istogut: Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Mertë Shatri, Jashar Aliaj dhe të tjerë.

Kadriu ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968 si dhe pjesëmarrës organizator i demonstratave studentore të vitit 1981. Ai është pjesë e asaj plejade intelektualësh, i gatshëm për t`u sublimuar për çështjen kombëtare, për lirinë e Kosovës, për bashkimin me Shqipërinë. Ai ishte njeriu i cili me vetëdije të plotë humbi edhe atë pak liri relative personale, për të fituar lirinë kolektive.

Njeriu i shumë rekordeve

Kadri Mani shquhet për shumësinë e rekordeve të shënuara përgjatë jetës të Tij të trazuar dhe të mundimshme: veteran i arsimit, veteran i ilegales dhe i burgjeve. Filloi studimet në vitin 1965 dhe i mbaroi më 2005, edhepse ishte studiues i shkëlqyer. Magjistroi në moshën 70 vjeçare, me temën: "Neologjizmat në gjuhën shqipe". Por, Kadri Mani nuk u mjaftua me kaq. Ai synonte titullin e doktorit të shkencave filologjike. Përgjatë pesë viteve të fundit të jetës së Tij, Ai punoi temën e doktoraturës me lëndën: "Risimtaria në gjuhën shqipe", titull ky mjaft domethënës për njeriun e risive të shumta - Kadri Mani.

Kadri Mani ishte novator në nismat e veçanta, qofshin ato të karakterit kombëtar apo të atij privat. Ai, me shokë, ka nxjerrë dy numrat e parë të fletushkës ilegale "Zëri i Kosovës", në pranverë të vitit 1973. Dhe, pas dënimit e viteve të kaluara në burgje, në vitin 1980, njeriu i artit dhe i letrave, Heroi i Kosovës - Jusuf Gërvalla, do ta rinxjerrë sërishmi fletushkën emërmirë "Zëri i Kosovës".

Kadri Mani besonte shumë në fjalën e shkruar, në forcën e maxhinë edukative të shtypit. Autori i "Kapitalit", në shekullin e XIX-të, besonte fort dhe proklamonte se "një gazetë është në gjendje ta ringjallë një popull të vdekur"! Në mërgimin e Tij në Zvicër mendoi dhe veproi, duke realizuar botimin e revistës të ilustruar semestrale, me titullin sa simbolik, aq edhe pritës "Shqipëria Etnike". Për përgatitjen dhe botimin e saj Ai ftoi për bashkëpunim miq të vjetër dhe të rinj dhe rezulton mjaft i suksesshëm.

Njeriu i vendimeve të vështira dhe unike

Çuditërisht, risimtari i madh Kadri Mani, jo gjithherë është kuptuar, në masën e duhur, nga të tjerët, për vendimet personale e kombëtare:

- Kur ai la zyrën në redaksinë "Jeta e re" në Prishtinë, duke e lënë edhe nusen e re me tre fëmijët e mitur në lagjen e "Muhaxherëve" në kryeqytet, për t`u ngjitur në Gallapin kodrinor, duke përshkuar tri orë rrugë në këmbë, me qëllimin fisnik për edukimin shkencor e patriotik të nxënësve, në zonën kufitare me Serbinë dhe për t`u thënë shqiptarëve atje "rrini këtu, lut toka";

- Kur Ai filloi veprimtarinë ilegale nën hundët e UDB-së përgjuese, të vëmendshme dhe goditëse e pamëshirshme, e egër;

- Kur Ai sakrifikoi lirinë personale, madje pa u hamendur fare, pa çarë kokën për rrjedhojat fatale, në kërkim të lirisë kombëtare;

- Kur Ai edhe pas burgut të parë, të dytë, të tretë, të katërtë, të pestë - ishte i gatshëm e pa asfarë ngurrimi për burgosjet e tjera të radhës;

- Kur Ai, për hir të idealeve të mëdha dhe të parimeve të çelikta, prishi dhe humbi, dhimbshëm, shumë miqësira, madje edhe me shokët që kishte vendosur më parë qoftë edhe vdekjen e njëkohshme, kur dihet se jeta ilegale i ka edhe të papriturat e përgjakshme;

- Kur Ai, duke qenë pjesë e një familjeje të besimit fetar islam, madje vëllai i madh edhe me haxh të kryer, vendos, individualisht, t`i kthehet besimit fetar të të parëve, me një ceremonial të dinjitetshëm, në Liqenin e Batllavës, në shoqërim të Pastorit dr. Fehmi Cakolli, me ekipin e tij kishtar.

Pagëzimi publik protestant i Kadri Manit

Pas shumë hamendjeve, shtrohet pyetja logjike: Çfarë e shtyri Kadri Manin t`i kthehet fesë të të parëve - Krishterimit? Realisht, Kadri Mani ka qenë figurë dhe personalitet i njohur e publik. Ka qenë i hapur, i çiltër dhe shumë i pranishëm në media, sidomos në ato elektronike, internet. Ka përcjellur, ka komentuar, madje si askush tjetër, pothuajse, gjithëçka të publikuar në median ditore dhe atë periodik. Ai ka çmuar, deri në skajshmëri, kohën, pa humbur as edhe minutat bosh. Në ditën e dytë, pas operacionit në zemër, në një klinikë të specializuar zvicërane, do të shkëputej nga krevati, për të vazhduar shkrimet, aty ku narkoza ia kishte ndërprerë. Personeli mjekësor ishte dorëzuar para këmbënguljes të njeriut të letrave - Kadri Mani.

Dy vese tek njerëzit, të cilat Kadri Mani i ka urryer pamëshirshëm: mosmirënjohjen dhe hipokrizinë.

"Po i the njeriut - mosmirënjohës -, s`ka nevojë ta shash më tej me asnjë fjalë, që të gjitha i ke përfshirë",- thoshte Kadriu".

Klerikët myslimanë, të shkolluar në Universitetet arabe, thonë se "ai që nuk agjëron, nuk është mysliman". Nëse shqiptarët e Shqipërisë londineze u privuan dhunshëm nga feja, nga agjërimi, në vitet `60-a, dy dekada më vonë, shqiptarët e besimit myslimanë, në Kosovë, në shumicën absolute, zvetënuan vullnetarisht, në heshtje, ushtrimin e riteve fetare. Dhe, sot, numri i agjëruesve është simbolik, në raport me numrin e atyre që e kanë braktisur, duke harruar edhe ato pak "dovë", lutje në gjuhë të huaj, arabe, pa mësuar kurrë se cili ishte kuptimi i tyre.

Rrjedhimisht, është krijuar një situatë e veçantë, jo e zakonshme. Njerëz që besojnë në një Zot, por që kanë braktisur fenë islame, duke mos kryer ritet, obligimet e saj elementare. Dhe, duke mos përqafuar një fe, një religjion të dytë, kanë ngelur besimtarë, por pa fe të caktuar.

Risimtarët i kanë prirë njerëzimit

Shkollimi, arsimimi masiv i shqiptarëve të Kosovës, hopi cilësor i bërë në vitet´70-a, njohja në detaje të historisë kombëtare, konvertimi i dhunshëm, nga besimi i krishterë në besimin islam, i bërë nga Perandoria pushtuese Osmane, janë faktorë domethënës të këndelljes. Predikimi i disa klerikëve myslimanë, por edhe i ndoca "historianëve" tru mykur se "shqiptarët përqafuan vullnetarisht fenë islame", demantohet bindshëm nga gjetjet e dokumentacionit të kohës. Presionet e shumëllojshme të popullatës të krishterë, si mosdhënia e tapive të tokës dhe kërcënimi për t`ua marrë atë, për rrjedhojë, kërcënimi me uri të atyre që i rezistonin konvertimit fetar.

