Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Dërmaku: Intervistë ekskluzive me ish atletin Zijadin Kryeziu - Yllin e Kosovës

| E diele, 11.11.2012, 11:02 AM |


SPORT- ATLETIKË

INTERVISTË ME ISH ATLETIN MË TË MIRË NË KOSOVË, Prof, E KULTURËS FIZIKE, TRAJNERIN E KLUBIT TË ROGANËS KOMUNA E DARDANËS

SELEKTORIN E REPREZANTACINIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS z. ZIJADIN KRYEZIU.

ATLETI ZIJADIN KRYEZIU DIKUR ISHTE YLLI I KOSOVËS

Ekskluzive nga Ramiz DËRMAKU

Zemra Shqiptare: Shkurtimisht kush është Zijadin Kryeziu-Biografia juaj ?

Zijadin Kryeziu: Ka  lindur më 13.01.1973 në fshatin Roganë komuna e Dardanës. Shkollen fillore e kreu në Roganë, të mesmen në gjimnazin "Ismail Qemali" në Dardanë drejtimi matematikor. Fakultetin e Kultures Fizike në Prishtinë. Prej vitit 2003 punon si profesor i kulturës fizike pranë shkollës fillore "Rexhep Elamzi'' në Gjilan . Vite tëra ishte atleti më i mirë në Kosovë. Në vitin 2010 ishte shpallur trajneri më i mirë nga Federata e Atletikës së Kosovës. Momentalisht është themelues i klubit të atletikës në Roganë dhe selektor i Reprezentacionit të Atletikës në Kosovë. Ditën kur e vizituam ne ai posa ishte kthyer nga treningu, edhe pse i lodhur dhe i rraskapitur ai kërkesën time e pranoi me dëshirë. Por kur unë i tregova se ku do të botohet intervista ai shtoi. Po kam degjuar për këtë portal informativ, dhe me të vërtetë kjo është Zemra e Shqiptarit. Në dhomën e tij pothuaj të gjitha muret ishin te mbushura me kupa, diploma, mirënjohje, të cilat tregonin qartë se vërtetë Zijadini ishte talent e sportistë i mirë.

Zemra Shqiptare: Si ju lindi ideja që ju të merreni me Atletikë- çka ju shtyri ?

Zijadin Kryeziu: Unë me sport kam qenë i mishëruar qysh si fëmijë, kam pasur shkathtësi, prirje, talent sidomos në sportet individuale, isha i mirë edhe në vegla të gjimnastikës e sidomos në parter. Arsimtari i palodhshëm i edukatës fizike z. Musa Thaqi (i ndjeri) , më këshillonte shpesh rreth elementeve të gjimnastikës sportive, ishte punëtor i madh dhe i palodhshëm. Gjatë asaj periudhe unë isha aktiv edhe në krose të shkollës dhe në ato komunale. Duke e parë se për gjimnastikë sportive ishte shumë vonë të bëj dicka vendosa të lidhem më teper me vrapimin dhe të mendoj për parapregaditje dhe orijentim në lëmin e Kulturës Fizike. Edhe atëherë fillova ta ndjej se pa atletikë nuk ka sport dhe se atletika është një lëmi e gjërë që çdo degë sportive doemos duhet të marrë dicka nga Atletika.

Zemra Shqiptare: Kush e zbuloi talentin tuaj ?

Zijadin Kryeziu : Nuk ka qenë shumë vështirë të vërehet talenti im, që kisha prirje për sport këtë mund ta vërente edhe një laik i sportit, problemi ishte që në rrethin tonë nuk kishte asnjë klub te Atletikës-mbretreshës së sporteve, merreni me mend sa e sa talenti ka qenë para meje nga ky rreth dhe është plakur pa e ditur se mund të bëhet nje sportist i mirë, me gjithë atë unë nuk u ndala dhe vazhdova rrugëtimin që nuk ishte as pak i lehtë.

Zemra Shqiptare: Kur ju filluat të merreni me Atletikë, si reaguan familja e rrethi?

Zijadin Kryeziu: Në fillim ishte pak vështirë por shumë shpejt e kuptuan se është një gjë e mirë për shoqërinë. Të merresh me sport nuk është në pyetje vetëm shëndeti por është edhe kulturë e një shoqërie, ku sportistëet lidhin ura miqësie. Unë për një kohë të shkurtër i afrova edhe disa të rinj të tjerë rreth vetes dhe filluam me seriozitet dhe intenzivisht t’i përkushtohemi punës prandaj edhe arritëm këtu ku jemi sot. Unë fillova të merrem me vrapim gjegjësisht me atletikë në vitin 1988 por jo në ndonjë klub kuptohet sic e ceka edhe më lart mungesen e klubeve të Atletikës në Dardanë.

Zemra Shqiptare: Kur dhe ku e filluat karierën tuaj në Atletikë dhe në cilin vit?

Zijadin Kryeziu : Karrierën e fillova në Roganë në vitin 1988 dhe ushtroja në nivelin e dijes që mund ta ketë një adoleshent që në profesionalizëm është shumë e rrezikshme të punohet pa trajner. Unë vazhdova ashtu deri në moshën 19 vjecare. Në vitin 1992 unë fillova të punoj me trajner dmth: Pasi u transferova në klubin e atletikës- Prishtina.

Zemra Shqiptare: Cili është vrapimi i parë në Atletikë në Kosovë?

Zijadin Kryeziu : Vrapimi i parë në nivel të Kosovës ishte, Krosi pranveror në Tauk Bahqe, në Prishtinë. Ishte hera e parë që unë merrja pjesë në një garë me garues të klubeve aktive dhe ishte një sfidë për mua sepse unë akoma isha duke stërvitur pa trajner Mirëpo arrita unë në këtë garë, zura vendin e tretë, mirëpo mua më mungonte eksperienca dhe strategjia e vrapimit jo, pse nuk isha i pregaditur megjithatë ishte një gjë e mirë dhe pas kësaj gare unë u bëra antar i klubit të Atletikës Prishtina , nën përkujdesjen e trajnerit Kadri Kaqanolli. Në Prishtinë kam qëndruar deri në fund të vitit 1998. Gjatë këtyre viteve së bashku me trajnerin kemi arritur shumë suksese falë bashkëpinimit të mirë sakrifices dhe disiplines në punë.

Zemra shqipëtare: Ju keni qenë atlet aktiv edhe në një klub të Atletikës në Danimarkë, emri klubit ?

Zijadin Kryeziu : Po, në fund të vitit 1998 në pamundësi që ta ushtroj aktivitetin në Atletikë unë u aktivizova në Danimarkë në klubin e atletikës "SPARTA" në Kopenhagen në përkujdesjen e trajnerit Thomas Nolan, klubi Sparta, ishte klubi më i mirë në atë kohë në shtigje të mesme. Gjatë asaj kohe kur unë isha atlet i këtij klubi me mua bënte ushtrime edhe e rekordmeni i botës në 800 m Wilson Kipketer. Në klubin Sparta qëndrova 6 muaj dhe aty shkëlqeva dhe kuptova se mua më tha trajneri që un trajnerit unë do të bëja gara në distanca të gjata. Po ai më sugjeroi që unë të transferohem në klubin e atletikës VAF-VIBORG që posedonte trajner të specializuar për shtigje të gjata dhe ashtu veprova. Pastaj, aty më pritën shumë mirë por edhe unë pritjen atyre ua ktheva me suksese, kaloja mirë me shokë të klubit më respektonin jashtëzakonisht shumë. Gjatë qëndrimit tim në klubin VAF-VIBORG mendoj se kam përfituar shumë si në aspektin profesional por edhe organizativ të sportit në përgjithësi dhe të atletikës në vecanti.

Zemra Shqiptare : Lëndimi i gjurit ishte fatal për karrierën tuaj, na thuani dicka ?

Zijadin Kryeziu : Ajo që më në pengoi në karieren time ishte një lëndim që më erdhi befas, lëndimi i gjurit, e që ishte fatal për karrieren time. Atëherë kur unë isha në fazen e paragarave dhe isha në perfeksionim të formes sa më të mirë, lëndimi i gjurit të djatht mi hudhi të gjitha në ujë, ishte momenti kur unë duhej të bëja garë për kampionatin shtetëror dhe prisja të stolisem me titull të kampionit shtetëror dhe atëherë ndryshonte gjithcka rreth meje por fati ishte më i fortë se vullneti im dhe unë mbeta jashtë garave për 6 – muaj. Pastaj patjetër të operohem në ligamente të gjurit, mendoja se do bëhet mirë por unë më kurrë nuk u ktheva në formen e duhur. Me që kisha shkuar në Danimarkë me qëllim që të arrij rezultate edhe më të mëdha nuk më doli ashtu sic mendoja unë dhe vendosa të kthehem në vendlindje.

Zemra Shqiptare: Ju lutem na tregoni per sukseset tuaja, në Atletikë- jashtë Kosovës ?

Zijadin Kryeziu : Në vitin 1996 nënkampion mbarëkombtar/Elbasan, në v. 1997 në shkup në Mitingun ndërkombëtar në 1500m vendin e dytë, në Geteborg- Suedi 10km vendin e parë (1997), Shkup Miting ndërkombëtar 3000m vendin e parë (1998).

Danimarkë: dy herë fitues i vrapimit malor 5.2km 1999/2000 në Horsens, vendin e tretë në stafetën 10x10km Kolding, vendin e parë në stafetë 4x5.7km Viborg, Vendin e parë në gjysemaratonen e Viborgut (1999), vendin e parë në 1500m Herning, 5km vendin e parë në Fjends Lëbet.

Në vitin 2008 pothuajse krejt ne fund të karrierës në një garë ndërkombëtare në Dubai në disiplinen 10km isha i 7-ti në plasman të përgjithshëm kurse i dyti në renditjen e moshave, një vit më vonë (2009) në Kampionatin Ballaknik për veteranë që u mbajt në Izmir isha i pari në dy disiplina në 800m dhe në 5000m.Disa herë kam qenë kampion mbarëkombëtar në dis. 5000m, 10000m dhe 21km.

Zemra Shqiptare : Pas kthimit nga diaspora ku u aktivizuat ?

Zijadin Kryeziu : Pas kthimit nga Danimarka përsëri fillova tek klubi Prishtina ashtu me gjysmë intensiteti dhe probleme me gjurin fillova të stervitem dhe në Prill të vitit 2001 u mbajtë gjysmëmaratona e parë ndërkombëtare në Prishtinë ku unë arrita ta fitoj garen falë eksperiencës dhe vetëbesimit që kisha në vetvete. Gjatë këtyre viteve kam stervitur por në periudha të ndryshme kohore kam pauzuar shkaku i lendimit. Në Prishtinë isha deri në fund të vitit 2003, pastaj e themeluam klubin e atletikës Gjilani së bashku me Ekrem Kosumin, Lulzim Kallaben, Shehat Rrudhanin etj. dhe për dy vite me radhë arritëm të fitojmë shumë tituj në emer të këtij klubi por nuk gjenim dot mbështetje financiare kështu që u larguam nga klubi. Në dhjetor të vitit 2005 themeluam klubin e Atletikës "Rogana" ku jemi edhe tani aktiv në kët klub.

Zemra Shqiptare: Ju në shumë gara në Atletikë si në Kosovë ponjashtu edhe në gara ndërkombëtare keni triumfuar, ju lutëm na tregoni sa orë ushtronit, ku i mbanit ushtrimet dhe a kishit kushte për ushtrime ?

Zijadin Kryeziu : Po është pak vështirë të përgjigjem sepse me të vërtetë të merresh me sport aktivisht pa i patur as kushtet minimale është trishtuese, për kundër vështirësive unë kam punuar me shumë seriozitet sikur ti zotroja kushtet e perëndimit, kam qenë shumë fanatik në punë dhe cdo herë kam kerkuar të punoj më teper se që më jepte detyrë trajneri, kam punuar nga dy herë në ditë, por ka pasur perioda kohore që kam punuar edhe tre herë në ditë që në total i bie nga 6-7 orë trening. Kam punuar edhe në temperatura shumë të ulëta, nuk më ka penguar bora, shiu a stuhia, unë nuk jam ndalur, po ashtu më ka rënë të stërvitem edhe në temp shumë të larta deri në 38 gradë, me një fjalë natyra ka ligjet e veta ku njeriu medoemos duhet ti përshtatet kushteve të natyres dhe unë jam munduar ta dua natyren ashtu si është dhe të stërvitem pamvarësisht kushteve klimatike.

Zemra Shqiptare: Ne shumë gara të Atletikës si në Kosovë po ashtu edhe në gara të nivelit ndërkombëtar keni arritur suksese, a mund të na veçoni ndonjë garë që ju ka lënë gjurmë, cila është më e dashura për ju ?

Zijadin Kryeziu : Po mundohem ti veçoj dy ngjarje që i kanë dy anët e medaljes, ishte viti 1996, unë dhe Lulzim Kallaba i cili ishte junior i ri shkonim në kampionatin mbarëkombëtar të Shqipërisë por ne shkonim ilegalisht vetëm e vetëm të jemi prezentë atje, dhe u ngujuam në kufi buzë liqeni, ishte natë dhe ne mbetëm pothuajse pa lëvizur deri në agim. Forcat e ish pushtetit sllav patrullonin dhe herë pas here vinin shumë afër kurse ne rrinim nën shkurre buzë liqenit para se të zbardhë mirë drita dhe nëpërmes një barke të peshkatarve depertuam me shumë mund në pjesën shqiptare, andej na ndalen posta kufitare shqiptare dhe nuk na lejuan të shkojmë tutje dhe e pamë të zitë e ullirit deri a na liruan, shkuam në garë ashtu të rraskapitur udhe në u bëra nënkampion në dis. 1500m në kategorinë e seniorëve kurse Lulzim Kallaba doli i pari në 3000m për juniorë. Krejt ky sukses ishte pothuajse i zbehur meqë tërë kohën mendonim se si të kthehemi e harruam suksesin.

Gara tjetër është ajo e Geteborgut, në shator të vitit 1997. Unë dhe Besim Hasani, kryetar i KOK, u nisem per në garë, deri në Suboticë shkuam me makinë aty e vendosëm makinën tek një furrtar shqiptar dhe prej aty udhëtuam me autobus po sa e kaluam kufirin pak km në pjesen e Hungarisë autobusi pati një prishje dhe ne mbetëm fare, duhej të mberrinim patjetër herët në mengjes në aeroportin e Budapestit, u nisem në këmbë deri tek një stacion treni, ecëm naten mbi 10km ashtu me valigje, më në fund e kapem trenin e fundit dhe arritem me kohë në aeroportin e Budapestit prej aty fluturuam per në Amsterdam -Geteborg. Të nesërmen hyra në garë por nuk kisha aspak freski me gjithë lodhjen arrita të fitoj garen në 10km, ishte një gjë e mirë dhe një ndjenjë e papërshkrueshme me pritjen që ma bën bashkëatdhetarët tanë në Geteborg e sidomos Ramadan Salihu i cili kishte aranzhuar pjesëmarrjen tonë në atë garë.

Zemra Shqiptare: Zijadin, si ju lindi ideja që edhe në fshatin tuaj të formoni klubin e Atletikës, si u pritë ky lajm nga rinia, banorët e fashatit Roganë, dhe si nga strukturat komunale, na tregoni ju lutëm?

Zijadin Kryeziu : Mendoj se çdo njeri e ka për obligim moral të kontribuojë në gjeneratat e reja, unë personalisht e kam ndi si obligim moral dhe profesional që at pak dije dhe eksperiencë që kam fituar gjatë rrugëtimit tim të vështirë gjatë karrierës ta bartë tek shpirti i kombit tek të rinjët, e dija se ky vend me rethinë ka talentë dhe nuk doja të mbetem në mendjen e njerëzve se isha një atlet i rastësishëm, dhe besoj se ja kemi arritur deri diku, mos të harrojmë se edhe para themelimit të klubit atletët nga po ky vend kan dominuar po thuajse dy decenie edhe pse nëpër klube të tjera, isha unë, Lulzim Kallaba, Shehat Rrudhani, Ilir Rrudhani, Diana Qehaja etj. që dominonim në gara të ndryshme. Themelimi i klubit u prit mjaft mirë me që nuk behej fjalë a do kemi suksese apo jo dhe me ndihmen e disa sportdashësve të Roganes dhe atyre të diaspores kryesisht në Zvicer arritem që Roganes ti japim epitetin e nje vendi triumfues në mbretëreshen e sporteve.

Zemra Shqiptare: Sukseset dhe nominimet tuaja në karrierë ?

Zijadin Kryeziu : Në vitin 1995 dhe 1996 kam qenë ndër 10 sportistet më të mirë të Kosovës, në vitin 1997 kam qenë sportisti më i mirë i Kosovës, po në këtë vit jam shpallur sportist i vitit edhe nga Koha Ditore, në vitin 2001 nga TV 21 jam zgjedhur ndër 10 sportistet më të mirë në Kosovë, në vitin 2011 jam zgjedhur puntori më i mirë sportiv në Kosovë nga mediumi KTV, 5 vite me radhë trajneri më i mirë në Kosovë (2008-2012).

Zemra Shqiptare: Sukseset e klubit atletik"Rogana" shkurtimisht ?

Zijadin Kryeziu : Klubi i Atletikës Rogana është fitues i pesëfishtë i kupës së Kosovës 2008-2012, 4 vite me radhë klubi më i mirë në Kosovë, atletët e KA."Rogana" mbajnë shumicën e rekordeve që nga pamvarsimi i sportit shqiptar po ashtu janë fitues të shumë vrapimeve ndërkombëtare si në Kroaci, Turqi, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Dubai, Zvicer, Bosnie dhe Hercegovinë etj. Vetëm gjatë këtij viti atletët e KA.Rogana kanë arritur të fitojnë 9 medalje nga arena ndërkombëtare.

Atletët që janë perkujdesur për këto trofe janë Astrit Kryeziu, Musa Hajdari,Viona Kryeziu,S uad Kryeziu, Ilir Rrudhani etj.

Këto suksese janë arritur duke u falenderuar disa bashkëatdhetarëve tanë kryesisht në Zvicer që janë të pakët në numer por shumë të rëndësishëm për ne.

Zemra Shqiptare: Si ndiheni kur fitojnë garuesit tuaj tani në cilësi të trajnerit ?

Zijadin Kryeziu : Normalisht se ndihem mirë, ajo që më gëzon më së shumti është se tani disa nga atletët e mi i kanë tejkaluar sukseset që kisha arritur unë si garues dhe janë në rrugë të mirë për tu ngjitur edhe më lartë, në të kundërtën nëse atletët nuk mundë të shkojnë një hap më larg se trajneri i tyre është humbje kohe.

Zemra Shqiptare: Cfarë i duhet një sportisti që të arrijë suksese përpos kushteve materjale kuptohet ?

Zijadin Kryeziu : Celësi i suksesit të një sportisti është të jetë i përkushtuar, serioz në punë, të ketë regjim në vetvete, i disiplinuar dhe modest në jetën e përditshme, të ketë rrespekt për rivalet mos të nënvlerësohen në asnjë mënyrë sepse vetëknaqesia dhe injorimi sportistit i humbin epitetin e të qenit sportist në kuptimin e plotë pamvarsëisht se qfarë ka arritur sportisti për një moment mund ta shemb tër karrieren e tij.

Unë shfrytëzoj rastin të falenderoj portalin informativ “ZEMRA SHQIPTARE, për punen që po bëni në diasporë, njëherit përmes portalit tuaj, në emrin tim personal dhe në emër të klubit të Atletikës "Rogana" i përshëndes të gjithë mërgimtarët, dhe lexuesit tuaj, uroj që të keni shëndet dhe mirëqenie në familjet e juaja. Kosova akoma frymon falë ndihmes së mërgimtarëve, por institucionet tona i kanë harruar shpejtë këto gjëra.

Zemra Shqiptare : Edhe unë në emrin tim personal dhe të redaksisë sonë ju dëshirojm shëndet të mirë dhe jetë të gjatë. Njiherit kluibit tuaj suksese edhe më të mëdha. Dëshirojmë që ky vit të ju sjellë suksese.

Punuar me 24.1012012