E premte, 29.03.2024, 10:00 AM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Perikli Jorgoni

E enjte, 08.11.2012, 06:51 PM


PERIKLI JORGONI

Kujtimi i një nate dimri

(Kushtuar mjekut, Jorgji Jorgoni)

1.
Në breg të detit Jon, tek rrija anës shkëmbi
E shihja dredhka ere mbi shkumën si argjendi,
Në mend më erdh një natë dimrake plot me erë,
Kur nja tre arixhij trokitën m’u në derë.
Një burrë e një grua me një çunak të mitur,
Të zbehtë e të mekur, me ballin e djersitur,
Me sytë si thëngjilli e flokët drudha-drudha,
I lodhur, i munduar nga ethet e nga udha.
Mbështjellë me velenxë po dridhej e kish ftohtë,
Dhe pse me gojë s’mundte një fjalë, të na thotë.

2.
Babai u hapi derën, dhe pse i shqetësuar
Nga këta endacakë, që erdhën pa i ftuar.
I futi brenda dhomës, ku bubullonte zjarri,
T’u thahej trupi i lagur e frymë lehtas t’u marri.
Fëminë që lëngonte e pa dhe shkurt e prerë
U tha: - Këtu të rrini, se s’duhet nëpër erë
Në këtë shi të dendur të merrni udhën prapë!
Fëmija do kujdesje... - E gjithë atë natë
I ndenjti përmbi krye, gjersa e kaploi gjumi
Çunakun që më s’dridhej e flinte si pëllumbi.
Dhe prindërve të gjorë, me vetullat si xhufka,
Iu ngroh gjaku i ngrirë edhe iu qeshi buza.
Nuk ndjenin atë tmerr si re kallkan, e nxirë,
Që shpirtin ua ndrydhte dhe fare i kish mpirë.

3.
Ndaj sa agoi, kurbati nga shtresat në mes sheshit
U ngrit e mblodhi rrobat, se jashtë ndrinte mëngjesi.
Por para se të shkonin sërisht në breg të lumit,
Tek çadrat që i ngritën mes xunkthit edhe kumit,
Desh mjekut të palodhur, me zemër kaq të bardhë,
T’ia puthte të dy duart, t’i thonte nja dy fjalë:
- Nuk kam si ta shpërblej, doktor, këtë të mirë,
Se rrojmë me mundim një jetë të vështirë,
Me kuaj, me kanistra, me falle e gërnetë,
Mundohemi ta shtyjmë këtë jallane jetë.
Por s’dua që të ndahem kaq shkaras, duarthatë,
Pa të të dhënë për mundin prej meje një dhuratë.
E nxori prej një cohe të hollë prej mëndafshi
Një byzylyk prej sermi, që në sënduk e pati.

4.
U prek në zemër mjeku, i foli qartë e shtruar:
- Gjithçka, o burrë i fisëm, me ar s’duhet paguar,
Se lumi e merr botën, në shtyhet nga paraja,
Që bëhet si lubi, kur të mbërthen tahmaja.
Ti mbaje byzylykun, se ka më tepër vlerë,
Se mundi i një nate me ngricë e me erë.
Kur djali të martohet, vendosja mu në dorë
Mes luleve sorkadhes plot nur e me kurorë.
Në u kujtofsh për mua, i gjallë a në dhe tretur,
Ti ngrima një dolli, për të më përshëndetur.

Durrës, më 1 nëntor 2012

ME FËRFËLLIMA FLATRA MJELLMASH…

- Poemë -

(Artistit të madh popullor, Isuf Myzyrit)

1.
Fryn erë e prillit, ndër rudina çel lule kaçja e trëndafili,
Nëpër korije e kopshtije këndon thëllëza e bilbili.
Nga fletë e hapur e dritares kumbojnë befas krejt papritur
Ca tinguj fyejsh e vjolinash me cirka yjesh të stërpikur.
Ca tinguj që nga fund i shpirtit gufuan tek Isuf Myzyri
Me fërfëllima flatra mjellmash, me flaut flladi e zefiri!

2.
Më zgjuan e më ngrohën shpirtin me ëndrra, ç’kohë e harruar,
Kur bridhja ndër lëndina bjeshke me çap të lehtë e të gëzuar
E prisja mjaft i paduruar të skuqnin kreshtat nga agimi,
Tek fekste vesa nëpër gjethe e fushave çmendej tërfili;
Kur zjarr i shenjtë i dashurisë na ndizej nëpër rremba gjaku
E gjak i vrullshëm e rinor na grishte udhëve tej pragut!

3.
Me ç’zjarr hyjnor t’i ngrohu këngët, me ç’vrull e dehje të mahniti!
Se ç’tinguj dhembshurisht të shtrenjtë sulmuan përmbi ledhe shpirti!
Ç’m’u derdhën me rrëmbim e gaz si rrjedhë e çmendur e  rrëkeve,
Kur kris stuhia edhe retë përflaken, ndritin prej rrufeve!
Ç’m’u zgjuan ëndrrat që më flinin, lodhur nga brinja e rrëpira,
Ç’më morën mbi të tyret flatra, mbi maja, kodra e rudina!
Ç’më derdhën mjaltë e balsam mbi plagë shpirti të rinuar,
Ku djeg si flakë flakadani flaka e jetës papushuar!

4.
Ti s’iu përkule kajmekamit, as fajdexhiut e zengjinit,
Dhe shpesh pa zjarr e i pangrënë të gjeti muzgu e thëllimi.
Nuk rende ndër salla sarajesh në valle jevgash e dylberësh,
Ku sytë t’i verbon shkëlqimi i kaq stolive e fenerësh!
Si qen nuk lehe pas parasë, nuk more poza prej servili,
Se shpirt i brishtë e fisnik kish flatra engjëjsh si safiri,
Prandaj s’pranonte të njollosej ndër vese, krime e orgjira,
Ku turrej turma laramane në hone shtjellash të pështira;
Ku çdo grabitës e makut për plaçkë sulej, për fitime,
Se llurba e llumi i moçalit s’ka këto hove e synime!
Nuk ndjen dot dhimbje për të tjerët, nuk jep asgjë nga xhepi e vetja,
Nëpër intriga e në kurthe i ngryset dhe i ikën jeta!

5.
Prandaj të theri shpirti i dhembshur, kur pe si shtypej rob i mjerë,
Si mirrej nëpër këmbë e hidhej mes ciknës në kallkan e erë;
Si mardhte burgjeve të akullt, se nuk duronte skllavërinë,
Si hiqte e rropatej keqas me një mal hallesh përmbi shpinë!

6.
Nuk kishe tjetër, veç shtëpisë, jo larg nga Urë e Zaranikës,
Ku ndër ullishte flladi fryn nga Krasta mes zhegut zhuritës,
Edhe nga zalli ndihen qartë cijatje zogu edhe shtergu,
Dhe kur tërbohet lumi sulet si bishë e egër përtej bregut.
Por njerëzve që fort i deshe u fale pa asnjë kamatë,
Pa një deftesë prej sarafi, pa një shpërblim e një dhuratë
Gjithçka të çmuar që në shpirt buloi në çdo cast krijimi,
Çdo poezi e melodi, çdo dhimbje e dritë ngazëllimi!

7.
Edhe gjithçka ia deshe jetës, dëborat, flladet e stuhitë,
Takime miqsh nëpër taverna, ku ngrihen e zbrazen dollitë;
Vrapime kuajsh, gaz fëmije, përndezje ëndrrash dashurie,
Një sy drenushe që të qesh edhe të josh nëpër lamije,
Në skuta e të fshehta strehe, në udhë e shtigje me mistere,
Teksa ndër rremba valon gjaku e dehesh si nga gulfa vere!

8.
Dhe s’kishe faj se mëkatoje, mendja të shprishej edhe s’dije
Në cilin det edhe liman të ndalje në harbim stuhie.
Se s’desh t’ia dinte dashuria nga të vërtiste e të përplaste,
Kur qeshje vajzash nëpër ajër jehonin plot me dhelka e naze!
Se kishe lindur që t’ia doje çdo lloj miklimi plot çudira
Kësaj jetese që na fal dhe dhimbje, dhe vrulle të lira.
Dhe si një zjarr që s’ka të shuar të digjej shpirti prej pëllumbi,
Që shpesh në ngjitje e gremisje të shkau mendja, por s’të humbi!

9.
Edhe tani në kohë tjetër, kohë e zbulimeve kozmike,
Porsi një zog vjen shpirti yt plot shpërthim ndjenjash mjaft fisnike,
Të na shpërfaqi meloditë, mbrujtur me mall, me gaz e dhimbje,
Ku trëndafili hap petalet e vesa ndrin si lot fëmije,
Ku fryn një fllad që zgjon përbrenda në gji plot dallgë e shungullima
E dashuria ndeh mbi ne një qiell plot yje e shkreptima,
Dhe ndrin përjetë kaq e freskët, kaq me hare e vrull rinie,
Sa frymë merr porsi e gjallë nëpër çdo tingull melodie!

10.
Dhe nuk ka vdekje për njerinë me shpirt të madh edhe të gjerë,
Atë e ndjejmë gjithnjë pranë, si mik troket në prag ngaherë,
Me ndonjë fjalë a një varg, me bëma lufte e guximi,
Me një kujtim a plagë plumbi, që jetën zgjon risht nga harrimi!
Nuk vdes njeriu që la gjurmë, njeriu i punës dhe i mirë,
Që s’u kursye, të mos kishte mbi dhe më lot e errësirë.
Na vjen me pjalm e fjollë bore, me erë lulesh, fëshfërime,
Me melodinë e një valsi a brirë ëndrrash plot kumbime
Dhe zgjon në shpirtin, që s’u tha gjithçka të dashur e të shtrenjtë,
Dhe jetës i fal mjaft kuptim, e bën të gjallë e të vërtetë!

Durrës, më 24 nëntor 2010


Spiro Bellkameni

1.
Dhe vjen si erë, dhe shkon si erë,
Dhe pse nuk është erë,
Por trim azgan me tallagan
E vezme me fishekë.
Koburen nxjerr, në ballë e merr
Kadiun, zbehur, mekur,
A një gallof, dhespotin Fot
E plas përdhe të vdekur.

2.
Edhe kjo ndodh, si gjithnjë ndodh,
Sa hap edhe mbyll sytë.
Taverna mbet, pa zë, e shkretë,
Veç me një tis të tymtë.
I sulen pas, plot me maraz,
Hafije e xhandarë.
Por shpejt u shket nëpër shkorret,
Ndër ledhe e mullarë.

3.
Pastaj mbi kalë endet në mal
Me çetën luftëtare,
T’i ngrejnë pritë në çdo koritë
Koshadhes zullumqare.
Dhe befas zbret risht në qytet
Nga shtegu nëpër thekër,
Veshur tebdil si një veqil,
A një dervish me mjekër.

4.
Dhe sa u gdhi, si me çudi,
Korça dëgjoi e qeshi,
Se mbrëmë i fshehtë, me dhjetë vetë,
Erdh Spiro Bellkameni,
Se tej në burg, shpejtas në muzg
U hap dera, të nxjerrë
Shokët e tij e mbi dori
U zhduk sërish si erë.

5.
Dhe s’ka mbi dhe gjëmë e rrufe,
T’ia presë vrullin, hapin.
Nuk ka mallkim dhe as dënim,
Në gjak akull t’i kallin.
Nuk ka as top, rrebesh e shqotë,
Ta trembi e ta ndali,
Ndaj breg më breg dhe krep më krep
Sulet si shqipe mali.

6.
Ndaj vjen si erë, dhe shkon si erë,
Dhe s’është aspak i qetë.
Gjithnjë vrapon, ku e kërkon
Detyrë e luftë e rreptë.
Dhe ngjit një mal, a zbret një zall
E ec plot mall nën hënë,
Që pa zinxhirë edhe të lirë
Ta shohim mëmëdhenë.

Durrës, më 26 tetor 2012



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora