E marte, 23.04.2024, 01:33 PM (GMT+1)

Mendime

Bollano, propagandë antikombëtare në website-in e bashkisë, shpall Himarën tokë të Greqisë

E diele, 20.04.2008, 05:42 PM


Nga Armand Maho

Një guidë turistike, me përmbajtje antishqiptare dhe që i shërben vetëm shovinizmit të shfaqur nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është publikuar në faqen zyrtare të bashkisë së këtij qyteti. Emra të historisë shqiptare, madje dhe të simboleve kombëtare, janë kthyer pa brejtjen më të vogël të ndërgjegjes në emra grekë, duke dhënë një shembull të shëmtuar sesi një kryetar bashkie po krijon një model të keq të qeverisjes së një institucioni, në favor të kush e di se kujt. Bollano nuk ka ngurruar që emrin e Gjergj Kastriotit ta kthejë në Jorgo Kastrioti dhe emrin e Gjon Kastriotit, djalit të Skënderbeut, në Jani Kastrioti. Në shpjegimet historike që jepen në këtë guidë, krejtësisht në kundërshtim me politikën kombëtare që duhet të ndjekë një institucion i shtetit shqiptar, të duket sikur nuk ke të bësh me një tokë brenda kufijve të Shqipërisë, por me ndonjë fshat të Greqisë dhe ku shqiptarëve do iu duhet vizë për të kaluar pushimet në Dhërmi, Himarë, apo Palasë.

“Dy kilometra nga Qeparoi takojmë Borshin, që në lashtësi quhej Meandria, kurse në periudhën bizantine quhej Sopoto. Kështjella e Sopotosë ndodhet pak më në veri të vendbanimit të sotëm në majën e një kodre. Ky fshat me burime të shumta të ujit dhe të rrjedhshëm, ka mjaft taverna dhe është i vetmi fshat në krahinë që është me popullsi myslimane. Fshatrat e tjerë banohen nga greko-ortodoksë (shumica dërrmuese)”. Kjo frazë është nxjerrë nga përshkrimi që i bëhet fshat pas fshati bregdetit shqiptar. Pra, me pak fjalë, Bollano kërkon të thotë se borshiotët rrojnë në harmoni dhe paqe jo se janë në tokën e tyre, por falë zemërgjerësisë që shfaq “shumica dërrmuese” greko-ortodokse e “krahinës”.

Gjergj Kastrioti, bëhet Jorgji Kastrioti

Por jo vetëm kaq. Bollano në site-in zyrtar të Bashkisë së Himarës, pronë kjo e shtetit shqiptar, guxon dhe ndryshon emrat dhe të heronjve tanë kombëtarë, ose qëllimisht i shqipëron si emra grekë. Dhe jo vetëm kaq, por nuk denjon as t’i quajë kombasit e tij me emrin shqiptarë, por “shqipfolës”. “Më 1403, mbreti i Napolit, Karli, zbarkon në brigjet e Himarës dhe shtyn shqipfolësit në drejtim të veriut. Disa vite më vonë, himariotët, të udhëhequr nga Jorgji Stresi (Gjergj Stresi), mik personal i Jorgji Kastriotit (Gjergj Kastriotit), përpiqen të ndalojnë zaptimin e Epirit nga otomanët. Mbas zaptimit të Krujës nga turqit, e vetmja krahinë e lirë në të gjithë Epirin mbetet Himara, e vetëqeverisur nën mbrojtjen veneciane. Më 1473, himariotët me udhëheqës Vllasin sulmojnë turqit dhe me ndihmën e venedikasve zaptuan kështjellën Sopotos (Borshit të sotëm) dhe çliruan zonën nga Vlora në Sajadhë. Por, të tradhtuar nga venedikasit, bënë armëpushim të veçantë (pa venedikasit), me turqit. Më 1481, himariotët bënë kryengritje kundër turqve nën udhëheqjen e Korkodhilllos Klladhas dhe djalit të Skënderbeut, Jani Kastrioti (Gjon Kastrioti). Me ndihmën e mbretit të Napolit dhe të udhëhequr nga Jani Kastrioti fituan pavarësinë, duke iu paguar turqve një taksë nënshtrimi”, - shkruhet historia sipas Bollanos.

“Himara kundërshton kufijtë shqiptarë”

Më tej Bollano tregon sesi tridhjetë e tre fshatra “me ndërgjegje kombëtare greke” u bashkuan dhe u zhveshën nga çdo lloj takse dhe krijuan, sipas tij, Konfederatën Autonome të Qevranëve. Më tej, Bollano shpjegon sesi Ali Pashë Tepelena kërkoi të nënshtronte Himarën dhe rresht pas rreshti del në vitin 1914, ku si pikë reference merr kryengritjen e një majori, me emër Spiro Spiromilo, që erdhi nga nga Kreta dhe e çliroi Himarën në 1912, bashkë më fshatrat e tjerë. Është po ky personazh që, sipas Bollanos, në vitin 1914 na paska dalë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha dhe padrejtësisë që iu është bërë himariotëve, duke i përfshirë brenda kufijve të shtetit shqiptar. Dhe, sipas tij, deri më 1921, Himara ka vijuar të jetë herë krahinë autonome nën komandën e Greqisë, herë nën komandën italiane dhe sërish nën komandën greke. “Në 1920 ushtria greke hyn në Himarë dhe himariotët e pritën me entuziazëm dhe brohoritje.”

Fenomeni “Bollano”

E pra, pak a shumë kjo është mënyra e rrëfimit të historisë, sipas stilit “Bollano”, për të mos folur më tej për historinë e kishave, sesi një prift me emrin Kozma na paska zbarkuar në zonat e Himarës dhe paska këshilluar që mos ndërtohen kisha, po shkolla që të flasin në gjuhën greke etj., etj. E gjitha kjo nuk është një mendim i pavarur i zotit Bollano, por janë të publikuara në faqen zyrtare të institucionit shqiptar që fatkeqësisht ai drejton. Himara, që prej hipjes në postin e kryetarit të bashkisë të Vasil Bollanos, është kthyer në një arenë përplasjesh etnike që nuk kanë ekzistuar kurrë në këtë vend. Shteti shqiptar mund të mbyllë një sy kundrejt thirrjeve shoviniste dhe etnike nga qarqe të caktuara brenda dhe jashtë vendit për hir të marrëdhënieve miqësore me shtetin grek, por s’mund të lejojë kurrsesi një Bollano, që është përfaqësues i shtetit shqiptar, që ta përdorë institucionin e këtij shteti për të hedhur ide dhe të manipulojë në faqen zyrtare të këtij institucioni historinë e këtij vendi. Bollano ka shkelur një sërë nenesh të Kushtetutës së Shqipërisë, duke filluar që nga neni 1, pika 2 e saj, ku thuhet se “Shqipëria është shtet unitar dhe i pandashëm”. Karshillëku që Bollano i bën këtij kombi është fyes dhe i padurueshëm. Askush s’ka të drejtë të tallet dhe të deformojë në mënyrë të turpshme historinë e këtij kombi dhe për këtë kryetari i Bashkisë së Himarës duhet të përgjigjet përpara ligjit dhe të marrë atë që i takon. Çdo shtet që ka njëfarë dinjiteti të paktën këtë gjë do bënte.

Ndërrohen emrat e banorëve, kryetari i përshtat si emra grekë

Bollano nuk ka ndërruar vetëm emrat e simboleve kombëtare shqiptare, por edhe emrat e banorëve të të gjithë fshatrave të zonës së jugut përveç Borshit, në guidën e tij turistike. Megjithëse Bashkia e Himarës administron dhe gjendjen civile, dhe e di mirë si i kanë emrat banorët e saj, Bollano, sipas rastit, i ka shtuar një prapashtesë “is” në fund, duke i përshtatur si emra grekë. Dhe në këtë rast, Bollano s’ka ngurruar të ndryshojë as mbiemrin e tij, siç është rasti i një personi me emrin Andrea Bollano, që kryetari i bashkisë e ka shndërruar në Andreas Bollanos. Vasili, është bërë Vasilis, Sotiri Sotiris e kështu me radhë.

Por Bollano nuk ka vepruar kështu vetëm me pronarët e hoteleve në Himarë, por ka marrë përsipër të ndryshojë dhe emrat e pronarëve të hoteleve, në Palasë, Dhërmi, Jalë, Qeparo etj., duke cenuar kështu dhe identitetin personal të tyre. Për shembull, një mbiemër i njohur në mbarë vendin është dhe ai Kokëdhima nga Qeparoi, por që Bollano merr përsipër ta shndërrojë në Kokëdhimas, Kështu ka ndodhur dhe me mbiemrat Leka, Koka, Nëranxi, Kuteli, Marko etj. Të gjithë janë përshtatur sipas shqiptimit grek, në Kokas, Nëranxis, Kutelis, Markos etj.

Të irrituar nga ky veprim banorët e Himarës dhe të zonave përreth kanë deklaruar se nuk janë ata që ka shkruar Bollano në guidën e tij turistike dhe me asnjë të drejtë ai s’ka pse vë numrat e kontaktit të tyre përbri një emri që ata nuk e njohin. Nga ana tjetër, ata kanë deklaruar se nuk do të paguajnë asnjë taksë, pasi nuk mund të paguajnë me emra të tjerë. Kjo që po bën Bollano, sipas tyre, është një shkelje, që cenon dhe fyen personalitetin e këtyre njerëzve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora