Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Të mos mbetemi me sy nga perëndia

| E hene, 05.11.2012, 09:04 PM |


TË MOS MBETEMI ME SYTË NGA PERËNDIA

Impresione rreth vëllimit me poezi “Ngelën sytë nga perendia”, të poetit Riza Çato

NGA PËLLUMB GORICA

“Kam një gjë të mirë, e di se ku vete/Edhe pse i vogël, llumi s’më mbulon”

Kështu shprehet poeti Riza Çato në dy vargje të një poezie të bukur të vëllimit të tij plotrrjedhshmëri dhe kadencë vargu,“Ngelën sytë nga perendia”. Vargje këto që nuk shprehin vetëm sigurinë e poetit në udhën e këndshme dhe të vështirë të poezisë, në zotërimin e tempit dhe ritmit, të melodisë së vargut dhe transparencës së gjuhës, por edhe zbërthim i thënies filozofike se njeriu që di nga ka ardhur, di nga shkon dhe çimenton me humanizëm të tashmen e tij. Të thuash se di ku vete, do të thotë se troket në dyert e një poezie që do të sjellë më shumë kënaqësi e çlodhje, këndshmëri dhe sinqeritet, të hapësh dyert e një poezie që të fton të ndjesh e shijosh, të lodhesh e të mendosh, e mbi të gjitha të jetosh me nder. Poeti do me gjithë zemër e kërkon e lufton për lirinë e vërtetë, do e kërkon të jetë pjesë e lumturisë së të gjithëve. E veçantë e vëllimit është se poeti është i zhveshur nga egoja personale, dhe  lumturinë e lirinë e tij si individ dhe si krijues e pranon vetëm të kushtëzuar nga lumturia e të gjithë njerëzve të këtij vendi. Për Riza Çaton, kryesore është liria, liria e vendit e liria personale nga të cilat burojnë të gjithë të mirat. Për ata që nuk duan ta vlerësojnë lirinë si diçka të shtrenjtë poeti kërkon:“Ti mbyllim veçmas në kafaz /që ta kuptojnë çdo të thotë liri.”  Poeti i thur homazh njeriut të mirë, njeriut i angazhuar plotsisht me çdo grimcë të kësaj jete dhe këtij realiteti, njeriut për të cilin kanë nevojë të gjithë, kurse për të keqin, jo vetëm që jeta nuk e ka në laps por për të siç thotë poeti  nuk ka as varr për prehje: “Ai ka vdekur e varr s’do të ketë kurrë”. Poeti edhe pse ka besim tek perendia, nuk rri duarlidhur, nuk e pret çdo gjë të gatshmne, por është ingranuar aktivisht në çdo qelizë të kësaj jete, punon e lufton, shqetsohet e gëzohet për gjithçka që mërzit njeriun e mirë dhe ndjehet vazhdimisht krenar që jeton në këtë vend e midis këtyre njerëzve, që gjithësesi në luftën midis të mirës dhe së keqes, triumfon e mira. Ai shqetsohet edhe për hënën që nuk ndriçon sa duhet, edhe për njeriun e keq që mbjell errësirën, edhe për politikanët që llapatitin fjalë boshe e nuk e kanë mendjen të qeverisin, edhe për të vdekurin që nuk gjen më vend në varreza, edhe për dashurinë që e ka infektuar lakmia e interesi, edhe për njerëzit që hiqen të sinqertë, por janë lakmiqarë, edhe pë rata që shtiren dhe nuk janë kurrë vetvetja. Edhe pse poeti e jeton intensivisht të përditshmen plot shqetsime, bisedon me të mirët dhe të këqinjtë e kësaj bote, debaton me deputetë e politikanë sharlatanë, ndeshet me njerëz të korruptuar dhe bie e ngrihet nga shtrati me këtë shqetsim: “Më fëshfërijnë fjalët që gjatë ditës kam dëgjuar / Kur në krevat shtrihem për të fjetur gjumë ”… ai prap nuk e humbet kurrë besimin dhe shpresën tek gjenerata e re: “Dhe prap shikoj një shpresë, një ëndërr / se dita një herë do të jetë ditë Shpresoj tek gjenerata e re”. Poeti nuk e duron jetën e vakët, jetën e zvenitur, jeten e velur në llum korrupsioni, jetë me sytë nga perendia apo që mbahet në këmbë me  ndihma të pandershme, por kërkon që të jetë pjesë e luftës për një jetë dinjitoze dhe kërkon të vdesë në beteja fitoresh. “Megjithatë s’do resht pa kërkua fronte, beteja, kudo në gjithë botën /O të vdes, ashtu siç kam menduar /o, përndryshe vdekjes nuk ia hap portën”. Motivi kryesor i gjithë vëllimit është: Kjo botë është e trazuar, me halle dhe pabesi, ndaj njerëzit e mirë duhet t’i përgjigjen thirrjes së poetit për ta çliruar atë nga të këqijat  dhe të sundojë sinqeriteti dhe drejtësia kudo. Atë e shqetsojnë gjithë ngjarjet e shëmtuara që ndodhin në vendin tonë apo në botë, por nuk duron dot sidomos tallavinë dhe rrëmujën që zotëron në kryeqytetin tonë Tiranën: “Ka deputetë ministra koti /ka diploma është metropol / tre herë në ditë ndryshon moti vjen me dy sy largohesh qorr” dhe në një poezi tjetër për Tiranën shkruan: Ç’fatkeqsi në këtë qytet rrebelash/ku era e Lanës parfumos bulevardet /më duken njerëzit si tufë harabelesh /që zihen e grihen për të larë hesapet.”Ndjen dhe jeton këtë gjendje të amullt të vendbanimit të tij poeti dhe për një çast sikur bie në pesimizëm me shtigje të mbyllura: “ikin vetëm ikin  asgjë nuk rikthehet / ikën koha me si një vetëtimë / zihem shpesh me veten dhe me veten grihem /zemra e dalldisur vetëm psherëtin”, por përsëri gjen kurajon, zbulon shpresën, mbledh forcat e ingranohet optimist në udhët e jetës kur thotë: “dhe  prap them që jeta është e bukur…  Në gjithë strofat dhe vargjet e këtij vëllimi një gjë bie qartë në sy “poeti kërkon të jetë vetvetja, kërkon të mos imitojë të tjerët, të nxjerrë me mendjen dhe duart e tij  gjëra origjinale, të jetë me identitein e tij edhe në poezi: “Veç zërit tim asgjë s’kam tjetër / këtë s’e mbyll dot në kafaz”  Poeti nuk bën asnjë kompromis me të keqen, me injorantin e pushtetarin e korruptuar, me qeveritarin që nuk qeveris, e kriminelin që vret në mes ditës, me horrin e drogaxhiun, servilin e dallaverexhiun, ndaj kërkon shtetin e fortë ligjor, dënon qeverisjen e korruptuar: “Fytyrë e shtetit, lypsëria /e maskarait, për tutor /ç’farë pret ti popull nga qeveria / kur varfërinë ta sjell me zor”. Tërë vëllimi ka një gjuhë të rrjedhshme e stil të këndshëm. Poezitë e tij të mbushin gjoksin me frymarrje të pastër me ajër malesh e aromë lulesh, të ndezin mendimin me ashpërsinë e luftës për drejtësi e dinjitet. Ato kanë figuracion të pasur dhe ndenja sinqeriteti që burojnë natyrshëm, pa sforcime. Të mbeten në mendje gdhendja me vargje e peisazheve të bukura me impulse jetësore, të mbushura me një lirizëm të hollë  dehës, me krahasime e metafora, të cilat e ngërthejnë  natyrshëm e rrjedhshëm unin poetik me mjedisin rrethues: “Rënkon deti nga furtuna / si një plakë në agoni / përmbi valë përdridhet shkuma / kridhet  ngjitet si veri “- shkruan në poezinë e bukur “Shuhet”,ose siç vazhdon me një frymë majakovskiane në një poezi tjetër: “Një re e ngrënë në qiell vërdalloset / në shtrat të saj rrebeshi mbretëron /dëbora tokës nuk i la një qoshe/ngricë dhe kallkan mëngjezi zë këndon” Në ndonjë çast autori e ndjen veten të pafuqishëm për të rregulluar e ndrequr diçka nga ky mjedis i  degraduar, nga pabesitë dhe korrupsioni që ka përfshirë mjaft shtresa, ndaj kërkon të arratiset nga ky realitet i rrëmujshëm, por shpejt i pishmanuar i rikthehet jetës, angazhohet si qyetar dhe poet, mpreh lapsin dhe mbledh fuqitë e tij, dhe bëhet luftëtar për të ndrequr çështë e mundur dhe sa mund të arrij: “Vendosa të largohem rrugës s’ka drita / se ky vend s’më do, ndoshta ska nevojë”. Por duke patur besim tek trashëgimia e pasur, e cila buron të ardhme të sigurtë, duke e kthyer vargun e tij në pushkë e betim, se vetëm në vargje ai gjen jetën dhe vdekjen deklamon pa frikë se: “Lind dhe vdes në varg sa herë dua”. Poeti është krenar që është grimcë e kësaj gjithësie dhe ua di e kupton gjuhën të gjithëve, edhe drunjve edhe zogjve, edhe erës e flladit: “I gëzuar mes pylli/flas me pemë  e flas me zogj.”Të 311 poezitë e këtij vëllimi, të mbledhura me kujdes nga poeti, ashtu siç zgjedh bleta polenin për të bërë mjaltin, dhe shumë gjëra të bukura e ndjesore të  mbeten në mendje. Megjithatë, mund të përmendim ndonjë mangësi, si stërgjatja e ndonjë poezie edhe, kur ideja ka dalë qartë. Rënia nga njëherë në pesimizëm e mbivlerësimin e së keqes, dhe kërkon absolutisht mospajtimin me gjithçka që ai s’është dakord. Megjithatë poeti ka guxim së nuk do të lodhet së kërkuari progres, për të kapërcyer pengesa e vështirësi, do të eci vetëm përpara, duke kthyer herë pas here kokën pas, për të mos harruar nga erdhi, e për të hedhur vështrimin vetëm para: “Po iki e po kthehem me një mendje tjetër / Semaforët do ti komandoj vetë / Të hapur do ta lë të gjelbrën / se të gjithë kemi një jetë”. Dhe për këtë jetë ai nuk do të lodhet kurrë e s’do ta pranojë vdekjen, ndaj shkruan:“Ec o ec sa ecën këmba/vdekjen luftoje me shpirt / dhe nëse të pushon zemra / thuaj vdekjes mos më prit”.