Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Lirika kosmogonike e një shqiptari

| E diele, 04.11.2012, 03:20 PM |


Lirika kosmogonike e një shqiptari etshëm për dituri

(Adem Zaplluzha, Ky def prej hëne, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012)

Zërin e patëm shkreptimë vetëtime, thekson autori në njërin nga titujt e poezive të tij, dhe po qe se e deshifrojmë peshën stilistike të vargjeve respektive, konstatojmë se “hëna rri ulur në fronin e saj”, se “ballëhapur qëndron tundimi”, kur një buf i zi nate, tenton të ngulfatet “në qerpikët e ndezura të atdheut”, duke parashtruar pyetjen “e kujt është kjo kërrabë”, apo: “kush i la të hapura erërat”, kur “vraponim mbrëmjeve të vona”.

Nga Baki Ymeri

Titulli i librit ndërlidhet me një subjekt inspirimesh magjike të botës kosmike. Kosova përfaqëson një univers të veçantë ku poeti bëhet mbret, dhe mbreti poet, edhepse kjo zonë e prekur nga dallgët e përgjakura të invazionit osman dhe terrorizmit serb, ende nuk e ka një mbret që mund ta bëjë Kosovën Shqipëri dhe Shqipërinë Zvicër ballkanike ku shqiptari nuk e vret vetëveten si pasojë e varfërisë. Koha në lirikën e Adem Zaplluzhës i përngjan mjegullave që bredhin mbi shtegëtimet e gjumit ku “peshqit vdesin për një gllënjkë të buzëqeshjes”. Autori shkruan për kukullat e drurta që i afrohen bregut me dehje tingujsh, atje ku bie shi mbi “gjethet e manit të bardhë”, ku qan një nënë me një fëmijë “në gjumin tim”, ku një def i hënës ta përkujton hartën e vjetër kur pas rrëmujës së madhe “mbeti heshtja”.

Sa shumë krakëllima paska kjo natë, mahnitet poeti që pret orën për adaptim në këto lëndina ku “çuditërisht guri e ndryshoi formën e ngurtë”, ku gurët pluskojnë lot të kristaltë, ku “do bëhemi erë prej pluhuri”. Gjendja shpirtërore e tij fluturon në botën stelare (të yjeve), ku “mbrëmë ujqërit e shqyen hënën”, derisa “të reshurat i ndezin qirinjtë e kujtimeve”, kur “nga brendia e qiellit” kënga e koha dhe qengji im “nuk po mejnë”. Baci Adem inkorporohet në spektrin e poetëve të rrallë të letrave tona që krijon një lirikë motivesh kosmogonike, e denjë për lexim dhe rilexim. Ai krijon vlera të veçanta lirke mbi kohën me një maturi dhe thjeshtësi të veçantë, mbi gjëra të dukshme e të padukshme, ku “trenat kalojnë këndejpari”, e “hëna rri ulur në fronin e saj”.

Zërin e patëm shkreptimë vetëtime, thekson autori në njërin nga titujt e poezive të tij, dhe po qe se deshifrojmë peshën stilistike të vargjeve respektive, konstatojmë se “hëna rri ulur në fronin e saj”, se “ballëhapur qëndron tundimi”, kur një buf i zi nate, tenton të ngulfatet “në qerpikët e ndezura të atdheut”, duke parashtruar pyetjen “e kujt është kjo kërrabë”, apo: “kush i la të hapura erërat”, kur “vraponim mbrëmjeve të vona”. Në krahasim me nja 2-3 kuaj që na janë bërë anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, pa patur kurrfarë vlerash morale apo letrare, Adem Zaplluzha është një nga krijuesit tanë më të zellshëm, pa marrë parasysh moshën e tij të tretë që ndërlidhet me një pleqëri të bardhë e të mbarë, Vëllimi i tij më i ri (Ky def prej hëne), strukturohet në tre cikle vlerash lirike të një ekuilibri të veçantë, ku fërshëllen era dardane mbi “dheun tim të bardhë”, ku “mund të më gjesh në ndonjë baladë”, ku “në maja të luleve përtëritet mëngjesi”, ku “një prush i verdhë i ndezi malet”, dhe “vetëm lehja e qiellit mbeti pezull”. Kemi para nesh një botë paralele, një hapësirë të njohur, ku “hukama dëgjohej përtej shtatë bjeshkëve”, ku i dëgjojmë thirrjet e erës, dhe të gjitha daljet nga balada.

Adem Zaplluzha shkruan poezi të përpunuara, nuk e hedh fjalën si lopa baglën, siç veprojnë disa skribomanë që e poshtërojnë gjuhën shqipe me krahinarizma banale, por na jep një botë interesante ku shpërthejnë idetë, mendimet, ndjenjat, imagjinata, pa përsëritje vargjesh nga 77 vëllimet e tij, pa metafora të sëmura dhe periferike. Vlera semantike e vargut të tij, meriton të respektohet, përfundimisht duke i dëshiruar një pleqëri të bardhë e të mbarë.