Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bisedë e shkrimtarit dhe publicistit Vangjush Saro me z. Estref Resuli, Kryetar i Shoqërisë Shqiptare EAGLES LAND e BC - Kanada

| E enjte, 01.11.2012, 06:48 PM |


Intervistë

Komuniteti shqiptar është një realitet, afirmimi i tij lyp edhe më shumë përpjekje

Bisedë e shkrimtarit dhe publicistit Vangjush Saro me z. Estref Resuli, Kryetar i Shoqërisë Shqiptare EAGLES LAND e BC - Kanada, në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë

V. Saro: Z. Estref, publiku i gjerë në Shqipëri dhe në diasporë është në dijeni të ekzistencës dhe të përpjekjeve afirmuese të disa shoqatave të shqiptarëve në Kanada. Lexuesit do ta ndiqnin me interes përshkrimin tuaj në lidhje me hartën në të cilën janë vendosur dhe punojnë emigrantët shqiptarë, posaçërisht këtu në BC.

Estref Resuli: Komuniteti shqiptar në BC (British Columbia) është relativisht i ri, nga pikëpamja kronologjike. Me përjashtim të një numri të kufizuar refugjatësh politikë shqiptarë, rreth 50-60 vetë, që janë vendosur në BC në vitet 1960-1965, pjesa dërmuese e komunitetit  tonë përbëhet nga shqiptarët e ardhur  pas viteve ‘90, kur u përmbys sistemi  komunist në Shqipëri, si dhe në periudhën e luftës në Kosovë 1999 - 2000.

Statistika të sakta të numrit të shqiptarëve në provincë, ende nuk kemi, por duke iu referuar burimeve të besueshme, mendohet se në BC (British Columbia) jetojnë rreth 2500 shqiptarë. Siç edhe e merrni me mend, ndonëse më pak, vazhdojnë ende të vijnë.

V. Saro: Dhe si janë vendosur, përafërsisht? Nëse keni të dhëna, ku punojnë?

Estref Resuli: Në British Columbia, shqiptarët janë përqendruar kryesisht në Lower Mainland, por ka edhe një grup të vogël  në Victoria, kryeqytet i BC, në ishullin e Vankuverit; familje të veçanta jetojnë edhe në Kamloops dhe Kelowna. Fatkeqësisht, me shqiptarët që janë jashtë zonës së Lower Mainland, ende nuk kemi  mundur të vendosim kontakte dhe komunikim të rregullt në nivel shoqate; marrëdhëniet kanë mbetur thjesht në modelin e njohjeve personale dhe familjare. Jemi të vendosur ta ndryshojmë këtë format.

Duhet shtuar që ndonëse një komunitet relativisht i ri në BC dhe Kanada, shqiptarët e Vankuverit - nëse më lejoni të huazoj një termin tuaj - janë integruar në një shkallë të kënaqshme në sistemin kanadez dhe punojnë në profesione të tilla, si jurist, pedagog, menaxher në universitet, mësues, inxhinier, IT, biznesmenë të sukseshëm; një pjesë e mirë e tyre, janë të vetëpunësuar në sektorin e ndërtimit dhe shërbimeve.

V. Saro: Me sa jemi në dijeni, Shoqëria Shqiptare EAGLES LAND e BC, po përpiqet që “pesha” e këtij komuniteti të ndjehet më mirë. Në këtë sens, si drejtues i kësaj shoqërie, do të dëshironim të na bëni një pasqyrë sa më realiste të objektivave dhe më tej, të veprimtarive kryesore të zhvilluara deri më tani nga kjo shoqatë.

Estref Resuli: Nëse me lejoni, fillimisht dëshiroj t’ju tregoj një ndodhi personale. Kur erdha për herë të parë, bashkë me familjen në Vankuver, në korrik të vitit 1999, mora një libër telefonash të bizneseve dhe shoqatave që vepronin ne BC. Duke shfletuar librin, nuk gjeja  asnjë shoqatë, organizatë apo biznes shqiptar, por çuditërisht më mbetën sytë te një emër, “Klubi kurd i Vankuverit”; dhe mendova: Si ka mundësi, që komunitete kaq të panjohura, që tek e fundit nuk kanë shtet, kanë një shoqatë...

V.Saro: U ndjetë keq. Donit të reagonit, për t’i dhënë të tjerëve pas jush mundësinë që të mos përjetonin të njëjtën gjë.

Estref Resuli: Pikërisht. Mbase ky ishte edhe një nga motivet që na inkurajoi dhe më pas, na bashkoi ne, një grup nismëtarësh me z.Edison Heba, Sokol Vukaj, Bajram Kerpi, Petrit Anamali, etj., për të krijuar - më 24 shtator 2006 - sipas rregullave të inkorporimit në shtetin kanadez, një shoqatë të shqiptarëve. Shoqata, të cilën e “pagëzuam” Shoqëria Shqiptare EAGLES LAND e BC, do të kishte karakter kulturor e patriotik dhe do të synonte organizimin dhe bashkimin e shqiptarëve që jetojnë në BC për të ruajtuar dhe zhvilluar më tej gjuhën amtare, traditat dhe kulturën tonë, si dhe do të ndihmonte për forcimin e lidhjeve  midis Kanadasë dhe Shqipërisë.

Kjo shoqëri nuk u krijua mbi një truall bosh, pasi në të kaluarën kishte patur njëfarë organizimi - më tepër të karakterit familjar - të një grupi shqiptarësh të vjetër që mblidheshin bashkarisht për të festuar Ditën e Flamurit. Por gjithsesi, krijimi i Shoqërisë Shqiptare Eagles Land, do t’i jepte atij që quhet Great Vankuver një nocion më të plotë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

V.Saro: Mendoj, edhe përmes aksionesh konkrete...

Estref Resuli: Patjetër. Qysh prej krijimit të saj, në vitin 2006, shoqata ka organizuar një sërë veprimtarish të sukseshme, përveç festimit tradicional të Festës së Flamurit dhe piknikëve të përvitshëm. Në këtë kuadër, mund të përmendim aktivitete të tilla që i kanë kaluar kufijtë e shoqatës sonë, si p.sh. Manifestimi për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në Downtown Vankuver; Koncerti simfonik me pjesë të kompozitorëve shqiptarë për nder të 100-vjetorit të Lindjes së Nënë Terezës, koncert i drejtuar nga dirigjenti i mirënjohur shqiptar z. Bujar Llapaj dhe orkestra e tij WEST Coast, në bashkëpunim me Ark-dioqezën e Vankuverit dhe me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit shqiptar në Kanada, të nderuarit Besnik Konçi; po ashtu, prania në ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar në Whistler për Lojrat Olimpike Dimërore të Vankuverit në 2010, darka festive për nder të delegacionit olimpik shqiptar në këto lojra, etj.

Momente të tjera të veçanta në veprimtarinë e shoqatës, kanë qenë hapja e shkollës së parë shqipe në BC për fëmijët shqiptarë, organizimi i foto-ekspozitës “BESA” në Simon Fraser University, së bashku me fondacionin Hebrew Union College-Jewish Institute of Religion Museum, mbledhje fondesh modeste në ndihmë të përmbytjeve në Shkodër, etj.

V.Saro: Z. Kryetar, siç dihet, një pamje e rëndësishme e veprimtarisë së shoqatave në diasporë, është raporti që ato krijojnë me shtetin ku jetojnë dhe njëherësh, me shtetin amë. Si paraqiten këto raporte në vështrimin tuaj dhe të drejtuesve të tjerë të Shoqërisë Shqiptare EAGLES LAND e BC?

Estref Resuli: Keni prekur një temë delikate dhe mjaft të ndjeshme.  Raporti  midis shoqatës sonë dhe shtetit kanadez kufizohet vetëm në zbatimin e kërkesave të legjislacionit kanadez për veprimtarinë e shoqërive të inkorporuara. Sa për marrëdhëniet me shtetin shqiptar, ato janë inegzistente. Nuk ka asnjëlloj komunikimi, qoftë elektronik, qoftë zyrtar, mes shoqatës sonë dhe Ambasadës Shqiptare në Ottawa; nuk jam i sigurt, nëse mund të ketë këso me shoqata të tjera në Kanada.

Kam përshtypjen se Ministria e Punëve të Jashtme, as që e vë ujin në zjarr për diasporën në Kanada; mbase mund të jetë më e interesuar vetëm për komunitetin shqiptar në Amerikë, për vetë “peshën” e këtij komuniteti atje, sa edhe për rëndësinë e politikës amerikane. Ne e kemi të qartë se Shqipëria ka mjaft halle dhe probleme për të zgjidhur  brenda vendit së pari; ndaj nuk është se presim ndonjë gjë të madhe  prej saj. Por, thjesht sa për ta ilustruar mendimin, është i papranueshëm fakti që nuk ka asnjë sugjerim, vëmendje apo edhe këshillë, pa le materiale a diç tjetër më konkrete dhe më kontribuese, për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

V.Saro: Më duket një kërkesë me vend dhe që flet për mungesat e theksuara të shtetit në raportet e veta me diasporën. Gjithsesi, ju përmendët disa veprimtari, në të cilat ka qenë ish-Ambasadori shqiptar...

Estref Resuli: Edhe njëherë, duhet të theksoj - si një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm - ndihmën e shkëlqyer dhe bashkëpunimin që kemi pasur me ish-Ambasadorin e Shqipërisë në Ottawa, të nderuarin Besnik Konçi, sot Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ne dëshirojmë që kjo traditë të vazhdojë edhe nga pasardhësja e tij, znj. Elida Tepelena, në të mirë të zhvillimit dhe forcimit të komunitetit shqiptar në British Columbia.

Gjithsesi, ideja është që të ketë njëlloj marrëdhënieje, interes dhe kujdes, këtu dhe kudo që jetojnë dhe punojnë shqiptarë.

V.Saro: Njihen vështirësitë, në radhë të parë ato organizative dhe financiare, në të cilat përpiqen të mbijetojnë shoqatat në diasporë. Megjithatë, sipas jush, çfarë i mungon, a më mirë, çfarë mund t’i ofrohej më shumë komunitetit shqiptar në diasporë, veçmas edhe këtu në Kanada? E kemi fjalën për ata që sapo shkelin në Kanada, por edhe për qytetarët që tashmë janë stabilizuar, por kanë pretendimet dhe synimet e tyre. Cila është përvoja e Shoqërisë Shqiptare EAGLES LAND e BC në këtë temë?

Estref Resuli: Unë mendoj se një komunitet është  i qendrueshëm dhe i stabilizuar kur anëtarët e tij janë të vetëdijshëm për  nevojën e të qenit së bashku, por sidomos kur ata janë ekonomikisht të fortë dhe të sukseshëm. Fatmirësisht, kemi shembuj suksesi individual në biznes të shqiptarëve këtu në Vankuver, por që nuk përkthehen automatikisht në dëshirë dhe vullnet për të kontribuar në dobi të komunitetit, për rritjen dhe zhvillimin e tij. Ne kemi një ëndërr për të patur një shtëpi të përbashkët shqiptare apo qendër kulturore shqiptare këtu në Vankuver; por për ta kthyer këtë ëndërr në realitet, na duhet kontributi i të gjithëve, jo vetëm i anëtarëve të komunitetit shqiptar, por dhe më gjerë. Ndoshta do të duhet kohë, por duhet filluar nga puna. (Si është ajo shprehja...“Edhe Roma nuk u ndërtua në një ditë.”) Duke qenë se baza financiare e shoqatës sonë, janë vetëm kontributet vullnetare të anëtarësisë, të dobishme, por mjaft modeste, përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe dashamirësve të Shoqërisë Shqiptare Eagles Land të kontribojnë dhe të dhurojnë sipas mundësisë dhe dëshirës në dobi të prosperitetit të komunitetit tonë në BC.

Të kthehemi tani te thelbi i pyetjes suaj. Ndihma jonë për emigrantët e rinj, shfaqet kryesisht në aspektin e këshillave për punësim, për shkollimin e fëmijëve; kjo ende nuk është një përvojë plotësisht  institucionale. E dimë, mbetet shumë për të bërë; mbi të gjitha, duhet të rritet fryma kolektive e bashkëpunimit si komunitet, kundër mentalitetit të vjetër të egos individuale, indiferencës dhe mosangazhimit.

V.Saro: Z.Resuli, a ka një dialog me shoqatat e tjera? Dhe së fundi, cilat janë disa nga veprimtaritë kryesore me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të shtetit shqiptar? Sigurisht, Shoqëritë Shqiptare kanë një kalendar sado modest në këtë jubile...

Estref Resuli: Dialogu me shoqatat e tjera në Kanada, SHBA apo gjetkë, është i mirëpritur; por aktualisht, ky lloj komunikimi në nivel shoqatash lë për të dëshiruar, përderisa ende bëhet fjalë vetëm për iniciativa personale. Në Kanada veprojnë disa shoqata, të shpërndara sipas provincave përkatëse, si në Toronto, Bashkësia Shqiptare e Quebec në Montreal,  Bashkësia Shqiptare e Edmontonit në Alberta, etj. Mendoj se ka ardhur koha që jo vetëm të vendosen kontakte të rregullta dhe të ketë veprimtari të përbashkëta midis shoqatave shqiptare në Kanada, por ndoshta edhe të krijohej një Këshill i Përgjithshëm, për të koordinuar dhe zgjeruar gamën e aktiviteteve të komunitetit shqiptar.

Për ta përmbyllur përgjigjen, veprimtaritë për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë kanë filluar më herët, me një sërë aktivitetesh, si festimet për ditën e nënës, dy piknikët e verës në muajt korrik dhe gusht, etj. Po punohet edhe për riformatimin dhe përmirësimin e faqes zyrtare në internet - www.eaglesland.org - po ashtu, për botimin e një gazete në format elektronik për shqiptarët e BC. Veprimtaritë për jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë do të përmbyllen me ceremoninë festive që do të organizohet më 25 nëntor në Grand Ball Room në 14500 River Road Richmond.

Së fundi, me iniciativë të z. Fadil Berisha, njeri i biznesit, është menduar që në datën 28 Nëntor të organizohet në Vankuver një koncert festiv me këngëtarë nga Shqipëria dhe Kosova.

V.Saro: Në mbyllje të kësaj interviste, bisede, a kishit gjë tjetër për të shtuar, i nderuar z. Resuli?

Estref Resuli: Po. E para, duhet inkurajuar shteti dhe qeveria shqiptare të zgjerojnë gjithë spektrin e marrëdhënieve me diasporën; janë rreth 1 milion shqiptarë që punojnë kudo nëpër botë, të cilëve, midis të tjerave, duhet t’iu krijohet mundësia edhe për të votuar, siç ndodh me shumë vende të spektrit demokratik. E dyta dhe e fundit, përfitoj nga rasti të uroj gjithë bashkatdhetarët tanë, kudo që ndodhen: Gëzuar festën e 100-vjetorit të Pavarësisë!

V.Saro: Ju faleminderit dhe suksese!