E hene, 20.09.2021, 02:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Portreti i saj

E hene, 05.11.2012, 08:55 PM


Daniel Gàzulli

PORTRETI I SAJ

1. Poeti

Tanush Martinin në qytezën e vogël të Blianës e quenin pothuej te gjithë “Poeti”. E pra ai nuk kishte publikue kurrë një poezi. Të vetmet krijimi poetike ishin disa tekste kangësh që ia kërkonin kompozitorët për në Festivalin e Rrethit apo atë të Fëmijëve mbasi kishin kompozue muzikën. Thuhej se ishte i vetmi në gjendje të shkruente poezi që t’i përshtatej muzikës.

Vërtetë do ta gjeje gjithmonë në shoqni poetësh e prozatrorësh, muzikantësh e piktorësh, por vështirë të thuesh përse quhej “Poeti” derisa nuk kishte publikue asgja.

Fliste ma pak se të tjerët, buzqëqeshte pothuej gjithmonë ndërsa dëgjonte me vëmendje ata që nuk dinin të pushonin një herë, ndërhynte jo rrallë me ironi aq të hollë, sa vështirë ta kuptoje nëse ishte një tallje, apo vlerësim i vërtetë.

Edhe ecjen e ka poetike, thonin disa. Vërtetë, hapat e tij ishin aq harmonikë, të lehtë e të rrafshët, sa dukej sikur ishte një lloj ecjeje sportive e veçantë dhe i jepnin ma shumë hijeshi trupit të tij të zhdërvjelltë e të naltë.

Mbasi kishte mbarue Fakultetin Ekonomik me të gjitha notat dhjeta, e kishin emnue menjëherë në Seksionin e Financës, pa asnjë lloj përvoje pune. Kjo i jepte mundësi të shkonte nga një ndërmarrje në tjetren, të takonte njerëz të ndryshëm, të njihte karaktere, siç shprehej ai vetë.

Kurse në kohën e lirë do ta gjeje pothuej gjithmonë në mes artistëve, zakonisht si dëgjues i vëmendëshëm.

Jo të gjithë ishin të kënaqun nga shoqnia e tij. Nëse poezia, apo piktura, apo kanga nuk i pelqenin, me shumë takt e mirësjellje, por ai ua thonte autorëve mendimin e tij e përpiqej edhe të analizonte përse nuk i kishte pelqye.

Ata që e donin ma pak ishin piktorët. Ishte pothuej një mllef i mbrendëshëm ndaj tij, sepse askush nuk ishte në gjendje t’i vlerësonte e t’i analizonte pikturat si ai. Zakonsiht piktorët skuqeshin, kundërshtonin, justifikoheshin, por thellë në vetvete e ndjenin se Tanushi kishte të drejtë.

Por këto diheshin në rrethin e ngushtë të artistëve, kurse në qytet njihej thejshtë si “Poeti”.

Në fakt ai rrallë ua tragonte poezitë e tij qoftë edhe miqëve, përjashto ndonjë të afërm, si vajza e tezës, Naiada. Ajo ishte dy vjet ma e madhe se Tanushi dhe veçanarisht në vitin e parë në Universitet i ishte gjetë shumë, që nga lamja e hekurosja e rrobave (atij i pëlqente të mbahej mirë), deri tek marrja në mbramje vallëzimi apo veprimatri te tjera me shoqninë e saj.

Tashma ajo po u afrohej te dyzetave pa u martue, por vazhdonte të lexonte poezi dashunie dhe të dëgjonte kangë sentimentale.

Sidomos që kur kishte fillue t’i shkruente poezitë me makinë shkrimi, një kopje do ta bante doemos për Naiaden. Megjithëse e porosiste që poezitë janë vetëm për ty, ishte ajo që i shpërndante apo ua lexonte të tjerëve.

Në rrethet zyrtare, ekonomisti i ri, që po tregonte përditë e ma shumë me aftësitë e tij  profesionale, se dhjetat në Fakultet nuk i kishte marrë kot, nuk shikohej me sy të mirë. Hija e parë e dyshimit kishte ra me 11 prill 1985, kur ishte ndodh në Tiranë dhe thuhej se bashkë me tre shokë të Fakultetit kishte pi aq shumë, sa ishin dehë. E kur, pikërisht me 11 prill 1985!

Sekretari i Partisë për ideologjine kishte thirrrë një herë në zyrë Lleshin, Poetin me Mustaqe, siç e quanin në Blianë, komunist që në moshën 18-vjeçare, dhe e kishte pyetë çfarë “nakatoste” në poezi ai ekonomisti i Seksionit të Financës. “Hiç – i ishte përgjegjë Poeti me Mustaqe – poezi kot, psherëtima dhe fjalë pa kuptim, që edhe ai vetë nuk e di çfarë ka dashtë me thanë”. “Pra nuk mendon se asht i rrezikshëm”? – kishte kambëngulë Sekretari. “Jo, çfarë i rrezikshëm ai. As që do të bahet kurrë poet”.

Në fillim të viteve nandëdhjetë filloi të publikonte nëpër gazeta ndonjë poezi, dhe për befasinë e të gjithëve, edhe proza të shkurta, që fare mirë mund t’i queje edhe ato poezi. Askush deri atëherë nuk e dinte që Tanushi shkruente edhe në prozë.

Ishin të shumtë ata që e nxisnin të publikonte poezitë e tij në një vëllim të bukur, por ai buzëqeshte dhe u përgjegjej: “Unë vëllim poetik!? Jo jo, unë nuk jam poet”.

2. Lili

Tanushi, si kreu punë në Ministri, u drejtue për tek stacioni i trenit.

Zuni vend pranë dritares dhe filloi të shkruente shpejt e shpejt në një bllok të madh, që e mbante gjithmonë në çantë. Mandej e grisi atë fletë dhe rishkroi pa u nxitue rishtas poezinë. Grisi edhe faqen e dytë dhe e rishkroi për të tretën herë.

Po e lexonte për të satën herë, kur dikush i tha: “A mund të ulem?”. Ai ngriti kryet dhe sytë iu lëbyrën nga ajo bukuri marramendëse. Ishte Lili, e bija e një hidrauliku të zellshëm, vajza ma  e bukur e Blianës.

“Mirëdita, Lili”, i tha ai me ngrohtësi. (Në fakt ajo quhej Liliana e nuk i pëlqente ta thërrisnin me emën të shkurtë, por kur e dëgjoi nga goja e Poetit, se si i pushtoi gjithë trupin një valë fluturash).

Lilit i shkoi syni menjëherë tek blloku i hapun, tek poezia.

“A mund ta lexoj pak?”, i foli ajo porsa u ul dhe fytyra i mori një shkëlqim që edhe pa të ishte trollosëse.

Tanushi buzëqeshi dhe i zgjati bllokun pa folë.

Ajo lexoi poezinë një herë, dy herë, tri, kushedi sa herë dhe një ngjyrë e purpurt i mbuloi jo vetëm fytyrën, por edhe qafën e saj të gjatë llastar.

“A mund ta kopjoj në një fletore timen?”, foli përsëri ajo me një za të dridhëshëm.

“Shkëpute fletën, merre kështu siç asht, origjinalin, me shkrimin tim. Ta kam falë. Ta kesh kujtim prej meje”

Vajza u skuq edhe ma shumë,  po sytë e saj moren një shkelqim gjithë dritë.

“Nesër, po deshe të takohemi, do të jap një poezi tjetër. E kam shkrue dy vjet ma parë, kur ti ndiqje vitin e tretë të gjimnazit”.

Asaj iu ba fytyra gjithë pulla – pulla të kuqe dhe sytë ma të ndritshëm.

“Ta kam kushtue ty” – foli Tanushi me qetësi, por një dridhje e lehtë e zanit e tradhëtoi.

Vajza ngriti kryet dhe e shikoi drejt në sy.

Tanushi besoi fort se me atë shikim ajo po i thonte gjithçka.

“Të kalojmë në vagonin tjetër?” – i tha ai përsëri zadridhun.

Ajo u ngrit pa folë.

Në hapsinën në mes vagonave ai i kapi të dyja duart. Lili mbylli sytë dhe Tanushi e puthi porsa në buzët që digjnin .... digjnin ....

Kishin kalue tetë vjet që atëherë. Ishin ndër të paktët të rijë që as e fshihnin dashuninë, as banin një fejesë tradicionale. Ai shkonte përherë në shtëpinë e saj, ajo tek e tija, por kurrë nuk nuk folën për fejesë apo për martesë.

Zakonisht vajzat e asaj moshe fillojnë e flasin për martesë (tashma ajo ishte njëzetegjashtëvjeçare). Po Lili nuk ia kishte zanë kurrë në gojë.

Mësuesja e rreptë e matematikës në gjimnazin e vetëm të qytetit, me bukurinë e saj tunduese, që kishte ba të përplaseshin pa dashje sa djem, sidomos kur shëtisnin buzë deti verës, tek shtangeshin e harroheshin tue e shikue, për të tjerët, sidomos prindët e sertë të nxanësve të saj, thuhej se nuk ishte një shembull i mirë: Tetë vjet që duhen e nuk martohen?!

Rrallë herë ngecte biseda e tyne gjithmonë e ngrohtë, si atë ditën e parë në tren, rrallë, shumë rrallë. Kjo ndodhte vetëm kur Lili e nxiste Tansuhin të linte nëpunësinë e të merrej me një punë ma të leverdisëshme. I shikon si po pasunohen të tjerët, nga mëngjesi deri në darkë? Ty të kërkojnë mend të gjithë, kurse për vete me një rrogë nëpunësi .....

Po edhe kjo ndodhte rrallë, sepse Tanushi linte të kuptonte haptas se nuk i pëlqente të flisnin për këte temë.

Poeti dhe vajza ma i bukur e Blianës nuk ishin vetëm çifti ma simpatik i qytetit, por edhe çifti misterioz: Përse nuk martohen, vallë? Ai nuk asht fare i ri, tridhjetegjashtëvjeçar. Ajo gjithashtu ....

3. Nudoja

Si çdo të shtunë paradreke artistët e qytetit ishin mbledhë në Barin e Palaltit të Kulturës. Ditët tjera aty vinin shumë njerëz, që kishin punë në Bashki apo Prefekturë, kurse të shtunave e të djelave Bari sihte pronë e artistëve.

Porsa hyni, Tanushit i doli para piktori Agron Dylgjeri dhe e ftoi të uleshin në një tryezë krejt në qoshe, larg të tjerëve, artistëve të rrëmujshëm.

Praktik siç ishte, nuk humbi kohë t’i thonte përse e kishte thirrë mënjëanë.

“Tanush, do të doja t’i baja një portret nudo Lilit. Ajo asht kryevepër e natyrës e unë do të përpiqesha të baja një kryevepër të pikturës. Jo një nudo në kambë, po vetëm trungu, deri aty ku zbresin flokët e saj të gjatë.”

Tanushi buzëqeshi.

“Ide interesante, po nuk kuptoj përse ma thua mue e jo asaj?”

Agroni u tendos, lëvizi pak nga vendi, mori gotën e wiskit dhe priti që ta tokte me të.

“Ajo asht e fejuemja jote. Pa lejen tande as që mund të bahet gja. Joqë për t’ia mbushë mendjen, kush do t’ia mbushte ma mirë se ti që je artist dhe një prej njohësëve ma të mirë të pikturës?”

Tanushi u mendue pak, ndërsa kujtonte peizazhet e shumta të Agronit me kooperativiste apo “natura morta” me vazo lulesh gjithmonë të verdha në të kuq. Portrete ai bante rrallë. I kujtohej, si nuk i kujtohej ekspozita e tij e parë që kishte vizitue Tanushi, atëherë nxanës në gjimnaz, ndoshta jo ma shumë se gjashtëmbëdhejtëvjeçar. I kujtohej se si lëvizte Agroni, truplidhun e pak i shëndoshë, kryqëzue duart mbi gjoks, nëpër sallën e madhe të ekspozitës dhe herë i afrohej një grupi, herë një tjetri e u spjegonte diçka. Dukej si një artist në kulmin e lavdisë, kranar, i vetëkënaqun, i bindun se kishte arrijtë majat me pikturat e tij. Ishte ajo ndjesia tipike e të patalentuemëve, apo atyne me pak talent, sepse artistët e vërtetë jetojnë gjithmonë me dyshimin për vlerën e veprës së vet. Atë lloj dyshimi Agroni e njihte pak e ndoshta aspak.

Portrete? Me sa mbante mend ai nga të gjitha ekspozitat e Agronit portrete kishte pak dhe pothuej të gjithë ishin pleq pa shprehje. Bante përjashtim një fshatare me dajre në një ditë feste, sepse edhe në sfond ishte shkrue “Rroftë 29 Nandori”. Ngjante ma shumë me një pllakatë se me një kompozim.

“Si thua, do të më ndihmosh?” – e shkëputi nga mendimet Agroni.

“Dëgjo, miku im. Një gja asht e sigurtë: Që unë nuk do ta pengoj, përkundrazi. Por duhet të bisedosh vetë me te, unë nuk mund t’i transmetoj një propozim të tillë.”

Agroni nuk e zgjati, e dinte se Tanushit nuk i pëlqente të fliste dy herë për një gja.

Nuk kaluen pak ditë dhe filluen seancat e pozimit për Lilin.

Kur largohej nga studio e Agronit, ajo dukej mjaft e bezdisun, por ishin marrë vesht të mos flisnin për këte.

Agroni ishte ba i pasun në pak vite. Tashma kishte ndërtue edhe një vilë në shpat të kodres mbi rrugën nacionale, një vilë-hangar, si e quente Tanushi. Mirë ai arkitekt i patalentuem, po një piktor, si mund ta pranonte një projekt të tillë pa pikë shije? Kur donte të shkonte me ndonjë mik tek studio e Agronit, ai i thonte: Si thua, të shkojmë pak tek hangari i piktorit e të shohim çfarë ka njollosë?

Agroni punonte çdo mbasdite me Lilin, sepse donte ta përfshinte nudon në ekspoziten që do gtë hapte mbas dy javësh.

Edhe kur e mbaroi, Tanushi nuk e pyeti Lilin nëse ishte e kënaqun. Edhe ajo u shpreh shkurt, se e njihte shijen e hollë të Tansuhit për pikturën: “Do ta shohish në ekspozitë”.

Ekspozita u hap me 12 Nandor. Nuk shkuan as njeni e as tjetri në ceremoninë e zhurmëshme, as Lili e as Tanushi. Nxorën si pretekst se kishin planifikue me kohë të shkonin në Tiranë për të pa baletin “Arrëthyesi”.

Mbas rreth një jave, kur kishte ra numuri i vizituesëve e në një orar kur të tjerët ishin në punë, Tanushi vendosi të shkonte vetëm të shikonte ekspozitën, ma saktë, nudon e Lilit.

Iu afrue ngadalë portretit në madhësi natyrale. Shumë ngadalë.

Kushdo ta kishte vërejtë atë çast fytyrën e tij, do të kishte dallue një ngërç që i kishte mbërthye çdo muskul.

Torsoja, siç u pelqen piktorëve të thonë, për nga struktura ishte pikërisht ashtu si e kishte parafytyrue Tanushi: Ulun në karrike, mbështetë njenin krah në shpinore, flokët e gjatë (po vetëm një pjesë e vogël, sa për efekt) që rrëshqisnin anash gjinjëve të plotë e kryeneçë e zbrisnin deri pak poshtë kërthizës. Aty ishte edhe baza e portretit.

Sfondi ishte një ngjyrë tullë e çeltë, ma mirë të thuesh e zbardhemtë, si të ishte pluhun i ngritun nga stuhia në një ditë zagushie nga një dhé i kuq. Po ajri, ajri që thithim ne me gjithë mushknitë kur puthemi, ku asht? – po mendonte Tanushi me vete. Si mund të jetë një vëllim pa ajër? Ku asht era që i merr flokët dhe ban ç’të dojë me ta? Ai sfond shkretinor ishte tronditës.

Ah, hije gri. Hije gri pikërisht aty ku bashkoheshin gjijtë me brinjët. Aty duhej të ishte një e purpërt lëvizëse, siç i bahet kur bajmë dashuni dhe unë i përkëdhel gjinin nga poshtë – nalt.

Përse nuk dallohet gjaku që i rrjedh nëpër arterie kur ajo bahet prush? Këto penelata të rrafshta, si pllaka. Vallë nuk i asht dridhë asnjëherë dora që mbante penelin? Nuk ka ndje atë vibrimin e telit të parë të violinës tek pikturonte thithkat kokërrizvogla, po i ka ba si të ishin prej plastike?

Iu kujtua një poezi që Poeti me Mustaqe ia kishte kushtue të dashunes, natyrisht, tashti mbas vitit 90, kur mund të shkruhej edhe për gjana të tilla, që ai, thonte, i kishte pasë gjithmonë në zemër. Ishte një poezi ky gjymtyrët e fjalisë ishin në rend të përsosun, por pa jetë, si të flitej për një kapistel të stilit barok mbi godinen e vjetër të teatrit.

Asnjë penelatë e purpërt. Ku ishte zjarri që prej trimijë viteve ia rrëmbejnë Prometeut poetët, piktorët, muzikantët? Ç’kishte pasë për modele piktori i pasun, një trup të mermertë përendeshe të nxjerrë nga thellësitë e mijëvjeçarëve, apo Lilin që digjej në duart e tij kur e shtërngonte në ijë?

Sytë ishin pikturue si në një fotografi të cilsisë ma të naltë. Po vështrimi? Ç’vlejnë sytë para vështrimit? Ato qerpikë të ngrimë që nuk lëvizin, nuk përpëliten nga emocionet  …. Buzët e saj mbulue me një të kuq të trashë, si shtresë verniku mbi një kornizë të harkueme dritareje …. A nuk duhej të pulsonin buzët e saj?

I ktheu shpinën portretit. Mbylli sytë. Parafytyroi Lilin e tij, buzët pak të hapuna, sikur nuk i mjaftonte ajri, pikërisht ajri që mungonte në atë portret. Unë nuk rri dot në këte kornizë të trashë e të prarueme, sikur i thonte. Kam ftohtë. Ja përse i kam kërrusë supet përpara. Kam ftohtë. Më ngroh pak, Tanush.

Ai nuk e ktheu ma kryet nga portreti, megjithëse qendroi edhe pak në Galeri dhe u hodhi një shikim të shpejtë punimeve të tjera.

Duhet të dal, tha me vehte. Të shkoj ta takoj. Ta mbërthej në krahë. T’i marr kryet e bukur në gjoks. Ta ngroh.

Zot, ç’dit të vështira do të kenë qenë për te gjatë pozimit!



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora