E enjte, 28.03.2024, 10:50 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Halil Shabani: Delvina dhe Çamëria në kryengritjet e viteve 1910 - 1912

E shtune, 10.11.2012, 08:20 PM


DELVINA DHE ÇAMËRIA NË KRYENGRITJET E VITEVE 1910 - 1912

NGA HALIL SHABANI

Fillimi i shekullit të XX në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe kryengritjeve të armatosura në mbarë trojet shqiptare ishte një prurje e rilindasve të Kombit Shqiptar. Ajo lëvizje u iniciua edhe në jug të Shqipërisë: nga krijimi i “Komiteteve të fshehta” për shpëtimin e kombit nga Bajo Topulli, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji etj. Krerë të lëvizjes patriotike krijuan në Delvinë në 1908 klubin patriotik “Bashkimi” me qëllim që të ngrinin mësonjëtoret e para shqipe dhe lëvizjen kulturore e artistike. Në 18 shtator 1909 rrethi artistik i klubit vuri në skenë dramën “Dashuri e Mëmëdheut” në gjuhën shqipe. Drama të tjera u shëndërruan në një manifestim publik, para godinës së klubit nga zejtarët, nënpunësit përparimtarë dhe vegjëlia e Delvinës. Ajo ishte fryt i punës së arsimtarëve dhe patriotëve delvinjot: Namik Delvina, Nimet Abazi, Shyqyriu Abazi, Spiro Gjika, Petro Ilia Delvina etj.

“Unë jam shqiptar, unë desha të mësoj gjuhën time” ishin thëniet e dramës “Besa” të Sami Frashërit, që ata vunë në skenë dhe u dhanë edhe në Labëri, Kaninë, Tepelenë, Manastir, Janinë e Çamëri. Në Konispol në 1909 u çel klubi i shoqërisë patriotike “Vëllazëria” nga Alush Taka, Rushit Dine etj. Në Filat Musa Demi e të tjerë çelën klubin e vet patriotik.

Klube të tilla u çelën në fshatrat Koskë, Ninat, Janjar, Lops e Shalës. Këtyre vatrave të para të luftës për liri Kombëtare i dhanë shtytje të mëtejshme: Bajo e Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Nikolla Ivanaj e Dervish Hima. Doemos ata i dhanë rezultatin e zgjidhjes së rrugës së fillimit të luftës me armë në dorë nëpërmjet krijimit të çetave kryengritëse.

Çeta e Delvinës u krijua më 10.05.1910 me komandan Namik Delvinën dhe atdhetarë të tjerë delvinjot. Çeta e Muharrem Rushitit u krijua në verë të vitit 1909 me lutërarë nga Filati, Koska, Janjari, Konispoli, Shalësi etj. Çeta e Nazif Hadërit u krijua në vitin 1909 nga luftëtarë të krahinës së Rrëzomës nga fshatrat: Vergo, Kopaçëz, Palavli, Tatzat etj.

Më vonë u krijuan edhe çeta e Alush Takës në Konispol dhe Musa Demit në Filat.

Krerët e çetave kryengritësve mbanin lidhje me çetat e tjera më në veri si me atë të Çerçiz Topullit në Gjirokastër, Themistokli Gërmenji, e Spiro Ballkameni në Kolonjë, Përmet dhe Korçë. Ndër betejat më të rëndësishme të çetave kryengritëse ishin ato të Muharrem Rushitit në: Qafën e Smërtes. Vreshtat e Mursisë, Pleskovicë, Bogasi i Qeraminës, etj. Për çetat  e Delvinës dhe Rrëzomës u zhvilluan luftime në Pagri të Përmetit, Cakran, Hanin e Selishtës dhe në brigjet e Ramësit. Veprime të kombinuara luftarake të tyre qenë ato të : Delvinës, Konispolit dhe në Filat.

Kuvendet më me rëndësi për marrjen e vendimeve të shtimit të luftëtarëve, aksioneve të kryengritësve dhe kërkesa të momerandumeve ndaj Portës së Lartë ishin ato të vitit 1911 në Vella të Vergoit, si edhe ai i ndërkrahinori i të gjitha çetave të Shqipërisë Jugore në 21 korrik 1911 në Manastirin e Cepos në Gjirokastër, me pjesëmarrjen e 800 luftëtarëve. U firmos një momerandum nga shtabi i kryengritjes për t’ja dorëzuar fuqive të mëdha europiane. Midis të tjerash atje shkruhej: “Në qofë se turqit e rinj vunë në programin e tyre e vetëm zotohen dhe asgjë nuk mbushin, pushka ka për krisur dhe gjaku do të bëhet lumë”.

Krerët e çetave kryengritëse bashkë me nga 4-5 delegatë të këtyre krahinave shkuan në ngritjen e flamurit në Vlorë në 28 Nëntor 1912. Qeveria e Ismail Qemalit vlerësoi ndihmesën e tyre dhe ngarkoi me detyra: Alush Takën komandant të garnizonit për mbrojtjen e qytetit të Vlorës dhe Namik Delvinën këshilltar për mardhëniet në ministrinë  jashtme në Qeverinë e Vlorës.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora