| E enjte, 08.11.2012, 05:17 PM |
POST MORTUM –
NGA PROF. SKËNDER R. HOXHA
Kumti i së shtunës së parë të nëntorit të këtij
viti, datë 3 nëntor 2012: Ndërroi jetë Hasan Gjonbalaj – ne krijuesve të Pejës
që bashkëvepruam me të për më tepër se 30 vjet, na stepi të gjithëve, na la të
pagojë...
Të nesërmen, nga Peja shkuam në Vuthaj, në
vendlindjen e poetit, folkloristit, etnologut, historianit Hasan Gjonbalaj, për
ta varrosur aty në dheun vuthjan, ku ai kishte dëshiruar, e që kurrë, me zemër
e me penë nuk ishte ndarë nga ato vise shqiptare...
.... Dhe, pikërisht, në mesditën e 4 nëntorit,
kortezhi e përmortshëm pasi që kaptoi një shpati të thyeshëm, ndaloi rrëzë
bjeshke te Varrezat e Vuthajve. Para nesh, varri i hapur ku do të prehet
përgjithmonë trupi i pajetë i vuthjanit, Hasan Gjonbalaj.
... Dhe, pasi mbuluam Hasanin me dheun e përzier me
gurë të vegjël, një lloj obligate, jo e rastësishme, bëri që të gjendem para
një mikrofoni në lëndinën e varrezave, prej nga njerëzit e asaj ceremonie
mortore do të dëgjonin fjalët që do t’i thoja për Hasanin me rastin e ndarjes
së fundit me të...
... Dhe, teksti që përgatita paraprakisht për ta
lexuar këtu, ishte ky:
Hasan Isuf Gjonbalaj u lind në Vuthaj në vitin
l935. Shumë vite punoi mësimdhënës, në fillim në vendlindje e pastaj në Pejë ku
punoi edhe përkthyes. Në Pejë jetoi deri kur ndërroi jetë, më 3 nëntor 2012.
Hasani kishte filluar të shkruajë poezi qysh si
nxënës i shkollës së mesme. Ndërkohë, që si krijues më i pjekur dëshmohet në
kohën kur me ndonjë vjershë nis të paraqitet nëpër faqet e gazetave dhe
revistave të kohës, kohë kjo kur Hasani ishte i pjekur në moshë, kohë kjo kur
ky kishte bërë disa vjet pune si mësues në vendlindjen e tij, në Vuthaj, ku për
së afërmi u njoh edhe me diskriminimin në arsim shqip, kur u njoh me
plan-programet mësimore sllave në të cilat nuk ishte përfshirë as më e vogla
vjershë a këngë shqipe e mos të flasim për kulturën, edukimin e historinë kombëtare shqiptare. Ishin këto disa nga
shtrëngimet shpirtërore të mësuesit Hasan të atëhershëm, shtrëngime këto që
rezultuan edhe shtrezimet e para poetike që shpërthejnë me vargje, me metafora
të kohës së ngulfatur. Më saktësisht, në vitin 1965 i botohet vjersha e parë në
revistën “Jeta e re”. Vjersha kishte titullin joshës dhe simbolik “NANA”. Në
këtë vjershë poeti komunikon me nënën për të gjitha ato të liga me të cilat
ballafaqohej populli i tij, duke iu drejtuar me “Nanë pse më linde në kohë
të kushtrimit Nanë pse me rrite në kohë të mjerimit|” , ku përbrenda një
figuracioni poetik fshihej e shëmtuara të cilën e luftonte në vargje të kësaj
vjershe dhe në ato që do t’i shkruaj pastaj. Dhe jo vetëm kaq. Botimi i kësaj
vjershe sikur vë vulën e parë prej nga do të numërohet datimi i fillimit të
krijimtarisë së Hasan Gjonbalajt, pra viti 1965, e për të korresponduar sot, më
2012, si përfundim 47-vjeçar krijimtarie, që njëherit sublimojnë thënien se
krijuesit nuk vdesin kurrë.
Si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albnologjik
të Prishtinës,Hasan Gjonbalaj ishte nga rithemelimi i këtij institucioni
(l968), kur iu kishte vënë punës në vjeljen e thesarit popullor nga terreni.
Një pjesë e këtyre materialeve të mbledha e që ishin me interes iu botua në
“Gjurmime albanologjike” dhe në revistat “Përparimi”, Prishtinë dhe “Koha”,
Podgoricë.
Hasani ishte poet, por edhe mbledhës i urtisë
popullore në krahinën e Plavës e të Gucisë dhe njohës i ngjarjeve me rëndësi
historike të kësaj ane, figurave historike etj. Kështu, ai na la të botuara
disa vepra zhanresh të ndryshme:
1. “ Kelmendi – gjenealogjia e familjes Nikçi”,
2. “Përmallime” (poezi për të rritur),
3. “Stina me një krah” (poezi për fëmijë),
4. “Në sy një mal” (poezi për të rritur),
5. “Lufta e Nokshiqit-epope kundër copëtimit të trojeve shqiptare”,
6. “Ali Pashë Gucia” (vështrim monografik),
7. “Këngët historike në krahinën e Plavës dhe
Gucisë”,
8. “Epske narodne pjesme Plavsko-Gusinjskog
kraja”; (Këngët epike në gjuhën boshnjake). Kontribut për dëshmi për ata që
kanë burimin iliro-shqiptar, por e humbën gjuhën shqipe, për çka u mbesin në
hak paraardhësve të vet.
9. “Dritare e burgut tim” (poezi për të
rritur),
10.”Rrëfimet e ajrit “(poezi për të rritur),
l1.”Sulli” në traditën popullore në krahinën e
Plavës dhe të Gucisë”,
12. “Krahina e Plavë-Gucisë me organizim të
lashtë”,
13. “Zhanica, Pepajt dhe Nokshiqi”,
14. “Paria e Plavës dhe Gucisë 1878-l945”,
15. “Rite e zakone”.
Si hulumtues e trajtues i disa temave nga tradita e
krahinës së Plavës dhe Gucisë, temave
historike etj., Hasan Gjonbalaj mori pjesë në sesione dhe simpoziume
shkencore vendore dhe ndërkombëtare si:
Simpoziumi “Shqiptarët dhe Evropa”, Prishtinë,
l993; Sesioni shkencor “Mërgimi”, Prishtinë, l994; Sesioni shkencor “Lidhja
Shqiptare e Pejës”, Pejë,1995; Sesioni shkencor “Lufta e Nokshiqit”, Nju Jork,
l995; Simpoziumi shkencor “Ulqini në rrjedhat e kohës”, Ulqin, 2000; Seminari i
katërt dhe i pestë ndërkombëtar, “Shkodra në shekuj”, Shkodër, 2000; “ Shkodra
në Shekuj, Shkodër” 2002. Sesione shkencore “E Djathta Shqiptare”: Klinë
dhjetor 2005, Orosh Mirditë korrik 2006, Istog maj 2007, Ferizaj korrik 2009,
Shkup korrik 2009, Kukës shtator 2010.
Më pas punimet me të cilat mori pjesë në këto
takime të rëndësisë së madhe shkencore ju botuan në libra të përbashkëta me
autorët tjerë pjesëmarrës.
Në revista dhe gazeta në Pejë, Plavë, Prishtinë,
Podgoricë, Tiranë, Nju Jork, Novi Pazar, Sarajeve etj, botoi poezi dhe
materiale nga lëmenj të historisë, folklorit, etnologjisë, etnografisë dhe të
humorit etj.
Është anëtar i Klubit të Shkrimtarëve të Pejës dhe
anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Pas përkthimit të poezive dhe materialeve të
mbledhura nga terreni, në gjuhën boshnjake (l990-l995), publikuar në
Sarajevë, Podgoricë dhe Novi Pazar, pranohet në “Udruzhenje pisaca Sanxhaka”,
Novi Pazar (Shoqata e poetëve). Si dhe në “Udruzhneje Etiçara i Estetiçara Crne
Gore”, Podgoricë, (Shoqata e etikëve dhe estetikëve). Është anëtar i Shoqatës
të Lidhjes së Shkrimtarëve të vendlindjes, me seli në Plavë.
Pastaj... U ndamë për herë fundit nga Hasani. E lamë atë të prehet në qetësi në dheun e vendlindjes, në Vuthaj, që aq shumë e deshi...