Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Drita Lushi

| E diele, 11.11.2012, 01:28 PM |


Drita Lushi

LOJË PRANVERORE 

Sot u putha me pranverën.
Se si ndodhi, jo, s’e di;
erdh’ më puthi ajo para,
apo un’ e putha përsëri.

Ajri i blertë, gjith’ vesë,
më përk’dheli mu në faqe,
m’ erdh si  zanë me njëmij’ ngjyra,
ulur mbi një manushaqe.

Sot u putha me pranverën.
Edhe vjet me të u putha,
si rituale dashurie,
pa foleza nëpër fusha.

Sot u putha me pranverën.
Shëëëëëët , ju lutem, mos tregoni,
Kur t’ na shihni sërish bashkë,
lojën ton’ do ta kuptoni.

LIMANI IM  

Kam një liman
qetësie,
oaz për ëndërrat
dhe dashurinë time.

Kam një liman
ku vetëm unë di të hyj:
në limanin e kaltër
mbështes kokën
e valëzoj ëndërrave,
prek brigje ujëvarash,
që rrjedhin mbi liman,
e buzët e mbrëmjes
i ngjyej me të kuq dielli.

Unë, e përndezur,
puth në heshtje
qetësinë mbretërore
të limanit tim,
dhe zgjoj  
njëmijë Çirce të fshehura
brenda trupit të tij,
e robinjë e lidhur
ngel:
robinjë e çmendur
e oazit tim.

NË ZËRIN TËND
(për time bijë)

Si fllad mëngjesi
hyj në zërin tënd.
Me maja gishtash,
prek kordat,
të zgjoj muzikën e ditës,
që kënga të më jehojë në shpirt.

Rend drejt teje,
të jem
prekja e rrezes së parë,
të pres,
si  rrëke diellore !