| E merkure, 14.11.2012, 07:38 PM |
Hyrje
Nga Albert Zholi (Shkrimtar, publicist)
Libri i
ri “Turizmi Shqiptar” i autorit Xhelal A. Marku, publicist i njohur i medias
vizive dhe i shtypit tonë të përditshëm, vjen për lexuesin, si një novojë e
domosdoshme e shërbimeve të kompletuara e cilësore për pushuesit, duke sjellë
për ta informacione të reja, të plota, të sakta e profesionale, që i duhen një
turisti, për të njohur Shqipërinë Turistike. Në kushtet e një zhvillimi të
vrullshëm e transformues të industrisë turistike në vend, Ky libër vjen si një
hapësirë e nevojshme promocionale, duke sjellë një imazh të ri të Turizmit
Shqiptar. Në libër janë pasqyruar me frymëzim e pasion, por dhe me një gjuhë të
rrjedhshme e me plot figuracione, resurset e shumta të këtij vendi, që nga
bukuritë natyrore, pasuritë e mëdha të trashëgimisë tonë historike e kulturore,
klima e mrekullueshme, tradita e lashtë shqiptare e mikpritjes e deri tek
historia e veçantë dhe unikale e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në
Shqipëri. Parë në këtë këndvështrim, libri sjellë një kontribut të rëndësishëm,
në përpjekjet për të rritur shkallën e promocionit e të imazhit turistik të
Shqipërisë në opinionin kombëtar e ndërkombëtar. Ai, dëshmon se Turizmi
Shqiptar, nuk është më ai i dikurshmi, i lënë pas dore e në harresë, por është
sektori më i rëndësishëm dhe më jetik i ekonomisë së vendit, me potenciale e me
resurse të shumta turistike, ku hedh shtat çdo ditë industria turistike e
vendit, tashmë edhe me një
infrastrukturë të përmirësuar ndjeshëm, që e bëjnë atë një vend të
lakmuar nga të gjithë vizitorët e huaj, për të kaluar pushimet e tyre, madje
edhe në të katër stinët e vitit, verë, vjeshtë, pranverë apo dimër qoftë. Për
vetë prioritetin, që ka marrë aktualisht sektori i turizmit në zhvillimin e
ekonomisë së vendit, në këtë periudhë tranzicioni në Shqipëri, detyrë parësore
është dhe mbetet menazhimi ndryshe i kësaj industrie të fuqishme të vendit, mbi
bazën e zbatimit të politikave e të teknologjive të reja kombëtare, në
përshtatje me kërkesat e tregut e të konkurencës së lirë, duke synuar turizmin
e shumëllojëshëm, gjithëhapsinor, gjithëvjetor e të qëndrueshëm, por dhe
nivelin e lartë të shërbimeve e të akomodimit, si i vetmi burim për rritjen e
fluksit të turistëve të huaj, që preferojnë të vizitojnë vendin tonë. Dhe në
këtë drejtim, Shqipëria, si vend ende i virgjër turistik dhe ende i paeksploruar
plotësisht në vlerat e larta e të shumta turistike që ka, ka favore në tregun
turistik botëror, e reflektuar kjo edhe me numrin vazhdimisht në rritje të
vizitorëve të huaj, që e frekuentojnë atë për çdo vit. Dihet tashmë, se
tendencat dhe prefe-rencat e turistëve të huaj, janë destinacionet e reja
turistike, për të mësuar e shijuar mjediset e panjohura turistike, klimën,
natyrën dhe bukuritë e saj, vlerat kulturore dhe historinë e vendeve të
pashkelura prej tyre. Ndaj, të huajt e synojnë turizmin shqiptar, sepse edhe
opinioni i mediave prestigjioze ndërkombëtare, i ka shprehur dëndur vlerësimet
e saj të larta për turizmin tonë, duke e klasifikuar atë, si vendin e parë në
botë, midis dhjetë vendeve, që rekomandohen prej tyre për t`u vizituar nga turistët
e huaj. Dhe fakti është, se turistët e huaj, që kanë vizituar Shqipërinë, janë
befasuar me bukuritë natyrore të saj, me bregdetin e pastër, klimën e
mrekullueshme, historinë e shkëlqyer të këtij populli vital, që ka ditur të
ruaj e të kultivojë në shekuj, modelin më të veçantë në Botë të bashkëjetesës e
të harmonisë ndërfetare. Është kjo arsye, që të huajt kërkojnë ta jetojnë
realitetin shqiptar, duke e prekur atë, kudo dhe në çdo skaj të vendit. Ata,
duan ta takojnë banorin shqiptar, të bisedojnë me të, të njohin historinë,
kulturën, traditat dhe kuzhinën shqiptare, të prekin gjithçka interesante e të
panjohur prej tyre. Dhe këtë, e bëjnë me dëshirën dhe pasionin e madh për të
mësuar sa më shumë për të kaluarën dhe të sotmen e vendit tonë, por dhe për të
shijuar të veçantat e turizmit shqiptar. Dihet se, për të rritur tregun
turistik të vizitorëve të huaj, që kanë destinacion të tyre Shqipërinë,
sigurisht që kërkohen standarte të reja, kërkohet një nivel i ri dhe më i lartë
i promocionit dhe imazhit turis-tik për Shqipërinë, kërkohen informacione të
plota e të drejtpërdrejta për Turizmin Shqiptar, por duhen gjithashtu edhe
botime të posaçme, madje dhe enkas për turistët e huaj, ndryshe nga ato që
lexuesi merr nga interneti. Dhe kjo ndodh, sepse jemi në një fazë, ku të gjithë
kemi nevojë për informacionin e ri, të saktë e profesionistë të specialistëve,
që njohin mirë turizmin dhe produktet e tij, që njohin kërkesat specifike të
vizitorëve të huaj e vendas, që njohin politikat dhe teknologjitë e reja të zhvillimit
të industrisë turistike shqiptare, që ndjekin dhe pasqyrojnë dinamikën e gjërë
të zhvillimit të kësaj industrie jetike për vendin tonë. Ky informacion është i
domosdoshëm për të gjithë, sepse ai i paraprinë punës për të ndërtuar një
turizëm cilësor, të shumëllojshëm e të qëndrueshëm, në përputhje me kërkesat
specifike të pushuesëve, për të ndërtuar atë produkt turistik, që kërkon tregu
sot, sfidues dhe konkurent të kohës. Ndaj, duke e parë në sintezën e vendeve me
turizëm të zhvi-lluar, sot Shqipërisë i duhet një turizëm ndryshe nga ai
tradicional, i duhet një turizëm cilësor, i shumëllojshëm dhe bashkëkohor, në
përshtatje me kërkesat e vizitorëve, që e kanë në preferencën e tyre vendin
tonë. Pra, vetëm me politika të qarta e afatgjata, industria turistike
shqiptare do të njohë progres e zhvillim të ri, për të qënë kurdoherë një
konkurent i denjë në tregun turistik botëror, ku cilësia dhe shumëllojshmëria e
produktit turistik, janë kolonat më madhore të saj, me të cilat operohet sot,
për të arritur standartet e larta, që kërkohen. Kështu, në stadin e tanishëm të
konkurencës së tregut rajonal e botëror, cilësia e lartë e kulturës së
shërbimeve dhe mjedisi i pastër, marrin një rëndësi parësore, sepse prej këtej
nis gatimi i produktit turistik për pushuesit e huaj e vendas. Ka rëndësi të
madhe të kuptohet nga të gjithë, se e ardhmja e ekonomisë së vendit tonë, sot i
ka sytë tek industria turistike, e cila për shumë vite ishte lënë në mëshirë të
fatit. Duke vlerësuar ritmet e larta të zhvillimit të Turizmit Shqiptar, në
fillimet e këtij shekulli që jetojmë, them se motorët e kësaj industrie tashmë
janë ndezur të gjithë dhe synojnë perspektiva të reja edhe më të mëdha në këtë
sektor. E rëndësishme është, se tani, në turizëm punohet me programe, me
politika e projekte të ngritura mbi studime të thella të konkurencës në tregun
turistik të Globit. Ndaj, që të zhvillohet turizmi, më parë duhet të bëhet e
qartë për të gjithë, se çfarë do të prodhosh nesër për ata që do të vijnë, me
qëllim që fluksi turistik i vizitorëve, që frekuentojnë vendin tonë, të jetë i
qëndrueshëm dhe vazhdimisht në rritje. Turisti i sotëm, mbi bazën e
informacioneve që merr, përcakton dhe vendin ku do t`i kalojë pushimet e tij.
Dhe në këtë drejtim, e them me bindje të plotë, se libri, “Turizmi Shqiptar” i
Xhelal A. Markut, sjellë një promocion të ri e të fuqishëm për Shqipërinë
Turistike, për imazhin e saj të ri e të mrekullueshëm, që tashmë është bërë
pjesë e përvitshme edhe e promocioneve të mediave e të shtypit të huaj më
prestigjioz të turizmit botëror. Tashmë ka ardhur koha që të mendohet
seriozisht për burimet njerëzore, për informacionin e gjerë që duhet të japim,
për kulturën e lartë të shërbimit, etj, me qëllim që mikpritja tradicionale
shqiptare të pasurohet me shumë elementë të tjerë të rinj, të gatimit, të
shërbimit cilësor e të akomodimit, që do të ndikojnë fuqishëm në zgjerimin e
tregut turistik nga e gjithë bota, duke synuar në rritjen e vazhdueshme të
numrit të turistëve, që preferojnë të kalojnë pushimet në vendin tonë, në Shqipëri.
Ky stad i zhvillimit të sotëm të Turizmit Shqiptar, nuk është arritur lehtë dhe
në mënyrë spontane, por me shumë mundë e përpjekje, duke zbatuar politika dhe
teknologji të reja e bashkëkohore zhvillimi. Dhe kjo kuptohet qartë, po të
sjellim ndërmend historinë e zhvillimit të turizmit shqiptar në të kaluarën, ku
mësojmë se ai ishte një sektor i pavlerësuar, me një zhvillim spontan dhe
pavizion, i harruar, por dhe me shumë pak traditë, për shkak të sundimit të
rregjimit diktatorial komunist, që në historinë e tij 50 vjeçare, e izoloi
plotësisht vendin. Edhe në të kaluarën, këtu ishin të gjitha resurset turistike
shqiptare, këtu ishte klima, deti, trashëgimia kulturore, mikpritja, etj, por
ishin politikat e gabuara, ato që pengonin zhvillimin e turizmit në vend. Ndaj,
nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur qeverisja e atëhershme ishte kundër
konceptit të një shoqërie konsumi, ku ofrimi i shërbimeve të shlodhjes e të
argëtimit, konsiderohej i huaj dhe mikroborgjez, ku arti i kulinarisë nuk u
zhvillua për shkak të varfërisë, ku në sferën e shërbimeve ekzistonin vetëm
restorante popullore, apo gjellëtore të ushqimit social, dhe ndërtimi i
hoteleve në qytetet kryesore, u bë vetëm në vitet 1970, atëherë kur nevoja për
thithjen e valutës së huaj, u pa si e domosdoshme për ekonominë e vendit. Me
këto koncepte lidhet edhe interesimi i pakët i opinionit publik mbi turizmin,
në vitet e para të demokracisë. Edhe pse Turizmi Shqiptar, sot ka pësuar një
zhvillim të madh e të gjith-anshëm, duke afirmuar vlerat e tij konkuruese në
tregun rajonal e botëror, ai ka ende shumë punë për të bërë, për t`u përfshirë
me të gjitha kapacitetet e tij, si një turizëm gjithëhapsinor, gjithvjetor dhe
i shumëllojshëm, që është. Gjithashtu, ka vend për të ndërtuar një promocion më
efektiv, me spote publicitare sensibilizuese, që t`i tregojnë opinionit publik
vendas rëndësinë, që ka turizmi ynë në zhvillimin ekonomik, pasi ato nxisin
sjelljen e kulturuar dhe shërbimin në nivelin e duhur, apo kritikojnë fenomenin
e përfitimit, tentativat zhvatëse, indiferencën që vihet re shpesh në sektorin
e shërbimeve në përgjithësi. Këto dhe probleme të tjera, që trajtohen në këtë
libër, do të shërbejnë si udhërrëfyes për turistët e huaj e vendas, që duan të
kalojnë pushimet në krahina apo qytete të ndryshme të atdheut tonë. Le të hapë
ky libër siparin e botimeve të tjera cilësore, që do t`i shërbejnë zhvillimit
të shpejt të industrisë turistike shqiptare, sipas standardeve konkuruese
bashkëkohore të tregut turistik botëror. Me këtë rast, dua t`i uroj suksese autorit
të librit, z. Xhelal A. Marku, i cili me përvojën e tij të gazetarit e
publicistit, ka ndërtuar me mjeshtëri renditjen e informacioneve të mbledhura
prej tij, duke përdorur një stil të këndshëm e interesant informimi për
lexuesin. Në këtë drejtim, ai ka spikatur me punën e tij edhe si specialist i
Agjensisë Kombëtare të Turizmit, duke pasuruar tregun e librit me një prurje të
re, nga një sektor shumë interesant dhe i rëndësishëm, siç është Turizmi. Vlera
e këtij libri, qëndron edhe në gamën e gjërë të informacionit, që sjell për
Shqipërinë Turistike, duke i ofruar lexu-esit një libër simpatik, tërheqës dhe
mjaft të realizuar edhe nga ana gjuhësore, ku autori ka shfaqur me talentin e
tij letrar e krijues, imazhin e ri për Turizmin Shqiptar.