Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Nusja që i sfidoi burrat në vrap për marrjen e maramës

| E marte, 06.11.2012, 07:17 PM |


Një ngjarje që kishte shokuar malësorët e Gollakut:

NUSJA QË  I SFIDOI BURRAT NË VRAP PËR MARRJEN E MARAMËS

Shkruan: Demir KRASNIQI

Shaban Pacolli , nga fshati Marec i Malësisë së Gollakut, në cilësi të vjehrrit të rejës (nuses së djalit) dhe djali i tij, Zejnullahu që ishte burri i Zelës dhe dhëndër i Halim Krasniqit nga Tugjeci, kishin shkua në Tugjec, si miq së pari edhe me disa burra tjerë miq dhe  të afërm, për ta marrë së pari nusen e tyre – Zelën e Halimit, me një kali të cilin Shabani e kishte ruajtur si at, kryesisht për të udhëtuar me te dhe për ta vrapuar nëpër dasmat e Malësisë së Gollakut për marrjen e maramave të nuseve nëpër dasma .

Po me atë kali (at), kishin shkua për ta  marrë nusen së pari nga Tugjeci për në Marec .

Kur kishin ra nga Tugjeci tek vendi i quajtur Gurët e Ngulur në fshatin Hajnoc, ku një javë përpara kishte qenë një dasmë nga Mareci,të cilët e kishin vu një shenjë për vrapim të maramës në fshatin Krilevë, kuajt apo kaloria për vrapime për marrjen e maramës së nuses, e kishin pasur të caktuar me vrapua prej Gurëve të Ngulur të Hajnocit deri në fshatin Krilevë .

Në atë vrapim, kali (ati) i Shaban Pacollit e kishte marrë maramën dhe e kishte mbajtur mend mirë vendin se prej ku ka vrapuar plot një javë më parë në dasmë.

Një javë më vonë, ditë me  ditë , kur e marrin së pari nusen Zelë nga Tugjeci, në Hajnoc, tek Gurët e Ngulur, e hipin nusen Zelë në atë kali (at) dhe ia qesin  frerët në qafë për të shkua drejt Krilevës, duke menduar se do ta mbante nën kontroll të frerëve nusja e re Zelë.

Po sa ia qesin frerët në qafë kalit ( atit) , ai menjëherë e merr vrapin për të vrapua bashkë me nusen, duke menduar se është duke vrapuar për marrjen e maramës !

Kali (ati) kishte vrapuar bashkë me nusen prej aty e deri tek shenja e maramës në fshatin Krilevë, diku rreth 10 kilometra rrugë.

Vjehrri i nuses dhe Zoti i atit (kalit), Zejnullah Pacolli, kur e sheh se ç’ po ndodhë me atin dhe nusen mbi te, në pamundësi për ta nxënë kalin, i bërtet nuses me sa zë që kishte:

“O mbahu mirë, bre bijë fisnike deri sa të mundesh!”

Kali ( ati) vraponte me sa fuqi që kishte, ndërsa njerëzit habiteshin dhe bënin “Mashalla”  duke i duartrokitur , kur e shihnin nusen se po e vraponte  atin!

Edhe po të ia ngrehte frerin , kali (ati) nuk do të ndalej, por kërcente edhe më tepër dhe më larg.

Kali (ati) kështu mbërrini deri tek shenja e maramës në fshatin Krilevë, bashkë me nusen – Zelën shëndosh e mirë dhe aty ndalet vet.

Zela (nusja) kishte zbritur nga kali (ati) dhe ishte ulë për t’i pritur burrat derisa të mbërrinin prej Hajnovcit.

Gjatë rrugës prej Hajnovcit e deri në Krilevë, Shabani dhe Zejnullahu bashkë me burrat tjerë bashkudhëtarë, shikonin në çdo skaj të rrugës se ku do ta gjejnë Zelën (nusen) të rrëzuar dhe të mbytur nga kali (ati)?!

Por kjo (fatmirësisht) nuk kishte ndodhur , nga se Zela ishte mbajtur mirë dhe kali nuk e kishte rrëzua .

Vjehrri i Zelës – Shabani, kur e ka gjet nusen Zelë të gjallë dhe shëndosh e mirë, duke i pritur në Krilevë, i kishte thënë rejës së vet – nuses Zelë:

“Bravo të qoftë , bre bijë fisnike!” Dhe si shpërblim për këtë qëndresë heroike , ia kishte dhënë dy lira  si dhuratë  nuses – rejës Zelë .

Nusja Zelë, kishte thënë:

“Më tepër më vinte marre prej burrave dhe njerëzve gjatë rrugës, të cilët më duartrokisnin me shuplaka dhe më brohorisnin  kah më shihnin se si po e ngas kalin (atin) nëpër rrugët e katundit, se sa rreziku i madh që më kanosej në çdo hap për jetë !”

Prej Krilevës, prapë e kanë hipë mbi atë kali (at) nusen Zelë , për të udhëtuar për në Marec, por kali (ati) nuk vraponte ma, nga se atje nuk kishte rrugë të vrapimit për maramë , apo ygdyl ! Por, megjithatë, ai ecte shumë më shpejt se sa kuajt tjerë që ishin në rrugëtim me te, duke u kthyer së bashku nga Tugjeci .

Te lagjja e Bullajve të Marecit, Shaban Pacolli  ia  merr dyzginat kalit (atit) dhe dalin për te shtëpia e tyre, në lagjen Pacolli të Marecit .

Ky rast i ka habitur në atë kohë, të gjithë banorët e Malësisë së Gollakut, nga se një rast i tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe ishte rast i pa  imagjinueshëm për ta!

Oda e Shaban Pacollit në fshatin Marec

Oda  e Shaban Pacollit , ishte e njohur për mikpritje, bujari dhe bukë-dhënie jo vetëm në fshatin Marec , por në mbarë Malësinë e Gollakut dhe më larg .

Atë odë, ia kishin ndërtuar muhaxheria e ardhur nga Toplica e Jabllanica, në vitin 1883, kur kishin ardhur nga rrethi i Mevegjës.

Ajo odë ka ekzistua deri në vitin 1983, kur kjo familje është shpërngulur nga fshati Marec, për të jetuar në Prishtinë.

Në këtë odë, kanë ngrënë bukë dhe kanë bërë konak me nga tri ditë e netë, miq, mysafirë, shokë dhe kalimtarë të rastit nga e gjithë Malësia e Gollakut, Llapi dhe Anamorava, që nga Podujeva, Kamenica, Gjilani, Presheva, Bujanoci, Vraja etj.

Zelë Krasniqi – Pacolli (1891 – 1982)

Zela Halim Krasniqi ishte e lindur në fshatin Tugjec, të Malësisë së Gollakut – komuna e Kamenicës, në vitin 1891.

Ajo, në moshën 18 vjeçare, pra në vitin 1909, ishte martuar me Zejnullah Shaban Pacollin, në fshatin Marec .

Në bashkëshortësi me Zejnullahun, iu kishin lindur këta fëmijë:Fatushja, Refiqja, Miradija , Bilalli dhe Hakiu .

Pasardhësit e kësaj familje, në vitin 1983, u shpërngulen nga fshati Marec, për të jetuar në Prishtinë, ku edhe sot jetojnë dhe punojnë.

 

*****

Ngjarjen e tregoi : Bilall Zejnullah Pacolli, i lindur në fshatin Marec, më 25.05.1941. Jeton me familje në Prishtinë, si pensionist .

Shënoi: Demir Krasniqi, në Gjilan , më 20.10.2012.