E enjte, 28.03.2024, 02:23 PM (GMT)

Kulturë

Ejup Ajdini: Vlerat letrare te shqiptarët e Maqedonisë

E shtune, 03.11.2012, 11:04 AM


Ejup AJDINI

EKSKOMUNIKIMI I VLERAVE LETRARE

TE SHQIPTARËT E MAQEDONISË

Detyra është më e shenjtë se shpirti.

Mençuri popullore shqiptare

Sadudin Gjura

Mosnjohja e vlerave kulturore dhe letrare e një populli, apo një pjese

të një populli , troket drejt derës së humnerës për zhdukjen e tij.

Kjo komplikohet edhe më tepër kur flitet për letërsinë shqipe në

Maqedoni, pasi fati historik ka qenë dhe është i padëshiruar dhe i

padrejtë, sepse ka qenë i shtrënguar të jetoj i ndarë brenda shumë

kufijve administrativ shtetërorë në Ballkan. Kjo solli që të krijohet

fenomeni më tragjik në fushën e dijes dhe të kulturës, pasi i fshihej

një pjesë e shpirtit – letërsia, ose njohja e një pjese kufizohej me

forma parciale – mosnjohja e tërësishme e letërsisë që ishte krijuar

në ish- R.Jugosllave të Maqedonisë dhe moslejimi i studimit të kësaj

letërsie erdhi duke e ngritur në sistem fenomenin e ekskomunikimit në

Ish - Jugosllavi. Kjo politikë diskriminuese synoi t’i linte deri në

haresë të plotë një varg shkrimtarësh me frymë nacionale, patriotike

dhe me këndvëvshrime mjaft demokratike.

Për fat të keq, sfera e ekskomunikimit kaploi edhe shkrimtarë brenda

kufijve administrativë të shtetit shqiptar, siç ishte Fishta, Konica,

Haxhiademi, Bilall Xhaferi etj. Pastaj në këto anë: Rexhep Voka, Josif

Bageri, dhe më pas edhe Sadudin Gjura me shokë, të cilët s’njiheshin

fare ose njiheshin pjesërisht, kush më pak e kush më shumë, si në

Shqipëri, ashtu edhe në trojet shqiptare të Jugosllavisë së

atëhershme. Sa i përket letërsisë shqipe në Maqedoni prej periudhës së

Rilindjes e më herët, dhe deri në dekadat e para të Luftës së Dytë

Botërore, mund të themi se ajo është më e ekskomunikuara si në

aspektin e njohjes publike, ashtu edhe në studimin brenda sfondit të

historisë e të letërsisë sonë kombëtare. Pas Çamërisë dhe shqiptarëve

të Malit të Zi, shqiptarët e Maqedonisë patën fatin më të errët në

historinë tonë kombëtare. Ata përjetuan trauma historike dhe prapë se

prapë asnjëherë nuk i pranuan prangat e robërisë, sepse arritën te

ruajnë identitetin e qenies së tyre kombëtare, qëndruan stoikisht

përballë stuhive të ndryshme politike e shoqërore si në rrafshin

luftarak, ashtu edhe në atë kulturor.

Me admirim po përmendim disa figura të Rilindjes së kësaj ane: Rexhep

Voka, Seid Najdeni, Familja Qirjazi, Josif Bageri, Ibrahim Temo, Josuf

Nallbani, Dervish Hima, Hamdi Ohëri etj. Gjatë okupimit të egër të

Serbisë mbretërore, veçmas midis dy luftërave botërore, të cilën mund

të quajmë “mesjetën më të errët “ për shqiptarët e kësaj ane. Edhe në

këtë periudhë lindin personalitete letrare me vetëdije të larta

kombëtare dhe me afinitete letrare siç ishin: Sadudin Gjura, Myfit

Synoimeri, Murat Labunishta e të tjerë, të cilët dita më ditë po dalin

nga ekskomunikimi i thellë kulturorë dhe letrar.

Pushteti jugosllav përdori metodat më perfide për zhdukjen e kësaj

pjese të kulturës sonë letrare, e cila u krijua me vështirësitë më të

mëdha të mundshme. Por, prapë se prapë, erdhi koha që këto figura

tejet të dhimbshme të përmenden dhe të studiohen, pavarësisht nga

niveli i vlerave të mirëfillta artistike, ato përbëjnë vazhdimësinë

letrare e kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë. Këtë e

dëshmon edhe thënia e profesor Agim Vincës se:”Letërsinë e një kombi

nuk e përbëjnë vetëm 2-3 shkrimtarë të mëdhenj, por edhe shumë të

tjerë të mesëm e të vegjël “(Vlera , Tetovë 1996, nr.10 f. 22 ).

Veprat e këtyre krijuesve nuk patën fatin e një jete

normale, të binin në duart e studiuesve që të ruheshin e studioheshin

dhe të mos përjetonin këtë ekskomunikim të egër e të gjatë. Në dekadat

e fundit me të madhe u rrit dëshira për t’i njohur më thellë këta

autorë, jo vetëm për vlerat e shumta që kanë ata, por edhe për atë se

kanë të bëjnë me plotësimin e një nevoje të domosdoshme për njohjen e

një hapësire etnogjeografike, ku ka vluar një shpirt krijues nëpër

periudha të caktuara historike. Mosnjohja e detyruar ka qenë një nga

dobësitë tona studimore duke i anashkaluar edhe vlerat e tyre që patën

merita të konsiderueshme për kohën kur jetuan dhe vepruan ata, edhe

për mbarë historinë e letërsisë sonë kombëtar .

Sa më tepër hidhet dritë në ngjarjet historike e kulturore të

periudhave të ndryshme në qytetet e shqiptare të Maqedonisë, duke u

bazuar në dokumente arkivore, në shtypin e kohës më shumë dalin në

dritë të vërtetë vlerat letrare të kësaj ane, por edhe dilema të

natyrave të ndryshme. Pas ardhjes së sllavëve në Ballkan, në shekullin

VI-VII, flet Branko Panov në librin “Historia e klasës VI “

(Shkup,1982), ku thotë se: “Nga gjysma e shekullit VII pjesa më e

madhe u bë sllave edhe sipas gjuhës“. Si rezultat i saj u bë ndërrimi

i emrave të vendeve, lumenjve, liqeneve etj., p.sh Lumi Ilirida u bë

Treska; Lumi Erigon – Cërna Reka etj., kurse nga ana tjetër Zhifko

Stefanovski dhe Jovan Pavllovski te libri “Tetovo vo minatoto“

(Tetova në të kaluarën) dëshmojnë se gjatë hapjes së themeleve për

ndërtimin e shtëpisë së Abdylalimit te Çezma e Balezit në Tetovë u

zbulua një varr në të cilin u gjend një amforë gruaje duke ikur ose

vallëzuar, për të cilën arkeologët serbë vërtetojnë se kjo i përket

periudhës Dardane. (Rilindja, Prishtin , 10.XI. f. 19).

E gjithë kjo filozofi e mbrapshtë sllave tregon se qëmoti insistohej

që çdo gjë nga kultura shqiptare të zhdukej ose të zhytej në

ekskomunikim të skajshëm.

Që në shekullin XV-XVI, siç dihet, vepruan një numër i konsiderueshëm

krijuesish humanistë shqiptarë nga trojet shqiptare të Maqedonisë së

sotme, të cilët dhanë një kontribut të shquar në letërsi dhe në fushat

e tjera kulturore. Një pjesë e tyre i takonte kulturës orientale ose

lindore, pasi ato ishin shkolluar nëpër qendrat e mëdha si, në

Stamboll, Bagdat, Kajro

etj. Për këtë arsye ata krijuan me alfabetin turk ose arab. Krijues

të këtij orientimi kishte nga mbarë trojet shqiptare, por edhe nga

trojet shqiptare të Maqedonisë së sotme ishin të konsiderueshëm në

numër, të cilët krijuan vlera të larta humane, si në vlerat letrare

dhe veprimtari të tjera. Nga të parët poet tetovar përmendet Muidi nga

Tetova i cili shkruante :

 

Ç’mu ushtrua mua rrota e fatkeqësisë padrejtësisht

Ç’rit kaq shumë në krye nga goja e kam

(Nuri, Beograd, 1994 , nr.4 , f. 17)

Nga krijuesit dhe poetët më të mëdhenj përmendet Sersem Ali Dedeja,

po ashtu nga Tetova, i cili njihet si filozof, poet dhe themelues i

teqesë “ “Harabati Baba“, e cila edhe sot, brenda pesë shekujve, me

xhelozi i ruan vlerat e veta shekullore. Mendohet se S. A. Dedeja u

lind nga fundi i shekullit XV dhe jetoi deri kah vitet 1569. (Hasan

Kaleshi – “Kontributi i shqiptarëve në diturinë islame “, Prizren,

1991, f. 31 ) që kontribuoi jo vetëm në kulturën osmane, por edhe në

letërsinë e kulturën shqiptare. Ai ishte i prirë për përhapjen e

vlerave shpirtërore në mjediset shqiptare, ngritjen e vetëdijes për

artin e letërsisë dhe çdo gjë pozitive që sjell progres dhe të mira në

shoqëri. Vargjet e tij poetike edhe pas pesë shekuj ruajnë freskinë e

vërtetë poetike:

 

Pa të vete të marrë leje, nga bilbili i mahnitur

Ç’ i marrë erën kurdoherë trëndafilit të përndritur

Se Sersemi lutjet vetë nga kjo rrugë i ka thëthitur

(Po aty)

Sipas shumë të dhënave, ky poet ishte edhe zyrtarë i lartë shtetëror

dhe gëzonte famë të madhe, por pas disa ndryshimeve oborrtare, S.Ali

Dedeja largohet sa ma larg Stambollit dhe shkon në teqenë Dimitak të

Trakisë, ku pas disa vite shërbimi merr titullin “Baba”. Më 1538

internohet dhe vendoset përsëri në Tetovë. Këtu merret me shumë

veprimtari fetare e filozofike, ndërtime të objekteve si: shatërvanë,

teqe, hamame, e veçmas shquhet për publikimin e vargjeve poetike. Me

ndërtimin e teqesë Harabati Baba dhe publikimin e shumë vargjeve

poetike, të cilat nuk janë ndriçuar në tërësi e

bënë Dedenë njeriun me vlera të përhershme në mbarë kulturën tonë

kombëtare e më gjerë. Poezia e tij e tejkalon karakterin mistik dhe

merr dimensione të tjera duke e evoluar të bukurën si nevojë

shpirtërore për të gjithë:

Zemra porsi fluturake digjet dhe përvëlohet

Në kazanin e dashurisë zien , tretet e kullohet...

Të përgjumurit s’afrohen

Mbeten fjetur në mëngjes

(Baba Rexhepi,“ Misticizma islame dhe bektashizmi,”Nju – Jork,

1970, f.23)

 

Këto vargje sikur të kujtojnë Rubairat e Khajamit. Përveç ndjenjës së

pastër të dashurisë ka edhe mesazhe të tjera, siç është pastërtia

njerëzore, dashuria për punën, përbuzja ndaj dembellëkut etj .

Shfaqja e këtyre vlerave e bën Sersem Ali Dedenë krijues me

individualitet të theksuar poetik. Ai shkruan me pasionin e artistit

për njeriun dhe për kohën e vet, por kuptohet nënë theksin filozofik

të misticizmës bektashiane. Ai frymëzohet nga bukuria e mendjes së

njeriut, nga aftësitë e gjithanshme të tij, gjë që ishte në

kundërshtim me konceptin mesjetar për njeriun, i cili tërë jetën ishte

i orientuar drejt një bote të amshuar. Modelin e botës së amshuar

poeti e kërkon edhe në këtë botë, pasi, sipas tij, njeriu ka forca të

atilla që ta ndryshojë jetën dhe ambientin ku jeton dhe vepron. Jetn

dhe natyrën e lidhë kryekëput me punën, pasi puna është filozofia

kryesore pë njeriun. Vetë ata që zgjohen heret dhe u prijnë punëve dhe

obligimeve jetësore, ata janë të pranishem edhe te vetë Zoti, pasi ,

ai i do vetë njerëzit punëtor dhe ata i bënë të bukur dhe i afron

pranë vetes.

Se kush do që zgjohet shpejtas

Ai zotit i afrohet

( Nuri , Beograd, 1994, f. 26)

Vargjet tregojnë për prirjet humaniste, që aspiron deri te kërkesa që

shoqëria të jetë e fisnikërueshme. Ky poet thekson se agimi i ditës si

bukuri e rrallë është edhe agimi i jetës. Edhe pse lindja e diellit e

ringjall natyrë, por bashkë me diellin duhet të ringjallen edhe

njerëzit dhe të zgjohen sa më herët që është e mundur. Në mënyrë

poetike e përshëndet diellin dhe fisnikërinë e Nesriut si diçka të

shenjta, që bëjnë ringjalljen e jetës dhe natyrës.

 

Pjesë nga teqeja Harabati Baba

 

Misticizmi e këtij poeti nuk është një besim i thjeshtë mesjetar, që

mposht frika nga Zoti, përkundrazi ai ngre lart kultin e njeriut

punëtor e të virtytshëm dhe pa fije dyshimi e afron me perëndinë. Ai

beson se njeriu me intuitën e vet, me ndjenjat dhe me punën e tij,

arrin të njohë veten e pastaj edhe natyrën që e rrethon .

Gjatë shekullit XV-XVI e më vonë paraqitet edhe një numër i madh

krijuesish si: Suxhudi, Muidi, Bujuk Emiri, Qemaledin Shemiri etj.

Kjo letërsi, për fat të keq, mbeti me shekuj e ekskomunikuar, por edhe

sot e kësaj dite mbetet e panjohur dhe e pa studiuar në plane më të

hollësishme.

Me Rilindjen Kombëtare shkrimtarët shqiptarë të Maqedonisë për herë të

parë filluan të shkruajnë në gjuhën amtare, gjë që s’kishte ndodhur më

parë. Gjuha popullore kombëtare u bë baza e shkrimeve të kohës në

veprat e tyre letrare. Kjo letërsi shprehu në vetvete gërshetimin e

tipareve të shumë rrymave letrare, si ato të iluminizmit, të

romantizmit, të sentimentalizmit, por edhe të elementeve realiste.

Veçmas iluminizmi dhe romantizmi evropian patën ndikim të madh në

krijimet letrare të këtyre autorëve të këtij krahu kombëtar. Krijuesit

e kësaj letërsie janë edhe bartësit kryesorë të ideve iluministe, të

ndjenjës kombëtare, krenarisë tonë dhe bëhet nxitje për një betejë të

gjithëmbarshme kulturore, letrare dhe kombëtare në tërësi. Prandaj

lirshëm mund të themi se idetë demokratike, karakteri popullor dhe

optimizmi i madh ngelën veçoritë thelbësore të kësaj letërsie gjatë

shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Bartësit kryesorë të kësaj

epoke janë Rexhep Voka (1847-1917), Josif Bageri (1870-1915) dhe disa

të tjerë. Kjo letërsi, para erërave demokratike në Ballkan njihej pak

ose s’njihej fare dhe për këtë përjetoi një ekskomunikim të thellë me

dekada të tëra. Kjo letërsi lindi dhe u zhvillua si forcë e përbashkët

kombëtare dhe veproi në të njëjtat kushte dhe rrethana historike,

kulturore, politike të mbarë qenies sonë kombëtare. Edhe pse këta

krijues të panjohur mirë vepruan me një aktivitet të dendur, jo vetëm

në fushën e letërsisë, ata

përsëri do të dalin të zhgënjyer nga Fuqitë e Mëdha. të cilët më 1912

–1913 njohën pavarësinë e gjysmës së Shqipërisë. Te këta krijues lindi

dhembja dhe dyshimi i thellë se ç’do ndodhte me fatin e pjesës tjetër

të shqiptarëve të ndarë nga shteti amë. Për këtë gjendje “L’epocho de

Ballkan“ (nr.1, 1912), që dilte në Bukuresht, përmes artikullit të

princit Albert Gjika “La questione Albanise“, shprehej se aleatët

ballkanik nuk kanë kurrfarë të drejtash, as historike, as etnike mbi

territoret shqiptare të Shkupit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

(Baki Imeri, Shqiptarët e Rumanisë, Tetovë, 1995, f. 98).

Që më herët, revista “Alvano Makedonia“, e cila dilte në Bukuresht,

gjatë vitit 1994 shkruante ”Ç’bëri pastaj dinakëria serbe – greke

dhe evropiane për gllabërimin e gjysmës së territorit shqiptar dhe

asimilimin e qindra mijëra vllahëve të Ballkanit dhe kjo është punë që

duhet ta studiojnë edhe ata që vijnë nga Evropa dhe Amerika“ (burim i

cituar, f. 98). Sundime këto që zgjatën afër një shekull dhe sot po

merret seriozisht me plagën tonë shekullore Amerika dhe Evropa. Pra,

siç duket janë një mori faktesh që i zhytën në ekskomunikim të thellë

vlerat tona letrare, kulturore dhe historike në përgjithësi. Kjo e

vërtetë e hidhur, që edhe sot kullon gjak, solli pasoja të mëdha në të

gjitha fushat e jetës, pasi forca e jonë kombëtare ishte përgjysmuar

dhe gjithmonë ishte tretur për të tjerët. Por, megjithatë, kjo letërsi

luajti rolin dhe misionin e saj të shumanshëm. Ata krijues nxitën

idealet për një Shqipëri të pavarur etnike, ngjallën urrejtjen ndaj

robëruesit, shtuan entuziazmin ndaj gjuhës shqipe, dhe përhapën idetë

iluministe.

Ata krijues nuk patën jetë të qetë në atdheun e tyre, prandaj edhe u

detyruan të veprojnë jashtë tij, pasi fati i tyre ishte i lidhur

ngushtë me fatin e vështirë të atdheut dhe s’dihej ku do të gjenin

burgun apo vdekjen e parakohshme. Të gjithë krijuesit e kësaj

periudhe, dhe ata qe do vinin më vonë, vdiqën apo u zhdukën në

rrethana tejet të mistershme, siç thotë akademik Rexhep Qosja se:

“Letërsia shqipe nuk ka mjaftë tragjedi të shkruara, porse ajo ka

mjaftë tragjedi të jetuara, prej atyre që s’mbritën t’i shkruajnë

ndryshe, veç me jetën e vet “. (R.Qosja, “Dialogje me shkrimtarët“,

Prishtinë ,1975, f. 9).

Këta krijues e kuptuan thellë gjendjen e rëndë të

popullit në tërësi, prapambetjen e thellë arsimore, prandaj, si bazë

themelore të filozofisë së tyre dhe në shkrimet e tyre letrare do ta

kenë frymën e filozofisë iluminizministe, pasi arsimimi i masave të

gjëra popullore ishte më se urgjente:

O burra? O bij, mirë ta dini,

se feja e dija janë dy fletë për njerëzinë ,

nga perëndia

(R. Voka, “ Mendime “, Tetovë, 1991, f. 4)

 

Këto ide iluministe nuk vinin si ide të organizuara siç ndodhi me

popujt e tjerë të Evropës, por si imperativ i kohës, si nevojë e

domosdoshme, pasi shpëtimi shihej vetëm përmes arsimimit të shtresave

popullore. Nga këto motive, po ashtu, shkruante edhe Naimi i madh te

vjersha “Gjuha jonë“:

 

Bura shqiptarë

Të marim dituritë

Se s’është koh e parë

Tani lipset dritë

Këta krijues ishin të angazhuar ta thonë poetikisht se të ardhmen

duhet ta marrin vetë në duart e tyre:

Qëndroni vllazën , me besë e trimëni

Se detyra jonë është, ta s’ qojm këtë Shqipni ?

 

(J.Bageri, “ Reka vendi im”, Tetovë, 1995 f. 54)

 

Thelbi ideor i kësaj poezie ishte mposhtja e ideve shoviniste të`

fqinjëve dhe tradhtarëve të vendit, që tentonin të zhvlerësonin vlerat

tona gjuhësore, letrare dhe historike, përmes rrugës së ekskomunikimit

të përjetshëm që çonte drejt shfarosjes të kësaj kulture, duke

shfrytëzuar edhe ndarjet tona fetare .

Ato ide famoze që shprehnin figurat më të mëdhaja të Rilindjes sonë

kombëtare, sidomos ajo e Pashko Vasës se “feja e shqiptarit është

shqiptaria“, e njëjta frymë dhe përafërsisht të njëjtat ide do të

përcillen edhe në mesin e intelektualve shqiptarë në Maqedoni, veçmas

te rilindësit e parë të kësaj ane, te Voka e Bageri. Voka, edhe pse

ishte me fe islame, thotë se: “Të gjithë jemi një fis e një farë “,

kurse Bageri me fe të krishterë shkruante : ”Po mos këqyr fe, e tjetër

gjë, se në errësi nuk durohet më,“ Kjo poezi i përgjigjet frymës së

theksuar demokratike dhe përparimtare, përmes së cilës synonin t’i

ngrenë kult çështjes shqiptare, arsyes e vetëdijes, etikës dhe gjithë

asaj që është njerëzore. Në këtë klimë vlejnë të përmenden edhe

intelektualë të tjerë, siç ndodh me Dervish Himën nga Ohri, i cili i

kundërvihej redaktorit të revistës “ Re dhye d’Orient”, e cila mohonte

të drejtën për atdhedashuri të shqiptarëve, ku thotë: ”Njeriu është

pjellë lirie, prandaj lypset të ketë gjithnjë lirinë e tij ..”(Koli

Xoxi, “Revolucioni borgjez në Francë”, Tiranë, 1980, f. 386).

Sado që këta krijues mbetën me shekuj e dekada të ekskomunikuar dhe

veprat e tyre shpeshherë të sekuestruara, ata përsëri lanë gjurmë të

fuqishme për kohën kur jetuan dhe vepruan. Në fillim të shekullit XIX

ndër shqiptarët e Maqedonisë arritën që të hapen shkolla kishtare dhe

mejtepe, ku do të hynte në përdorim aty-këtu edhe gjuha amtare shqipe.

Për njërën nga shkollat siç ishte ajo e fshatit Duf, e themeluar më

1840, Vlladimir Gjuriqi te shkrimi “Prosfetne prilike u Gornu Pollogu

novjek vreminja”, Beograt ,1938, f.124 , thotë se: ”Govor sella Dufa

je arbanashki jezik i onie je nastavni jezik“ (E folmja e Dufit është

gjuha shqipe dhe ajo është gjuha e mësimit). Shkolla të ngjashme do të

themelohen njëra pas tjetrës, pastaj revista të shumta, shtypshkronja,

klube dhe kurora më e bukur e vlerave të tyre dhe e punës së tyre

arrihet me Kongresin e Manastirit. Se sa e fuqishme ishte ndjenja për

gjuhën amtare dëshmojnë edhe këto vargje të Bagerit:

 

Kish kjan mbare me mohue

Gjuhën e vet natyrale ...

t’cilën na s’kemi harue

Po e kemi msue në male

(burim i cituar, f. 20)

 

Me këto përpjekje, shqiptarët e kësaj ane u përpoqën t’i rigjejnë

rrënjët e prera të rrjedhave të qytetërimit tonë të lashtë, pasi

sunduesit e ndryshëm tentuan të pengojnë rrjedhën normale, duke

asgjësuar autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre.

Konstantën kryesore poetike këta krijues do ta gjejnë te forca

shpirtërore e popullit, te synimi për të depërtuar në problemet e

jetës shqiptare, në qëllimin për të gjetur formulën e pamposhtmënisë.

Ata ruajtën ritmin e traditës kulturore, letrare e gjuhësore, përmes

krijimeve të tyre, me ato vlera estetike herë-herë të kufizuara. Këta

gjallëruan traditën letrare dhe u bënë kreatorë të një letërsie të

ardhshme me vlera të mirëfillta që kemi sot në këto anë, siç është ajo

e Murat Isakut, Abdylazis Islamit, Agim Vincës, dhe e Luan Starovës me

Kim Mehmetin e shumë të tjerëve. Krijimtaria e tyre, thellë e

ekskomunikuar deri më sot ishte një ulërimë shpirtërore, me thirrje

për kthesa të mëdha në jetën tonë kulturore. Mjafton që ato ngritën

kultin për gjuhën amtare, për shkollën shqipe dhe identitetin tonë

kombëtar:

 

Lypet edhe kalem e këndim

Fjalë e mendim

(R. Voka, burim i cituar, f. 3)

 

Krijuesit e kësaj ane bënë tentativa për të gjetur rrugëdalje, falë

figurave të shquara që sakrifikuan mundin dhe jetën, që përmes vlerave

letrare të arrijnë deri tek ajo më shpirtërorja. Figura të tilla do të

shfaqen menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pasi ishin të frymëzuar

nga premtimet boshe të platformës së rrejshme të Partisë Komuniste të

viteve 40, se të gjithë popujt do të kenë të drejtën për vetëvendosje

dhe të gjithë do jenë të lirë në planin kombëtar, kulturor dhe atë

social e politik. Këto ideale do të dështojnë menjëherë pas luftës,

pasi një numër intelektualësh dhe letrarësh do të gjenden pa arsye

para bankave të te akuzuarve, përmes proceseve të montuara, vetëm e

vetëm pse merreshin me shkrime dhe ishin me orientim kombëtar. Nga

figurat më tragjike letrare, në dekadat e para komuniste, në këto anë

do të jenë Sadudin Gjura e shumë të tjerë, të cilët do të zhduken

fizikisht në rrethana tejet misterioze dhe me metoda më perfide që

mund të ketë një shtet. Përveç zhdukjes së tyre fizike, pushteti i

asaj kohe bëri edhe sekuestrimin e veprave letrare të tyre që vetvetiu

këto krijime i kaplonte ekskomunikimi, pasi ato nuk kishin mundësi të

binin në duart e lexuesve dhe as që bëhej ndonjë botim apo ribotim i

tyre. E keqja e kësaj fryme shkonte deri atje sa që krijonte frikë që

edhe të përmendeshin nga popullata e rëndomtë. Në mbarë letërsinë

shqipe, shkrimtarët shqiptarë kanë dramat dhe fatet e tyre tragjike,

por S. Gjura u zhduk nga jeta në mënyrën më mizore që nuk i ngjan as

vdekjes së një luftëtari në fushë të betejës . Gjura herët kuptoi

politikën antishqiptare sllave, që kishte shkelur rëndë mbi idealet e

luftëtarëve shqiptarë në luftën e përbashkët kundër fashizmit dhe kjo

e nxiti që të formojë organizatën demokratike “Lira“, me të cilën

vendosi të demaskojë tradhtinë që ju bë popullit shqiptar në tërësi.

Veprimtaria e tij shpejt u hetua nga pushteti i kohës dhe iu

sekuestrua çdo shkrim dhe ai personalisht u persekutua deri në fund.

Ky profesor i parë pas Luftës se Dyte Botërore, poashtu poeti dhe

dramaturgu i parë i këtyre anëve dhe atdhetari i devotshëm, më 1952 u

morë nga klasa, ku mbante mësimin para nxënësve të vet dhe prej asaj

dite e burgosën duke i krijuar tortura nga më të ndryshmet dhe lëndime

psikike nëpër burgjet jugosllave të asaj kohe. Vdekja e tij gjithmonë

mbeti enigmatike dhe më e dhimbshmja e historisë së personaliteteve

tona të mëdha, por edhe nga persekutimet më të dhimbshmet në

historinë e krijuesve botëror. Po ta krahasojmë me Garsia Lorken, i

cili, po ashtu benë pjesë në historinë më të dhimbshme te historisë se

poetëve botëror, por mbi te gjitha Lorka u ekzekutua publikisht ne

mes te qytetit dhe kortezhin e tij e përcollën me mijëra njerëz dhe u

shkrua gjithë andej për atë dhe veprën e tij, kurse kurmin e trupit të

Gjurës e humbën nam e nishan dhe pasi përfundon dimri i madh, në Malet

e Sharrit, barinjtë e gjejnë të shformuar. Jo vetëm kaq, por me dekada

nuk guxonte kush ta përmendte, qofshin krijuesit a studiuesit, e as

populli, pasi çdo kush që do e përmendte, mund t’i gjente i njëjti

fat. Pas tetë viteve lëshohet nga burgu, i rraskapitur dhe i pa aftë

për jetë dhe në shkurtë të vitit 1962 humbet në bjeshkët e Sharit, qe

sipas disa te dhënave, pushteti diktatorial i kohës edhe të tillë nuk

mund ta shikonte, sepse vuajtjet e tij ne popull krijonin revolte

popullore dhe urrejtje ndaj atij pushteti makabër.

Ishte poet dhe dramaturg. Për fat të keq dhe si për ironi te fatit

sot e kësaj dite shumë shkrime te Gjurës kanë mbetur të pandriçuara.

Deri më sot kemi arritur të ndriçojmë vetëm dramën “Lalë Bajrami“,

disa poezi dhe disa pjesë të dramës “Fejesa në djep“. Nga poezitë

është gjetur e plotë me pesëdhjetë vargje poezia “Jeta e re e

njerizimit po agon“, dhe është botuar në revistën “Jeta e re“,

Prishtinë, kurse poezitë e tjera “Marshi i normalistit “, “Kënga e

punëtorit”, “Vaj ç’qenka bë Tetova“ etj., janë gjetur të cunguara, të

ruajtura nga nxënësit dhe kushërirët e tij.

Poezitë e gjetura deri më sot dëshmojnë për një

temperament artistik, për një mendje të mprehtë dhe me ndjeshmëri të

thellë poetike. Një det ndjenjash të mbushura me lot që kalojnë nëpër

zemrën e tij dhe përmes syve lëshon lot, pas loti është me ndjenjë

shpërthyese prej poeti:

 

Sa e madhe është në sy të robit t’ shkelun ,

Kur e peshon me lot gjakun e robërisë...

Mbi dhe të shkelun pikon loti i lirisë

(“Jeta e re” Prishtinë,1952, nr. 1-2)

 

Gjura shkroi edhe katër drama, prej të cilave ende mbeten të zhdukura

dhe të ekskomunikuara thellë: “Fejesa në djep”, “Shqipja e malit“,

“Dervish Cara”etj.

Dramën që e ndriçuam ne,“Lalë Bajrami“, është me gjashtë pamje dhe

ndërtohet me gërshetimin e tri elementeve të rinjohjes, që e ndeshim

në letërsinë tonë popullore: rinjohja e burrë - grua, rinjohja e

nënë-bir dhe rinjohja e motër -vëlla. Të tria këto rinjohje

gërshetohen në këtë vepër dramatike rreth personazhit kryesor të Lalë

Bajramit, emrin e të cilit e mban edhe vet drama. Në themel qëndron

një ngjarje dramatike, me situata prekëse dhe ngarkesë të veçantë

emocionale. Kjo filozofi gërshetohet edhe me të papriturat që i vijnë

njeriut në momente të caktuara të jetës. Në dekadat e para të

periudhës komuniste, fate te ngjashme tragjike do të përjetojnë edhe

letrarët Lazim Rexhepi, Sefer Selimi, e shumë të tjerë.

E gjithë kjo odisejadë e krijuesve të kësaj ane, pjesërisht edhe sot

e kësaj dite mbetet e ekskomunikuar, edhe pse në dekadat e fundit janë

bërë përpjekje, dhe ende po bëhen që këta krijues dhe kjo letërsi të

dalë në dritë dhe të gjejë vendin e merituar në historinë e letërsisë

sonë. Është koha që letërsia jonë të mos mbetet e ekskomunikuar, së

paku midis nesh. Do të ishte mirë që edhe për këta krijues të dihet

dhe të njihen sadopak në të gjitha trojet shqiptare . Kjo vlen për t’u

njohur mirë me vlerat tona letrare e kulturore. Një qëllim i këtillë

më së miri do të realizohej përmes sistemit të organizuar arsimor,

veçmas përmes lëndës së letërsisë nëpër shkollat e mesme, edhe atë,

sipas etapave historike të zhvillimit të saj. P.sh, në pjesën ku

flitet për letërsinë e humanizmit shqiptar të përmendet edhe Sersem

Ali Dedeja e ndonjë tjetër; në pjesën e letërsisë së Rilindjes të

përmendet edhe Rexhep Voka e Jusif Bageri etj., dhe në fillimet e

letërsisë bashkëkohore të flitet edhe për Sadudin Gjurën e ndonjë

tjetër që krijuan dhe vepruan në trojet shqiptare të Maqedonisë, pasi

këta janë dëshmi e autoktonisë sonë të lashtë dhe asaj pak me te re.

Të gjitha këta dëshmojnë vazhdimin e energjive krijuese dhe me

reflekset e këtij uniteti kuptojmë edhe fshirjen e kufijve, sepse kemi

të bëjmë me një ndërgjegje dhe me një frymë të përbashkët kulturore

kombëtare.

Ky fenomen i ekskomunikimit letrar në Maqedoninë e sotme ende mbetet

aktual. Autor e vepra të tjerë presin të ndriçohen e të interpretohen,

detyrë kjo, sa kulturore, aq edhe fisnike. Për vonesat letrare është e

udhës që të motivohen studime të kësaj natyre, të rivlerësohen, të

ndriçohen plotësisht, kështu që, secilit autor t’i jepet vendi i

merituar në historinë e letërsisë sonë. Por, kjo s’do të thotë që të

kalohet nga njëri ekstrem në tjetrin. Rivlerësimet duhet bërë në bazë

të vlerave ideo-estetike e letrare dhe sipas kohës kur ato lindën dhe

u zhvilluan.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora