E shtune, 20.04.2024, 12:29 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Fjala e deputetes Aurora Bakalli

E marte, 06.11.2012, 07:46 PM


I nderuar kryesues i Kuvendit të Kosovës!

Të nderuar kolegë deputet!

Projektligji për zonat ekonomike thuhet se ka për qëllim që nëpërmes zhvillimit të zonave ekonomike të mundësojë një sërë aktivitetesh ekonomike që supozohet se do të kenë impakt pozitiv në ekonominë vendore.

Grupi i ekspertëve të ekonomisë së Lëvizjes për Bashkim konsideron se në fakt zonat ekonomike përdoren nga qeveritë si arsyetim i investimit për zhvillim ekonomik. Në fakt krijimi i tyre nuk është ndonjë invencion, por vetëm një imitim i praktikave të shteteve tjera. Një gjë është e ditur, se këto janë funksionale për shtetet të cilat tanimë kanë një bazë ekonomike dhe të cilat ofrojnë llojllojshmëri prodhimi. Ndërkaq, ne konsiderojmë se një model i tillë nuk i përshtatet secilit vend dhe te ne ky model nuk presim se do të ketë sukses për shkak të tri arsyeve kryesore: madhësisë së territorit, numrit të madh të popullsisë së paprofilizuar dhe nivelit të zhvillimit ekonomik në vendin tonë.

Në Kosovë veprimtaritë e ndryshme mund të kryhen në objektet ekzistuese, vlerat e rentimit të të cilave nuk janë shumë të larta dhe në të shumtën e rasteve ofrojnë kushte të mjaftueshme operimi. Pra, Kosova është një territor i vogël me një prodhim të mangët dhe të dy këto elemente sugjerojnë për operim në nivel urban ekzistues dhe në asnjë mënyrë në zona ekonomike që kërkojnë investime të mëdha.

Kosova do të duhej zhvilluar veprimtaritë ekonomike në mënyrë racionale, me zhvillim gradual dhe nëse këta hapa do të tregohen të suksesshëm atëherë presupozojmë se pas një periudhe dhjetëvjeçare do të vinte koha e investimeve në zonat ekonomike, e ndoshta deri atëherë ky do të bëhet një model inekzistent. Prandaj, le të fillojmë të mendojmë racionalisht dhe realisht, e jo të përdorim  modele të cilat janë një xhaketë tepër e madhe për një trup të vogël.

Për aq më tepër duke qenë të gjithë të vetëdijshëm me problemet e furnizimit me rrymë dhe ujë që ka aktualisht Kosova, dështimi i zonave të tilla ekonomike bëhet krejtësisht evident.

Nga ana tjetër, Parku i Biznesit është shembull i mossuksesit në këtë fazë të llojeve të tilla të ekonomizimit.

Për fund, ne si Lëvizje për Bashkim konsiderojmë se duhet ndërprerë imitimin e ekonomive të zhvilluara, por duhet dizajnuar plane origjinale të zhvillimit ekonomik të cilat do t’i përshtaten rrethanave tona. Po e përsëris, ne konsiderojmë se në këtë fazë nuk jemi të gatshëm për një hap të tillë. Nga ana tjetër, po që se ky ligj do të hynte në fuqi, atëherë në një të ardhme të afërt kërkon reformim të infrastrukturës ligjore horizontale nëse dëshirohet që ky ligj të bëhet i aplikueshëm, për faktin se shërbimet dhe kompanitë në kuadër të këtyre zonave kanë trajtim të veçantë.

Ju faleminderit!

Aurora Bakalli,

Deputete e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora