E enjte, 28.03.2024, 10:56 PM (GMT)

Përjetësi » Mani

Fazli Maloku: Kadri Mani = Ylli që rrezatoi Gallapin

E enjte, 15.11.2012, 07:54 PM


KADRI MANI =Ylli që rrezatoi Gallapin

(Evokim kujtimesh për Kadri Osmanin-Mani, profesorin revolucionar, atdhetar me përmasa kombëtare, njeriu që frymonte me popullin e thjeshtë dhe me ngrohtësinë e shpirtit ua kthente shpresën për të jetuar e gjallnuar, të cilën shpresë e kishin humbur që moti nga zullumet e Tito-Rankoviqit dhe hyzmeqarëve të tyre)

Si u njoha me Kadri Osmanin-Mani?

Nga Fazli Maloku, Prishtinë

Ishte viti shkollor 1965-66. Unë në pamundësi të vazhdoja shkollimin më tej,  (nga gjendja e rëndë sociale në familjen time, ku na mungonte edhe buka), pasi që kisha mbaruar vitin e tretë të Normales, u punësova si mësues në fshatin Kolaj-ish Koliq. Fshati Kolaj gjindet rreth 20 kilometra në verilindje të Prishtinës, i banuar krejt me shqiptarë, (kishte veç një familje të vetme serbe). Fshati përbëhej nga pesë lagje kryesore; lagja Ahmetaj, Bicaj, Peraj, Hajdaraj dhe ajo Goxhufaj, me një sipërfaqe gjeografike ndër fshatrat më të mëdha të Prishtinës. Në fshat punonte shkolla e plotë tetëvjeçare, paralele e ndarë e shkollës fillore "Rilindja "në Keqekollë. Fati im i mirë: -këtu gjeta shokët, Kadri Osmani-Mani nga Prishtina,  Idriz Zeqirajn nga Studenica e Pejës, Abaz Pllana nga fshati Milevc i Prishtinës, Adil Fetahu nga fshati Rimanishtë i Prishtinës dhe disa mësues vendorë (shumica e tyre ,pra e vendorëve, vetëm me shkollë tetëvjeçare të kryer). Nga gjithë këta, për nga aftësitë profesionale, për nga përkushtimi dhe dashuria për të kontribuar, për nga pjekuria intelektuale si dhe për veçori Atdhedashurie, dalloheshin Kadri Osmani-Mani, Idriz Zeqiraj dhe Adil Fetahu. Them me plot përgjegjësi, se vetëm këta i përmbushnin kriteret për ta ushtruar detyrën e shenjt të Mësuesit-pedagogut, por mbi të gjithë shëndritëte figura markante e Kadriut. Kadriu, por edhe Idrizi, në fillim punuan me mua po thuaj si me një nxënës, duke më ofruar literaturë pedagogjike shumë të nevojshme si dhe Romane për të lexuar e bashkëkomentuar. Në këtë mënyrë ata dëshironin ta mbushnin boshllekun tim si i pakualifikuar që isha , por, duke pasur parasyshë edhe moshën time 18 vjeçare.

Mbaj mend se romanin e parë që ma dha për ta lexuar, miku im i shtrenjt Kadriu,  ishte romani "Gjarpijtë e Gjakut"të autorit Adem Demaçi, i botuar në dy pjesë tek Revista "Jeta e Re". Profesor Kadriu bëri reforma të mëdha në të gjitha shkollat në Malësinë e Gallapit. Hartoi plan-programin për zhdukjen e analfabetizmit sidomos për femra të rritura, dukuri kjo shumë prezente në këto vise. Luftoi fuqishëm dhe me guxim lokalizmin ose më mirë të shprehem bajraktarizmin, por edhe urrejtjen dhe ndasitë sipas mëhallëve, fatkeqësisht e ngulitur edhe tek mësuesit vendorë! Dhe jo rrallëherë mund ta dëgjoje nga mësuesit vendorë, duke na u drejtuar ne mësuesve siç na quanin ata "jabanxhij", "mos e kalo atë nxënës se është i kësaj apo asaj mëhalle"! Dukuri këto tepër të shëmtuara. Kadriu  me sjelljen e tij të shkëlqyer dhe shembullin përsonal,  bëri që autoriteti i mësuesit të rritet tek çdo familje fshatare, si dhe që mësuesi të jetë novator dhe prijës i të gjitha zhvillimeve shoqërore në fshat. Kadriu arriti që për herë të parë, në të gjitha shkollat e fshatit të Malësisë së Gallapit, nxënësat të furnizohen dhe ta shijojnë nektarin e Revistës për fëmijë "Pionieri".   Nisur nga gjendja shumë e rëndë sociale e fshatarëve, me iniciativën e tij, në të gjitha Këshillat e Arsimtarëve u mor vendimi që Revista "Pionieri" nxënësve të iu ipej gratis dhe këtë ta mbulojë secili mësues për klasën e vet nga paga vetanake. Po ashtu, me përkushtimin më të madh arriti ta nxjerri në dritë,  Fletushën shkollore "Ylli i Dritës", me punimet e nxënësve të shkruara në prozë e në poezi. Fletushkë kjo e përgatitur mjaftë mirë si në aspektin teknik edhe në atë artistik e profesional.

Siç është tashmë e njohur, në vitet e pësëdhjeta e gjashtëdhjeta, regjimi komunist i Josip Broz Titos përmes strukturave pushtetare dhe veçanërisht përmes sherbimit famëkeq të UDB-së, me sjellje gjithmonë kërcënuese e duke ushtruar vrasje tinzare e dajak tek shqiptarët, në veçanti tek shtresat e varfëra e të pa shkolluara, kishte arritur që kudo të mbjelli frikë dhe pasiguri, në mënyrë që shqiptarët duke u nisur nga kjo jetë e papërballueshme, ta marrin rrugën e pakthim për në Turqi. Për këtë ishte përgatitur mirë tereni dhe po thuaj të gjitha strukturat e shtetit propogandonin dhe punonin me zellin më të madh në këtë drejtim. Ishte trasuar edhe rruga institucionale.

Në vitin 1953, në qytetin e Splitit në Dalmaci, nga Titoja ishin të ftuar përfaqësuesit e Greqisë dhe Turqisë që për shpërnguljen e shqiptarëve të sinkronizoheshin veprimet e përbashkëta për realizimin sa më mirë të këtij plani gjenocidial për shqiptarët. Po në këtë takim, J.B.Tito dhe përfaqësuesi i Turqisë Fuad Kyprili, nënshkruan marrëveshjen e ashtuquajtur"marrëveshja xhentelmene", me të cilën u ripërsërit konventa shtetërore Jugosllavo-Turke e vitit 1938 për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Për zbatimin e kësaj marrëveshje Titoja angazhoi drejtëpërdrejt Aleksandër Rankoviqin, ministrin e brendshëm Federativ.

Duke e parë këtë gjendje të mjerueshme të popullatës së këtyre fshatrave, profesor Kadriu bëri edhe hapin tjetër që për kohën ishte e pabesueshme. Me një guxim të pa shoq doli hapur në mbrojtje të fshatarëve nga veprimet e hordhive të regjimit, celula këto partiako-udbeske, duke e rrezikuar seriozisht jo vetëm profesionin por edhe qenjen e tij jetësore. Po e konkretizoj këtë me dy shembuj nga shumë sish:

Në lagjën Peraj, jetonte një familje tepër skamnore e bacë Rexhepit. Vetëm sa e kishte martuar djalin e vetëm me një vajzë po ashtu skamnore, por punëtore dhe mjaftë e bukur. Klyshët e Rankoviqit e kishin nuhatur këtë sorkadhe dhe me pretekstin se mbanin armë pa leje filluan ti vardiseshin e ta kërcënonin. Djalin e posamartuar e nxirrnin nga shtëpia e fusnin në mal (gjithë shtëpia ishte e vetmueme dhe e rrethuar me mal), e rrahnin pandërprerë, duke e joshur që ai të bëhej spiun i tyre dhe e gjithë familja një jatak për ta, qëllimi final ta poshtronin edhe moralisht. Kadriu kishte kuptuar për tragjëdinë që po i kanosej kësaj familje. Pa hezituar mori dy shokë me vete, vizitoi këtë familje duke ua marrë edhe deklaratat me shkrim të gjithë anëtarëve të rritur për veprimet banditeske të policëve të Tito-Rankoviqit. Kadriu me që ishte edhe krrespodent i gazetës "Rilindja" e njifte mirë këtë profesion. Me që nuk dinin shkrim lexim, shenjat e gishtrinjve ua kishte marrë duke përdorur ngjyrën e stilolapsave. Në fillim ata ngurronin të deklaroheshin nga frika e hakmarrjes, por Kadriu me aftësinë e tij arriti ti bind, duke u dhënë kurajo se ne mësuesit do tu gjindemi pranë në çdo situatë, dhe s'bashku më lehtë do ta përballojmë situatën e krijuar. Për këtë turp të policisë së postkomandës të Keqekollës, ai njoftoi me shkrim të gjitha instancat përkatëse të Kosovës, duke kërkuar që veprimet e tilla të ndaleshin me njëherë dhe të mirren masa ndëshkuese për ata që këqpërdornin detyrën dhe uniformën e shtetit. Por hijenat asesi nuk ndaleshin. Urgjentisht dërguan djaloshin e posamartuar në sherbimin ushtarak. Edhe Kadriu kundërvihej me guxim të pashoq. Djaloshit ia rregulloi sherbimin ushtarak njëvjeçar dhe e solli në shtëpi.

Në gjithë Malësinë e Gallapit u krijua një situatë tepër e nder. Konfrontim i hapur në mes punëtorëve të arsimit dhe policisë fashiste rankoviçiane. Udhëtimet që i bënim në fundjavë për vizitë në familjet tona, me të vetmin kombibus privat që qarkullonte në relacionin Prishtinë- Keqekollë, ishte po thuaj e pamundur që policia e Keqekollës të mos zinte "pusi", duke e ndalur kombibusin për ti legjitimuar dhe kontrolluar vetëm punëtorët e arsimit, në prezencën e popullatës, me qëllim të uljes së autoritetit të tyre, por ndodhte e kundërta. Postkomanden e Keqekollës e drejtonte simbolikisht një mjeran shqiptar e quanin J. Ll., por në të vërtetët komandën e mbante në duart e veta zv postkomandanti, krimineli Dragan Nikoliqi.

Kadriu tani më, kishte kaluar në Shkollën Amë (siç e quanim atëherë), në Keqekollë, ku ishte fare pranë edhe Stacioni policor. Një ditë në shkollë vjen një fshatar-Qerimi për të qarë hallin, se derrat e Kriminelit Dragan po ia shkatrronin bereqetin duke ia “lëruar” arën e mbjellur me grur, dhe ai nuk donte me dëgju për dëmin. Dhe kush tjetër për veç Kadriut do ta mirrte guximin të ballafaqohej me Draganin e tërbuar për bereqetin e një fshatari?! Kadriu e këshillon fshatarin që ai pa hezitim ta vras derrin e Draganit duke e marrë vet Kadriu përgjegjësin e kompensimit të derrit dhe ballafaqimin me vet Draganin. Kështu edhe u veprua. Bacë Qerimi një burrë i guximshëm vrau derrin mu në mes të arës e mbjellur me grur. Kadriu në rolin e advokatit i parapriu padisë me shkrim ndaj kriminelit Dragan Nikoliqit për dëmin që po ua shkakton ai me derra jo vetëm fshatarëve por edhe oborrit të shkollës. Bile s'bashku me bacë Qerimin trokiten derë më derë në zyrat përkatëse, derisa arritën më në fund në zyrën e Xhevdet Hamzës,  drejtues i policisë së Kosovës. Kadriu duke i argumentuar me fakte konkrete, bile edhe me fotografi përkatëse, arriti ta bind shefin e policisë për këto veprime të policëve të tij. Xhevdet Hamza,( njëri nga drejtuesit e LNÇ të Kosovës), mori vendim të guximshën duke e larguar zv.postkomandantin-kriminelin, Dragan Nikoliqin nga policia.

Në këtë mënyrë profesor Kadriu mishrohej me vuajtjet dhe problemet e fshatarëve duke bërë përpjekje mbinjerëzore për tu dalë në ndihmë novojtarëve. Kështu, autoriteti i profesor Kadriut dita- ditës rritej jo vetëm tek kolegët , por edhe më shumë tek fshatarët hallexhinj. Krahas kësaj rritej edhe urrejtja e Udbashëve e sherbëtorëve të tyre lokal ndaj profesor Kadriut. Ne shokët, i rrinim afer Atij nga frika se do ti ndodhë ndonjë e keqe nga kurthet që mund t'ia ngrihnin dhe shpesh kjo na bente të dukeshim sikur  ishim truprojet e Tij.

Me të drejtë mund të thuhet se për këtë kohë sa veproi profesor Kadriu në këto anë të Malësisë së Gallapit, u shëndërrua në një yll të vërtetë, i cili rrezatonte rreze lirije dhe shprese për fshatarët që të mbijetojnë gjithë këtë katrahurë të cilën e ushtronte pushteti pushtues me në krye Tito-Rankoviç.

Vepra e profesor Kadriut, në gjithë Malësinë e Gallapit,  edhe sot e nesër e per të gjatë mot, do të mbahet mend. Ai do të kujtohet si një revolucionar i vërtetë, si një atdhetar përmasash kombëtare dhe mbi të gjitha si një militant i çeshtjes kombëtare shqiptare, për çlirim e bashkim kombëtar. Ideali i profesor Kadriut ishte bërja e Shqipërisë Etnike.

Lavdi Veprës të profesor Kadri Osmani-Mani!

(Për ZemraShqiptare dhe ShqiperiEtnike, Fazli Maloku, Prishtinë, Nëntor 2012)

-Dorëzoi për botim, redaktori Zeqir Lushaj-



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora