E shtune, 20.04.2024, 12:41 AM (GMT+1)

Mendime

Mentor Nazarko: Nje lexim tjeter i ngjarjes se Himares

E diele, 20.04.2008, 06:28 PM


Mentor Nazarko
Nje lexim tjeter i ngjarjes se Himares

Nga Mentor Nazarko

"Ka një përcaktim të zonave të minoritetit nga qeveria shqiptare... Zëvendësministri i Jashtëm ka të drejtë t‘i takojë minoritarët kudo qofshin ata, siç u tha në komunikatën zyrtare. Sa për agjendën,... një vizitë treditore, ishte përgatitur mirë nga të dy palët". Prej kësaj deklarate të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Kucumakos mund të kapësh përfundimin më interesant në lidhje me ngjarjen e Himarës, të parë brenda vizitës së zëvendësministrit Kasimis. Ndërsa shumë komente të mediave shqiptare po merren me Bollanon, dhe interpretime joprofesionale të historisë së Himarës, askush nuk merret me domethënien e vizitës së zëvendësministrit Kasimis, pra me mesazhet e vizitës së tij, lidhjen e saj me ngjarjen e Himarës dhe implikimet për të ardhmen. Po bëjmë një sforco të parë për të ndriçuar diçka.

Për këdo që e njeh diplomacinë, nisur dhe nga çfarë ka thënë më sipër zëdhënësi i qeverisë greke, Kucumakos, mësëpari mbeten për t‘u sqaruar disa pika, që nesër mund të përkthehen në qëndrime apo zhvillime të rëndësishme në lidhje me Himarën dhe minoritetin grek në Shqipëri. E para, ç‘domethënë një vizitë treditore e zëvendësministrit grek në vendin tonë, vetëm fare pak kohë pasi Shqipërinë e vizitoi ministrja e Jashtme Bakojanis? Një vizitë e përgatitur mirë, madje edhe siç pretendon Kucumakosi, me dijeninë dhe bashkëpunimin e autoriteteteve shqiptare, gjatë së cilës për herë të parë, zyrtarisht grekët shpallin edhe Nartën e Korçën si zona ku banon minoriteti grek. Një vizitë, që qartësisht ka si qëllim të shpallur kontaktin me minoritetin grek në gjithë zonat e pretenduara historikisht, në një hartë që po zgjerohet edhe më sipas një agjende të bekuar nga autoritetet tona. Madje, në tolerimin e një agjende të tillë, nëse Kucumakosi nuk gënjen, demokratët po kalojnë vijën e demarkacionit të socialistëve që kishin refuzuar rregullisht të shoqëronin homologët e tyre grekë në Himarë. Duke mos lejuar vizita atje të autoriteteve greke. Sigurisht, socialistët e sotëm të politikës së re kanë mëkate të tjera: Kanë lejuar PBDNJ të fitojë në Himarë dhe në Nartë!

Është e vërtetë që përgjithësisht Kasimis u tregua diplomat në mesazhet e bëra publike, duke u këshilluar vetëpërmbajtje protestuesve, që kërkonin të votonin në Greqi, por dardha greke veçanërisht e ka bishtin më mbrapa se të tjerat. A thua, vizita e Kasimis shërbeu për përgatitjen e vizitës së Presidentit Papulias? Nëse do të ishte kështu, nuk ka çudi të presim që dhe Papulias të vizitojë këto zona, duke ndërkombëtarizuar përfundimisht ato si zona të minoritetit grek.

Në ngjarjet e Himarës sigurisht pati një protestë, që me shumë gjasa mund të jetë nxitur nga Bollano, por në publik nuk pati asnjë deklaratë të dënueshme të tij, që të justifikojë histerinë ndaj tij. Ne duhet të mësohemi të mos ua hedhim fajin të tjerëve - Bollano është shqiptari jonë, por i greqizuar - , kështu që duhet ta konsiderojmë "tjetri që është ai që është". Duhet të mësohemi me idenë se një grup njerëzish në Himarë, me mëdyshjen e identitetit të tyre, me joshjen e pensioneve, vizave ‘Shengen‘, shtetësisë etj, kërkojnë deri autonominë e të ashtuquajturit Vorio-Epir. Autonomi deri në shkëputjen e veriut në Itali ka kërkuar dhe Bosi, një italian 400 karatësh, por sot askush nuk e merr seriozisht për ta dënuar me burg, dhe ai është forcë qeverisëse. Problemi është si të shfrysh, të eleminosh arsyet pse qytetarë të tu kërkojnë gjëra të tilla dhe jo të konsiderosh të dënueshme penalisht deklarimet për autonomi të 50 vetëve të ardhur me autobus apo të joshur në vendin ku banojnë. Duhet të mendosh për zhvillimin e tyre, për rrugë, për turizmin në zonat ku banojnë, t‘u krijosh mirëqenie, të mos i vjedhësh pronat e tyre, dhe jo t‘i shash domosdoshmërisht për t‘u dukur patriot.

Po pse kjo butësi e autoriteteve tona?

50 vetët e Himarës apo dhe më shumë, nuk do të bënin ato që bënë nëse atyre nuk u ofrohet zhvillim në vend të dokrrave nacionaliste. Por jo vetëm. Edhe nëse ne do të tregojmë më shumë dinjitet në marrëdhëniet me Greqinë që i inkurajon protestuesit të bëjnë atë që bënë për të simuluar skena keqtrajtimi të minoritarëve "të rremë" në Shqipëri. Viti që kemi hyrë duket i rëndësishëm, qoftë për firmosjen dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, qoftë ratifikimin e anëtarësimit në NATO. Është një vit para zgjedhjeve dhe qeveria e PD e interpreton në këtë situatë, rëndësinë e firmës së Greqisë në këto dy akte, si vendimtare. Ose të paktën justifikon veten pse pranon vizita si këto të Kasimisit. Pse pranon - duhet ta supozojmë - ndërtime varrezash të tjera ushtarësh grekë në Jug të Shqipërisë, apo pse do të pranojë akoma kërkesa të tjera absurde të grekëve. Me shumë gjasa do të shohim këtë avancim të agjendës historike greke, ndërsa agjenda ekonomike, biznesi grek po tkurret prej ekspansionit të atij turk apo me flamur tjetër. E gjitha kjo, kur koniunktura ndërkombëtare është totalisht në favor të shqiptarëve, siç u duk me pavarësimin e Kosovës dhe ftesën për NATO. Duket shumë qartë se amerikanët nuk do të tolerojnë hapje kapitujsh minoritetesh në Shqipëri, siç e tregoi frika e zëvendësministrit Kasimis për të guxuar më shumë në takimin me njerëzit e vet në sheshin e Himarës. E tregoi dhe vetëpërmbajtja e zëdhënësit grek, Kucumakos, në konferencën e 16 prillit, ku nuk pati arrogancë të shpallur. Që amerikanët nuk tolerojnë pozicionime antishqiptare e tregon dhe fakti që Greqia nuk pengoi Shqipërinë të merrte ftesën, por vetëm Maqedoninë, me lutjen ndaj të mëdhenjve, se "pranimi i Maqedonisë do të sillte rënien e qeverisë në Greqi". Por kjo nuk do të thotë se kjo shumicë politike në pushtet në vendin fqinj nuk po punon në rrogoz në zgjerimin e pretendimeve të veta formale me natyrë historike. Dhe kjo punë në rrogoz po lehtësohet nga servilizmi i pakuptueshëm antihistorik i demokratëve në pushtet, që nuk kanë guxuar të kërkojnë asgjë, as sa në 1996, as dhe ato pretendime që janë të ligjshme, sipas studimeve të shkencëtarëve seriozë grekë, shpallur në shkurt, në mes të Athinës. Rezultati i parë më i dukshëm i këtij servilizmi ishte protesta e inskenuar televizive e Himarës, dhe imuniteti që fituan dhunuesit e ligjit atje, të inkurajuar jo me fjalët në publik, por me praninë e zëvendësministrit Kasimis dhe mesazhet në takimet e mbyllura. Imagjinoni se sa të paprekshëm do të jenë ata nesër, kur me bekimin dhe heshtjen servile të autoriteteve tona do të shndërrohen në shtetas grekë, siç po duket me procesin masiv të shpërndarjes së pasaportave ç‘mund të ndodhë nesër me 100 mijë a më shumë shtetasit grekë në territorin tonë?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora