E merkure, 24.04.2024, 04:37 PM (GMT+1)

Mendime

Veton Surroi: Feja e shqiptarit eshte...pragmatizmi

E diele, 20.04.2008, 03:42 PM


Feja e shqiptarit eshte...pragmatizmi

Veton Surroi
Ben Blushi, "Të jetosh në ishull" dhe hapja e debatit për kamerierin që ofroi mish të freskët

Nga Veton Surroi

1.

Në hotelin tiranas, "Dajti", kishte kohë që nuk ishin parë çallmat. Hoteli ende mbante lartësinë e sallës së madhe të ngrënies, më shumë në kujtesën e të gatuarit dhe jehonën që lënë hapat e kamerierëve në sallat boshe. Edhe njerëzit me kujtesën më të gjatë në hotel nuk mund të përmendnin rastin kur një drekë ishte shtruar për hoxhallarët. Ç‘është e vërteta, nuk qe mbetur ndonjëri që kishte shërbyer gjatë fashizmit, por këta që kishin shërbyer në të gjitha fazat e komunizmit nuk kishin nevojë të kishin kujtesë. Në dyzet vitet e fundit, hoxhallarët nuk kishin ekzistuar si specie, siç nuk kishin ekzistuar priftërinjtë, abatët, murgjit dhe as myezinët.

Dreka qe shtruar për nder të delegacionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, që kishte ardhur për të ndihmuar nxjerrjen nga mosekzistenca e predikimin fetar islam në Shqipëri. Prania ishte sa kolegjiale, aq edhe me konotacionin e nënkuptueshëm politik: hoxhallarët e Kosovës ishin aty si shenjë përkrahëse për ndërtimin, në këmbë të veta të një bashkësie islamike të Shqipërisë, jashtë influencës politike të rrymimeve të ndryshme të islamit në Lindjen e Mesme dhe vendet e Gjirit Persik.

Kishte arsye për të festuar. Nga hijet e shtëpive të Tiranës së vjetër do të dilnin njëri, pastaj tjetri dhe tjetri besimtar, që kishin aftësi të mjaftueshme për të mbledhur pas vetes xhematin. Madje, ishte bërë edhe lista e parë e besimtarëve që do të shkonin në haxhillëk. Që të gjithë ishin të gëzuar dhe kamerieri mendoi se ky do të ishte rast i mirë për të ofruar, siç e do adeti, nga një gotë raki.

Rakia u refuzua. Mysafirët kosovarë menduan se do të ishte një keqkuptim i rastit. Erdhi sallata, uniforme, socialiste, e patejkaluar nga ndryshimet e bëra brenda 12 muajve të kaluar, me rrënimin e përmendores së Enver Hoxhës. Erdhi pastaj supa, që herë i thonin orientale, e herë supë orizi, por në thelb ishte e njëjtë. Dhe në fund erdhi mishi, i cili, në të dukur më i bardhë se ç‘ishin mësuar kosovarët zakonisht, dhe me një erë që nuk e kishin mësuar, shtroi pyetjen urgjente:

-Çfarë është mishi?

Kamerieri u gjet i befasuar. I tërë stafi i hotelit kishte bërë çmos që të kënaqte mysafirët kaq të pazakontë në këtë lokal. Nuk ishte vetëm ndjenje e ngritjes së dinjitetit profesional të hotelit më të mirë të Shqipërisë, ishte edhe një ndjenje e fortë e mikpritjes së vëllezërve kosovarë, në një Shqipëri të varfër, në një hotel ku u gjet me njëmijë ndërhyrje ushqimi i freskët për mysafirët, në një kohë kur në Tiranë bëhej gara se kush do të ishte më e madhe: uria apo zemra e mikpritjes.

-Është i freskët, zotëri. Sot e kemi marrë, - u përgjigj kamerieri.

2.

Po mendoja për këtë skenë, ilustruese për shumëçka, e posaçërisht për ndjenjën ndaj detyrimeve fetare, ndërsa lexoja romanin mbresëlënës të Ben Blushit, "Të jetosh në ishull" (botimi "Toena", Tiranë), një narracion intensiv, i cili nëpërmjet marrëdhënieve brenda një familjeje, një pjesë e së cilës islamizohet, hap temën e kundërthënieve fetare të kombit shqiptar, dhe me të, pyetjen e paevitueshme: A jemi të tillë për shkak të ndasisë fetare?

Me rrëfimin që, në dukje të parë ngjason me hapësirën e krijuar mes shpjegimit përrallash të filozofisë dhe miteve në "Botën e Sofisë" të J.Garderit e herë dhe suspense-it të D. Brown në "Kodin e Da Vinçit", Blushi ngrihet në cilësi gjithsesi më poetike për të hapur, nëpërmjet personazheve, një debat të gjerë.

Në të, krishterimi dhe islami paraqiten fillimisht si një dyzim i papërputhshëm. "Kur ikën njëri, vjen dita, kur ikën tjetri, vjen nata". E shqiptarët e fshatrave si njerëz që nuk kanë ushtri, pra edhe nuk mund t‘u "rezistojnë feve të ushtrive të tjera". Dhe, kur islamizohen, siç bëri krishteri që bëhet Ibrahim për shkak se atë ditë nuk i shkoi mirë pazari, ndodh sepse "zgjedhja ime nuk sjell më shumë lumturi, por unë besoj se sjell më pak dhembje". Apo, për ta mbrojtur arën dhe bagëtinë nga turqit. Një zgjedhje që për kryepersonazhin e krishterë, Arianit Komnenin, e shndërron Shqipërinë në një qiell ku retë e Islamit mbulojnë diellin e Krishterë.

Një kundërthënie kaq e madhe, e përcjellë edhe me faktorin kombëtar (shqiptarët herë bëhen myslimanë për t‘u dalluar prej grekëve, e herë mbeten të krishterë, që të mos bëhen turq) është padyshim një përzierje eksplozive që manifestohet në marrëdhëniet Perëndim-Lindje që nga pushtimet e para islamike drejt Perëndimit, por këto, në romanin e Blushit gjenden në një komb, në një hapësirë gjeografike që ka mundur të quhet Shqipëri, në një qytet shpirtërisht të ndritur siç ishte Voskopoja, në një fshat të jugut të Shqipërisë, bile në një familje.

Dhe, kur kundërthënia lind në familje, si do të tejkalohet?

Romani rrëfen për dy rrugë bazike: atë të konfliktit dhe atë të krijimit të bashkëjetesës. Familja i provon të dyja, njëkohësisht. Dhe, kështu shndërrohet në metaforë të popullit shqiptar, që duhet ta kalojë rrugën e vet të pjekjes nëpërmjet konfliktit të integruar fetar dhe përpjekjes që të tejkalohet me modalitet harmonie. "Drita i hyn njeriut nga dy sytë dhe zëri nga dy veshët. Edhe Zoti kërkon dy dyer për të ardhur në fshat", rrëfen njëri prej personazheve profetike, me emër Muhamed, kur arsyeton pse afër kishës po ndërtohet xhamia. Apo, siç do të shprehen më herët, se shqiptarët kanë vetëm një zgjidhje: "të martohen krishterë e myslimanë që të shmanget Voskopoja".

Voskopoja është simboli i shkatërrimit nga konflikti. Ky qytet, njëri prej "ishujve" të titullit të librit, me shtypshkronjën e parë në trojet tona, shërben për të treguar natyrën e dyfishtë të kundërthënies që sjell konfliktin. Në njërin rrafsh janë të krishterët që përndjekin myslimanët, dhe këta në shenjë hakmarrëse djegin qytetin dhe dëbojnë të krishterët. Mirëpo, në rrafshin tjetër, shkatërrimi real ndodh kur feja përdoret si flamur i ambicieve të tjera. Personazhi i krishterë, fenë e përdor për ambicien e vet të dominimit politik në qytet mbi të gjithë, përfshirë edhe të krishterët, ai mysliman, i ikur nga fshati dhe i paadaptuar në qytet, si ambicie për të tejkaluar varfërinë intelektuale, background-in fshatar dhe, ndoshta, mungesën e performancës së duhur seksuale.

Banaliteti, i fuqizuar me armën fetare, shndërrohet në shkatërrim të vlerës, në këtë rast të Voskopojës.

3.

Çfarë ishte mishi në hotelin "Dajti"?

Për hoxhallarët, dukej si i derrit, dhe ishte.

Për kamerierin, më afër ekzistenciales se sa shpirtërores, dukej si i freskët, dhe ishte. I rritur në një sistem, i cili, për të mos u marrë me një kundërthënie të brendshme të kombit shqiptar, i ndaloi aktorët e kundërthënies, ai tashmë kishte hyrë në një fazë që do të karakterizojë tranzicionin shqiptar: pragmatizmin. Ose, tashmë kishte hyrë në një grupacion fetar, të cilit i përket një numër jo i vogël evropianësh, e instinktivisht edhe shqiptarësh: agnosticizmin, njohjen se ekziston diçka si Zoti, por jo detyrimisht edhe njohjen e riteve religjioze si obligim, qoftë të krishtera apo myslimane?

Në fakt, mund të ketë qenë mosnjohja e thjeshtë, mungesa e diturisë.

Shqipëria, megjithatë ka ndryshuar, nuk është më ajo e skenës së "Dajtit", dhe kundërthënia bazike fetare e hekurosur e kombit tonë ka dalë në sipërfaqe. Me të, edhe mundësia e interpretimeve të ndryshme, prej atyre doktrinare, deri tek ato që mund të zhyten lehtë në banalitet.

Banaliteti, i përcjellë me këtë libër me rastin e Voskopojës, lehtësisht kalon në konflikt. Por erudicioni, kreativiteti dhe të ballafaquarit tolerantë, edhe me dilemat më të vështira; që të gjitha të manifestuara në këtë roman, mund të japin përgjigjen për pyetjen, e cila i ndjek shqiptarët dhe ripërsëritet prej momentit kur filluan ta "shohin Dritën me dy sy": Kush jemi, posaçërisht kush jemi në ndarjen Perëndim-Lindje, ndarje që kalon brenda familjeve tona?

4.

Shqiptarët e romanit të Blushit janë fëmijët e Abrahamit. Të krishterë, myslimanë sunitë e shiitë e me një lojë fati edhe hebrenj, shohin se si zhvillohen ngjarjet rreth tyre, pa pasur shumë influencë në to. Shqiptarët e këtij romani janë dembelë, sepse jetojnë si profetë dhe "besojnë se shpirti i dikujt jeton në trupin tonë".

Dhe, kështu, shndërrohen në qendër të botës së dominuar prej feve të Abrahamit, por si model i krijimit, e jo i shkatërrimit. Në epokën ku konflikti religjioz ka konotacion global, sepse çdo gjë tjetër është e globalizuar, harmonia e shqiptarëve është, ndoshta, një ishull i vërtetë. Dhe i eksportueshëm.

5.

Në Shqipëri, dhe në asnjë vend tjetër, nuk do të ishte e mundur që një baba i bektashinjve të quhej Baba Stefani. Dhe të mburremi, me të drejtë, me këtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora