E enjte, 28.03.2024, 04:25 PM (GMT)

Faleminderit

Skënder Hoxha: Post mortum - krijuesit Hasan Gjonbalaj

E enjte, 08.11.2012, 04:17 PM


POST MORTUM – KRIJUESIT HASAN I. GJONBALAJ (22. II. 1935 – 3. XI. 2012)

NGA PROF. SKËNDER R. HOXHA

Kumti i së shtunës së parë të nëntorit të këtij viti, datë 3 nëntor 2012: Ndërroi jetë Hasan Gjonbalaj – ne krijuesve të Pejës që bashkëvepruam me të për më tepër se 30 vjet, na stepi të gjithëve, na la të pagojë...

Të nesërmen, nga Peja shkuam në Vuthaj, në vendlindjen e poetit, folkloristit, etnologut, historianit Hasan Gjonbalaj, për ta varrosur aty në dheun vuthjan, ku ai kishte dëshiruar, e që kurrë, me zemër e me penë nuk ishte ndarë nga ato vise shqiptare...

.... Dhe, pikërisht, në mesditën e 4 nëntorit, kortezhi e përmortshëm pasi që kaptoi një shpati të thyeshëm, ndaloi rrëzë bjeshke te Varrezat e Vuthajve. Para nesh, varri i hapur ku do të prehet përgjithmonë trupi i pajetë i vuthjanit, Hasan Gjonbalaj.

... Dhe, pasi mbuluam Hasanin me dheun e përzier me gurë të vegjël, një lloj obligate, jo e rastësishme, bëri që të gjendem para një mikrofoni në lëndinën e varrezave, prej nga njerëzit e asaj ceremonie mortore do të dëgjonin fjalët që do t’i thoja për Hasanin me rastin e ndarjes së fundit me të...

... Dhe, teksti që përgatita paraprakisht për ta lexuar këtu, ishte ky:       
      Hasan Isuf Gjonbalaj u lind në Vuthaj në vitin l935. Shumë vite punoi mësimdhënës, në fillim në vendlindje e pastaj në Pejë ku punoi edhe përkthyes. Në Pejë jetoi deri kur ndërroi jetë, më 3 nëntor 2012.

Hasani kishte filluar të shkruajë poezi qysh si nxënës i shkollës së mesme. Ndërkohë, që si krijues më i pjekur dëshmohet në kohën kur me ndonjë vjershë nis të paraqitet nëpër faqet e gazetave dhe revistave të kohës, kohë kjo kur Hasani ishte i pjekur në moshë, kohë kjo kur ky kishte bërë disa vjet pune si mësues në vendlindjen e tij, në Vuthaj, ku për së afërmi u njoh edhe me diskriminimin në arsim shqip, kur u njoh me plan-programet mësimore sllave në të cilat nuk ishte përfshirë as më e vogla vjershë a këngë shqipe e mos të flasim për kulturën, edukimin e historinë  kombëtare shqiptare. Ishin këto disa nga shtrëngimet shpirtërore të mësuesit Hasan të atëhershëm, shtrëngime këto që rezultuan edhe shtrezimet e para poetike që shpërthejnë me vargje, me metafora të kohës së ngulfatur. Më saktësisht, në vitin 1965 i botohet vjersha e parë në revistën “Jeta e re”. Vjersha kishte titullin joshës dhe simbolik “NANA”. Në këtë vjershë poeti komunikon me nënën për të gjitha ato të liga me të cilat ballafaqohej populli i tij, duke iu drejtuar me “Nanë pse më linde në kohë të kushtrimit Nanë pse me rrite në kohë të mjerimit|” , ku përbrenda një figuracioni poetik fshihej e shëmtuara të cilën e luftonte në vargje të kësaj vjershe dhe në ato që do t’i shkruaj pastaj. Dhe jo vetëm kaq. Botimi i kësaj vjershe sikur vë vulën e parë prej nga do të numërohet datimi i fillimit të krijimtarisë së Hasan Gjonbalajt, pra viti 1965, e për të korresponduar sot, më 2012, si përfundim 47-vjeçar krijimtarie, që njëherit sublimojnë thënien se krijuesit nuk vdesin kurrë.

Si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albnologjik të Prishtinës,Hasan Gjonbalaj ishte nga rithemelimi i këtij institucioni (l968), kur iu kishte vënë punës në vjeljen e thesarit popullor nga terreni. Një pjesë e këtyre materialeve të mbledha e që ishin me interes iu botua në “Gjurmime albanologjike” dhe në revistat “Përparimi”, Prishtinë dhe “Koha”, Podgoricë.

Hasani ishte poet, por edhe mbledhës i urtisë popullore në krahinën e Plavës e të Gucisë dhe njohës i ngjarjeve me rëndësi historike të kësaj ane, figurave historike etj. Kështu, ai na la të botuara disa vepra zhanresh të ndryshme:

1. “ Kelmendi – gjenealogjia e familjes Nikçi”,

2. “Përmallime” (poezi për të rritur),

3. “Stina me një krah” (poezi për fëmijë),

4. “Në sy një mal” (poezi për të rritur),

5. “Lufta e Nokshiqit-epope kundër copëtimit të trojeve shqiptare”, 

6. “Ali Pashë Gucia” (vështrim monografik),

7. “Këngët historike në krahinën e Plavës dhe Gucisë”,

8. “Epske narodne pjesme Plavsko-Gusinjskog kraja”; (Këngët epike në gjuhën boshnjake). Kontribut për dëshmi për ata që kanë burimin iliro-shqiptar, por e humbën gjuhën shqipe, për çka u mbesin në hak paraardhësve të vet.

9. “Dritare e burgut tim” (poezi për të rritur),

10.”Rrëfimet e ajrit “(poezi për të rritur),

l1.”Sulli” në traditën popullore në krahinën e Plavës dhe të Gucisë”,

12. “Krahina e Plavë-Gucisë me organizim të lashtë”,

13. “Zhanica, Pepajt dhe Nokshiqi”,

14. “Paria e Plavës dhe Gucisë 1878-l945”,

15. “Rite e zakone”.

Si hulumtues e trajtues i disa temave nga tradita e krahinës së Plavës dhe Gucisë, temave  historike etj., Hasan Gjonbalaj mori pjesë në sesione dhe simpoziume shkencore vendore dhe ndërkombëtare si:

Simpoziumi “Shqiptarët dhe Evropa”, Prishtinë, l993; Sesioni shkencor “Mërgimi”, Prishtinë, l994; Sesioni shkencor “Lidhja Shqiptare e Pejës”, Pejë,1995; Sesioni shkencor “Lufta e Nokshiqit”, Nju Jork, l995; Simpoziumi shkencor “Ulqini në rrjedhat e kohës”, Ulqin, 2000; Seminari i katërt dhe i pestë ndërkombëtar, “Shkodra në shekuj”, Shkodër, 2000; “ Shkodra në Shekuj, Shkodër” 2002. Sesione shkencore “E Djathta Shqiptare”: Klinë dhjetor 2005, Orosh Mirditë korrik 2006, Istog maj 2007, Ferizaj korrik 2009, Shkup korrik 2009, Kukës shtator 2010.

Më pas punimet me të cilat mori pjesë në këto takime të rëndësisë së madhe shkencore ju botuan në libra të përbashkëta me autorët tjerë pjesëmarrës.

Në revista dhe gazeta në Pejë, Plavë, Prishtinë, Podgoricë, Tiranë, Nju Jork, Novi Pazar, Sarajeve etj, botoi poezi dhe materiale nga lëmenj të historisë, folklorit, etnologjisë, etnografisë dhe të humorit etj.

Është anëtar i Klubit të Shkrimtarëve të Pejës dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Pas përkthimit të poezive dhe materialeve të mbledhura nga terreni, në gjuhën boshnjake  (l990-l995), publikuar në Sarajevë, Podgoricë dhe Novi Pazar, pranohet në “Udruzhenje pisaca Sanxhaka”, Novi Pazar (Shoqata e poetëve). Si dhe në “Udruzhneje Etiçara i Estetiçara Crne Gore”, Podgoricë, (Shoqata e etikëve dhe estetikëve). Është anëtar i Shoqatës të Lidhjes së Shkrimtarëve të vendlindjes, me seli në Plavë.

Pastaj... U ndamë për herë fundit nga Hasani. E lamë atë të prehet në qetësi në dheun e vendlindjes, në Vuthaj, që aq shumë e deshi...



(Vota: 41 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora