| E shtune, 10.11.2012, 08:22 PM |
Daniel
Gàzulli
MOTRA IA GODITI
- tregim -
Ishte
Pashkë, pothuej fundi i vitit të parë në shkollën fillore.
Si gjithë
fëmijtë kurreshtarë, ndalesha e lexoja çdo gja.
Edhe kur
shkoja në Kishë me gjyshin, lexoja shkrimet mbi varre.
Gjyshi
ndalej pothuej gjithmonë tek varri i familjes, një varr i naltë prej guri të
gdhendun, gjithë ornamente, me dy dhoma varrimi; nxirte kutinë e duhanit dhe
dridhte një cigare, duhan Sheldie, ai ma i miri. Mandej e linte cigaren pranë
Kryqit të madh, po prej guri, në krye të varrit, dhe futeshim në Kishë të
shihnim Meshë.
Shpesh
herë, kur mbaronte Mesha, shkëputesha nga dora e gjyshit dhe vrapoja për tek
varri të shikoja nëse ishte përsëri cigarja aty. Rrallë ndodhte që ta gjeja
përsëri.
Pyesja
gjyshin kujt ia kishte lanë atë cigare dhe kush mund ta kishte marrë, po ai më
përgjigjej gjithmonë: “Do ta kuptosh kur të rritesh.”
Atë të
Djelë Pashke kishim shkue ma heret dhe gjyshi po pastronte disa barna të këqija
rreth varrit.
Unë,
shumë kurreshtar, përpiqesha të lexoja çfarë ishte shkrue mbi rrasë të varrit.
Nuk e kisha aspak të lehtë, se shkronjat ndryshonin mjaft nga ato që kisha
mësue në abetare.
Vetëm
fjalinë e fundit arrija ta lexoja qartë: “Motra ia goditi, sot me 14 t’Marcit
1896”.
“Kujt ia
ka goditë këtë varr e motra, gjysh?”- e kisha pyetë një ditë.
“Gjyshit
tim” – më ishte përgjegjë ai.
Nuk e
zgjata ma, edhe pse kurreshtje më shtynte të pyesja, përse pikërisht e motra, e
jo vëllaznit apo të bijtë, sepse e dija që stërgjyshi im kishte pasë edhe një
vëlla tjetër.
Në
vjeshtë të atij viti na e lamë Krythën dhe u vendosëm në Shkodër.
Gjyshi
kishte shumë mall të kthehej në Sapë, të shëtiste nga një fashat tek tjetri, të
takonte motrat e tij, të takonte miq të vjetër, por sidomos të vinte këtu, në
Varreza, e të ndalej gjatë, të dridhte cigare e ta linte mbi varr, të bisedonte
me za të ultë diçka që unë nuk e kuptoja e nuk e merrja me mend me cilin
fliste. Nganjëherë rrinte shumë gjatë në varrezë, dridhte disa cigare dhe i
rreshtonte pranë Kryqit të varrit.
Tashma
isha rritë e kishte ardhë koha ta pyesja:
“Përse ia
goditi pikërisht e motra varrin gjyshit tand e jo vëllaznit apo bijtë?”.
Gjyshi më shikoi gjatë. Me vështrimin e tij sikur më mati shtatin, që tashma dilte ndonjë cantim mbi të, edhe pse porsa kisha mbushë pesëmbëdhjetë vjeç.
***
“Kur vdiq
gjyshi, nisi rrëfimin e tij të ngadalëshëm gjyshi im, kam qenë 25 vjeç e i
martuem me gruen e parë. Ti e di se mue më kanë vdekë dy gratë e para, mandej u
martova me gjyshen tande.”
E dija
sigurisht që gjyshi kishte qenë i martuem tri herë e se gruen e parë, me të
cilen kishte jetue vetëm gjashtë muej, e kujtonte shpesh e me dhimbje.
“Ishte i
vetmi burrë që kishte mbetë në shtëpi. Ku të shkonte, ishte 83 vjeç dhe vuente
nga bulçimi. Kush ishte për pushkë, në shtatë e shtatëdhjetë vjeç, kishte dalë
kaçak, se Valiu i Shkodres kishte nda mendjen me na shue të gjithëve.
A i
shikon, m’u drejtue gjyshi tue hedhë shikimin varreve përreth, janë të gjithë
varre të reja. Ma i vjetri asht i familjes sonë. Po kjo Kishë e këto varre kanë
sa nuk mbahet mend. Kishte ardhë, pra, vetë valia prej Shkodre me dy taborre.
Ishte betue me na nxjerrë fare të gjithë sa ishim.
Nisi atje
ku e dinte se na dhimbte ma shumë. Shkatrroi varret. Kishte sjellë me vete do
magjypë prej Jemenit e për një natë tanë natën shkatrruen varret, theyn Kryqa,
deri eshtnat e të shuemëve i nxorën përjashta. Ishin edhe dy burra katundi,
Përgjinësh u kanë pasë thanë, që nuk kishin dalë kaçakë, e që mihen në varre me
jemenët. Nuk ka ma Përgjin tash, kanë dalë fare. Jo që të dalun fare kanë qenë
gjithmonë.
Gratë që
e kanë pa atë mënxyrë thonë se nuk ka gja ma të shëmtueme në këte botë. Gjithë
ky vend mbushë me kocka njerëzish”.
U ndal e
drodhi një cigare tjetër. Ngadalë, shumë ngadalë. E uli po shumë ngadalë në
rranxë të Kryqit.
“Kur e
moren vesht njerëzit, u sulen turr e vrap për në varreza. Sa kishte dalë drita.
Njerëzit po them unë, po vetëm gra ishin, sa na kishim dalë kaçakë.
Gra dhe
babë Ejëlli. Tetëdhjetëetre vjeç e me bulçim, mezi merrte frymë.
I doli
para xhabia me nizamë. “Ju do të hyni këtu të pastroni vendin kur të mbarojmë
na!” - , i tha ai babë Ejëllit.
“Këta
janë varret tona”, ia ktheu babë Ejëlli.
“Ktheu ti
qen plak në shtëpi, se po i ve jemenët me të varrosë për së gjalli!” – iu
kërcënue xhabia.
“Nuk asht
punë që s’bahet, por mbasi t’i kam mbarue edhe unë do punë” – ia ktheu qetë
babë Ejëlli.
Mandej
nxori dy alltitë me mulli dhe filloi prej xhabisë. Një me shtatë e lau veten.
Jemenët
moren ograjat.
Nizamët,
që shoqnonin xhabinë, u sulen mbi gra. Me bajoneta. Katrinën, due me thanë
gruen teme të parë, e shpuen tej përtej me bajonetë. Ishte gjashtë muejsh
shtatëzanë.
Krisi
pushka prej Lezhet e në Shkodër, po në Krythë nuk mundi me hy asnjë. Valia
kishte sjellë nizam të madh dhe e kishte rrethue Krythen në katër anët.
Hallëmadhja
ime, motra e gjyshit, vendosi mos me i varrosë të vëllanë e të renë pa u goditë
varrin. Pagoi pare të madhe, solli mjeshtra e për një ditë e një natë goditi
varrin me dy dhoma, për babë Ejllin dhe gruen time, Katrinen.“
U ktheva
e lexevo edhe një herë mbi rrasë të varrit: “Motra ia goditi, sot me 14
t’Marcit 1896”.
Ndërkohë
gjyshi kishte dredhë një cigare tjetër dhe e uli mbi varr, rrazë Kryqit.
“Këndej
asht varrosë babë Ejlli?” – e pyeta, tue vu ore se cigarja nuk ishte në mes të
varrit, po djathtas Kryqit.
“Po, foli ai si me vete, nga ana e detit asht varrosë Katrina, kurse nga ana e malit babë Ejlli”.
Ka kalue
gjysëm shekulli qysh atëherë.
Kur shkoi
në Krythë, ndalem gjithmonë tek varret. E nuk harroi të la një cigare mbi varr,
djathtas Kryqit, nga ana e malit, andej nga asht varrosë babë Ejëlli. Janë
cigare të gatshme, nuk janë duhan Sheldie, nuk e di a do t’i pëlqejë babë
Ejëlli, po kot e kam marak, se më duket sikur më buzëqeshë atje prej Qiellit, i
kënaqun që po i la një cigare.