Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Miradije Gashi

| E hene, 05.11.2012, 08:44 PM |


Miradije Gashi

POETIT

Ti që shkrove atëherë
Kur ishte e ndaluar
Në vitet e rënda të
Pranverës së Madhe
Kur lulëkuqet
Kishin ngjyrë hekuri
E qëndrësë guri,
Ishe ti ai...
POET!

TOKA

Toka është e lashtë
Aq sa edhe ne
Është aq e madhe
Sa s'mund të
Përthekohet
E shpesh është dhe si një top i zjarrtë
Vullkan që than krojet.
Toka është me shumë
Të kundërta
Është zjarr dhe ujë
Njëkohësisht
Diku rron paqja e diku lufta
Dhe jetë e vdekje ka
Sigurisht.
Toka është e gjallë
Që zhveshet
E prapë veshet me blerim
Si në vendin tim.
Toka është e vogël
Sa një gisht
E sa një kokërr rëre n'oqean
A sa një yll i vockël
N'qiellin e pafund
Është një mrekulli
Që s'e gjen dot kund.

KA MOMENTE

Ka momente
Kur jetën e bën
Të bukur
DASHURIA.
Ka momente
Kur jetë e bën
Të bukur
MIQËSIA.
Por ka momente
Kur jetën e bën
Të bukur
HARRESA!

AS PËR HIJE

Drurët rriten
Dhe pa menduar
Për sëpatë,
Ndonëse s'janë
Njësoj të gjithë.
Ca s'janë
As për hije,
Ca s'janë as për zogj!

As për hije
Ca s'janë
As për zogj!