E premte, 19.04.2024, 01:49 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Klithma shpirti

E premte, 16.11.2012, 08:00 PM


Klithma shpirti

Nga Reshat Kripa

Para tre ditësh në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë Para të Shqipërisë organizoi promovimin e librit “Klithma shpirti” të ish-të burgosurit politikë nga regjimi komunist, që ka bërë 23 vite burg në atë regjim,  poetit dhe prozatorit Luan Burimi. Takimi u zhvillua në mënyrë të përsosur. Atë e hapi sekretarja e përgjithshme e shoqatës zonja Lili Ndoci e cila ia dha fjalën për përshëndetjen e rastit kryetarit të shoqatës zotit Simon Mirakaj. Për jetën dhe aktivitetin e poetit foli shoku i tij i burgjeve, edhe ky me 22 vite burg, Bedri Çoku. Poeti Uran Kostreci, një i dënuar politikë që ka kryer 20 vite burg, foli për poezitë e tij plot ndjenjë. Për prozën e autorit foli shkruesi i këtyre rradhëve. Pastaj folën edhe anëtari i Bordit Drejtues të Komisionit Shtetëror të Hetimit të Krimeve të Komunizmit. zoti Uran Butka dhe drejtori i këtij instituti, zoti Agron Tufa. Së fundi përshëndeti dhe deklamoi një nga poezitë e tij më të bukura zoti Luan Burimi.  Ajo që ra në sy në këtë takim ishte mungesa e të ftuarve nga institucionet kryesore të vendit, Presidenca dhe Kuvendi . Jemi të ndërgjegjshëm se drejtuesit e tyre mund të kenë qenë të angazhuar në objektiva të tjera më të rëndësishme por, sidoqoftë, një përfaqësues të tyrin duhej ta kishin dërguar. Megjithatë ajo që ra më tepër në sy ishte mungesa e disa të përndjekurve në institucionet e Presidencës dhe Kuvendit, të cilëve nuk dua t’ua përmend emrat vetëm për hir të besimit që kam patur për korrektësinë e tyre. Kur iu dërguam ftesat menduam se ata do të ishin të parët që duhej të kishin ardhur dhe kjo pasi ata janë ose ish të burgosur, ose ish të internuar, madje ndonjëri edhe i lindur në internim, ose bij të pushkatuarish, të burgosurish apo të internuarish. Mungesa e tyre na la një shije të hidhur dhe kjo u shfaq edhe në fjalët e oratorve. Si ta quajmë një veprim të tillë, mospërfillje, neglizhencë apo nënvleftësim. Cilado prej këtyre të ketë qenë nuk është në nderin e tyre një veprim i tillë. Por le t’ia lemë ndërgjegjes së tyre ta gjykojë këtë veprim dhe le të kthehemi tek tema për të cilën u zhvillua takimi.

Ata kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, jetonin në një kohë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë formulën e të ashtuquajturit   “realizëm socialist“, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Këtu ia vlen të përmendim emrat e paharruar të martirëve Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela e të tjerë.

Të tjerë provuan prangat e hekurta në  vend    nënshtrimit. Ata  nuk  bënë  kurrë  art  të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Në rradhën e këtyre më lejoni të përmend Visar Zhitin, Pjetër Arbnorin,  Pirro Kuqin, Frederik Reshpen, Pano Taçin, Astrit Delvinen e të tjerë.

Por kishte edhe një kategori tjetër që shkruanin. Dora e tyre i hidhte këto në  letër. Autori i lexonte dhe rilexonte me vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë besnik. Kishte edhe nga ata që shkruanin nëpër qelitë e burgjeve apo  kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë.

Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë që të shpërthenin lirisht. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë  servile dhe hipokritë, nuk u bënë kurrë lakej oborri.

Fundi i viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte  betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të  shembeshin.  I  fundit nga vendet totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë.

Midis plejadës së madhe të atyre të përndjekurve politikë, që kanë shkruar në qelitë e burgjeve ishte edhe Luan Burimi. Ai i përket asaj plejade që kishte dëshirë për të mësuar por nuk e linin të mësonte, pasi edhe shkolla ishte pronë e “bijve të Stalinit”, kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin të punonte përveç në ndonjë kanal apo bujqësi, kishte dëshirë të jetonte por nuk e linin as të jetonte dhe, për këtë e përplasën, për gati nje çerek shekulli, në humnerat më të thella të burgjeve komuniste. Megjithatë ai shkroi. I regjistroi këto shkrime në trurin e tij dhe ja ku na i serviri tani në librin me titull “Klithma shpirti”. Poezit dhe prozat e paraqitura në këtë libër janë me të vërtetë klithma të një shpirti të brengosur për miqtë dhe shokët e vuajtjeve, për ata që janë dhe për ata që s’janë më në këtë botë. Ja ç’thotë autori në fillim të tregimit “46 shekuj më parë”:

Unë as nuk mundem as nuk duhet të flas për vitet 40-të, sepse kam qenë fëmijë atëherë. Po për ata vite të lodhur me kufoma bij e bijash, diçka do të flas dhe unë. Se jo më kot atë periudhë të papërshkruar ende ashtu siç duhet, e veçanërisht te ne, disa shkrimtarë e kanë quajtur “epoka e degradimit njerëzor”, disa “epoka e pasigurisë totale” e disa të tjerë “epoka e hibrideve të stepës”. Po unë, natyrisht, duke mos qenë i aftë të përqasja një epitet timin, përballë këtyre epiteteve aq të gjetur, po ndjek bëmat e “hibridëve të stepës”. Me ta zë fill edhe tregimi im, që s’është imagjinatë, por një realitet i zhveshuir, i frikshëm e qesharak.

Para syve tanë shfaqen, si në ekranin e një televizori, pamjet makabre të dhunës komuniste, të asaj dhune që e shndërroi një popull të tërë në skllav të bindur ndaj kupolës më të egër që ka parë bota, kur, siç shkruan autori, kur gdhiheshe në mëngjes e shihje fshatin në flakë nga shtëpitë e nacionalistëve që digjeshin, apo kur një ditë ngryseshe në Shkodër, Durrës apo Tiranë, të nesërmen gdhiheshe si i deklasuar në ndonjë kamp të punës së detyruar.

Shfaqjet ndjekin njëra-tjetrën. Ja ku na shfaqet N. Pjetri nga Postriba që tregon historinë e tij. Ngjarja kishte ndodhur pas kryengritjes së famshme. Hienat kishin ardhur në mes të natës. Pasi kishin kapërxyer gardhin ishin derdhur brenda në shtëpi me armët e ngrehura. Kundërshtimi i të zotërve të shtëpisë kishte sjellë shkrehjen e armëve. Dy të vrarë, i ati dhe një kushëri. Dy vëllezër të arrestuar dhe kjo vetëm në një familje. Po në gjithë Postribën? Nuk gjen penë që ta përshkruaj. 21 maj 1973. Në oborin e kampit të Spaçit kthehet Zef Pali i përgjakur nga goditjet e shkopinjve të gomës mbi trupin lakuriq. Atë e ndjekin një turmë hienash. Por grumbulli i të burgosurve u pret rrugën. Në mbrëmje dy persona i shoqërojnë në komandë. Kthehen të lidhur dhe shoqërohen në birucën e izolimit. Kërkohen dy të tjerë por turma nuk i dorëzon. Kështu fillon revolta e madhe e cila do të zgjaste tre dite dhe ku për të parën herë në historinë e kampeve të diktaturës atje do të valonte flamuri pa yllin e komunizmit i ngjyer me gjakun e të torturuarve dhe me zhgabën dykrenore të vizatuar nga i paharruari Mersin Vlashi. 39 makina me ushtarët e Korpusit të Burrelit, 3 autoblinda dhe 1 makinë gazi, të komanduara nga krimineli Fiçor Shehu, i cili më vonë do binte pre e vet  satërit komunist, bën që revolta të shtypej me gjak. Katër heronj të pushkatuar: Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Zef Pali. Dhjetra të tjerë të ridënuar me burgime të rënda. Midis tyre autori i librit dhe bashkë me të edhe Sami Dangëllia, Mersin Vlashi, Luan Koka, Bedri dhe Caush Çoku, Gëzim Medolli, Gjergj Kadeli, Napolon Kaleci, Ylber Merdani, Demir Pojani e të tjerë. 

Me mikun dhe shokun tim të klasës, Luan Kokën, autori ishte njohur në kampin e punës së detyruar në Skrofotinë. Qysh prej asaj dite u bën miq të ngushtë. Luani i tregoi historinë absurde të burgimit të tij. Kishte një kushëririn e tij të arratisur. Një natë të vitit 1960 ai kthehet fshehurazi në familje. Përqafon nënën dhe motrën dhe pasi çmallet për disa orë largohet për të kryer misionin e ngarkuar. Me vete mer disa fotografi të tyre dhe një revistë Hosteni që Luani e kishte lënë kur kishte qenë për vizitë te nëna e të arratisurit. Pas disa ditësh bie në pritën e sigurimit të shtetit dhe vritet. I gjejnë revistën Hosteni ku, në një cep, ishin shkruar inicialet L.K. Kjo mjaftoi që sigurimi të arrestonte Luanin dhe megjithse ai nuk pranoi kurrë që revista i përkiste atij, të dënohej me 15 vjet burg, dënim që iu shtua edhe me 25 të tjera pas revoltës së Spaçit. U lirua pas 29 vjetësh burg. U burgos në moshën 25 vjeç dhe u lirua në atë 54 vjeçare. Sot jeton i sëmurë, pa fëmijë dhe pa asnjë të ardhur tjetër përveç dy pensioneve, së bashku me bashkëshorten me të cilën u lidh pas lirimit nga burgu. Përveç këtyre ngjarjeve të dhimbshme dhe reale në libër  pasqyrohen  edhe  çaste    tjera historike të ndodhura në tokën shqiptare siç janë masakra e tmerrshme e Cërrikut,  ku  mbetën  të djegur të gjallë nga bandat komuniste gjashtë gardistë në atë vit të zi 1997. Përshkruhen tetë vitet e asaj “anarkie të çmendur” të sundimit socialist pas “Revolucionit të vonuar” të Rexhep Qoses dhe skafet e drejtuar nga trafikantë dhe të mbushur me fatkeqë që në më të shumtin e rasteve gjenin vdekjen në ujrat e Adriatikut. Të gjitha këto përshkruhen me një gjuhë dhe stil të sigurtë. Lexuesi duket sikur jeton me ngjarjet. Duke lexuar tregimet nëpërmjet përshkrimeve të holla të penës së tij, ndjen një dridhje në zemër. Këtë dridhje e ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh në atë botë të zymtë e mbuluar nga dimri i tmerrshëm i quajtur komunizëm. Duke parë gjuhën dhe stilin e sigurtë, të lind mendimi se ke të bësh me një autor të vërtetë. Duke lexuar veprën e Luan Burimit dhe ato të autorëve të tjerë si ai në zemër të lindin ndjenja të forta, ndjenja që të mbushin me krenari. Në zemrat e tyre ata ruajnë po ato ndjenja për të cilat u sakrifikuan. Në atë kohë ata nuk mendonin as për fron dhe as për pasuri. Ndjenja e tyre kryesore ishte “Për liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” Pikërisht kjo ndjenjë vazhdon edhe sot të vlojë në zemrat e tyre. Luan Burimi është i detyruar të jetojë larg atdheut të tij të shtrenjtë për të cilin e sakrifikua. Luan Koka jeton vetem me dy pensione të zakonshme. Si këta ka edhe qindra të tjerë. Por asnjëherë nuk iu është ndier zëri i tyre për këto çështje. Atyre iu vjen rëndë të venë në plan të parë kërkesa të tilla. Meraku kryesor i tyre është “A do të bëhet Shqipëria?” Për këtë ata dhe të gjithë ne kërkojmë zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për zhdukjen e pasojave të regjimit komunist”. Në bazë të kësaj rezolute kërkojmë dënimin ligjor të diktatorit Enver Hoxha. Kërkojmë ligjin e lustracionit për të gjithë bashkëpuntorët e sigurimit dhe organeve të tjera të diktaturës. Kërkojmë rishikimin e historisë së vendit tonë dhe përpilimin e teksteve të reja shkollore të mbushura deri më sot me propagandën komuniste. Kërkojmë ngritjen e muzeve nëpër qëndrat kryesore të përndjekjes si në Tepelenë, Burrel dhe Spaç. Kërkojmë ndërtimin sa më parë të memorialit të viktimave të komunizmit në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Së fundi kërkojmë ngritjen dhe financimin e një komisioni shtetëror për gjetjen dhe rivarrosjen e martirëve të rënë në luftën kundër komnuizmit.  Këto kërkesa i bëjmë sepse duam një Shqipëri të pastër dhe demokratike ashtu siç kemi ëndërruar dhe luftuar për dyzetegjashtë vjet me rradhë.

Duke përfunduar dhe duke u kthyer edhe nje herë tek libri i Luan Burimit natyrshëm të lind pyetja: Ku do të ishte vendi i tij sot, në rast se sundimi totalitar nuk do t’ia priste me shpatën e Damokleut dëshirën për jetuar i lirë? Përgjigjen kësaj pyetje, ju lutem, jepjani juve të nderuar lexues!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora