Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ukshin Zajmi: Arif Kosumi - Luftëtar për Pavarësinë e trojeve shqiptare

| E enjte, 15.11.2012, 07:37 PM |


Arif Ajet Kosumi - luftëtar që ra, ndër të parët, për Pavarësinë e trojeve shqiptare

Nga Ukshin Zajmi

Tygjeci, fshat i Malësisë së Gallapit të Dardanës në Kosovë, pati fat që pas ndarjes së trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit, të mbetët fshat në territorin shqiptar e të jetë në afërsi të kufirit me Serbinë dhe të jetë fqiu i parë i Sfircës, fshatit të ndarë përgjysmë. Pikërisht nga kjo, Tygjeci u bë edhe një vend strategjik, si për perandorinë otomane ashtu edhe për ate serbe, ndaj pushteti otoman duke ndier se do të tërhiqet nga disa vende të pushtuara, ajo disa vite para Kongresit të Berlinit ngriti në kodrinën më të lartë të Tygjeciti (1030 metra lartësi mbidetare), Kullën, një lloj objekti logjistik ku vendosëshin rojet e kufirit, municioni dhe ushqimet për ta, pastaj ishin edhe zyret e udhëheqjes së tyre. Kjo kullë u ngrit me gurët që u bartën nga fshati Boroc, pas 1878 në territor të Serbisë, e deri atëherë ishte vendbanim shqiptar i Gallapit.

Banorët e Tygjecit, ndonëse në zonë kufitare, shfrytëzoheshin me të madhe nga perandoria otomane. Ata nuk kishin mundësi t’u iknin tatimeve të ndryshme, sepse çdo herë ishin në kontakt me nëpunësit otoman, ishin të sulmuar tinzisht nga forcat e mëshefta paramilitare serbe-çetnikët, që ishin formuar me qëllim që banorët në territorin shqiptar të perandorisë otomane në kufi me Serbinë ta shqetsonin.

Në këto rrethana, në vitin 1858 apo 1859 lindi në Tygjec, Arifi, djali i Ajet Kosumit. Kjo datë është përcaktuar në bazë të fjalëve të nipit të tij Halil Salih Kosumi, tash me vendbanim në Ajvali të Prishtinës, i cili na tha se kur është vra në luftën e Kapisë në Sfircë, me 1912, gjyshi ka qenë 54 apo 55 vjeçar.

Arifi, deri sa u rrit në moshën 18 vjeçare qëndroi në Tygjec. Aty merrej me punët e bagëtisë dhe punë tjera fushore, por edhe mësonte të hoxha i fshatit. Sipas rrëfimeve të bashkëmoshatëve të tij dallohej bukur shumë nga shokët e vet, sepse mësonte mirë predikimet e hoxhës, por edhe merrej me krijime të ndryshme nga druri. Më së shumti e mundonte rrugëtimi i gjatë deri në Medvegjë apo Gjilan për të blerë gjësende të nevojshme për nevoja shtëpiake, e atëherë më së shumti nevoitej “gazi” vajguri për ndriqim dhe kripa, por edhe ndonji shkrepsë për të ndezur zjarrin, edhepse për këtë punë, më shumë, përdorej “unuri” një lloj hekuri, i cili kur përplasej me gur-gac (strall) lëshonte xixa, xixë kjo që e ndezte eshkën dhe me te ndizej zjarri.

Në vitin 1876 Arifin shkon ushtar në ushtrinë otomane. Në këtë ushtri ai qëndroi 9 vite. Gjatë qëndrimit në ushtrinë otomane ai udhëtoi në shumë vende, së pari në Bullgari, Edirne e pastaj në vendet e Lindjes së mesme deri në vendet arabe. Gjatë kësaj kohe ai u avancua bukur mirë në hierarkinë ushtarake, duke arritur deri në gradën e një udhëheqësi të artit ushtarak të rangut të mesëm. Pas kryerjes së ushtrisë, Arifi kthehet në vendlindje-Tygjec, në vitin 1885.

Pas kthimit të tij nga shërbimi ushtarak, ai së pari angazhohet për të ngritur një objekt tregtar për nevojat e fshatit, por kuptohet edhe për të mirën e familjes së tij. Kështu ai ngriti një objekt afër familjes së tij të ngushtë. Objekti ishte dy katëshe, përkatësisht kishte katin përdhes, të cilin e bëri objekt tregtar dhe një depo ndërsa në kat kishte dhoma me një korridor të vogël. Këto dhoma shpesh herë përdorëshin edhe për fjetje të udhtarëve të ndryshëm që në këto anë i zente nata, andaj edhe fshatarët e kësaj ane filluan edhe ta quajnë Han, pra, një lloj vendfjetjeje, apo siç i themi sot, motel.

Pasi e ndërtoi shitoren dhe Hanin, Arifi udhëtonte në Shkup, Tiranë, Shkodër e madje edhe në Selanik për të sjellur mall. Për shitjen e mallit angazhoi vëllaun e tij Salihun. Në këtë kohë Arifi martohet dhe kështu edhe krijon familjen e tij të ngushtë. Ai nga kjo martesë pati katër djem: Hysenin, Salihun, Mustafën dhe Kadriun. Gjatë kësaj kohe, Arifi heton se familja e tij, por edhe banorët e Tygjecit dhe të kësaj ane, më së vështiri e kanë me bluarjen e drithit, gjatë periudhës së dimrit kur ngriheshin lumenjt dhe gjatë verës kur shterreshin të njejtit nga thatësia e madhe. Andaj ai bluante në kokë se si të zgjidhte këtë problem.

Në ndërkohë rrjedhat historike bënë që situata politike të ndryshon, andaj falë ndikimit të fuqive të mëdha që ishin në atë kohë, mundësuan që fuqia otomane të fillon dobësimin, por vihej në pyetje edhe situata në katër vilajetet ku kishte shqiptarë të bie në interesa të shteteve të tjera. Kështu, grekët përgatiteshin për një luftë kundër perandorisë otomane, andaj rrezikohej që vilajeti i Janinës  të coptohej e të bëhet grek, andaj edhe ushtria otomane përgatitej për luftën e Thesalisë. Kjo luftë ndër shqiptarë njihej si lufta e Gjilitit, andaj edhe Arifi si epror rezervë që ishte u përgatit për pjesëmarrje në këtë luftë. Me mobilizimin e redifëve (rezervisteve) të kësaj ane, Arifi mori me vete edhe Salihun, vëllaun e tij dhe shumë banorë të kësaj ane. Me te shkuan edhe Hajrizi i Ramës i familjës së gjërë të tij nga Tygjeci, Hyseni i Shillovëve të Gmicës e shumë të tjerë. Me të arritur në front, Arifi merr rolin e një udhëheqësi të një reparti ushtarak, por edhe kupton se ushtria otomane duhet të tërhiqet nga lufta, por këtë nuk e lejon karakteri dhe dëshira për të mbajtur kompakt ende vilajetin e Janinës. Këtë edhe më tepër e entuziazmon pjesëmarrja e shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës në krye me Isa Boletinin, andaj Arifi këtu edhe thyen disa rregulla ushtarake. Në momentin kur eprori ushtarak otoman jep urdhër për tërheqje, Arifi rrëmbën borazanin, nga ushtari i ngarkuar me te, dhe në vend të urdhërit për dorëheqje ai jep urdhër për sulm të furishëm. Sipas Kadriut të gjatë (Morina) nga Kopërnica, i cili kishte qenë ushtarë bri Kadriut, eprorët otoman u hidhëruar dhe vendosën që pas përfundimit të luftës Arifin ta pushkatojnë. Mirëpo, ky urdhër i tij bëri që lufta  të fitohet dhe grekët të tërhiqen të mundur. Kjo luftë zgjati 30 ditë (5.4-5.5.1897), dhe mëqe u fitua, sulltan Abdylhamiti të gjithë ushtarët i dekoroi me medalje të argjendt, edhepse nën trusnin e fuqive të mëdha rezultatet e luftës nuk u gëzuan, sepse perandoria otomane u tërhoq nga kjo fitore. Mirëpo, fitorja e arritur, falë urdhërit të Arif Ajet Kosumit, ai nuk u pushkatua, por iu dha një e drejtë që të kontrolon të gjithë të vrarët në këtë luftë për të gjetur kufomën e vëllait të tij, Salihut. Edhepse Arifi dhe Kadriu nga Kopërnica kontrolluan 400 të vrarë, trupi i vëllait të tij nuk u gjet.

Me të përfunduar lufta, rezervistët u kthyen nëpër shtëpia ndërsa Arifi nuk u kthye me ta. Ai nga këtu udhëtoi për Selanik e Stamboll, ku bleu paisjet për një mulli të kombinuar me erë dhe me fuqi tërheqëse. Ate me tren e solli deri në Bujanoc, ndërsa prej aty me qerre e barti deri në Tygjec. Edhepse solli këto paime, ai duke u ballafaquar me probleme të tjera jetësore nuk arriti që më të gjallë të tij t’a konstruktoi këtë mulli, si bazën e parë të industrisë ushqimore në këto anë.

Aktiviteti në vazhdim i Arif Kosumit ishte në furnizimin e shitores së tij me artikuj që nuk gjendeshin këndej, madje edhe me material tekstili. Në kohën kur perandoria otomane përpelitej nga trusnit e ndryshme nga jashtë dhe koalicionet e brendshme, Arifi në kodrinën te Kulla, e naltësisë mbidetare 1030 metra, mbolli 6 fidane qershi. Pas rrënimit të kullës, me 1912, këto qershi kanë qenë pika orientimi për shumë veta që kanë patur qëllim fshatin Tygjec, sepse kjo kodrinë e zhveshur me grumbullin e qershive dallohej nga larg, madje edhe nga kodrinat përrreth Gjilanit.

Tërheqja graduale e forcave otomane nga Kosova, e më këtë edhe nga fshatrat e Gallapit të Dardanës, zgjuan tek popullata ndjenja kombëtare të cilat tashmë mundën ato fetare. Andaj në këto anë filluan edhe aksione të ndryshme për të larguar pushtetarët otoman. Në këtë kohë edhe shteti fqinj Serbia filloi agjitacionet për të përfituar krerët shqiptar për interesa të veta. Ata bazoheshin në fjalët e shefit të gjeneralshtabit Austrohungarez Bek, i cili kishte konstatuar se: ”çelësi strategjik i Balkanit është Kosova e jo Stambolli, dhe kush siguron dominimin në këtë territor ai nga aspekti ushtarako-politik do të dominon në Ballkan”. Në këtë kotekst organizohen aksione të ndryshme, qëllimet e të cilave kanë opcione të ndryshme. Kështu autoritetet serbe vazhdimit dërgonin armë konsulates serbe në Shkup, të cilët armatosnin njësitë çetnike në Vilajetin e Kosovës, por ua ndanin edhe krerëve shqiptarë, ndërsa shqiptarët formonin njësi për të përzënë forcat otomane, por edhe për t’iu përballë sulmeve të njësive otomane. Kështu nëpër malet e Marecit shiheshin shpesh këto njësi, ndërsa në vet Gjilanin është shtënë me armë në patrollat e xhandarmërisë otomane.

Me të kthyer nga Shkupi, të Brahimit të Zenamit kryeplak në Tygjec, i cili së bashku me shumë banor të tjerë të kësaj ane kishin qenë në radhet e vullnetarëve për çlirimit të selisë së Vilajetit të Kosovës në gusht të vitit 1912, banorët e kësaj ane mësuen për përgatijet serbe për të sulmuar territoret e tyre. Në Kullë të Tygjecit, municion nuk kishte fare, pos një pjese të ushqimit që kishte mbetur për telegrafistin dhe familjen e tij, ndërsa për kullën kujdesej vetëm Ismajli i Ramës. Banorët e kësaj ane filluan të përgatiten. Disa armë i kishin, por municioni ishte i paktë.

Disa ditë para sulmit të serbëve në këtë anë, një çetnik serb i veshur në rroba të qytetarit të rendomt e i përcjellur nga një shqiptar i Sfircës së mbrenshme (që ishte në territorin serb) në Tygjec, por edhe në fshatrat tjara sjellë një proklamat të lëshuar nga komandanti i Armatës së tretë serbe Bozhidar Jankoviç. Proklamata ishte e shkruar ne alfabetin çirilik, por fjalët i kishte shqip të titulluar: "T Tona Fiseve n`Shqipni, or vllazni", në të cilën i ftonte shqiptarët që të mos i bëjnë rezistencë ushtrisë serbe, sepse ajo kishte ardhur si "mike e shqiptarëve" për "të përzënë ushtrinë turke nga Ballkani"! Në fund të proklamatës porositen shqiptarët, që nëse do të shtinin në ushtrinë serbe "pushk  kemi me qit n qato, qi qetë në ne, elle na lasht Zoti, shkrum kemi me e bo qat shpi, e katundin, qi na kthen pushk n, e qato qi na pret vllaznisht, kemi me perqaf vllaznisht, sikur vllau vllaun, se po vim m nji dor: Bes’ n e Zotit, dretën e njerzin, e në qetrën po bajim arm e zjarm...".

Me të kuptuar përmbajtjen e kësaj proklamate, Arif Ajet Kosumi, i tërbuar u shpreh: “Asnji ska me kapërcue kufirin deri sa të jem une gjallë, e përmbi trupin tim të vdekur mund të hyjnë”! Ai menjëherë angazhoi njerëz për të ftuar vullnetarë nga Tygjeci dhe fshatrat fqinj për të mbrojtur kufirin. Shqiptarëve të Sfircës, pjesës që graviton në anën serbe u qoi fjalë që të mos merrnin pjesë në armatën serbe, por gjithqysh t’i njoftojnë kur repartet t’i afrohen Kapisë. Në thirrjen e Arifit, në Tygjec u mblodhen mbi 70 burra të armatosur nga Tygjeci, Sfirca, Zajçeci, Gmica e fshatra të tjerë dhe aty të gjithë lidhen Besën se të gjallë nuk do të lejojnë kalimin e Serbëve ne territorin e tyre. Të gjithë këtyre burrave tallkinin, për së gjalli, ua këndoi mulla Misim Doda nga Sfirca, që ishte imam i xhamisë në Tygjec prej vitit 1906.

Të gjithë këta burra u nisën drejt kufirit dhe qëndruan te Kapija. Kur u erdhi lajmi nga shqiptarët e Sfircës se ushtria serbe është nise nga Siarina për të dalë te kufiri, ata vranë dy ushtar serb që ishin në karaoll (vrojtore) në kufi dhe hynë dikund 700-800 metra thellë në territorin e Sfircës së mbrendshme (Serbi) dhe zunë pozicionet. Këtë e bënë me qëllim që t’a befasojnë ushtrinë serbe e t’u sjellin humbje më të mëdha, sepse e dinin që municion nuk kanë shumë. Me të paraqitur të ushtrisë serbe në një lendinë të rreshtuar në marshim, me urdhin e Arifit fillon qitja drejt tyre. Në ushtrinë serbe u krijua tollovi nga habia, sepse ata kishin menduar se duhet ende kohë e rrugë për të dalur në kufi. Por, edhe në radhet e tyre fillon zënia e pozicioneve, por pa komandë të duhur, andaj nga rreshti u nxorën rreth 260 veta.

Pas kësaj tollovie Arifi komandon që të mos çitet pa e parë cakun mirë, andaj nga ana e mbrotjësve të kufirin bie intenziteti i qitjeve, ndërsa ushtria serbe fillon me çitje të rrebeshme. do tentim për ta kapërcuer lendinën nga pozitata serbe ndëshkohej me vrasje. Në ndërkohë me zhvillimin e luftimeve, ushtria serbe zgjëroi pozicionet dhe doli edhe në krah të mbrojtësve shqiptar dhe kështu një plumb nga anash e qëlloi edhe Arifin. Me vrasjen e Arifit, mbrojtësi tjerë, ata që nuk ishin vrarë apo ishin plagosur u tërhoqën. Mulla Rama i Sfircës, thonë më zorrë në duer shkoi deri te luadhet e Dodajve, ku vdiq, dhe në at vend edhe sot i gjendet varri. Arifin e kanë varrosur, nja 10 metra afër vendit ku është vrarë, antarët e familjes së Qazimit të Xhelës të Sfircës, të cilët kanë thënë se ai në pushkë e kishte pasë vetëm edhe një plumb. Thuhet se ai është i varrosur në një varr së bashku me mulla Misinin apo me Maliq Kurtin. Kjo luftë zgjati vetëm tri orë. Pasi u thye kufiri, forcat serbe dolën ne vendin e quajtur Novak, dhe prej aty me top gjuan Tygjecin dhe rrafshuan kullën. Popullsia iku nga këtu dhe arriti deri në Koretin, ku u dolën përpara forcat serbe, çetnikët e organizuar më heret në territorin e Vilajetit të Kosovës, dhe i ktheyn. Kur u kthyen nëpër shtëpi, ato nuk ishin shkatërruar, por ishin plaçkitur dhe çdo gjë e vlefshme ishte marrë.

Forcat tjera për mbrojtjen e kufirit thonë se kanë qenë të pozicionuara prej Sfirces e deri në Shurqel afër Lisockës, forca me të cilat ka udhëheq Idriz Seferi.

 

Literarura:

1.Fazli Hajrizi: Mbrojtja e trojeve shqiptare nga shovinistët fqinj,

2.Dr.Milazim Krasniqi: Lufta e armatosur shqiptare për Kosovën ka filluar në vitin 1912

3.Bogumil Hrabak: Orijentacija kosovskih i debarskih albanaca u prvim mesecima 1912 godine

4.Bislim.B. Pireva: Dhuna njëqindvjeçare serbe I (Tygjec,Sfircë, Zajçec dhe Gmicë), Prishtinë 2010

5. Xhemush Biçku:”Xhamitë e Dardanës”

6. Sheradin Berisha: Kosova midis çlirimit nga Turqia dhe pushtimit nga Serbia, Janar-Nëntor 1912,

7.Branisllav Millosavleviq:”Prvi na Kosovu” Beograd 1930

8. Prvi Balkanski rat-Fejton në gazetën Veçernje novosti, Tetor 2012

9. Deklaratë e Shaban Mahmut Rama (1926) dhënë autorit

10. Deklaratë e Halil Salih Kosumit (1933) dhënë autorit

11.Ukshin Zajmi: Në mbrojtjen e Kosovës u vranë më tepër se 25 mijë shqiptarë, Zëri, 13.XII.2008 faqe 31.