Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pirro Loli: Aristidh Rruci dhe koha e burrave

| E premte, 16.11.2012, 06:11 PM |


Pirro Loli, i njohur si poet, eseist dhe romancier vjen këtë radhë me esen historike “Aristidh Rruci dhe koha e burrave” .

... Etërit e Pavarësisë ishin qenie superiore,  që na flasin e na vështrojnë edhe sot e kësaj dite për kombin e pabërë; - thotë autori- ata po ringjallen, megjithëse nuk është e lehtë t’ua heqësh shigjetat nga syri; ata do të vijnë dhe pas qindra vjetësh të tjerë;  do të na rishfaqen kohë pas kohe dhe do të na flasin e dëgjojnë. Ata do të kenë mbi supe më shumë përvjetorë jete sesa vdekjeje.

Pirro Loli në këtë 100 vjetor ringjall para lexuesit Aristidh Rrucin, njerin nga bijtë elitarë të Zagories, njërin  nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë, në krah të Ismail Qemalit; edhe ky, si shumica e etërve të Pavarësisë tragjikisht i mohuar, mbuluar me heshtje, me emër, me vepër e me varr.

Këta burra që po vinë mes nesh nga pena historianëve dhe e shkrimtarëve, nuk kërkojnë ndere e dekorata, as për një ringjallje festive, jo dhe jo. Ata kanë nevojë të ngrihen flamujt e së vërtetës për historinë e këtij vendi. “Ata duhet të ngrihen nga varri, të shkundin baltën mbi ballë, të dalin nga heshtja e mohimi dhe të fillojnë të flasin se ata, dhe vetëm ata, kur bien nw dorë të shkrimtarëve, dinë të tregojnë jetën e tyre prej martirësh”...

Libri  ka 220 faqe dhe kushton 700 lekë.

Shtëpia Botuese “Plejad”