E marte, 23.04.2024, 07:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Krist Gjinaj: Daniel Gazulli - Jetëshkrim ( 4.10.1944-12.11.2012)

E marte, 13.11.2012, 06:20 AM


Daniel GÀZULLI

Jetëshkrim

Jam i sigurtë se im’amë, e mira, do të kishte heqë dorë nga ajo lojë e ngatrrueme me tim atë, që më solli në jetë, po ta kishte dijtë ç’kalvar do të kalonte i biri. Ishte saktësisht ora 13:45 e datës 4 tetor 1944 kur unë qava për herë të parë, e thonë se qava shumë, sikur parandjeja që e ardhmja që më priste do të ishte as ma pak e as ma shumë, po një rrugë mundimesh të pafund.

Kur fillova të rritesha, e bashkë me moshën u shtuan edhe mbrapshtitë e mia, dëgjoja të më qortonin shpesh e të më kujtonin se unë nuk mund ta baja këte apo ate, sepse isha “një Gàzull”. Aq shpesh ma përsëriste këte sidomos im ungj Simoni, sa ngandonjëherë matesha t’i thoja se isha gati të hiqja dorë nga mbiemni, mjaft të më linin rehat, se unë nuk dija të sillesha ndrysh. (Ma vonë – jo fort ma vonë, kam qenë ma pak se adoleshent – i kam qenë mirënjohës mbiemnit, sepse më nxiti të isha dikush, sidomos të stujoja, ndërsa kërkoja të vërtetat për Gjon Gàzullin, atë astronomin e matematikanin e shquem dhe ambasador i Kastriotit në Shekullin e Madh, shekullin e XV, deri tek Gjon Gàzulli i fundit, deputet Nolist, varë në litar në Fushë të Druve në Shkoder më 05 mars 1927, e tek  gjuhëtari Nikollë Gazulli, pushkatue më 02 shkurt 1946, që na kishte lanë një liber të trashë me titull “Fjalorth i Ri”).

Ja, kështu fillova të rritesha unë.

Shpejt, shumë shpejt, isha jo ma shumë se 11 a 12 vjeç, një pyetje e ankthëshme filloi të më mundonte.

Kisha dëgjue prej të mijëve se si kishin luftue kundër otomanëve, kundër Shkjaut e Fashizmit. Po ja që, në bisedat e të moshuemëve, më kapte veshi herë mbas here disa thanje që më shqetësonin thellë në shpirtin tim ende të parrahun me dallgët e jetës.

Ata shpresonin të vinte “inglizi” e të nxirrte jashtë “këta të Moskovit”.  “Këta të Moskovit”, unë e dija se ishin pushtetarët tanë, komunistët, që nuk ishin të huej, kurse të moshuemit tanë shpresonin e kërkonin që “inglizi” t’i nxirrte jashtë, si të ishin pushtues. Ishte një punë tepër e ngatrrueme për mue në atë moshë, por që nuk u desh shumë kohë të më kthjellohej gjithçka, edhe pse unë “rioshi rebel” nuk isha për ndihmë të “inglizit”.

Nga mosha 14 deri më 20 vjeç pata për udhëheqës shpirtnor Atë Justin Rrotën, fratin e urtë, klerikun përparimtar, gjuhëtarin e shquem, mbi te gjitha NJERIUN E MADH. Ai më mori përdore (edhe pse vetë ishte gjysë i paralizuem) e më shkëputi nga bestytni të kota, nga fantizmi, që ishte një mësim aq i vlefshëm, sidomos për një qytet si Shkodra ku unë po rritesha mes njëmijë dyshimesh, që vinin nga paaftësia ime me kuptue e me shpjegue çka ndodhte rreth nesh.

Kisha fillue të shkrueja poezi e tregime që në moshë fare të re, po profesori im i letërsisë në shkollën e mesme, më porosiste “t’i ruaja, t’i hiqja mënjëanë, për kohë ma të mira, e të mos ia jepja kujtëdo t’i lexonte. T’i dërgoja për botim jo e jo”. E pra unë ato nuk i shkruaja kundër Shtetit, as më shkonte në mend një gja e tillë, po shkrimet ashtu vinin vetiu.

Më 1967 më larguan nga arsimi, si i padenje me edukue brezin e ri me frymë revolucionare. Në atë largim randonte edhe një gabim i imi rinor, por randonte sidomos fakti që të dy gjyshët e mi, nga baba e nga nana, kishin qenë kulakë.

M’u desh të përballesha me vështirësi të jetës së përditëshme ndërsa punoja punëtor në bujqësi, pak ma vonë normist, llogaritar në Ndërmarrjen Bujqësore të Lezhës e ma vonë në Ndërmarrjen Pyjore.

Pikërisht atëherë ndjeva se kisha nevojë për hapsina të tjera.

Më 18-20 gusht 1968 shkrova romanin “Një vit dhe një jetë”. E mbaj mendë mirë, sepse mëngjesin e 21 gushtit, ndërsa kërkoja diku muzikë në radjo për t’u çlodhë, mësova se Bashkimi Sovjetik kishte pushtue Çekosllavakinë, një akt, tronditja nga i cili nuk më ka kalue as sot e kësaj dite.

Po atë vit, nga fundi i tetorit, shkrova romanin “Anmiku i popullit” dhe rreth gjashtë muej ma vonë romanin tjetër “Jeta nuk asht lpjë”.

Por tashti po ndodhte diçka që nuk e kisha mendue kurrë: zvenitja përfundimtare e shpresave. Ka qenë një ndjesi rrënuese, që më çoi gati të hiqja dorë nga letërsia, sidomos nga krijimtaria, aq sa, në vitet ‘70/’80 shkruaja tepër rrallë, vetëm kur shpirti nuk mbante ma, e atëherë shfreja në ndonjë poezi, që i kam përmbledhë në vëllimin “Pëshpëritje në vargje”. Vitet në vazhdim qenë thjeshtë përpjekje me mbijetue e me rritë dy vajza të mira.

Në vitet ’90, mbas përmbysjes së madhe, kam qenë ndër të zhgënjyemit e parë. Kudo, në çdo qelizë të Shtetit, të politikës, të mediave, të ekonomisë, të botës shpirtnore, u ricikluen njerëzit e diktaturës, trazime të mbrendëshme që i kam pasqyrue në ciklin poetik “Shpresa dhe zhgënjime”.

Gjatë periudhës të një mërgimi të detyruem, shkurt 2000 – prill 2003, shfreja vetëm në poezi, një pjesë të të cilave i kam përmbledhë në ciklin “Mallë”.

Kur u ktheva në Atdhe më 2003, nuk arrijta ta mbaja ma për vete zhgënjimin e kështu lindi romani “Mërgimtar në Atdhe” e pak ma vonë romani “Deti në mes”.

Gjatë gjithë jetës, edhe pse janë fusha ku unë nuk kam asnjë lloj përgatitjeje të mirëfilltë, jam marrë edhe me hulumtime gjuhësore, etnologjike, folklorike. Pjellë e këtyne qasjeve janë vëllimi “Rrëfime zadrimore”, studimi etnologjik “Sapa” (bocet), sidhe ndonjë shfrim gjuhësor si “Gjuha shqipe, e mira, e mjera”.

Ja, pra, ky do të ishte pak a shumë jetëshkri im, jetëshkrimi i njenit që tashma ka humbë sensin e humorit dhe të vetëironisë.

E nuk asht humbje e paktë.

P. S.

Vepra te botueme:

1. Një vit dhe nje jetë                       roman

2. Anmiku i popullit                          roman             USA

3. Mërgimtar në Atdhe                     roman             USA

4. Deti në mes                                  roman             USA

5. Saga e Abelëve                           trilogji

6. Rrëfime zadrimore                       ndodhì e urtì

7. Vjeshtë në Lebjanë                     novela e tregime

8. Intervista me vajza të mira          tregime / intervista

9. Interviste con ragazze di vita     racconti / interviste   USA

10. Pëshpëritje në vargje                poezi

Shenim:Kjo është leter origjinale që më ka derguar i ndjeri Daniel Gazulli me daten 1 Mars 2010



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora