Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefik Shkodra: Një shtim i vogël sa një pikë shiu

| E marte, 06.11.2012, 06:53 PM |


Me shkas

NJË SHTIM I VOGËL SA NJË PIKË SHIU

Për shkrimin e

Kolë TAHIRI: «Albania’ e Konicës (1)»

Prezantimi i rivistës “Albania»

(Botim në portali “Zemra Shqiptare”, më 29.10.2012)

NGA SHEFIK SHKODRA

«Për prezentimin e revistës “Albania” të Konicës kemi shfrytëzuar koleksionin e saj të plotë, ruajtur me kujdes nga Shoqata “Iliria” e Brukselit, me kryetar,... » etj. Tahiri bukur i paraqet tri vëllimet (A, B, C). Vetëm ky i treti (C) nuk daton prej 1900, po prej 1899, edhe pse me vonesë, pas tre muajve: “Numri i tanishëm del më 22 të marsit. Po, që të mos mbetet vent i zbrazur, shkruajmë sikur dolli në kalënduar.” Kështu shkruante redaksia në fillim të numrit të parë, të v. 1899. Po kjo nuk është ndonjë e dhënë shumë gabim. As nuk do të bëjmë fjalë kryesisht për këtë rast. Fjala është për diç shumë më gjerë,  ndër ne që merremi me këto punë. E me këtë rast, dua të shtoj edhe pak fjalë për këtë revistë dhe drejtorin e saj – Faik Konica.

Çdo gjë që shkruahet për figurat e rilindësve tanë, për kulturën, traditën, historinë kombëtare dhe veprimtarinë e përgjithshme të këtyre personazheve nëpër kohë, e edhe kur përseritet ndonjë element, e edhe kur ai personazh bën pjesë në një të keqe e në tradhëti kombëtare, ndihem mirë. I lexoj me ëndje, sepse informohem. Kërkoj që të gjendet diç e re për ta. Ndonjë foto, apo ndonjë letër, qoftë edhe shumë intime, etj. Por gjithnjë duke pasur parasysh edhe burimet e literaturën. Diçka nga dora e parë.

Një shembull i asaj kohe që duhet të përligjet edhe sot

Nuk duhet të keqkuptohemi dhe nuk dua t’i bëj vërejtje askujt. Dhe nuk kam asgjë kundër këtij shkrimi as autorit, por si është thënë nga populli, “ndukë një kashtë e dalin gjashtë”. Në këto kohë po ndodh çdo gjë. Dhe mirë që jemi liruar nga një embargo nëpër këto vende me një parti, një mendim. Kështu dhe censuroheshim deri në palcë. Këtyre kohëve janë shpreh e janë dhënë mjaft vepra të mira e origjinale, por janë bërë edhe shumë duplifikime, për të mos thënë edhe plagjiatura. Përkundrazi sot, nuk do të duhej të kishim kokëçarje me informacione. Në letrat shqipe prodhohet me hov, interneti dhe faqet tjera janë ndihmesë e shpejtë për t’u njohur me të gjitha të arriturat, gabimet e lëshimet padashtas. Këtu, me këtë rast, po e marrë si ilustrim një veprim të ngjashëm, kur Konica e botoi në atë kohë tregimin e njohur të Kristofordhit, në hyrje faqeje jepte edhe shënim-shpjegimin: “Gjahu i Malësorëve – Hija e Tomorit, prej Konstantin Kristofordhit – Elbasanasit [...] nuk ka qenë i botuar gjer më sot. A l b a n i a, duke pasur nderin t’a botojë për herë të parë, u lutet atdhetarëve qi, tani e tutje, do ta shtypin përseri, të rrëfejnë se e muarmë nga e Përkohëshmia. Këtë, jo vetëm e do Kanunësia e gjithë viseve, por e do edhe më e vogla qytetëri.(Alb. G f. 90).

*

E përmenda më lart, sa herë që është shkruar për ndonjë diçka të re nga historia, gjuha, letërsia, kultura e tradita kombëtare shqiptare, më ka ngashnjye ai shkrim i kujdo qoftë. Dhe janë disa shkrime të disa njerëzve, apo ndonjë album fotosh të ndryshme nga e kaluara që më impresionojnë. Sidomos, periudha para pavarësisë e rilindësve tanë, të cilët më duket se me mund të madh edhe pse të vonuar, ia kanë arritur qëllimit përgjysmë. Pra, ia kanë arritur qëllimit që, shqiptarët të mos shkombëtarizoheshin. Të shpëtonin në kohët më të vështira. Të rudhur gjeografikisht e shpirtërisht, por nga hiçi të mbetet diçka. Ishin kohë më të ashpra historike, kur shqiptarët nuk  ishin të përgatitur në asnjë pikëpamje që të mbroheshin: pa një shtet e ushtri të organizuar, pa një ekonomi të qeverisur si duhet, pa një shkollim të mjaftueshëm, dhe fare në gjuhë amtare; pa një alfabet e gjuhë unike, pa asnjë element  kombëtar të konsoliduar, që do të përkraheshin nga fquqitë tjera evropiane. Fqinjët, është e vërtetë, kanë dashur dhe të shumtën ia kanë arritur qëllimit, të coptojnë tokat shqiptare pas rënies së Perandorisë Osmane. Konica, tashmë i zhgënjyer nga evropianët, e ndërpret revistën e vet, ik në Amerikë në Koloninë e famshme shqiptare. Merr redaktimin e gazetës së njohur “Dielli”, që deri atëherë drejtohej prej Nolit dhe të tjerëve.

Studius politik e për përfitime nga arti, tradita, kultura e historia

Nuk ka kurrfarë dileme se, autori është përgjegjës për shkrimin që e lëshon në qarkullim – publikim. Herë-herë, (jo të gjithë), këta që kanë thirrje shkencore e mendojnë veten se mund të bëjnë çka të donë. Nuk i përfillin punimet e “minoritarëve”, e i injorojnë ata pa grada shkencore. Ky farë mendimi është konservuar, si duket, edhe më tutje në disa koka të njerëzve të brezit para nesh dhe ata të gjeneratës: që të mos pranojnë studimin e ndonjërit me xhelozi, duke injoruar dhe duke mos e krahasuar veten si “më i madh”, të indoktrinuar se, vetëm ata – dikusha e kanë privilegjë studimin e anatomisë shqiptare. Kështu, një pjesë prej atyre “specialistëve”është paraqitur si me kokëfortësi e të papërfillshëm për “më të voglin”. Ka njeri që ka në dorë ndonjë dokument, të herrë nga ai regjimi i atëhershëm (në rrethanat privilegjuese që i ka shfrytëzuar atëherë bibliotekat, arkivat, apo njerëz që kanë lënë trashëgimi), por që akëcili nuk di, s’ka forcë intelektuali e dashuri që t’i trajtojë si duhet e paanshmërisht, por edhe t’i dorëzojë ato dokumente për të tjerët, nuk pranon. Ose, druan politikishti, mos po “bie në grackë”, nëse shkruan për ndonjërën prej figurave historike drejt. Përpiqet të ruhet nga ndonjë flakë që do ta përshkoj e “ta fërgojë” nëpër valët e jetës, me që ky apo ai “ishte armik i popullit”. Kështu, shumë gjëra nuk janë trajtuar në mënyrë origjinale. Shumë personalitete kombëtare janë trajtuar sipas vullnetit  të partisë moniste. Duke ia fshehur ndonjërit të gjitha të metat, apo duke i fshehur tjetrit të gjitha të mirat. Monumentet historike, kulturore kombëtare duhet të mbeten ashtu si ishin në të vërtetë. As t’i stilizojmë e as t’i keqtrajtojmë! Ata janë si aktorë të një teatri, pasi kanë kaluar decenie e shekuj dhe s’dëmtojnë asgjë më në çështjen kombëtare.

Një grup i disa autorëve veç e veç, kanë shkruar dhe shkruajnë për komercializëm, ‘mos po u del ndonjë para’, por  jo që të thuhet ajo shkencorja realisht. Ka raste, kur Konica quhet “i ndytë”, njeri me “teke” e “vese”, “anarkist”, “pro turk” e herë-herë edhe “pro serb”. Dhe të gjitha ato le të thuhen, qoftë në vijën politike, kulturore etj., por do të duhej të kuptohet mirë dhe të analizohet objektivisht. Ngase, ky njeri ishte më i ngritur në mesin jo veç të shqiptarëve. Ky ishte ai tipi, i cili diti të vlerësojë në kohë dhe të matë çdo gjë artistike, letrare, politike, historike, kulturore dhe tradicionale. Ishte më mirë i informoruar se kushdo tjetër. Ishte mjaft edhe autokritik. Kritikoi shumë edhe bashkëkohanikët e vet shqiptar. Nuk ishte komplet asnjëri prej të tjerëve dhe s’mund  të krahasohej askush me te. Këtë e kanë thënë edhe bashkëkombëtarët e vet. Këtë e kanë pranuar edhe të huajt për sa e kanë njohur atë dhe punën e tij. Pra, nuk e bën shkencëtari një punë sot kështu, për të rënë në dilemë nesër me vetveten.

Anatemimi i disa figurave sipas doktrinës partiake

Është e njohur për opinionin shqiptar se, një grup i autorëve të letërsisë, apo të lëmenjve të tjerë të albanologjisë dhe të shkencave tjera ishin të anatemuar për kohën e monizmit. Ata ishin në numër të madh. Dhe kjo ndodhte si në Shqipëri edhe në pjesët tjera të shqiptarëve. Më e thekësuar ka qenë në Shqipëri ndalesa. Derisa në Kosovë, për Faik Konicën shkruanin disa prej studiuesve shqiptarë, në Shqipëri emri i tij përmendej vetëm për krahasim të një tradhëtari e renegati, anarkisti e konservatori, mikroborxhezi e aristokrati, etj. epitete për krahasim me të keqën.

Në një panair libri, në Prishtinë, në vitet 2010, ma treguan një grua për të cilën thoshin se është e mbesa e  Faik Konicës. Nga kureshtja e madhe që të shoh një njeri nga kjo familje, iu afrova dhe e përshëndeta. Në tryezë kishte edhe vëllimin e parë të revistës “Albania” të Konicës të ribotuar, për shitje. I tregova se unë e kisha shfletuar dhe lexuar kompletin e kësa reviste. Ajo m’u drejtua me fjalët se, “s’është e mundur. Ku i ke gjetur ti vëllimet e kësaj reviste?” I tregova se i kam kërkuar kaherë në disa vende të ndryshme të Evropës dhe ia kam arritur qëllimit. Ia dhurova edhe librin tim monografik për këtë revistë. Nuk qe shumë e befasuar, as nuk i përgënjeshtëroi thëniet e veta ndonjë ditë më parë, se, nuk është trajtuar si duhet F. Konicia, nuk kanë ditur studiuesit e Kosovës, e përafërsisht, e tha se, as ata të Shqipërisë, etj. Sa e pash, nuk ishte kjo studjuesja as dashmamirësja e njeriut të vet e as e askujt. Por, te unë mbeti bindja se, qëllimi  ishte të bëhej komercializëm dhe jo aq për veprën e njeriut të afërm, i cili do të duhej të jetë shumë i famshëm  në mesin e shqiptarëve, sidomos për kohën e tij, e si duket edhe për të sotmen. Një herë e përgjithmonë shqiptarët duhet të ngulen vendosmërisht dhe pa dorëza të shkruajnë historinë e vet realisht. Me të keqet e me të mirat duhet të shënohen realisht.

Një tekst për referencë

Nga autori Kolë Tahiri lexova shkrimin, “Albania” e Konicës (1)”, me nëntitull, “Prezantimi i rivistës ‘Albania”, si për qëllimin e daljes së saj, vendin, kontributin, ndikimin në masë, teknika, përmbajtja, etj. Tahiri i paraqiti nja dy-tri vëllime dhe bëri me dije se do të vijoj edhe më për vëllimet tjera. Prezantimi ishte i mirë dhe joshës për lexim. Por, nuk e di sa është njoftuar edhe me literaturën e shkrimet për këtë revistë.

Këtu  mora shkas që të përmend  interesimet e mija, qe nga vitet e shtatëdhjeta e tutje. Një tekst me një punim ngjashëm  me këtë e kemi prej autorit të këtyre rreshtave. Nga ajo që kam arritur në studimet e mija të hershme, me mund e kisha bërë tubë materialin, të cilin edhe e botova në libër të plotë. Dhe kjo kohë ishte shumë e vështirë nga rreziqet e regjimit të atëhershëm në Kosovë. Jo pse isha i detyruar ta botoja këtë, por nga një dëshirë e kahmotshme, për këtë revistë që e kisha objektiv të respektueshëm. Nga disa libra leximi të viteve të gjashtëdhjeta gjeta pak shënime biobibliografike, e më vonë i ndikuar nga shkrimet e autorëve të tjerë, mezi pritsha që të gjeja diç ku përmendej Konica dhe revista e tij.

Pas luftës shkrova në të përditshmet e Kosovës dhjetëra artikuj e trajtesa të ndryshme për vlerën e punimeve të revistës “Albania”, si për njëqind e dhjetëvjetorin e daljes së numrit të parë të saj, por edhe herave tjera: përpjekjet për një alfabet të shqipës, enigma e parë e shkruar, vjershat epistula në faqet e kësaj reviste, etj.

Në këtë libër të reduktuar në minimun, prej afro 140 faqe, e të shtypur jo aq mirë, janë përfshirë këta tituj e nëntituj: “Konica – restaurues dhe ndërtues i kulturës shqiptare” (si hyrje); “Botimi i numrit të parë të revistës ‘Albania”; “Fizionomia e teknika e revistës ‘Albania”(duke përfshirë: tekninkën, paginimin, seritë, shtypin, shitjen dhe shpërndarjen e saj. Përdorimi i alfabetit. Botimet e veçanta. Dalja dhe selia e kësaj reviste. Bashkëpunëtorët e ‘Albanias’. Udhëzime për bashkëpunëtorët.” Kështu e kemi një përshkrim të tërësishëm, qe nga kopërtina e parë e numrit të parë e deri te shpalljet, reklamat e te “Mesalla e sendeve – Table des matières”, që do të thotë, Përmbajtja. Tituj e materialit janë të rënditur së pari: Vjersha, Këngë popullore, Përralla – Përrallëza, Muzikë, Gjuhë dhe letrëtyrë (letërsi), Alfabeti i gjuhës shqipe, Histori, Propagandë politike, Andej e këtej, etj. varësisht si është përgatitur numri, përkatësisht vëllimi me material që ka pasur, e pastaj edhe në gjuhën frënge. Kështu vijon për të gjitha vëllimet.

Për librin “Albania’ e Konicës – pergamenë shqiptare”, Rilindja, Prishtinë, 1995, u shkrua disa herë, por mjetet e informimit nuk ishin të konsoliduara dhe të rregullta si duhet për opinionin publik para luftës (1999)...megjithatë, si duket s’është puna deri aty. Asnjë bisedë nuk e pata prej askujt lidhur me këtë. Asnjë ftesë për ndonjë tribunë e as për Seminarin e Gjuhës dhe të kulturës shqiptare për të huajt, që po mbahej për çdo vit në Prishtinë, nuk mora pjesë....as nuk më ftoi askush. E meta ime është se, nuk e kam natyrën që t’i imponohem qarqeve të ndryshme shkencore e kulturore dhe asnjë sfere tjetër. Gazet dhe gazetarët me aq sa kanë mundësi e sa kanë informacione bëjnë. Po, ata herë-herë hiçin që s’çon peshë fare, me dije e pa dije. Ata që e quajnë vetën kompetent heshtin, më shumë nga smira e xhelozia.

Libri nuk është edhe aq i pashpërndarë. E di, BUK në Prishtinë duhet ta ketë, edhe Biblioteka Kombëtare në Tiranë, biblioteka “Fan S. Noli në Gjilan i ka disa ekzemplarë, ajo e Kamenicës, etj. Por, ky libër me një farë porosie është edhe në bibliotekën e ndonjërit në mesin e shqiptarëve të Amerikës,...nuk e di mirë te cili person.

Në Kosovë është shkruar për Konicën

Dikush, diku e kishte përmendur në mënyrë kolegiale se, asgjë nuk është bërë e nuk është shkruar për Faik Konicën dhe veprën e tij. Mirëpo, me këtë mendim nuk do t’isha pajtuar. Herë më shumë e herë më pak. Herë më drejt e herë në mënyrë ironike e nënçmuese, por nuk është lënë pas dore. Nuk është hestur për te, sepse, ai dhe “Albania” e tij është kudo në ato kohë më të vrullshme, për jetë a vdekje kolektive të shqiptarëve. Më shkurt, në Kosovë nuk e kanë lënë pas dore Faik Konicën dhe veprën e tij. Qe nga vitet e shtatëdhjeta e më herët janë marrë me veprën e tij. Janë shkruar studime të ndryshme, duke filluar nga një Luan Starova, nga Maqedonia, (thuhet se ka specializuar në “Veprat e F. Konicës në gjuhën frënge – tezë doktorate, mos është kështu diçka, po këtë tekst nuk e kam  pas në dorë asnjëherë. Ky njeri është ruajtur dhe nuk është shfaqur sa duhet në opinionin shqiptar. Ka botuar edhe në gjuhën frënge për te ... e nuk di çka). Po pët Faikun është botuar ndonjë revistë letrare me shënime dhe veprën e Konicës, për ndonjë përvjetor të tij, si ajo “Jehona” e Shkupit, “Jeta e re” e Prishtinës, pastaj Shtëpia Botuese “Rilindja”, në Prishtinë, dy vëllime. Kemi edhe shkrime e studime nga prof. A. Karjakdiu, prof. Y. Jaka, prof. M. Pirraku, prof. M. Blaku, nga S. Hammiti, R. Kelmendi, R. Qosja etj. Para këtyre ishte një M. Pavlloviq, i cili e kishte një studim në serbokroatisht për Guillaume Apollinare dhe popujt e Ballkanit, kështu përafërsisht. I njëjti e pat botuar një punim në revistën shkencore të IA, “Gjurimime Albanologjike”, “Gijom Apoliner i Siptari”, më 1965. E kishte përkthyer edhe një rrëfim të bukur për F. Konicën, të botuar më parë në “Mercure de France”, (revistë e njohur në frëngjisht e asaj kohe), “Faik Beg Konica”, njëri prej miqve shumë të çmuar të G. Apolinerit, e pastaj edhe në librin post mortem “Anecdotiques” të G. Apolinerit, me përgatitje e shënime të P. M. Adema. Këtë e përktheva edhe në shqip më 1985, dhe e botova te revista “Fjala”. Më vonë, shumë prej këtyre autorëve tanë të ndryshëm, në Shqipëri e në vise tjera shqiptare si dhe në diasporë, që u kishte rënë në dorë ndonjë fletë e revistës së Konicës, apo diç tjetër, ia nisën të shkruajnë më dendur. Shumë prej tyre e kanë përplotësuar dhe kanë publikuar ndonjë prej të dhënave me interes. Por, ka edhe përseritje të pareshtura sidomos pas viteve të nëntëdhjeta. Dy e më tepër gazeta ditore, vetëm në Kosovë, e botuan  rrëfimin e gatshëm, “Faik Beg Konitza”, por pa treguar kah e morën, si dhe kush ishte përkthyes i parë, i dytë...etj. Kjo është një papërgjegjësi për ata që bëjnë gazetat.

E kemi edhe një lloj mongrafie prej prof. Nasho Jorgaqit, e cila është përgatitur mjaft mirë e me të dhëna të shumta, në pesë vëllime. Natyrisht, ky autor përdor litetraturë mjaft të begatshme. E si duket punën  më të madhe e më të saktë e ka bërë prof. Jup Kastrati.

Me që kisha fatin ta lexoj edhe në origjinal, një monografi të P. M. Adéma-s, i cili në mënyrë shterruese shkruan për jetën dhe veprën e Gijom Apolinerit, e i cili edhe i përmend detajisht takimet me Faik Konicën, dy herë në Londër, m’u dha mundësia të njihem edhe më për marrëdhëniet e këtyre dy personave. Mësova se sa ishte i respektuar Konica në mesin e letrarëve dhe njerëzve të artit në Francë, por edhe gjetiu.

Në periudhën e tij të shkollimit, që nga Gjimnazi Gallata Saraj të Stambollit e deri te qytetet franceze: Dijon, Monpellier, Paris etj. dhe jeta e veprimtaria e tij në Bruksel e Londër, por edhe në Zvicër, Austri, Itali,e vende tjera, la gjurmë të pashlyeshme për historinë kombëtare shqiptare. Me një fjalë, nuk ka mundësi që të flitet për Rilindjen Kombëtare Shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimin e dhjetvjetshit të parë të shek. XX e të mos zihet në gojë Faik Konica dhe revista e tij “Albania” (1897 – 1909). Themi kështu, sepse kjo revistë e botuar në dy gjuhët, shqip dhe frëngjisht, ndonjë faqe edhe me alfabetin osman, për kaq vite pa ndërprerje, ishte njëra prej revistave më në zë dhe më e pranueshmja në opinionin intelektual shqiptar, por edhe të huajt e çmuan shumë.  Shtypi evropian shkroi disa herë për rev. shqiptare të atëhershme, si ai belg, gjerman, frëng, etj. Revista “Festin d’Esope” e G. Apoliner-it, në mesin e reklamave për periodikun frëng më të njohur, mbante edhe reklamën e revistës bilinguiste “Albania” që nga numrat e parë. Kjo revistë ishte standarde në mesin evropian dhe mjaft tërheqëse,  pse, autori (drejtori i saj – F. Konica) i njihte dy gjuhët, shqipe dhe frënge, më mirë se kushdo tjetër prej bashkëkohanikëve të tij. Dhe, pse me një aftësi përgatitjeje edhe teknike e me kritere të qëndrueshme, kjo reviste ofroi shumë bashkëpunëtorë, sidomos ata të Dialektit të Veriut, pra rrethina e Shkodrës. Por, kjo revistë kishte bashkëpunëtorë nga të gjitha skajet e Shqipërisë Etnike dhe të kolonive shqiptare në çdo kënd të botës. Ishte nder i madh të botohej në atë kohë një vjershë apo një copë letër në “Albania”. Për dymbëdhjetë vitet e daljes së saj, ishte tribunë e politikës, shkencës dhe kulturës (për alfabetin, gjuhën, historinë, letërsinë artistike dhe atë popullore, për kritikë e polemikë, për përkthime, etj.). Por edhe për mësime të tjera me shumë kompetencë për shqiptarët.