E enjte, 18.04.2024, 02:39 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Abuzimi 2 milionë euro, arsyeja pse Bollano provokoi incidentin

E diele, 20.04.2008, 08:22 PM


Detajet e panjohura të trazirave në Himarë. Shpërdorimi i ndihmës së lobit grek dhe akuzat për trafik droge e vizash

Vasil Bollano
Kanë kaluar disa ditë nga ngjarja e Himarës dhe shumë flasin se policia e kishte fajin, disa të tjerë thonë se ishin njerëzit e Vasil Bollanos që e krijuan atë situatë të shëmtuar në qytetin e bukur bregdetar të Jugut.

Një banor i Himarës, i cili është edhe një figurë politike lokale jep për "Shqip" disa detaje të panjohura të incidentit. Ky politikan lokal i ka përjetuar nga afër situatat e krijuara të enjten e javës së shkuar, por edhe i njeh mirë njerëzit që kanë qenë protagonistë të kësaj ngjarjeje.

Fondet e grekëve

Sipas burimit të gazetës, gjithçka ndodhi më 10 prill në qytetin e vogël buzë Jonit, kishte për qëllim të largonte vëmendjen e autoriteteve greke nga abuzimet me fondet e dhëna për Himarën.

Është e njohur oponenca që ka Lidhja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (LDLNJ, partia e Ligoraq Karamelos) në Ministrinë e Jashtme greke dhe në qarqe të ndryshme të Greqisë. Kujtojmë se për shumë kohë Vasil Bollano e ka pasur të pamundur komunikimin me ambasadorin grek në Tiranë, Kokosis. Kujtojmë se Kokosis e ka akuzuar Bollanon dhe organizatën "Omonia" për trafik vizash.

Po ashtu, Bollano akuzohet dhe për shpërdorim me fondet e ujësjellësit të Dhërmiut nga auditi i Ministrisë së Brendshme, pasi nuk dihet ku shkuan 350 mijë euro. Po ashtu dhe për shkollën greke në Himarë, 800 mijë euro nuk dihet se ku kanë shkuar, si dhe shumë donacione të tjera.

Së fundi, LDLNJ e ka vënë përpara përgjegjësisë kryebashkiakun e Himarës, njëherësh edhe kryetar i Omonias, për një çek prej 2 milionë eurosh të dhënë nga lobi Grek në Amerikë. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja e vizitës së zëvendësministrit grek, Kasimis, në Himarë.

Pra, vizita në shkollën greke ka qenë një koperturë diplomatike për të mos rënë në sy para mediave konflikti mes autoriteteve të Athinës dhe krerëve të grekëve të Shqipërisë.

Zv/ministri Kasimis, pas takimit te shkolla greke shkoi te lokali i OMONIA-s, i Niko Bollanos, ku dhe ka pirë një kafe dhe aty gjuha e tij ka qenë krejt tjetër nga ajo që u dëgjua te shkolla greke para mediave. Ai e ka akuzuar Bollanon dhe stafin e tij për incidentin e panevojshëm dhe të tepruar që bënë në Himarë.

Pra Bollano me stafin e tij, për të mbuluar të gjitha ato abuzime që ka bërë me ndihmat dhe fondet ka krijuar këtë incident të turpshëm për të shmangur nga vëmendja e zëvendësministrit Kasimis ato akuza që ai tha kur po pinin kafe dhe ka ikur duke mos ia dhënë edhe dorën.

Trafiqet

Sipas burimit të gazetës, në Himarë janë krijuar dy grupe të fuqishme, të cilat merren me trafikun e lëndëve narkotike. Njëri nga grupet drejtohet nga Bert Bollano dhe Manol Zoto, ndërsa grupi i dytë nga Kozma Kutulla dhe një deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Pra ka qenë një telefonatë e njërit grup kundërshtar që ka njoftuar policinë se te makina e Manol Zotos ka pasur drogë dhe ky ka qenë studimi i mirë i situatës nga Bollano për të krijuar protestën dhe shmangur vëmendjen e zëvendësministrit të Jashtëm, Kasimis, nga problemet e donacioneve, për të cilat kishte ardhur.

Versioni

Dëshmitari okular tregon dinamikën e ngjarjeve, nga shoqërimi i të rinjve te sulmi mbi policinë

"Çfarë ndodhi realisht më 10 prill"

Kronologjia e ngjarjes ka qenë, sipas tij, një shëmtirë që Bollano dhe OMONIA organizoi për të mbuluar shumë abuzime që kishte bërë me ndihma dhe projekte të dhëna për Bashkinë e Himarës.

Ka qenë ora 2:15 e mëngjesit të 10 prillit kur dy të rinj me një makinë me targa greke ka dalë nga lokali "Manolis" i Pano Kolës, drejtorit të shërbimeve në Bashkinë e Himarës. Policia e Himarës kishte marrë një telefonatë, sipas të cilës, dy djemtë ishin duke transportuar një sasi droge. Pas kësaj telefonate, në afërsi të vendit të quajtur Potam, makina tip "Ford" është ndaluar nga policia dhe i është bërë një kontroll në bazë të sinjalizimit që kishin marrë policët. Në vendin ku u ndalua makina ishte errësirë dhe pasi nuk shihej, policët e kanë shoqëruar makinën me dy të rinjtë Manol Zoto dhe Erjon Rrapo janë mbajtur për rreth një orë në postën e policisë për kontroll. Ata janë lënë të lirë në orën 03:30.

Pasi janë lënë të lirë ata kanë shkuar përsëri te lokali i Pano Kolës, ku për çudi janë gjendur në atë orë të vonë rreth 30 persona që po konsumonin alkool, kur dihet se në Himarë ora 7:00 e mbrëmjes i mbledh të gjithë banorët nëpër shtëpi.

Të nesërmen ka pasur debate midis njerëzve të Manolit dhe policisë, ku nga ana e njerëzve ka pasur kërkesa për të biseduar, por policia nuk ka pranuar bisedime në lidhje me kontrollin e një dite më parë.

Gjatë drekës u duk se situata u fashit dhe në qytet nuk të shihte më syri më aktivistët e OMONIA-s. Por rreth orës 4:00 të pasdites shumë fytyra që janë në çdo aktivitet të OMONIA-s dhe përkrahës të Bollanos janë mbledhur përsëri te lokali i Pano Kokës, ku sërish kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli që është një gjë e pazakontë për këta aktivistë.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë, Vasil Bollano, së bashku me aktivistë të OMONIA-s janë mbledhur në zyrën e tij dhe kanë diskutuar në lidhje me vizitën e zëvendësministrit të jashtëm grek, Kasimis.

Rreth orës 19:30 të mbrëmjes, situata ndryshoi. Babai i Manolit ka dalë në qendër të Himarës dhe me një karrocë dore i është afruar inspektorit të krimeve, me emrin Nardi dhe e ka goditur atë me karrocë. Situata u keqësua shumë kur shumë përkrahës të Bollanos dhe OMONIA-s kanë marrë me shkelma dhe grushte punonjësin e policisë. Ka qenë ndërhyrja e dy punonjësve të tjerë që ka bërë të mundur heqjen e inspektorit nga duart e tyre. Banorët i kanë marrë policit edhe pistoletën që ai mbante me vete.

Në inat e sipër, inspektori i policisë ka shkuar më vrap në postën e policisë, ka marrë automatikun dhe sikur të mos kishte ndërhyrë polici Mane Mehmeti, i cili i ka ngritur tytën e automatikut lart, 30 fishekë të automatikut nuk do të ishin zbrazur në ajër, por drejt personave që rrahën dhe turpëruan inspektorin e policisë.

Pasi kanë dëgjuar të shtënat, në qendër të qytetit janë mbledhur shumë qytetarë. Ata i janë afruar postës së policisë ku shumë përkrahës të Bollanos, pasi kanë marrë dhe detyrat nga mbledhja e bërë në bashki e kanë shfrytëzuar situatën duke hedhur gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të postës së Policisë. Në këtë kohë është shfaqur Bollano, që ka filluar të dirigjojë situatën e krijuar nga vetë ai.

Ndërsa qëllonin me gurë, shumë anëtarë të OMONIA-s kanë hedhur parulla antishqiptare: "Jashtë shqiptarët nga Himara", "Duam policë grekë jo shqiptarë" etj., dhe kanë filluar të këndojnë himnin grek. Kjo situatë ka vazhduar deri në orën 22:10, kur me ardhjen e prefektit të Vlorës, Xhevahir Rexhepi, situata u qetësua.

Ethet e greqizimit arrijnë deri në Fier

Tre muajt e parë të vitit 2008, rekord kërkesash për ndërrim të kombësisë

Ndërsa gjatë vitit 2007, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier janë shënuar 11 kërkesa për ndërrim kombësie, vetëm në tre muajt e parë të 2008-s janë paraqitur mbi 13 kërkesa me objekt ndërrim kombësie.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga kancelarja e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, Flora Zoto. Në një prononcim për gazetën "Shqip", kancelarja Zoto ka thënë se "shihet një tendencë në rritje e kërkesave për ndryshim kombësie në Rrethin e Fierit për vitin 2008. Në 12 muajt e vitit të shkuar kemi pasur vetëm 11 kërkesa, kurse vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar mbi 13 të tilla".

Të detajuara, kërkesat e paraqitura në Gjykatën e Fierit për ndërrim kombësie paraqiten në këtë mënyrë: Ato janë kryer kryesisht nga persona që kanë qenë më parë emigrantë në Greqi dhe vetëm në katër raste kanë qenë për persona që kanë dashur të ikin për herë të parë emigrantë, kryesisht në Rumani dhe Greqi. Të dhënat që vijnë prej kancelares së Gjykatës së Fierit tregojnë se nga 11 kërkesa të regjistruara gjatë vitit 2007, vetëm 4 prej tyre kanë mundur të marrin të drejtën e ndryshimit të kombësisë, kurse shtatë të tjerat janë rrëzuar. Por, të dhënat statistikore të vitit 2008 tregojnë se 13 kërkesat për ndryshim janë depozituar vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti. "Janari ka pasur më shumë kërkesa për ndryshim kombësie, kjo për faktin e ardhjes së shumë emigrantëve në festat e fundvitit", tregon kancelarja Flora Zoto.

Personat që kanë bërë kërkesa për ndryshim kombësie në gjykatë ka qenë të moshave nga 24 deri në 45 vjeç. Vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2008 kanë mundur të ndryshojnë kombësinë nga shqiptare në greke apo dhe të ndonjë shteti tjetër pesë persona. Për tre të tjerë, çështjet gjyqësore janë pushuar dhe kërkesat janë rrëzuar, ndërsa 5 persona janë në vijim të gjyqeve.

Statistikat e mbajtura në Gjykatën e Fierit që nga viti 2002, kur ndryshoi ligji për ndërrimin e kombësisë, tregojnë se 2005 ka qenë viti me shifrën më të lartë të personave me kombësi të ndryshuar. Në këtë vit mësohet se kanë ndryshuar kombësinë mbi 50 persona.

Ndërkohë shumë persona që kanë hasur vështirësi në ndryshimin e kombësisë kanë bërë transferim të gjendjes civile nga Fieri në rrethe të tjera në Jug të vendit. Vetëm gjatë 2007-s ka pasur rreth 750 transferime nga Fieri drejt Jugut. Ajo që pranohet zyrtarisht prej autoriteteve të gjendjeve civile në shkallë qarku tregon se shifra reale e transferimeve të gjendjeve civile në shkallë qarku është shumë herë më e lartë se ajo që paraqet Fieri me 750 persona.

Gjendja civile sinjalizon Ministrinë e Drejtësisë: Fenomeni është shqetësues

Fierakët transferohen në Jug, për lehtësi konvertimi

Kërkesat e shumta për ndërrim kombësie dhe së fundi transferimi i gjendjes civile drejt rretheve ku konvertimi mund të bëhet më lehtë, ka bërë që të vihet në dijeni edhe Ministria e Drejtësisë. Përgjegjësja e Gjendjeve Civile në Qarkun e Fierit ka sinjalizuar Ministrinë e Drejtësisë për fenomenin e transferimeve. "Duhet të ketë kontroll mbi gjykatat në Jug të vendit. Këto e kanë të lehtë ndryshimin e kombësisë për ata që transferohen atje". Banorët e Fierit, të interesuar për ndërrimin e kombësisë, u drejtohen gjykatave të rretheve të tjera për këtë proces. Pengesën që hasin në Gjykatën e Rrethit të Fierit apo dhe në atë të Lushnjës, e kalojnë lehtë, duke shpërngulur gjendjen civile nga njësia vendore ku bëjnë pjesë, e duke u regjistruar si banorë në qytete në Jug të vendit. Në gjykatat në Jug të vendit, të shpërngulurit nuk hasin probleme për ndërrimin e kombësisë. Ky fakt pranohet zyrtarisht nga përgjegjësja e Gjendjeve Civile në Qarkun e Fierit, Lumturi Moçka. Në një prononcim për gazetën "Shqip", zonja Moçka thotë se "me aq komunikim zyrtar sa kam me Gjykatën e Rrethit të Fierit mendoj se ai numër personash që kanë ndërruar kombësinë në këtë gjykatë e kanë përfituar atë me ligj". Por përgjegjësja e Gjendjeve Civile për të gjithë Qarkun e Fierit denoncon fenomenin e transferimit të gjendjeve civile drejt qyteteve të Jugut të Shqipërisë. Ajo thotë se shumë persona që kanë interes për ndërrim kombësisë kanë shpërngulur gjendjen civile prej tre rretheve të qarkut dhe janë regjistruar në ato të Jugut të vendit". E shqetësuar për rritjen e fenomenit, ajo ka sinjalizuar edhe Ministrinë e Drejtësisë. "E kam vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë prej shumë kohësh dhe kontrolli që po ushtrohet sot në sistemin e drejtësisë duhet të përqendrohet edhe te kjo temë, si dhe te gjykatat në Jug të vendit". "Nuk kam evidencë të saktë të personave që kanë ndërruar kombësinë në Fier, por deklaroj se janë shumë. Është shumë më i lartë numri i personave që kanë bërë shpërnguljen nga Qarku i Fierit dhe për këtë duhet të ndërhyjnë organet e drejtësisë. Të dhënat që kemi siguruar nga rrethet, veçanërisht nga Jugu i vendit, tregojnë se mbi 70 për qind e të shpërngulurve nga Fieri i drejtohen Jugut për ta pasur më të lehtë edhe ndërrimin e kombësisë", vijon më tej përgjegjësja e gjendjes civile. Mësohet se një abuzim i vogël që mund të nisë në gjendjet civile dhe të përfundojë në fazën e fundit në gjykatë, mund ta ulë ndjeshëm popullsinë me kombësi shqiptare. Moçka pranon se "kam hasur shpeshherë në kërkesa për abuzime të tilla, ku persona të veçantë duan një ndryshim "të vogël" në certifikatë, si për shembull t‘ua bësh një nga prindërit me kombësi të huaj, por kjo nuk ka ndodhur". Aq më tepër kur po shihen prirje antikombëtare, prej Fierit vjen alarmi për kontroll të gjykatave të Jugut të vendit, si dhe ndërhyrje të menjëhershme nga organet më të larta të drejtësisë.

LIGJI

Ligji për ndryshimin e kombësisë është ndryshuar në vitin 2002. Deri në këtë vit, ndryshimi bëhej nga gjendja civile, ndërsa më pas vetëm me vendim gjykate. Deri në 2002-n, një numër i madh i popullsisë së Fierit ka ndërruar kombësinë

Statistikat

Emigrantët e Greqisë, 80 për qind ndërrojnë emrat

Që nga viti 1992, deri 3 vite më parë, prirja e emigrantëve shqiptarë në Greqi që regjistrimin e kanë në Qarkun e Fierit ka qenë ndryshimi i emrit apo mbiemrit. "Edhe pse ky fenomen është ulur në tre vitet e fundit, si shkak i legalizimit të shumë emigrantëve, paraqiten raste të vazhdueshme që kanë këtë kërkesë. Është ulur në krahasim me vitet e shkuara, por nuk është ndërprerë një fenomen i tillë. Kjo për faktin se regjistrat e gjendjeve civile janë të mbushura me emra dhe mbiemra grekë të emigrantëve", thotë Anjeza Sala, një punonjëse e Gjendjes Civile në qytetin e Lushnjës. Shifrat që vijnë nga të gjitha gjendjet civile të njësive vendore në shkallë qarku tregojnë se 80 për qind e emigrantëve në Greqi kanë ndërruar emrin apo mbiemrin.

SHËNIM

"MBRETI" BOLLANO I HIMARËS

"Top Channel" ka zbuluar atë që mund të quhet skandali më i fundit nga bëmat e kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano. Në faqen në internet të Bashkisë së Himarës ekziston një listë e gjatë me emra pronarësh të shtëpive apo hoteleve të vegjël për t‘u dhënë me qira. Në guidën zyrtare turistike të Bashkisë së Himarës, përveç rritjes artificiale që i bëhet numrit të grekëve, ndryshimit të toponimeve, dhe mbi të gjitha të historisë së kësaj zone, "Top Channel" zbuloi një mënyrë origjinale të kreut të bashkisë, Vasil Bollano për të rritur numrin e minoritarëve. Në 10 faqet e fundit të guidës janë dhënë kontaktet dhe emrat, ku turistët duhet të drejtohen për të rezervuar një dhomë hoteli apo shtëpi me qira. Ashtu si në përqindjet e dhëna në fillim të guidës për grekët, në këtë zonë edhe emrat e kontakteve duken të gjithë grekë. Por sa e vërtetë është kjo? Dhe meqë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kërkoi edhe regjistrimin e popullsisë me vetëdeklarim të kombësisë, "Top Channel" bëri pikërisht këtë. U pyetën banorët e listës në faqen e internetit, nëse emrat e tyre grekë përputheshin me etninë e tyre. Ajo që u zbulua është skandaloze. Kreu i bashkisë ka manipuluar emrat e një numri të madh personash, duke u shtuar apo hequr germa për t‘i greqizuar. Kryeplaku i Qeparoit, Stefan Kokëdhima, thotë se në guidë emri i tij është Stefanos Kokëdhimas, në mënyrë fare të padrejtë. Edhe banorë të tjerë habiten përpara aktit më të fundit të Vasilit ose po ta përkthejmë në shqip, "mbretit" të vetëshpallur të Himarës, i cili mesa duket ka marrë edhe rolin e priftit që pagëzon himarjotët me emra të rinj grekë.

Sipas kryeplakut Kokëdhima janë 30 emra të ndryshuar në fshatin Qeparo. Pra, mesa duket edhe nga faktet, nuk janë mediat ato që shpifin apo ekzagjerojnë, por janë njerëz si Bollano, që përveçse përdhosin e nëpërkëmbin simbolet kombëtare shqiptare, edhe manipulojnë e mashtrojnë në mënyrë të paskrupullt. Në këtë rast media po bën veç punën e saj, duke publikuar bëmat e mëdha të të paprekshmit të jugut, ndaj përpara se dikush të gjykojë duhet të kërkojë fajet brenda vetes e më pas të heshtë. Faktet mbeten fakte, e Vasil Bollano edhe këtë herë është kapur me presh ndër duar. Shpresojmë që këtë herë, të paktën drejtësia të mos heshtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora