Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Daniel Gazulli - Shko dallëndyshë

| E marte, 13.11.2012, 06:25 AM |


Shko dallëndyshë

 

Shenim i redaktorit:

 

-Daniel Gazulli, u nda nga jeta në të gjallë dhe tani e mbrapa i takon mbretrisë së qiellit. Zoti e pastë nën kujdesin e vet!

-500 fjalë, per një pare,-thotë populli. Ai, Danieli Ynë, Danieli i ZemresShqiptare, tani nuk është më në mes nesh.

Iken Njeriu, por mbetet e jeton kujtimi i tij, vepra e tij.Jeton Gazulloida!

Kurr nuk e kam takuar Danielin e nderuar.   E kerkova vjet në verë gjatë pushimeve, por nuk paska qenë e thanë per me u pa në të gjallë. Por, edhe Unë, gjejë një mënyrë ngushellimi: - E kam një veper, sado modeste, bashkë me Danielin. Ia di per nderë Selim Nëngurrës që na bashkoi në faqet e librit të tij “Fluturoj mbi Podgur”. Në atë liber , i paharruari Daniel është reçensent dhe unë redaktor.

Në shenj nderimi per mikun që se takova kurrë, po e ribotoj per lexuesit reçensen e tij fjalëëmbël e kompetente, si gjithnjë ku e vinte penden e tij të artë.

...!

Shko dallëndyshë

Nga Daniel Gazulli

Cili prej nesh, kur ishte në shkollë, nuk u prek prej kësaj poezie mallëngjyese të mërgimtarit Filip Shiroka? Malli i mërgimtarit, një ndjenjë gërryese, që të cfilisë shpirtin, në poezinë e Shirokës ngjan si vajë.

E asht për t’u besue: Cilit nuk iu përshkënditën sytë kur u gjend për një kohë të gjatë larg Atdheut?

T`kisha krahë sikur Shqipoja,
T`fluturoja për ajrì,
Ditë për ditë do dëshiroja
Tek ti t`vija, Dardani.

A nuk të kujtojnë këto vargje të Selim Hasanajt pikërisht poezinë e Filip Shirokës, por tashma jo me një mallë që i lihet porosi dallendyshës, po që “fluturimin” e andërron fizikisht?

Ky asht edhe lajmotivi i poezive të mërgimtarit Selim Hasanaj, birit të Dardanisë, që edhe mbas pothuej 20 vjetëve në Norvegji, jeton e vuen përsëri atje, në Istogun e tij, joqë në Nëngurrën e tij, Vendlindjen e përvëlueme; ai jeton shpirtnisht e vuen për Dardaninë e tij, djepin e sa burrave të shquem, po edhe truell i një historie sa tragjike, shpesh herë edhe paradoksale.

Në poezinë e tij vijnë natyrshëm e ligjërojnë herojtë, prej Gjergj Kastriotit tek Nanë Terza, prej Pjetër Bogdanit tek i madhi Ibrahim Rugova; poaq i fortë asht malli për njerëzit e dashtun që prehen me të shumtit atje në Dardani, i ati, nana, vëllaj që iku aq i ri.

Poezia nuk asht e stërhollueme, nuk asht një shkollë e re metrike, përkundrazi; por ajo asht nga ato që, si thotë populli, “kur fjala del nga zemra godet në zemër”. Edhe sikur vetëm poemthi Shkoj  n`Vendlindje nga Høysandi”, të botohej si vepër më vete, do të mjaftonte me kuptue e me ndje brengën dhe dashuninë e pamatë të Autorit për trojet e të parëve, që asht detyrue me i braktisë si rrjedhojë e barbarisë serbe mbi shqiptarë.

Vështirë të thuesh çfarë ka ndodhë me Poetin gjatë jetë së tij, në kuptimin e evolimit të tij shoqnor e filozofik. Por për diçka tashma jemi të sigurtë: evoluimi i tij e ka kthye tek rrajët, e kjo nuk po ndodh me të gjithë ata që u çliruen nga çizmja e shkjaut, por nuk po çlirohen dot nga “çizmja” e një mendësie skllave të trashigimisë ma të herëshme pushtuese, asaj osmane. Prandaj edhe jo rastësisht herojtë e tij janë ata që përmendem pak ma nalt, Kastrioti, Bogdani, Haxhi Zeka e Azem Galica, me ardhë tek “i flijuemi i madh”, Presidenti Rugova. Pra rrajët janë thjeshtë arbnore, janë ilire, pjesë solide etnoformuese europiane; rrajët kanë lëshue trup e degë, e pikërisht atyne u këndon ai, në katër anët e trojeve shqiptare, nga Konica e Noli, tek Matrenga e De Rada, nga Gjon Gàzulli e Fishta, tek Nana e Madhe, apo Ibrahim Rugova e Adem Jashari.

Nëse këto poezi do t’i lexonte një i huej, do të mahnitej edhe me bukuritë natyrore që përshkruhen pothuej në të gjitha poezitë, aq sa të mendojë se Dardania do të jetë ma i bukur vend në botë; atëherë të kujtohen vargjet e Fishtës kur shkruen për Atdheun e tij:

Qielli i kaltër, toka e blerë,

Njeti dimën, këtu pranëverë.

Pse dashunia, malli, edhe bokërrimat t’i kthen në pllaja të lulëzueme.

Veçanarisht ndamja njëherë e mirë me të shkuemen tek Hasanaj asht e preme:

Due Krujën legjendare,
Kështjellën e Gjergjit,

Krenarisë Kombëtare.
Urrej faltoret përreth,

Mbeturina pesë shekujsh skëterre.

Asht një lajtmotiv, që herë drejtpërdrejt, herë terthoraz, shprehet me hove zemre. Kjo mund të vërehet që me trajtimin e temave me domethanje të fortë kombëtare si tek poezitë kushtue Nanë Terezës, përurimit të Katedrales në Prishtinë, veçanarisht në nderimin e thellë për flijimin shpirtnor të Rugovës, por qoftë edhe tek një poezi e thjeshtë, si asht rasti i përvjetorit të një shkolle shqipe në Oslo, ku mësohet e flitet gjuha shqipe (dikur e mohueme edhe në trojet e veta).

Por edhe shqetësimet për të sotmen, për ato hije të vjetra që zgjaten që nga Shkretina Arabike, ashtu edhe për sa dukuni rrënuese që kanë molisë Kosovën, si korrupsioni, babëzitja për pushtet, një luftë e re vëllavrasëse e një përçamje e thellë në mes të një popullsie që ende nuk ka shërue plagët e shekujve robnie e të një lufte të pabarabartë me barbarët serbë, i dhambin aq shumë Poetit tonë:

Si të t’i shëroj plagët
Që molisn trupin tand,
E mue në shpirt më therin?
flijohem per Ty,

Dardani,

Vallë, dhimbjet shtjerrin?

Nuk mund të ishte ndrysh: asht në natyrën e poetëve të ndjejnë ma të parët të keqen që shfaqet shpesh herë me emfazë patriotike e mbas së cilës fshihet ndoshta edhe një tragjedi; shikon lojën politike të sotme në Kosovë e t’i japish të drejtë Autorit kur flet për plagë “që molisin trupin tand” (Poezia “Kush më thotë, si?”).

Tema asht unikale: dashuni dhe dhimbje. Mungon, si tek shumica e poetëve kosovarë, lirika e mirëfilltë. E kjo ka shpjegimet e veta: nuk paten kohë me u endë në andrra dashunore, se mizoritë që provuen ua thanë shpesh buzëqeshjen.

Në fund të fundit poezia e Selim Hasanajt duket qartë se nuk asht një trill i thjeshtë poetik, a s’ka qenë ndoshta as andërra e tij rinore të bahej poet. Jo, poezia e tij asht nevojë me shfrye shpirtin e plasun dje e të plasun sot. Si thotë Fishta kur qorton Petrarkën se, a nuk kishte të tjera shqetësime Italia që të merrej vetëm me lirika dashunie, këtu gjithçka asht e kthjelltë: Plagë e andërra; plagët e së djeshmës, andërrat për një Dardani të lirë e europiane, që shpesh kthehen në zhgënjime.

Po janë shqetësime poetike. Dardania, me gjithë rrugën e mundimëshme që do t’i duhet ende me ba, të ardhmen e ka andej nga, si thotë Niami i madh, “Dielli lind andej nga përendon”.

Ata që njohin publiçistiken e Hasanajt, shpesh herë e ashpër, zemrake, nuk kanë pse të çuditen: në poezinë e tij flet zemra, ma shumë se mandja, prandaj edhe ajo vjen herë herë malenkolike dhe gjithmonë ngërthen një dhimbje të madhe që i ka rrajët tek dashunia e pakushtëzuem për Atdheun.

Mirë se ardhëshin penda të tilla!

Daniel Gàzulli

------------------------------