Një fakt tjetër logjik: Njerëzit prirën për ta përmirësuar dhe lehtësuar jetën. Andaj, bie ndesh me logjikën e shëndoshë, nëse aprovojmë tezën marroqe se "shqiptarët u konvertuan vullnetarisht, duke lënë ushtrimin e fesë krishtere, më të lehtë dhe më qytetëruese, për ta marrë fenë "vurmake" islame, e cila, vërtet, kërkon sakrifica për përmbushjen korrekte të kodeve të saj fetare dhe që kulmon me agjërimin një mujor të "Ramazanit".

Kompromisi "zbutës", të konvertohet në fenë islame vetëm kreu familjar, për ta shpëtuar sekuestrimin e tokës, shpjegon edhe misterin pse brenda familjes bashkëjetonin dy besimet: të fesë krishtere dhe islame!

Një shekull më parë, Evropa demokratike ua dhuroi pavarësinë shqiptarëve të Shqipërisë londineze. Ushtria pushtuese u largua dhe shqiptarët u çliruan fizikisht, por fenë islame ua la peshqesh, duke i lënë të pushtuar shpirtërisht dhe mendërisht.

Të thirresh në fenë islame dhe të mos përmbushësh asnjë nga obligimet kodike të saj, është hipokrizi e kulluar. Andaj, Kadri Mani urrente fort hipokrizinë dhe nuk heshti. E denoncoi këtë hipokrizi dhe veproi, për të mos mbetur pjesë e saj. I bëri publike bisedat dhe deklarimet hiç fisnike, bilëz, përçarëse, kriminale e antikombëtare të ndoca klerikëve islamë, sot ligjbërës në hierarkinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët nuk kursyen as epitetet: kurvë, magjupe, shtrigë, spiune e Vatikanit, spiune e Amerikës dhe tjera pisllëqe të turpshme, për të madhërishmen tonë, Nënë Terezën e amshueshme shqiptare, Nënën e Globit.

Kadri Mani kishte studiuar të gjitha besimet fetare. Dhe, bëri zgjedhjen e duhur, duke përqafuar besimin e të parëve, atë të krishterë. Vendimi i Tij është shumë më i drejtë, më parimor, më fisnik se sa ta ruante statusquonë hipokrite, kinse jam mysliman, por shpërfill të gjitha ritet islame?!? Ai për të qenë deri në fund i sinqertë edhe me njerëzit, edhe me Zotin, shënoi në Testamentin shkrimor arsyen e vendimit të marrë, vendin dhe mënyrën e varrosjes, pa u merakosur fare se çfarë do të mbllaçitnin fanatikët e çoroditur hipokritë dhe propaganda muxhahedine e talebaniste. Po kaq dinjitoz në ceremoninë mortore të Kadri Manit ishte edhe Pastori i Kishës Protestante, dr. Fehmi Cakolli.

Dhe, nëse sot Kadri Mani nuk do të kuptohet mirëfilli, nesër do të falënderohet për nismën e pritur, për kthesën e madhe. Risimtarët i kanë prirë njerëzimit dhe si të tillë janë përjetësuar në mendjet dhe zemrat e kombit, të njerëzimit, në Panteonin e Lavdisë. Ai zgjodhi të varroset në gjuhën e Naimit dhe të Fishtës, në gjuhën shqipe të të parëve dhe jo në atë të huaj, arabe. Pra, me të drejtë u tha dhe u përsërit nga ngushëlluesit, përgjatë - Të Pamës - për Kadriun, se Ai u varros si shqiptar dhe jo si arab, siç vazhdon rituali i trashëguar nga kohërat e mugëta të pushtuesit.

Luftarak i paepur dhe polemist brilant

Në një bashkëbisedim intervistues, që zëvendës-kryeredaktori i revistës "Shqipëria Etnike", Zeqir Lushaj bëri me Kadri Manin, vetëm pak ditë para amshimit të Tij, shpaloset jeta dhe vepra e njeriut atdhetar, risimtar dhe problematik. Kjo intervistë e vjelur me shkas, madje me nuhatje e parandjenjë frike, se po ikën kësaj bote njeriu i përkushtuar i tëri çështjes kombëtare, do të mbetet guidë, për ta studiuar shpirtin zemërak dhe luftarak të Kadri (Os)Manit. "Karakterin e fortë e kam trashëguar nga babai, ndërsa logjikën e fortë nga nëna",- thotë Kadriu.

Kadri Mani ka lënë një trashëgimi të çmuar, letrare dhe publicistike, të botuar në 8 (tetë) vëllime dhe, pothuajse, të gatshme për botim edhe 10 (dhjetë) vëllime të tjera. Stili i veçantë, satira, ironia për të keqen në shoqërinë tonë, dominon në veprën e Tij shkrimore. Ai ka qenë i drejtpërdrejtë, ka thënë të vërtetën lakuriqe, pa drojë e frikë e, mbi të gjitha, pa çarë kokën se çfarë dhe si mendojnë dhe reagojnë të tjerët.

Kadri Mani qysh tani ka krijuar boshllëkun në mediat elektronike të shkruara. Këtë shqetësim e kanë shprehur edhe moderatorët e zellshëm të "Zemrës Shqiptare", Gëzim Marku dhe Ilir Dardani.

Përballja me aleancat kundrakombëtare

Aleanca anakronike e paradoksale e stalinistë-enveristëve me islamistët vehabistë-muhaxhedinë pikëtuan armiq të përbashkët: Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, Nënë Terezën, Ibrahim Rugovën dhe Papën e Vatikanit. Themi aleancë paradoksale, sepse komunistët janë ateistë aktiv, të pa fe, të cilët, sipas përcaktimit të kreut të tyre, Leninit rus, jo vetëm që nuk besojnë vetë, por agjitojnë dhe i bindin edhe të tjerët të mos besojnë në Zotin. Por, kjo nuk u prish punë islamistëve të ndërkryer, të tërbuar, të çoroditur. Mjafton ta luftojnë krishterimin, më saktë, katolicizmin, sepse me orthodokësinë serbo-sllave bashkëpunojnë të dy palët në aleancë.

Kadri Mani e denoncoi këtë aleancë të turpshme. Ashtu siç ishin adhurues të këtyre figurave kombëtare shumica absolute e shqiptarëve, edhe për Atë ishin kryeheronj të luftës, të humanizmit, të paqes, madje në përmasën botërore. Sulmi ballor dhe në prapaskenë të kësaj aleance-bandë karshi shtetbërësit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili me Flamurin e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës, hyri në Kancelaritë e qendrave të vendosjes ndërkombëtare, me lutjen e madhe: "Shpëtoni trashëgimtarët dhe Atdheun e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës, Kosovën, nga asgjësimi fizik, nga zhbërja si komb, nga falangat e Milosheviçit vrasës".

Aleanca-bandë, komuniste-islamiste e Kosovës, e futur nën çadrën e koracuar të klikës pushtetare të`97-ës, të Tiranës zyrtare, e prirë nga presidenti i dhunshëm, Rexhep Mejdani, u trimërua deri në masën e sabotimit të hapur të luftës, duke nisur edhe likuidimin fizik të kundërshtarëve politikë ushtarakë dhe civilë. Lakejtë stalinistë-enveristë të Kosovës, të strehuar në "Bllokun" famëkeq të Tiranës, intrigonin me krerët social-komunistë vendorë, përdornin megafonët e Mejdanit me bandë, për të denigruar institucionet legjitime të Kosovës, të ngritura me mund e sakrifica nga Presidenti Rugova me shokë, në kushtet e një terrori të egër të pushtuesit mizor serbo-sllav.

Paturpësia kulmoi kur banda e komunistëve të bashkuar sulmoi, marrëzishëm e trishtshëm, Presidentin Rugova, duke e akuzuar për tradhti, pikërisht kur Ai ishte marrë peng, përdhunshëm, nga kasapi i Ballkanit, siç e quan bota demokratike Slobodan Milosheviçin. Një akuzë e tillë, jashtë çdo logjike njerëzore, për Njeriun, i cili, urtësisht dhe mençurisht, përfitoi aleatë të fuqishëm, si Anglia e Franca, që dikur kishin qenë miq për kokë të Jugosllavisë, të Serbisë; për Njeriun që përtëriu miqësinë me Amerikën e zëshme, të prishur e të përdhosur nga aventurieri e lakeu rus-serb-aziatik, i pështirosuri Enver Hoxha; për Njeriun që solli NATO-n në Kosovë, me fluturaket e saj bombardues; për Njeriun vizionar, i cili parashikoi, tej dy dekadave më parë, agjendën e saktë të lirisë, të pavarësisë dhe bërjen e Shtetit të Kosovës. Dhe, risimtari Kadri Mani ishte i pari që e pagëzoi Presidentin Rogova me emrin e shenjtë: "Pejgamber i Kosovës".

Kadri Mani do të përballej fort me bandën shqiptare të`97-ës dhe atë të Kosovës, LPK-në, e cila do të evoluonte nga një organizatë e thirrur për veprime revolucionare, në një bandë kriminale. Në tubime të shumta gojarisht, me shkrime të përditshme, denonconte e mallkonte politikën kundrakombëtare të Tiranës zyrtare dhe të lakejve të saj - Lëvizjen staliniste-enveriste të Kosovës, synimet e tyre errëtake, për ta përçarë faktorin ushtarak e politik dhe pastaj popullin, për ta sabotuar luftën, duke e pamundësuar lirinë.

"Harresa" e pushtetarëve inatçi e hiç

Kadri Mani ishte mik i vjetër i Presidentit Rugova. Njohja e tyre daton në marsin e vitit 1965, kur Kadriu erdhi nga redaksia e revistës "Jeta e Re", për pajtime në Gjimnazin e Pejës.

Shpifjet e horrakëve komunistë për Presidentin vizionar e irritonin Kadriun. Dhe, Ai, në përgjigje publikoi librin: "Dr. Ibrahim Rugova triumfoi në Kosovë dhe në Hagë". Por, nuk u mjaftua me kaq. Botoi librin e dytë për dr. Rugovën, si personalitet e burrështetas markant. Ai nuk e bëri këtë, thjesht, për ta mbrojtur mikun e Tij Rugovë. Por, parimi i Tij për të thënë e mbrojtur të vërtetën, ishte dhe mbetet proverbial. Ai kurrë nuk ka qëndruar në rolin e spektatorit. Përkundrazi, ka qenë aktiv në të gjitha ngjarjet kardinale për kohën.

Heshtja zyrtare qeveritare dhe e mediave, të censuruara rreptë nga shefat stalinistë pushtetarë e qyqarë të Kosovës, me rastin e shuarjes fizike të Kadri Manit, është dëshmi e privatizimit të shtetit dhe të shpërdorimit kriminal të pushtetit. Pavarësisht ndëshkimit me harresë të njeriut që bëri aq shumë për popullin, kombin, Ai do ta mbijetojë heshtjen dhe harresën e tanishme pushtetare, duke i kthyer ata në hiç, ashtu siç janë njëmendësisht uzurpuesit, me plumb e gjak, të pushtetit në Kosovën tonë, keqas të përdhosur dhe të përtokur.

Kadri Mani u mungon sot jo vetëm Familjes të Tij të nderuar, miqve, shokëve dhe dashamirëve të shumtë, por edhe lexuesit shqiptar gjithsesi. Ikja kësaj bote, lamtumira e Tij, është një humbje e madhe për letrat dhe mendimin shqiptar.

Ne, miqtë, dashamirët, atdhedashësit, në mirënjohje për sakrificat e bëra për popullin, kombin, për më shumë se gjysmëshekulli, të Kadri Manit, vazhdojmë të lutemi kolektivisht, që shpirti i Tij i dlirë të gjejë prehje në Parajsë.

Lavdi jetës dhe veprës të begatë të Kadri (Os)Manit!

*Fjala e mbajtur në akademinë përkujtimore për atdhetarin Kadri Mani



(Vota: 27 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora