E enjte, 25.04.2024, 03:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Intervistë me shkrimtaren Vilhelme Vranari

E shtune, 03.11.2012, 12:28 PM


"Më vjen keq që nuk i dhashë vlerat në kohën e duhur..."

(Intervistë me shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj (Mjeshtër i Madh)

Nga Albert Zholi

-Cila është Vilhelme Vranari?

U lind në Kaninë të Vlorës, më 8 dhjetor 1944, pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. Lufta e klasave e ka ndjekur qysh si fëmijë. Me burgosjen e babait, internohen mes viteve 1952-55, ku kreu arsimin fillor. Shtatëvjeçaren e kreu në shkollën "28 Nëntori" (Vlorë). Pasi kreu Shkollën Pedagogjike “Jani Minga“ (Vlorë, 1962-66), punoi si mësuese në fshat dhe vazhdoi studimet e larta me korrespodencë në UT (Histori- Gjuhësi). Më1965 kryen kursin për Ekonomi shtëpiake pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Më 16 gusht 1966 e pushojnë nga arsimi dhe ia ndalojnë diplomimin për arsye politike. Rinis studimet (në Histori-Gjeografi), diplomohet më 1975, pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Përsëri internim(1966-90), vite të rënda pune krahu. Më 1991 rikthehet në profesion. Nga 1992-97 zv/drejtore në shkollën “Ismail Qemali” në Vlorë. Nga ’97-a ngeli pa punë. Ndër të parat gra e aktivizuar në lëvizjen demokratike dhe nga 199-98, Kryetare e L.D.G. Vlorë. Më 21 prill 1992 është e para femër që i paraqiti Kuvendit Shqiptar peticionin për të drejtat dhe liritë e gruas, mbi barazinë gjinore.Pason pjesëmarrja active e saj në jetën politike, legalizimin e emigrantëve si dhe kujdesi i shtetit për Krahinën Autoktone Shqiptare të Himarës. Që nga 91 u muarr me publicistikë dhe me krijimtari letrare

*Mund të na flisni për jetën tuaj në regjimin komunist. Si janë trajtuar prindërit dhe diçka për ta?

-Jeta në përgjithësi i ngjan xhunglës e cila është e vështirë të përshkohet, aq më tepër kur shkel për herë të parë në këtë brez natyror të panjohur. Mjerë ai udhëtar që nuk i njeh ligjet e xhunglës, sepse është i destinuar të humbasë në të. Kurse sistemi jetik i xhunglës shqiptare ishte i panjohur, i paprovuar kurrë më parë, ishte një sistem i bazuar mbi ide utopike të huajtura nga sllavët. Dhe si i tillë, një sistem pa themele, kërkon forma dhe mënyra, qoftë edhe çnjerëzore për të mbijetuar, shprehjen e të cilave e gjeti në vetizolimin si miu në çark, larg ndikimeve të botës së zhvilluar. Xhungla komuniste ideoi, shpiku dhe zbatoi luftën e klasave, një nga më të egrat që ka njohur bota humane. Duke i ndarë shqiptarët në pro dhe kundër, diktatura komuniste "parti-shtet" zhduku fisnikërinë, shtresën e mesme që është palca e kombit, si dhe eliminoi inteligjencën e arsimuar në perëndim, trurin e kombit e varrosi për së gjalli duke e shndëruar në pleh për hajnët dhe xhelatët e kuq. Duke u mohuar vlerat e vërteta , iu dha prioritet antivlerës, gjë që varfëroi materialisht dhe mendërisht njeriun. Si pasojë e la familjen dhe shoqërinë në një nivel të ulët kulturor dhe ekonomik. Niveli social përcakton shkallën e zhvillimit të kombit. Familja Vrana nga Kanina, bijë e së cilës jam unë, pësoi tragjedi. Xhaxhai im Skënder Vrana ( arsimuar në Teknikumin "Harry Fulltz" & Univ. Siena (Firence) u internua nga gjermanët dhe e ekzekutuan më 9 maj 1945. Në vend që të ishte simbol i rënies së nazizmit, u quajt viktimë lufte, vetëm pse mbante një mbiemër të lashtë sa vet njerëzimi (Uran). Kurse të vëllanë, Batjar Vrana, (student i Tregtares Vlorë) e ekzekutoi Sigurimi i Shtetit me mënyrën më makabre, ku nënës në shtëpi i shkoi vetëm një këmbë e djalit dhe trupin ia mblodhën copa -copa. Vëllanë tjetër ,Mynyr Vrana, e burgosën për agjitacion e propagandë se nuk piu dollinë për mustaqet e Stalinit. Babai im, Veip Vrana u dënua me burgim të përjetshëm si antipushtet (sabotator) dhe provoi tmerret e burgut të Tiranës, Bulqizës dhe kanaleve të kolerës komuniste. Tre kushërinjtë e parë të babait, vëllezërit Sharra; Abdyl , Shyqyri dhe Lekmi i vranë dhe dy vëllezërit e tyre jashtë shtetit u dënuan në mungesë. Si mund të ndihej një fëmijë jetim me baba gjallë si puna ime?!

-Biografia një gur rëndë në atë regjim sa ka ndikuar në jetën e Vilhelmes?

-Lufta e klasave në Shqipëri ishte si kronika e një vdekjeje të paralajmëruar. Peshën e rëndë të saj e kam ndjerë qysh e vogël, veçanësrisht kur burgosën babanë, isha 6 vjeçe. Apo kur sekuestruan shtëpinë dhe gjithçka. Nuk mund ta shqit nga kujtesa atë ditë kur shtëpisë sonë të bukur i vunë shiritin "Pasuri Shtetërore" dhe na vërvitën pa mëshirë në rrugën e madhe e të vështirë të kasolles së internimit apo bodrumit, 90 cm nën nivelin e rrugës, pa dritare e gjithë lagështi. Komunizmi për çdo qytetar ishte sistem i përndjekjes, i persekucionit, i cili shkallëzohej. Vetëm idhtarët e Partisë nuk kishin as sy të shikonin të vërtetën, as veshë të dëgjonin tragjeditë dhe as mend të gjykonin drejt se edhe ata po të shkonin kundër rrymës, i priste qelia më e ngushtë se varri dhe më e ftohtë se vdekja. Edhe pse ma ndaluan diplomimin vetëm për tri lëndë, më mohuan profesionin më 16 gusht 1966 dhe na riinternuan, e kërkova me ngulm deri te Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, të drejtën time për arsimim. Arrita të diplomohem në fakultetin Histori- gjeografi me rezultate maksimale, por pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Vetëm pas vitit 90 rifillova punë në arsim dhe shpalosa talentin tim si krijuese.

-Cilat ishin prirjet tuaja në moshën e adoleshencës dhe a mundët ti realizoni ato?

-Unë isha fëmija pa fëmijëri, e reja pa rini, adoleshentja, së cilës ia kishin ndaluar të ëndërronte. Shpresat na i vranë pa lindur, ëndrrat na i shuan, profesionin na e mohuan, na internuan, na burgosën, na vranë pa shkak, por nuk e ndalonin dot syrin të shihte realitetin, as veshët nuk na i mbyllnin dot për të dëgjuar gjëmat e ditëzinjëve, shkaktarë të të cilave ishin vëllezërit e një gjaku e një gjuhe iliro- shqiptarë. As mendjen nuk e ndalonin dot. Mendimi i lirë gëlonte , por vetëm nuk mund ta shprehnim. Pa e tepëruar unë kam pas prirje për muzikë, pikturë, punë dore. Studioja sistematikisht në të gjitha lëndët, ndaj nuk mund të veçoj asnjë nga shkencat. Kam adhuruar mësimdhënien. Përsa i përket prirjesve të mija, shoku im i Pedagogjikes "Jani Minga" Xhavahir Spahiu është shprehur: "Hartimet e Vilhelmes shkonin klasë më klasë, kurse ne u bëmë poet dhe shkrimtarë. Për Vilhelmen , si mbiemri i saj,qielli ishte i vranët dhe duhej kohë që qielli të hapej dhe ajo ta thoshte fjalën e saj. Tani ajo vjen si Antigona për të mjekuar dhe shëruar shpirtërat e lënduar dhe të sakatosur të shqiptarëve..."

-Cila ka qenë dita më e vështirë në vitet e shkollës?

-Meqë më jepet rasti dua të falenderoj mësuesët e mi, dhe kujtoj me nderim ata që nuk jetojnë, që kurrë nuk më panë me syrin e të deklasuarës apo si bijën e një të burgosuri, si :Ptoleme Bega, Skënder Hamiti, Bubulina Arapi, Harilla Kuçuli, Nina Nepravishta, Epaminonda Papakroni, Kristaq Suli...

Dita më e vështirë ka qenë kur më ndaluan të hyja në provim 12 gusht 1966, pasi më ishte ndaluar diplomimi. Kurse dita më e hidhur ka qenë fillim shtatori i 1975, kur Zv/Kryetari i Kom. Ekzekutiv Vlorë, Eqerem Kallfa, kishte refuzuar kërkesën e Dekanatës që unë të rinisja punë në arsim. Më thirri për të më përciellë këto fjalë: "Ti nuk mund të japësh histori sepse nuk je në gjendje të bësh luftën e klasave."

-Cilët janë shkrimtarët dhe poetët më të spikatur shqiptarë të periudhës postkomuniste?

-Fatkeqësisht shqiptarët janë tejet të politizuar dhe pëlqejnë letërsinë politike, gjë që e dëshmoi edhe Panairi i librit"Tirana 2011". Në qendër të komenteve mediatike janë po ata autorë të Realizmit Socialist, që për mendimin tim dhe autorëve të huaj ,nuk kanë sjellë ndonjë risi, nuk kanë bërë evolucion në letërsinë bashkëkohore. Madje s' kanë ruajtur nivelet e botimeve të kohëdiktaturës, por kanë bërë regres. Sot ka shumë botime letrare dhe vepra të mira të niveleve perëndimore që gjenden si brenda vendit, si edhe në diasporë, të cilat kërkojnë vëmendjen e jurive që i shpërfillin me neveri.

-Cila është poezia apo tregimi i parë dhe kur daton ajo?

-Kam qenë në klasën e shtatë kur thura poezinë e parë, titulluar" Tim vëllai ", (1957). Ai erdhi nga shkolla me sy të vagëlluar. Nuk i kishin dhënë Fletë Nderi pas klasës së parë dhe mësuesja e kishte quajtur reaksionar. Ai nuk ia dinte kuptimin , ndaj i kushtova disa vargje. Kurse libri i parë poetik u botua në dhjetor 1996, "Loti nuk ka faj".

-Në këndvështrimin tuaj cilat janë problemet më të mëdha të letërsisë sot?

-Ka një prurje të madhe në letërsi, por për të rritur nivelin e letërsisë shqipe në parametrat botëror, ka nevojë për seleksionim. Nuk mund të quhen letërsi bejtet apo monografija e gjyshit "Kryetar Këshilli, Kryetar Kooperative, apo kryetar i Frontit. Ato janë kujtime familjare. Do ta quaja studim të vyer autobiografinë e një personaliteti si psh. të Akademikut Shaban Demiraj,prej të cilit ke çfarë mëson. Shkrimtari nuk duhet të jetë prodhuesi i lëndës së parë për industrinë fitimprurëse të Shtëpive Botuese, por duhet të investojë kulturë përmes mesazheve që përciell. Shkrimtarët shqiptarë kanë frikë nga pasqyrimi i së vërtetës, gjë që i ndan nga letërsia bashkëkohore e vendeve të zhvilluara. Mungon menaxhimi institucional i librit, detyra imediate e Ministrisë së Kulturës dhe të Arsimit. Nuk jam dakord me Pandeli Koçin se tek ne mungon kritika. Ne kemi pasur një nga kritikët më të mirë ,të ndjerin Prof.Dr.Adriatik Kallulli, Agron Tufa, Prof.Ali Aliu, Prof. Dr.Xheladin Mjeku, Sejdi Berisha, Mexhid Prençi (kritik arti), Fisnik Sina, Mujo Buçpapa, Gjek Marinaj si themelues i protonizmit letrar. Është fat që kemi kritikun Dr. Fatmir Terziu-Londër, vlerësuar nga Oxfordi një nga 3 kritikët e shquar botëror postmodern të së tashmes, që me shumë profesionalizëm ka bërë kritika mbi 220 autorë, në dy botime, Kritika Ndryshe 1 dhe 2. Me të gjithë kritikë apo analistë, duhet organizuar një simpozium, ku të jepen orientime rreth kritereve të një letërsie të re moderne. Pra mungon kritika letrare si institucion. Institucioni mbi "Të drejtat e autorit"duhet të mbrojë shkrimtarin dhe librin ,sepse deri tani janë favorizuar Shtëpitë Botuese.

-Sa libra kbotuar deri më sot dhe temat që keni trajtuar?

-Kam botuar 30 libra në 16 vite, në disa gjini: poezi, prozë e shkurtër(skicë, tregim, novelë), ku 15 janë romane si dhe fabulë, gjëegjëzë, përrallë dhe ese-publicistikë. Tematikën e marrë nga realiteti shqiptar, ku pasqyroj dramat që kemi përjetuar, problemet sociale që më mundojnë mua si femër, si nënë e bashkëshorte dhe si krijuese. Në qendër të krijimtarisë është femra në pozita, profesione dhe mosha të ndryshme. Kam gati për botim 6 libra.

-Cilët janë poetët dhe shkrimtarët tuaj më të preferuar brenda dhe jashtë Shqipërisë?

Autorë shqiptarë: Naimi, Çajupi, Poradeci, Asllani, Migjeni, Fishta, Marko, Kuteli, Camaj, Xhaferri, Reshpja, Arapi, Xh. Spahiu, Podrimja, kurse nga bashkëkohorët Brunilda Zllami, por më mbush poezia e Fatmir Terziut dhe Mujo Buçpapës. Nuk ngopem nëse lexoj çdo ditë të pakrahasueshmin Isuf Luzaj.

Autorë të huaj: Shekspir, Aligier, Homer, Hajne, Gëte, Stendal, Mopasan,Tolstoi, Pushkin, Esenin, Korolenko, Turgeniev, Pasternak, Çehov, Solgenitcin, Ahmetova, Shollohov, Davidova, Tagora, Balzak, Rusoi, Remark, Cvajg, Heminguei, Gollsuorth, Dikens, Alende, Sartre, Kafka, L.Borges, Draizer, London, Lorka, Pamuk, D.Brawn, D.Still, Coelho, Herta Muler, kurse adhuroj e që i kthehem përherë është, i madhi Marquez.

-Cili është libri juaj më i bukur?

- Botimin e çdo libri e pres si lindjen e një fëmije. Cilin gisht të presësh e nuk të dhemb? A mund ta duash më shumë një fëmijë nga të tjerët, kur janë rritur në të njëjtin trup e me gjakun e një zemre? Mendoj se çdo libër ka vlerën e vet që dallon nga këndvështrimi dhe mesazhi që përciell. Libri i fundit "Çmimi i Dualizmit"që doli këto ditë nga botimi, ose "Rikthimi i I.Qemalit" i botuar gjatë verës, janë më të dashur për mua, derisa të dalë tjetri nga botimi. Do të veçoja trilogjinë "Vështroni Meduzën" që ka shtrirje si në hapësirë dhe kohë, ku kam bër autopsinë e shoqërisë shqiptare.

-Si jeni ndjerë kur keni marrë titullin “Mjeshtër i Madh”?

-E nderuar dhe e privilegjuar për shumë arsye. Shpërblimin e një pune voluminoze dhe të vonuar, e mora në Vlorën time; për 100 vjetorin e Pavarësisë; isha një femër, për mos të thënë mes 100 burrave, U vlerësuan Vlora, Ismail Qemali, gjithë firmëtarët e aktit madhor të Pavarësisë dhe 16 personalitete nga të gjitha fushat dhe unë. Duke falenderuar Presidentin e Republikës, Prof. dr. Bamir Topi për çmimin, i cili i takon Kaninës sime, Vlorës, Kryetarit të Bashkisë, Z. Sh. Gjika, Shoqatave të të Persekutuarëve, "Ali Asllani" dhe "Kanina"; djemve të Vlorës, Aleksandër Flloko dhe Bujar Leskaj që e kanë parë Vlërën si nënë. U takon Shtëpive Botuese "Toena," Nacional",disenjatorëve, redaktorëve, kritikëve dhe analistëve. Çmimi Mjeshtër i Madh është meritë e familjes sime, bashkëshortit Fitim, si dhe fëmijëve, pa të cilët që sapo përmenda, unë do të isha Asgjë.

-Mardhëniet me pijet alkolike?

- Jam për 3-4 kafe në ditë dhe më pëlqen një gotë birrë, jo për ditë.

-Shprehja e preferuar?

-"Drejtësia është e brasvlertë me lirinë e shpirtit ,të cilën mund ta vendosë vetëm i virtytshmi! Vivra"

-Lidhjet me kuzhinën dhe çfarë kuzhine pëlqeni?

-Gatimet e shumëllojshme i bëj me dëshirë dhe ndiej kënaqësi kur shijohen. Kuzhina është hobi im. Pëlqej kuzhinën tradicionale dhe tejet të pasur të zonës jugore të vendit dhe atë italiane.

-Në ideimin tuaj kush quhet njeri ideal?

-Jeta ka vendosur disa rregulla të shkruara apo të pashkruara, që quhen norma. Të kërkosh më të mirën për të qenë vetvetja, konformë këtyre normave, duke njohur të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë, je njeri ideal.

-Çfarë është politika për ju dhe cili ka qenë pozicioni Juaj ndaj politikës në përgjithësi?

-Politika është grupim ideor që vë në lëvizje logjikën, udhëhequr nga arsyeja dhe paanshmëria për zhvillimin social të mbarë kombit. Të ketë rezultat duhet tolerancë, mirëkuptim, bashkëpunim pa mllefe dhe hakmarrje, jo vetëm për të zënë në flagrancë, por për të mos lejuar gabimet. Unë jam anëtare e Partisë Demokratike jo aktive, jam themeluese e LDG dhe jam formuluese e të drejtave dhe lirive të gruas, paraqitur Parlamentit më 21- 4-1992.

-Në këndvështrimin tuaj cilat janë problemet më të mëdha të mësimdhënies sot?

- Duhet të bëhet unifikim i programeve dhe teksteve shkollore. Mësuesi si mësimdhënës, duhet të jetë jo vetëm rrogëtar, por transmetues i dijeve shkencore përmes një raporti mësues -nxënës si prindi me fëmijën. Ta duash profesionin e mësuesit do të thotë të jesh i suksesshëm. Futja e internetit ndikon negativisht në të nxënit shabllon, pa u thelluar në bazat shkencore.

-Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare post komunsite?

-Ende është e hallakatur, e pastabilizuar dhe me mungesë të theksuar kulture demokratike. Çdo force politike i duhet shumë punë për të gjetur shtratin e vet të qendrueshëm, me strategji të qarta për integrimin e vendit.

-Një përkufizim për dashurinë?

-Jeta pa dashuri është e zbrazët dhe e ftohtë si ngrica polare. Veçse kjo ndjenjë sublime, sapo të ka çuar në Parajsë, papritur të zhyt në Ferr. Në dashuri bashkëjetojnë dhembja me lumturinë.

-Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

-Synoj të jem vetvetja dhe gjithmonë në kërkim të së vërtetës në çdo fushë, sidomos në histori, pasi ka të bëjë me etnogjenezën e mohuar të një kombi vital, gjë që më mundon.

-Një ditë pune e zakoshme?

- Ditët e mija janë të ngarkuara dhe të ngjashme. Zgjohem në 4 e 45'. Prej orës 5-7 ecje sportive në bregdet (gjatë dimrit).Kurse nga Qershor -shtator, bëj edhe plazh 6 e 30' - 9, pi kafenë sipas rastit me shoqet apo me bashkëshortin. Pastaj kryej detyrat si zonjë shtëpie,gatuaj, pastroj, laj dhe hekuros. Pas drekës pushoj 1-2 orë, në orën 15 ulem në kompjuter deri në orën 19. Dalim si çift për kafe, ku me miq diskutojmë letërsi e probleme sociale. Në mbrëmje shoh postën elektronike, televizor ose punoj.

-Ku preferoni ti bëni pushimet?

-Të kisha mundësi financiare dhe shëndetësore, do të vizitoja gjithë mrekullitë e botës, sidomos vende me borë. Por i jam falur mrekullisë që e ka emrin, det, se për ne është turizëm pa shpenzime,

-Cili është për ju modeli i politikanit?

- Ai që gjatë legjislaturës mohon vetveten. Tipiku për mua është Abraham Linkolni, i cili nuk e mohoi dashurinë për gruan, por kishte një dashuri më të madhe atë ndaj Amerikës, për të cilën dha edhe jetën.

-Tejzgjatja e Shqipërisë në BE, ku e ka zanafillën?

-Në mosmarrëveshjet politike pozitë-opozitë e në mosrealizimin e detyrave të BE, sidomos Rikthimi i Pronës, Integrimi i i të burgosurve politikë dhe Korrupsioni, gangrena që po e grryen shoqërinë.

-Veshja e preferuar?

-Në përditësi vishem sportive me pantallona. Sipas vendit mbahet edhe kuvendi. Mbrëmjeve më pëlqen të ndihem femër, veshur thjesht dhe bukur. Në raste të veçanta pëlqej veshje klasike por jo ekstravagante.

-Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

- Vlerësoj karakterin e fortë, vullnetin për të qenë "Dikushi",sinqeritetin, bujarinë. Mosmirënjohja, gënjeshtra , mashtrimi, servilizmi ,shkelja e besës dhe tradhtia, janë vese që nuk të bëjnë kurrë njeri.

-Keni ndonjë peng në jetë?

-Nuk i dhashë vlerat në kohën e duhur. Nuk paraqita një sfilatë mode, sepse mbajta familjen dhe rrita fëmijët me gjilpër, duke nxjerr art nga duart. Më pëlqen të shkruaj një dramë shkëputur nga trilogjia, me personazhin më të dashur për lexuesin dhe kritikën. Ndoshta e arrij, ku i dihet?!

-A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

- Për sa kohë të jetë e paragjykuar e fati i saj i paracaktuar dhe të trajtohet si pronë apo mall, është e pavlerësuar. Femra së pari duhet të kërkojë brenda vetes se për çfarë është në gjendje të japë vlera, sa e aftë është të pranojë sfidën duke u ballafaquar me këdo, sa kurajo ka për të evidentuar aftësitë e saj intelektuale dhe profesionale. Vendin e merituar në shoqëri e fiton me mund dhe me djersë, askush nuk e lë karrigen për X femër, së cilës i mjafton një diplomë, një vend pune si rrogëtare, por jo më shumë.

-Po politika shqiptare a ka lënë hapësirat e nevojshme për femrat?

-Duke parë përfaqësimin e femrës në legjislativ, ekzekutiv dhe drejtësi është për të ardhur keq. Jo shifra fiktive 30% nuk është arritur, por jemi në nivele shumë të ulëta, krahasuar me Kosovën që sapo fitoi Pavarësinë.

-Aështë shoqëria shqiptare maskiliste dhe cilat janë format më shprehëse të saj?

- Po! Në shumicën e shoqërisë shqiptare ende ekziston mentaliteti mesjetar se gruaja ka lindur për të shërbyer, për të siguruar gjenezën përmes pjellorisë e të bëjë elektorat apo të votojë për të venë në krye të institucioneve të çdo niveli, meshkuj. A nuk është mëkat?!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora