E premte, 18.10.2019, 10:27 PM (GMT+1)

Aktualitet

Clinton: Zgjedhje të lira, luftë korrupsionit

E enjte, 01.11.2012, 09:00 PM



Në një prezencë të lartë të deputetëve dhe të ftuareve, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton mesazhin e parë që dha në fjalën e mbajtur në Parlamentin shqiptar ishin zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Ajo i cilësoi muajt që vijnë si kritikë, duke i sugjeruar spektrit politik shqiptar që të punojë për të arritur mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si objektiv jetik për përparimin afatgjatë të vendit.
“E para, është siguria që duhet të jepni se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo është e rëndësishme, së pari dhe mbi të gjitha, në mënyrë që shqiptarët të kenë besim tek rezultati i zgjedhjeve dhe të besojnë tek drejtuesit e tyre politikë. Kjo është e rëndësishme dhe për t’i dërguar një sinjal të fortë Bashkimit Europian se politika në Shqipëri funksionon pa pengesa dhe pa vështirësi. Në këtë moment kyç, unë u kërkoj drejtuesve politikë dhe qytetarëve angazhim për të shndërruar zgjedhjet e ardhme në një sukses, në mënyrë që ato të reflektojnë angazhimin e thelle të Shqipërisë për demokracinë”, deklaroi Clinton.
Por demokracia, përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkon edhe rregullin e ligjit, deklaroi në vijim të këtij mesazhi sekretarja amerikane e Shtetit, kur theksoi një tjetër domosdoshmëri për vendin, institucione të forta dhe gjyqësor të paanshëm. Mesazhi i dytë i zonjës Clinton për politikën shqiptare ishte korrupsioni.

“Shqipëria nuk është demokracia e parë që përballet me korrupsionin. Jo, aspak! Por kjo është një luftë që duhet fituar, sepse në të gjithë botën korrupsioni është një kancer që gërryen shoqërinë. Ai shterron burimet, bllokon rritjen ekonomike dhe bëhet mburojë për liderët e paaftë dhe të pamoralshëm. Dhe ndoshta më e keqja e kësaj, kultura e pandëshkueshmërisë, mund të frenojë popullin për të përmirësuar jetën e tij”, nënvizoi zonja Clinton. 

Mesazhi i fundit që shefja e diplomacisë amerikane dha nga podiumi i Kuvendit, ishte ai i krijimit të kulturës së bashkëpunimit mes forcave politike, duke u ngritur mbi diferencat partiake. Në këtë pikë ajo solli shembullin e bashkëpunimit të saj me presidentin Obama, dy ish-rivalë në garën presidenciale. Por ajo tha se, dashuria për vendin është në themel të këtij bashkëpunimi. 

Duke besuar se edhe liderët shqiptarë do të kuptojnë se për të qenë perëndimorë interesat kombëtare vijnë më parë se ato partiake, Hillary Clinton garantoi mbështetjen e vendit të saj për Shqipërinë edhe në përvjetorët e ardhshëm të pavarësisë. 

“Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar me ju në 100 vitet e para të pavarësisë dhe ne do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe 100 vite të tjera pas këtyre”, u shpreh Clinton.  



Clinton merr “Urdhërin e Flamurit”  

Në ditën e parë të nëntorit, muajit të Pavarësisë së Shqipërisë, sekeretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, për koinçidencë ose jo, e shndërroi vizitën e saj në Tiranë edhe në ditën e nisjes zyrtarisht të festimeve për 100-vjetorin e vendit. 

 

Kur zbriti nga avioni i saj në aeroportin "Nënë Tereza", rreth orës 10.40, zonja Clinton e dinte shumë mirë se me sa mirënjohje po e prisnin shqiptarët. 



Takimi i parë ishte me presidentin Bujar Nishani në Pallatin e Brigadave, por, përpara një ceremonie nderimi, zonja Clinton, sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, "i kërkoi presidentit Nishani të shfrytëzojë autoritetin e tij kushtetues për të mbështetur përshpejtimin e proçesit të reformave". 



Në Pallatin e Brigadave sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton u nderua me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, "Urdhërin e Artë të Flamurit Kombëtar", me motivacionin: 

“Për kontribut dhe merita të shquara në mbështetje të Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha përpjekjet për përparim e mirëqenie, për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie të lirë e të hapur. Për ndihmën e jashtëzakonshme në anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, si edhe për mbështetjen e çmuar për Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e cila përmbushi aspiratat e rajonit për liri e dinjitet". 

“Ju falenderoj për dhënien e këtij nderi të jashtëzakonshëm dhe do të vijoj të bëj më të mirën time për ta merituar plotësisht. Ju e meritoni këtë plotësisht tani dhe në të ardhmen!”, deklaroi Clinton. 

“Përmes kësaj dekorate ne shprehim mirënjohjen për sekretaren Clinton, qeverinë amerikane dhe për popullin amerikan, të cilët, jo vetëm në sfidat më të vështira të Shqipërisë kanë qenë pranë nesh, po dhe në çdo hap për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit”, tha nga ana e tij presidenti Nishani. 



Menjëherë më pas, sekretarja amerikane e Shtetit u takua me kryeministrin Sali Berisha, një moment me shi, por ku nuk u mbajtën çadra, pasi siç tha zonja Clinton, "shiu është i bekuar". 

Takimi mes dy palëve, nën masa të larta sigurie, u zhvillua në sallën e mbledhjeve të qeverisë, ku përpara se të mbylleshin dyert, kryeministri Berisha dhe sekretarja amerikane e Shtetit bënë një vlerësim publik për marrëdhëniet mes dy vendeve në këtë vit jubile të 100-vjetorit të Pavarësisë. 

Kryeministri Berisha tha se: "Çdo vizitë e një sekretari Shteti në Shqipëri është një vizitë historike", por ai e cilesoi viziten e zonjes Clinton "më historiken, pasi përkon me përvjetorin e Pavarësisë".  

Kryeministri u shpreh se, "për çdo shqiptar prania e zonjës Clinton në Tiranë është një margaritar në kurorën e këtij përvjetori dhe se shqiptarët u janë shumë mirënjohës Shteteve të Bashkuara, që ndihmuan kombin shqiptar të triumfojë mbi vështirësitë, duke e bërë atë një komb të lirë". 

Nga ana e saj, sekretarja Clinton vuri në dukje se ishte në nderin e saj të ishte në Tiranë në ditën e parë të muajit që shënon përvjetorin e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë. 



"Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj", i tha zonja Clinton kryeministrit Berisha. 

Zonja Clinton tha gjithashtu se, "Shtetet e Bashkuara u urojnë shqiptarëve përzemërsisht për 100 vitet e para dhe do të çojnë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme". 

Pas mbylljes së dyerve, në takimin që zgjati më shumë sesa ishte parashikuar, përveç çështjeve rajonale, bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit në Afganistan, situata e brendshme politike ishte pjesë e bisedimeve Berisha-Clinton. 

Për këtë aspekt, njoftimi zyrtar i Këshillit të Ministrave citon vetëm kryeministrin Berisha, i cili "duke siguruar zonjën Clinton për angazhimin e plotë të qeverisë për miratimin e tre ligjeve të mbetura, si pjesa e papërmbushur për të çuar përpara integrimin europian, shpreh besimin se interesi kombëtar do të mbizotërojë dhe opozita do t'i votojë këto ligje". 

Njoftimi bën gjithashtu të ditur se, "kryeministri siguroi sekretaren Clinton për vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare që zgjedhjet e vitit 2013 të plotësojnë të gjitha standardet për zgjedhje demokratike". 

Duke ftuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dërgojnë një numër sa më të madh vëzhguesish në zgjedhje, kryeministri Berisha shprehu besimin se: "reforma konsensuale zgjedhore dhe vullneti i mirë i të gjitha palëve do të sigurojnë që zgjedhjet parlamentare të jenë të lira e të ndershme". 

Rama: Clinton, garanci për zgjedhjet 

 
Theksi që zonja Clinton i dha domosdoshmërisë së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vitin 2013 nga podiumi i Parlamentit shqiptar, për kryetarin e opozitës Edi Rama është një garanci për garën elektorale të vitit të ardhshëm. 

Pak pas takimit të veçantë që zhvilloi me sekretaren amerikane të Shtetit, lideri i opozitës dha detaje për mediat së çfarë kishte biseduar me të, ku kryefjala ishin zgjedhjet e ardhshme. 

“Sot shqiptarët kanë nevojë të besojnë te vota dhe mundësia për të vendosur të lirë me anë të votës se kush duhet të qeverisë. Ne do bëjmë çmos që kjo të realizohet dhe ndihma e SHBA është e qartë. Edhe mesazhi i sekretares së Shtetit për nevojën që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të ndershme është për mua dhe opozitën një burim besimi se Shqipëria do t’ia dalë mbanë qershorin e ardhshëm që të shkëputet nga e kaluara e vështirë e zgjedhjeve”, deklaroi Rama. 

 

Kryetari i opozitës e konsideroi të shkëlqyer dhe historike  vizitën e sekretares amerikane të Shetit në këtë kohë shqiptare, siç e cilësoi ai, duke vënë theksin tek privilegji që ai pati për ta takuar dhe për të ndarë me të, siç u shpreh, shqetësimet e opozitës. 

Rama tha se i kishte theksuar zonjës Clinton domosdoshmërinë se Shqipëria duhet të ngrihet në nivelin atyre parimeve dhe vlerave demokratike që SHBA përfaqësojnë, zgjedhje të lira, institucione kushtetuese të pavarura, ekonomi tregu të mbështetur në konkurrencën e lirë. 

Kryetari i opozitës tha se i kishte komonikuar zonjës Clinton mirënjohjen e pakufijshme për mbështetjen e pakursyer ndaj shqiptarëve, duke veçuar atë për Kosovën dhe anëtarësimin tonë në NATO. 

“Unë e garantova sekretaren e Shtetit se në qeveri ne do vijojmë të luajmë rolin që na takon përkrah SHBA, kudo që Aleanca të ketë nevojë nëpër botë”, tha Rama.
  
Kryetari i opozitës nuk la jashtë vëmendjes as komentet për protokollin e vizitës së zonjës Clinton në Tiranë, organizuar nga ambasada e SHBA, ku nënvizoi se mirëorganizimi i kësaj vizite ishte një tjetër tregues i funksionimit të një shteti të organizuar. “Duke u dhënë të gjithëve një mësim mbresëlënës, duke treguar se është një shtet i organizuar deri në perfeksion”, shtoi kreu i PS.  

Rrugët e bllokuara dhe qindra forca policie në terren

Ashtu siç ishte paralajmëruar, që në orën 10.00 të mëngjesit policia boshatisi akset kryesore në kryeqytet, në pritje të mbërritjes së sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. 

Policia bllokoi qarkullimin e automjeteve në itinerarin që parashikohej të përshkohej nga eskorta e zonjës Clinton, duke filluar me Rinasin, Qafëkasharin, Rrethrrotullimin e Doganës, Unazën e Re, Pallatin me Shigjeta, Bulevardin Bajram Curri, Hotel Dajtin, Rrugën e Elbasanit, Pallatin e Brigadave, Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Bulevardin Xhorxh Bush dhe Bulevardi Zhan D’Ark. 

Në të njëjtin itinerar, duke filluar nga ora 22 e mbrëmjes së djeshme, policia kishte marrë masa të rrepta për të ndaluar plotësisht parkimin e automjeteve. 

Për të siguruar vizitën e sekretares amerikane të Shtetit në Tiranë, policia kishte angazhuar një kontigjent prej të paktën 600 uniformash blu nga gjashtë komisariatet e kryeqytetit, ndërsa po kaq ishin në gatishmëri. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT